Interneti duhet të jetë një e mirë publike

/Ben Tarnoff/

Interneti është ndërtuar nga institucione publike,atëherë përse kontrollohet  nga korporata private?

Më 1 tetor 2016 Interneti do të ndryshojë dhe kjo gjë nuk do vihet re. Ky ndryshim i “padukshëm” ka të bëjë me komponentin që e bën funksional për përdoruesin e zakonshëm: DNS (Domain Name System) .

Kur vendosim emrin e një faqeje uebi në shfletuesin tonë, DNS është ajo që gjen adresën numerike (IP) të kësaj faqeje, ashtu si një numërator telefonik lidh emrat e personave me numrat e telefonit.

Për vite me radhë DNS ka qenë nën menaxhimin e qeverisë amerikane. Por në tetor menaxhimi dhe kontrolli do të jetë përgjegjësi e një organizate jofitimprurëse e quajtur ICANN, Internet Corporation for Assigned Names and Numbers

ICANN në fakt e ka menaxhuar DNS që nga fundi i viteve 1990 përmes një kontrate me Departamentin e Tregtisë. Ajo që ka ndryshuar është se tani ICANN do të ketë autoritet të pavarur mbi DNS, duke u bazuar në një mënyrë organizimi me shumë aksionerë që supozohet ta bëjë menaxhimin e internetit më shumë ndërkombëtar.

Impakti teknik ka për të qenë transparent dhe me impakt minimal për përdoruesin , pra nuk do të vihet re.

Gjithashtu, meqenëse ICANN ndodhet në Los Angeles do të vazhdojë të rregullohet nga ligji amerikan dhe mund të themi se qeveria amerikane do të jetë sërish në kontroll, por në një formë më pak direkte.

Por rëndësia simbolike e këtij ndryshimi është e madhe. Ky kalim përgjegjësish që do të ndodhë në tetor shënon hapin e fundit në procesin e privatizimit të internetit. Ky hap përmbyll një proces që ka filluar në vitet 1990, kur qeveria amerikane privatizoi një rrjet të ndërtuar me shpenzime të jashtëzakonshme publike.Në këmbim, qeveria nuk kërkoi asgjë dhe as vendosi detyrime apo kushtëzime se si do të jetë forma dhe e ardhmja e internetit.

Në fakt, kjo ishte e pashmangshme, duke marrë parasysh që ishte një zgjidhje ideologjike dhe jo teknike. Në vend që të përballej me kontrollin publik dhe me çështjen e aksesit masiv, privatizimi hoqi mundësinë e një  kontrolli më demokratik mbi internetin.

Por lufta nuk ka mbaruar. Ky dorëzim i fundit i ICANN në duart e privatëve na jep mundësinë për të njohur historinë e panjohur të privatizimit të internetit dhe mundësinë e rikthimit të tij në një të mirë publike.

Origjina publike e internetit

Shpesh herë Silicon Valley përpiqet të ushqejë mitin që novacioni është rezultat i ideve që u vijnë sipërmarrësve në garazhet e tyre te famshme. Por shumë nga idetë novatore që përdor Silicon Valley në fakt vijnë nga kërkimi shkencor i qeverisë, për arsyen e thjeshtë se sektori publik mund të ndërmarrë risk të cilin sektori privat nuk e përballon dot.

Është pikërisht ky izolim nga forcat e tregut që i mundëson qeverisë të financojë punën shkencore afatgjate, e cila në fund arrin të përftojë shumë nga shpikjet e dobishme që njohim.

Kjo gjë është e vërtetë veçanërisht për internetin. Interneti ishte një ide aq radikale dhe e pazakontë,  saqë vetëm dekada financim publik dhe planifikim mund ta nxirrnin në dritë. Jo vetëm që duhej shpikur teknologjia fillestare, por duhej ndërtuar një infrastrukturë e tërë, trajnuar specialistët dhe paguar kontraktorët.

Ironikisht këtë sipërmarrje kaq ambicioze e mundësuan rrethanat e garës së Luftës së Ftohtë. Frika e të mbeturit mbrapa Bashkimit Sovjetik e detyroi qeverinë e asokohshme të rriste vazhdimisht fondet për kërkim shkencor, duke filluar nga dërgimi i satelitit të parë Sputnik në hapësirë nga BS më 1957.

