Komunizmi: Një proces kolosal emancipimi ende i papërfunduar

/Domenico Lossurdo/

Unë vazhdoj ta gjykoj të fuqishëm vizionin e shprehur tek Ideologjia Gjermane, sipas të cilit komunizmi është së pari “lëvizje reale që i jep fund gjendjes së tanishme”. Le t’i hedhim një sy ndryshimeve të ndodhura në botë duke nisur nga i pari revolucion që u referohet ideve të Marksit dhe Engelsit. Përpara tetorit të 1917-s nuk kishte demokraci  as në Perëndim: vazhdonin të ekzistonin tre diskriminimet e mëdha, që preknin përkatësisht gratë, klasat e nënrenditura dhe popujt e kolonizuar apo ato me origjinë të tillë.

Mes shkurtit dhe tetorit Rusia revolucionare u njeh grave të drejtat politike aktive dhe pasive. Të  njëjtën udhë do të ndjekë edhe  Republika e Vajmarit (e nxitur nga revolucioni që shpërtheu në Gjermani një vit pas revolucionit të tetorit) e më vonë SHBA. Në Itali, Gjermani, Austri, Angli e drejta e përgjithshme e votës (për burrat) në një farë mase ishte fituar. Por kjo arritje neutralizohej nga ekzistenca e një dhome të lartë në parlament që vazhdonte të ishte monopol i fisnikërisë dhe borgjezisë së madhe. Diskriminimi racor shfaqej në një formë të dyfishtë: të cilësuar si të padenjë për të themeluar një shtet-komb të pavarur, popujt e kolonizuar ishin i nënshtroheshin sundimit absolut të fuqive të mëdha; në një vend si SHBA afro-amerikanët ishin të përjashtuar nga të drejtat politike (nganjëherë edhe ato civile). E pra, mposhtja e diskriminimit racor në të dyja format e tij nuk mund të mendohet pa kapitullin e historisë që nis në tetor të vitit 1917: roli i partive komuniste është thelbësor në zhvillimin e revolucioneve antikoloniale. Po për sa ai përket SHBA? Në dhjetor të vitit 1952 ministri amerikan i Drejtësisë  i dërgonte Gjykatës Supreme, e cila po trajtonte çështjen e integrimit në shkollat publike, një letër kuptimplote, në të cilën shkruhej: “Diskriminimi racor i shpie ujë propagandës komuniste.” Sfida komuniste ka luajtur një rol thelbësor edhe në mposhtjen e regjimit të supremacisë së bardhë.

Në demokracinë siç kuptohet nga e majta bëjnë pjesë të drejtat sociale dhe ekonomike. Pikërisht patriarku i madh i neoliberalizmit, Hayek-u, deklaron se teorizimi dhe prania e tyre në vendet perëndimore janë produkt i influencës – sipas tij të kobshme – të “revolucionit marksist rus”.

Kuptohet kësisoj që shuarja e sfidës komuniste përkon në Perëndim me periudhën e restaurimit të gjendjes së pararevolucionit. E këtu nuk bëhet fjalë vetëm për zhbërjen e shtetit të mirëqenies sociale. Kaq e rëndë është pesha e pasurisë, saqë edhe në New York Times mund të lexohen deklarata sipas të cilave regjimi sundues në SHBA ështe ‘plutokraci’, jo demokraci. Kundërrevolucioni del hapur edhe ndaj kolonializmit, i cili rivlerësohet nga teoriku i “shoqërisë së hapur” (Popper-i): “Këtyre shteteve (ish-kolonive) ua kemi dhënë lirinë në mënyrë shumë të nxituar dhe të thjeshtë.”

Le të  shohim se ç’ndodh në një vend-kontinent që ka mbetur nën drejtimin e një partie komuniste: Kina, duke i dhënë fund katastrofës së shkaktuar në analizë të fundit nga luftërat e opiumit dhe nga agresioni kolonialist, u ka dhënë miliona njerëzve të drejtën e jetës, të parën nga të drejtat e njeriut; shteti social hedh hapat e parë, ndërkohë që në Perëndim ai mohohet edhe në rrafshin teorik. Duke e reduktuar me shpejtësi të madhe prapambetjen teknologjike në raport me vendet kapitaliste më të zhvilluara, Kina i jep fund “epokës kolumbiane”, epokës së nisur me zbulimin-pushtimin e Amerikës dhe që vazhdon me nënshtrimin e tërë planetit nga Perëndimi. Formohen kështu kushtet për kundërshtimin e tundimeve kolonialiste dhe për demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, siç  konfirmohet nga rënia e doktrinës Monroe, e cila goditjen e parë të fortë e merr nga Revolucioni Kuban.

Siç ndodh shpesh me revolucionet, edhe ai i nisur thuajse një shekull më parë ka marrë një drejtim tërësisht  të paparashikuar. Megjithatë gjendemi përballë një procesi kolosal emancipimi që është shumë larg nga të qenit i përfunduar.

Artikull i shkruar më 2013 për gazetën L’Humanite.

E përktheu Alfred Bushi

Imazhi: El Lissitzky – Proun (Projekt për progres)

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.