/Ascanio Celestini /
I urrej ata popuj të Botës së Tretë që duan të ndërtojnë bombën atomike. I urrej.
T’më falni, unë jam një njeri që flet hapur, ë… Unë nuk e kam gojën të qepur. Unë jam një njeri që shkon në lokal, rri në lokal dhe politikën e ndjek nga lokali. Me një raki përpara, me një kafe normale apo një konjak, unë e kuptoj se si po shkon bota. Unë jam dikush që flet shkoqur fare, ëëë.
Dhe dua të them që i urrej ata popuj të Botës së Tretë, të mjerët, që duan të ndërtojnë bombën atomike. Dhe është e nevojshme të thuhet me kurajo, me qartësi, që lufta është si gjahu!
Lufta është si gjahu në kuptimin që është një sport. Dhe përderisa është sport, nuk duhet të shndërrohet assesi në të rrezikshëm për atë që e praktikon. Më kuptoni?
Ja, për shembull, ç’është një gjahtar? Ju njihni ndonjë gjahtar? Gjahtari është njëri që ka bark të madh, venat me variçe, që mbase gjatë javës punon si gjeometër i kadastrës, por të dielën që pa gdhirë shndërrohet në një Rambo. Vishet me ca rrecka prej palaçoje, merr fishekët dhe çiften, shkon që në agim në një korije, kërkon një patë (shpend), e gjen patën, është gati t’i gjuajë patës… Po a e imagjinoni dot nëse në atë moment pata do të rrotullohej, do të shikonte gjeometrin të veshur si palaço dhe pata të nxirrte çiften e saj e t’i qëllonte me çifte gjeometrit gjahtar?! Do të ishte skandal, ë? Atëherë gjahu do të shndërrohej në diçka të rrezikshme, të dhunshme. Nuk do ishte thjesht sport, një zbavitje.
Edhe lufta funksionon në të njëjtën mënyrë. Lufta dhe gjahu janë e njëjta gjë. Janë sporte. E imagjinoni dot që, nëse unë duhet t’i shpall luftë dikujt, unë që jam një popull civil dhe demokratik, mos vallë do të shpall luftë kundër Francës?! Po të mos tallemi tani, ju lutem!
Unë nëse duhet të bëj luftë kundër dikujt, do shkoja në Iran, llafi që bie, për të bombarduar Iranin. Sepse në Iran janë të gjithë barinj, ca arabë me guna që mbrohen vetëm me gurë. Mendoj unë. Po ju e imagjinoni dot nëse unë shkoj me ushtri në Iran dhe, në vend se të gjej këta barinj arabë me gurë në duar, të gjej bombën atomike? Do ishte si për gjahtarin që të gjente patën e armatosur. Do ishte një gjë vërtet skandaloze, e tmerrshme! Atëherë po që lufta do të bëhej një gjë e dhunshme, e rrezikshme, dhe nuk do të ishte më sport.
Më falni, ëëë, por unë jam një njeri që flas hapur. Unë shkoj në lokal, marr një kafe e një konjak dhe kuptoj se si po shkon bota.
Por dëgjoni, unë dua të them që jam dakord me këtë historinë e vendosjes së embargos vendeve të Botës së Tretë që duan të bëjnë bombën atomike. Edhe nëse tani dikush, ndonjë komunist provokator, do të thoshte “meqë po i vëmë embargo Koresë ngaqë do të bëjë bombën atomike, meqë po i vëmë embargo Iranit, duhet t’i vëmë embargo edhe SHBA se ajo madje edhe e ka bombën atomike”. Po tallemi tani?! Unë do t’i thosha këtij provokatori që unë jam kundër vetëm për armatimin e patave. Unë nuk dua vetëm që pata të jetë e armatosur, por nuk dua që të çarmatosim edhe gjahtarin. Kuptuat? Irani është patë, SHBA është gjahtar.
Se nëse i vëmë embargo SHBA, duhet të vëmë embargo kundër të gjithë atyre shteteve që kanë bombën atomike: kundër Francës, kundër Anglisë, kundër Rusisë (ç’të bëjmë, t’i vëmë embargo Rusisë?), kundër Kinës, Pakistanit, Indisë, Izraelit. E pastaj duhet të vëmë embargo kundër atyre shteteve që bombën atomike e kanë sepse aty, në vendin e tyre, e ka sjellë SHBA. Atyre vendeve që kanë bombën atomike në Evropë, ku di unë, Vendet e Ulëta. Do t’u vëmë embargo Vendeve të Ulëta? Do t’i vëmë embargo Gjermanisë, Turqisë apo Italisë? Se bomba atomike gjendet edhe në Itali.
Unë jam dikush që flet hapur, që shkoj në lokal dhe gjërat i di mirë.
E di që midis Pordenones dhe Breshias ndodhen 90 bomba atomike që, nëse shpërthejnë të gjitha njëkohësisht, do të ishte një shpërthim 900 herë më i madh se bombat në Japoni, në Hiroshima e Nagasaki. Më kuptuat? Po ç’të bëjmë, embargo kundër breshianëve? T’i vëmë embargo Pordenones se ka bombën atomike? Po tallemi tani?! Të bëhemi seriozë!
Unë jam një njeri serioz, që flas hapur. Unë dua të them që po më duket simpatik ky Romano Prodi(2), që edhe pse hiqet pak si komunist, e dini se ç’ka bërë ky? Ka marrë votat e pacifistëve, mjekroshëve me syza e kapela, me flamuj ngjyra-ngjyra dhe pastaj, kur ka bërë buxhetin, u ka shkurtuar para të gjithëve përveç forcave të armatosura. Përkundrazi, për armatimet ka rritur shpenzimet. Bravo Romano, kjo gjë më pëlqen!
Na i hiqni të gjitha, por jo luftën të paktën. Është një zbavitje. Përgjatë historisë, në emër të lirisë dhe demokracisë na keni hequr shumë gjëra, gjërat më të bukura. Na keni privuar nga skllavëria. Më parë kishim zezakët që punonin për ne. Na keni hequr Inkuizicionin e shenjtë, që ishte aq shumë zbavitës kur shkonim në sheshe dhe digjnim njerëz. Apo jo?!
Nuk mundemi më të tymosim një cigare në lokal, po të paktën luftën mundeni t’na i lini, apo jo?
Unë, më falni por unë jam dikush që flet hapur, nuk jam një zanë mali apo një babagjysh i vitit të ri. Unë shkoj në lokal, marr një kafe normale e një gotë raki, dhe kuptoj sesi shkon bota.
E përktheu Xhuliano Bregasi
Shënime:
(1) Ascanio Celestini është aktor, regjisor, shkrimtar dhe dramaturg italian.
(2) Kjo pjesë është shkruar dhe interpretuar nga Celestini në periudhën kur Romano Prodi ka qenë kryeministër i Italisë.
Imazhi: Wikimedia Commons
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).