Një pasojë direkte e kësaj ishte krijimi i Agjencisë së Projekteve për Kërkim të Avancuar  (ARPA-Advanced Research Projects Agency ), e cila më vonë do të ndërronte emrin në DARPA( Defense Advanced Research Projects Agency).

ARPA u bë krahu kërkimor i Departamentit të Mbrojtjes .Në vend që të përqendronte kërkimin në laboratorët qeveritarë ,ARPA ndërmori një qasje më të shpërndarë, duke bërë pjesë të kërkimit edhe sferën akademike dhe sektorin privat.

Ne fillim të viteve 60’ ARPA filloi të investonte shumë në fushën kompjuterike, duke ndërtuar sisteme të mëdha kompjuterike në universitete dhe në vende të tjera ku bëhej kërkim shkencor. Por edhe për një agjenci qeveritare e cila financohej bollshëm nga buxheti, këto shpenzime ishin të paarsyeshme. Asokohe të ndërtoje kompjuterë kërkonte qindra mijëra, në mos miliona dollarë. Kështu ARPA  hodhi idenë e ndarjes se burimeve kompjuterike midis palëve të interesuara per të ulur kostot. Kjo ide do të ishte rrjeti i parë kompjuterik.

Ky rrjet do të quhej ARPANET dhe do të ishte guri i themelit të atij që ne sot quajmë internet. ARPANET- i i ndërlidhte kompjuterët më njëri-tjetrin me anë të një teknologjie eksperimentale të quajtur rrugëzim paketash, i cili si fillim e shpërbënte mesazhin në pjesë të vogla quajtura paketa dhe i rrugëzonte nëpër një rrjet switches (urash)  dhe i ribashkonte sërish këto paketa tek nyja marrëse.

Ne vija të trasha ky është akoma mekanizmi që i lëviz të dhënat në internet, por që në atë kohë industria nuk e përfilli duke e quajtur teknologji jo fort praktike. Vite më përpara Forcat Ajrore ishin përpjekur të bindnin AT&T të ndërtonte një rrjet të tillë, por pa sukses. Agjencia (ARPA) madje ia ofroi AT&T ARPANET-in pasi ishte ngritur me qëllim që AT&T ta menaxhonte dhe ta mirëmbante.

Por megjithëse iu ofrua rrjeti më modern kompjuterik në botë, AT&T e refuzoi atë. Manaxhmenti i AT&T me sa duket nuk arriti të shikonte leverdi në blerjen e këtij rrjeti. Kjo mungesë vizioni nga ana e AT&T në fakt ishte fatlume për ne të gjithë. Me menaxhim publik ARPANET lulëzoi. Kontrolli shtetëror i dha këtij rrjeti dy avantazhe të mëdha.

Pikësëpari, paratë ose financimi. Agjencia (ARPA) mund ta financonte vazhdimisht projektin pa u shqetësuar për rikthimin e këtij investimi. Agjencia arriti të angazhonte dhe të financonte njerëzit më të talentuar të shkencave kompjuterike. Kjo përfshirje e kësaj shkalle e energjive krijuese njerëzore do të ishte e paimagjinueshme dhe e pamundur financiarisht për një ndërmarrje private.

Së dyti, agjencia arriti të krijonte një frymë bashkëpunimi dhe eksperimentimi në këtë sipërmarrje, e cila mundësohej nga një etikë pune e bazuar në “open-source”. Pra njerëzit e përfshirë në projekt  duhet të ndanin njohurinë intelektuale me të tjerët, ose në të kundërt do t’u duhej të ndërprisnin bashkëpunimin me agjencinë. Kjo dispilinë shërbeu si katalizator i kërkimit shkencor për shkak se kërkues nga institute të ndryshme mund të zgjeronin dhe përmirësonin arritjet e tyre pa pasur droje nga penalizimet e ligjeve të pronësisë intelektuale.

Një nga arritjet më të mëdha të këtij projekti do të ishin protokollet e internetit, gjë që ndodhi në mesin e viteve 70’. Protokollet bënë të mundur evoluimin e rrjetit bazë Arpanet në atë që kemi sot: internet. Protokollet nuk janë gjë tjetër veçse një gjuhë e përbashkët që mundësojnë rrjeta të ndryshme të komunikojnë me njëra-tjetrën.

