Lufta civile ideologjike në SHBA

/Slavoj Žižek/

Pavarësisht fitores së Trump-it në mbylljen e procesit të impiçmentit[1], SHBA po hyn në një luftë civile ideologjike për shkak se konflikti real nuk është midis demokratëve dhe republikanëve, por brenda secilës parti.

Dy javë më parë, gjatë promovimit të filmit të tij të fundit në qytetin Meksiko, Harrison Ford-i deklaroi: “Amerika e ka humbur besueshmërinë dhe udhëheqësinë e saj morale.” Vërtet?! Kur e paska ushtruar SHBA udhëheqësinë e saj morale mbi botën?! Gjatë qeverisjes së Reagan-it apo Bush-it?! Ajo ka humbur atë që nuk e ka pasur kurrë, domethënë ka humbur iluzionin (“besueshmërinë” – sipas fjalëve të Harrison-it) se e ka pasur atë. Trump-i veç sa e ka bërë të dukshme atë që ka qenë gjithnjë e vërtetë.

Më 1948, në fillim të Luftës së Ftohtë, kjo e vërtetë u formulua me sinqeritet brutal nga diplomati dhe historiani amerikan George Kennan: “SHBA zotëron 50% të pasurisë botërore, por ka vetëm 6.3% të popullsisë së globit. Në këtë situatë, detyra jonë në të ardhmen… është ta ruajmë këtë pozicion pabarazie. Për t’ia dalë na duhet të heqim dorë nga çdo sentimentalizëm… duhet të reshtim së menduari për të drejtat e njeriut, rritjen e nivelit të jetesës apo demokratizimin.”

Së këndejmi shpjegohet mjaft më qartë dhe ndershmërisht domethënia e parullës së Trump-it: “Amerika e para!” Kësisoj nuk duhet të shtangemi kur lexojmë se “administrata e Trump-it, e cila në fillim premtoi se do t’u japte fund ‘luftërave të pafundme’, tani ka nisur të përfshijë në arsenalin e saj armë që janë të ndaluara në mbi 160 vende dhe po i bën gati për t’i përdorur në të ardhmen. Planet luftarake të Pentagonit për të ardhmen përfshijnë përdorimin e bombave thërrmuese dhe minave antinjeri, të cilat janë eksplozivë vdekjeprurës të mirënjohur si gjymtues dhe vrasës civilësh shumë kohë pas mbarimit të luftimeve.”

Kush bën si i habitur nga lajme të tilla është thjesht hipokrit: në këtë botë kokëposhtë, Trump-i është i pafajshëm (impiçmenti u mbyll), ndërsa Assange-i është fajtor (për shpalosjen e krimeve shtetërore).

Çfarë po ndodh tani?

Padyshim Trump-i personifikon figurën e re të një mjeshtri politik haptazi të pacipë, i cili përçmon rregullat bazike të njerëzillëkut dhe hapjes demokratike.  

Logjika e veprimeve të Trump-it është artikuluar nga Alan Dershowitz-i (i cili, ndër të tjera, mbron ligjshmërinë e torturës). Sipas këtij profesori të së drejtës në Harvard, nëse një politikan mendon se rizgjedhja e tij është në interesin kombëtar, çdo veprim që ai ndërmerr drejt arritjes së këtij qëllimi është për përkufizim i padënueshëm. “Dhe nëse një president bën diçka që ai beson se do ta ndihmojë të rizgjidhet, në përputhje me interesin publik, atëherë ky veprim nuk mund të përbëjë një quid pro quo që do të sillte impiçmentin.” – argumenton Dershowitz-i.

Këtu shpaloset qartazi natyra e pushtetit jashtë çdo kontrolli serioz demokratik.

Gatë debateve të vazhdueshme mbi impiçmentin e Trump-it doli në pah shpërbërja e substancës së bashkëndarë etike që mundëson dialogun polemik argumentues: SHBA po hyn në një luftë civile ideologjike në të cilën nuk ka ndonjë terren të përbashkët të cilit do t’i referoheshin të dyja palët në konflikt – sa më shumë e përpunon pozicionin e vet secila palë, aq më qartë duket se nuk është i mundshëm asnjë dialog, edhe polemik.

Nuk duhet të magjepsemi fort pas karakterit teatral të procesit të impiçmentit (Trump-i refuzon t’i japë dorën Pelosi-t, Pelosi gris kopjen e fjalimit të Trump-it) pasi konflikti i vërtetë nuk është ai midis demokratëve dhe republikanëve, por brendapërbrenda secilës parti.

SHBA po shndërrohet nga një shtet dypartiak në një shtet katërpartiak: në fakt hapësirën politike po e mbushin ka katër parti – republikanët e establishmentit, demokratët e establishmentit, populistët alt-right[2] dhe socialistët demokratikë.