Kjo natyrë e hapur dhe universale dota bënte internetin shumë të dobishëm. Ky model premtonte një standard të vetëm, të hapur, funksional, të përshtatshëm për komunikimet digjitale. Imagjinoni si do të dukej kjo nëse do të tentohej nga shumësia e ndërmarrjeve private ku secila do të kishte gjuhën e vet, standardet e veta ! Bashkëpunimi me kompanitë e tjera do të ishte i vështirë për shkak të pronësisë intelektuale e shumë faktorë të tjerë do të sillnin dështimin e projektit.

I mbështetur nga ARPA dhe i përqafuar nga kërkuesit shkencorë, interneti filloi të rritej shpejt. Popullariteti i tij i kaloi kufijtë e ushtrisë dhe kjo bëri që shumë shkencëtare të kërkonin akses në këtë rrjet.

Duke parë rritjen e kërkesës dhe interesit, Fondacioni Kombëtar i Shkencës (NFS) ndërmori një seri iniciativash në mënyrë që ta sillte internetin pranë pothuajse çdo universiteti në Amerikë. Kjo kulmoi në atë që u quajt NSFNET, një rrjet kombëtar që do të përbënte “skeletin” e internetit.

Ky skelet do të ishte bashkësia e kabujve dhe kompjuterëve që do të formonin arterien kryesore të internetit. I ngjante një lumi ku të dhënat rridhnin nga një pikë në tjetrën dhe si çdo lum ku bashkohen rrjedhat e vogla apo përrenjtë, ashtu bashkoheshin edhe degët e internetit në “skeletin” kryesor.

Këto degë të vogla shkonin deri te përdoruesit fundorë të cilët nuk ndërvepronin direkt me rrjetin kryesor. Ata ndiqnin rrugën nga dega e vogël në një më të madhe, më tej te rrjeti kryesor e me radhë deri te nyja që do të ishte destinacioni i të dhënave.

Nga kjo kuptojmë se rrjeti kryesor në fakt është i pavlerë në rast se nuk do të jenë degët e vogla të cilat shkojnë te përdoruesi i interesuar. Kjo gjë do të përbënte një nga sfidat e rritjes se rrjetit. Për të realizuar mbulimin më të madh të mundshëm, NSF subvencionoi edhe rrjeta të vogla lokale  të cilat do të mundësonin lidhjen e universiteteve apo institucioneve të tjera me rrjetin kryesor. Por kjo gjë kishte kosto të lartë. Sipas vlerësimeve të studiuesve  Jay P. Kesan and Rajiv C. Shah, projekti i rrjetit kryesor kombëtar ka kushtuar mbi 200 milionë dollarë. Burime të tjera financimi si qeverisja lokale, agjencitë e tjera shtetërore dhe universitetet kanë kontribuar me rreth 2 miliardë dollarë për t’u ndërlidhur me rrjetin kryesor NSFNET.

Falë këtij financimi të madh me para publike u arrit të krijohej një teknologji e kohës se fundit e ngritur, e rritur dhe e mbrojtur nga dështimi nga agjencia që e mori këtë iniciativë, ARPA. Falë kësaj pune kërkuesit shkencorë amerikane në fund të viteve ‘80 kishin në duart e tyre një teknologji të së ardhmes.

Rruga drejt privatizimit

Në fillim të viteve ’90 interneti po binte pre e suksesit të tij. Interneti filloi të përballej me sfidën e rritjes. Kishte vazhdimisht mbingarkesa dhe sa herë zgjeroheshin kapacitetet, aq shumë zgjerohej dhe numri i përdoruesve.

Ne 1988 trafiku ishte rreth 1 milion paketa në muaj, ndërsa në 1992 ishin rreth 150 miliardë. Ashtu si autostradat e reja krijojnë më shumë trafik, edhe përmirësimet dhe zgjerimet e rrjetit sillnin mbingarkesë të vazhdueshme.