Tanimë ka oferta koalicioni që i kapërcejnë linjat partiake: Joe Biden-i la të kuptohet se ai mund të emërojë si zv-president një republikan të moderuar, ndërkohë që Steve Bannon-i e ka përmendur disa herë idealin e tij të një koalicioni midis Trump-it dhe Sanders-it.

Dallimi i madh gjendet në faktin se ndërsa populizmi i Trump-it e hegjemonizoi kollaj establishmentin republikan (provë e qartë e kësaj është fakti se, pavarësisht deklamimeve të Bannon-it kundër “sistemit”, përmendja e punëtorëve të zakonshëm nga Trump-i përbën një gënjeshtër), ndarja brenda Partisë Demokratike po bëhet gjithnjë e më e fortë – afërmendsh, përderisa lufta midis establishmentit demokrat dhe krahut të Sanders-it është e vetmja luftë e vërtetë politike që po ndodh.

Po të përdorim nga pak zhargon teorik, duhet të themi se kemi të bëjmë me dy antagonizma (“kontradikta”): ai midis Trump-it dhe establishmentit liberal (për çka u zhvillua procesi i impiçmentit) dhe ai midis krahut të Sanders-it në Partinë Demokratike dhe gjithë të tjerëve.

Na pret një betejë brutale

Lëvizja për të hequr nga detyra Trump-in ishte një orvatje e dëshpëruar për të rifituar udhëheqësinë morale dhe besueshmërinë e SHBA – një ushtrim komik në hipokrizi. Prandaj nuk duhet të na gënjejë zjarri moral i establishmentit demokrat: Karakteri haptazi i pacipë i Trump-it vetëm sa nxori në sipërfaqe atë që ka ekzistuar gjithmonë. Kampi i Sanders-it e kupton qartë këtë: nuk ka kthim prapa. Jeta politike në SHBA duhet të rishpiket në mënyrë radikale.

A është Sanders-i alternativa e vërtetë apo, siç pretendojnë ca “majtistë radikalë”, bëhet fjalë për një socialdemokrat (të moderuar madje) që thjesht kërkon të shpëtojë sistemin? Kjo dilemë është e rrejshme: Socialistët Demokratikë nisën një lëvizje masive të rizgjimit radikal dhe fati i këtyre lëvizjeje nuk është i parathënë.

Një gjë është e sigurt: qëndrimi më i keq i mundshëm është ai i disa “radikalëve majtistë” perëndimorë të cilët priren t’ia heqin fillin klasës punëtore në vendet e zhvilluara si “aristokraci punëtore”, që jeton në kurriz të shfrytëzimit të vendeve në zhvillim dhe është e kapur nga ideologjitë racisto-shoviniste. Sipas pikëpamjes së tyre, i vetmi ndryshim radikal mund të vijë nga “proletarët nomadë” (imigrantët dhe të varfrit e Botës së Tretë) si një agjent revolucionar (të lidhur ndoshta me disa intelektualë të varfëruar të klasës së mesme në vendet e zhvilluara). Po a qëndron kjo diagnozë?

Është e vërtetë që situata e sotme është globale, por jo në kuptimin e thjeshtëzuar maoist të kundërvënies midis kombeve borgjeze dhe kombeve proletare. Imigrantët janë nënproletarë. Pozicioni i tyre është mjaft specifik. Ata nuk janë të shfrytëzuar në kuptimin marksist të fjalës dhe si të tillë nuk është e thënë të jenë agjentët e ndryshimit radikal. Për pasojë, unë e konsideroj këtë zgjedhje “radikale” vetëvrasëse për të majtën: Sanders-i duhet mbështetur pa rezerva.

Beteja do të jetë mizore, fushata kundër Sanders-it do të jetë mjaft më brutale se ajo kundër Corbyn-it në Mbretërinë e Bashkuar. Përveç kartës së zakonshme të antisemitizmit, do të përdoren gjerësisht kartat e racës dhe gjinisë – Sanders-i si një burrë i vjetër i bardhë… Thjesht kujtoni brutalitetin e sulmeve të fundit të Hillary Clinton-it ndaj tij!

Të gjitha këto karta do të luhen duke u bazuar te frika nga socializmi. Kritikët e Sanders-it e përsërisin vazhdimisht se Trump-i nuk mund të mposhtet nga platforma tejet majtiste e Sanders-it dhe se e vetmja gjë që ka rëndësi është të heqim qafe Trump-in. Përgjigjja jonë duhet të jetë se mesazhi i vërtetë që fshihet pas argumentit të tyre është: “Nëse na duhet të zgjedhim midis Trump-it dhe Sanders-it, ne preferojmë Trump-in…”

E përktheu Arlind Qori


[1] Impeachment quhet procesi me anë të të cilit hetohet dhe mund të dënohet nga Kongresi një zyrtar i lartë në qeveritar në SHBA.

[2] Alternative right – e djathta alternative: kështu quhen grupimet e ekstremit të djathtë në SHBA.

Imazhi: Mandel Ngan/AFP via Getty Images

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.