Dukej sheshit që njerëzit e pëlqenin internetin. Këto shifra do të kishin qenë edhe më të larta sikur NFS të mos vinte kufizime trafiku ndaj përdoruesve. Politika e përdorimit të drejtë ndalonte përdorimin e internetit për qëllime komerciale, duke e rezervuar infrastrukturën dhe burimet për qëllime edukimi dhe kërkimi shkencor. Duke marrë parasysh rrethanat, kjo politikë ishte e detyrueshme për të ruajtur rrjetin nga mbingarkesat, por edhe për arsyen se Kongresi mund të ndërpriste financimin me para publike të dickaje që po përdorej për qëllime komerciale.

Por në praktikë kjo politikë ishte e vështirë për t’u zbatuar duke qenë se kompanitë po e përdornin rrjetin gjithnjë e më shumë. Madje mund të themi se sektori privat kishte kohë që nxirrte fitime nga interneti, qofte si nenkontraktorë të infrastrukturës, qoftë si përfitues indirekt të programeve,teknologjisë dhe profesionistëve të cilët u formuan nga ky financim publik.

Megjithëse politika e përdorimit të drejtë dukej thjesht një formalitet ligjor, ajo pati një efekt real në mënyrën se si u zhvillua më tej interneti. Duke ndaluar trafikun komercial, i dha “mundësinë” sektorit privat që të ndërtonte rrjeta të ngjashme private. Ne fillim të viteve ‘90 ishte krijuar një shumëllojshmëri ofruesish privatë të këtij shërbimi, të cilët e ofronin këtë shërbim pa kufizime trafiku.

Shumica e këtyre rrjeteve private i kishin origjinat te rrjeti i pare publik. Madje punësuan profesionistë që më përpara kishin punuar në agjencinë shtetërore ARPA për të përfituar nga njohuritë e tyre. Këto rrjeta private gjithsesi kishin një kufizim. Ato mund të funksiononin vetëm në mënyrë të izoluar për shkak se politika e përdorimit të drejtë i ndalonte që të lidheshin me rrjete të tjera; pra e thënë më thjesht të dilnin në internet. Kjo gjë sigurisht ua ulte vlerën.

Këtu do të arrijmë një pikë tjetër kulmore në historinë e internetit. Interneti ishte zhvilluar dhe kishte lulëzuar me këtë pronësi apo menaxhim publik. Mirëpo kishte arritur një pikë kritike. Faktori teknik i rritjes së kërkesës për trafik dhe faktori ligjor që ndalonte rrjetet private të lidheshin më njëra-tjetrën dhe me rrjetin kryesor do të përbënin shkaqet e këtij momenti  kritik, që kërkonte zgjidhje. Dhe siç është e modës të mendohet kur shikohet që publiku nuk i arrin t’i zgjidhë këto probleme, zgjidhja e vetme e mundshme ishte privatizimi. Privatizimi do të zgjidhte problemet teknike dhe ato politike apo ligjore.

Drejtori i rrjetit shtetëror NSFNET Stephen Wolff mendonte që dorëzimi i internetit në duart e sektorit privat do i zgjidhte këto probleme. Si fillim fluksi i investimit privat në infrastrukturë do t’u jepte fund mbingarkesave në rrjet dhe së dyti heqja e politikës së përdorimit të drejtë do të lejonte rrjetet private të lidheshin me rrjetin kryesor. Interneti do të çlirohej nga kontrolli shtetëror dhe më në fund do të bëhej një shërbim për masat.

Hapi i parë u ndërmor më 1991. Disa vite më parë NFS i kishte dhënë kontratën e mirëmbajtjes një grupi universitetesh të quajtur Merit në bashkëpunim me IBM dhe MCI. Ky grup biznesesh arriti të nuhaste një mundësi biznesi dhe filloi t’u shiste të tretëve akses në rrjetin kombëtar .Kjo gjë normalisht bëhej me bekimin e administratës se NFS dhe drejtorit Wolff.

Diçka e tillë nuk kaloi pa u vënë re nga bota amerikane e biznesit dhe nga kompani të tjera rrjetesh. Ato e akuzonin NFS se kishte rënë në ujdi me grupin që menaxhonte rrjetin dhe që kishte krijuar monopol. Sigurisht të gjithë e nuhatën që interneti po kthehej në një minierë ari dhe donin copën e tyre të tortës.

Ata e çuan çështjen në Kongres. Kongresi sigurisht nuk u mundua të vinte në dyshim apo të ndalonte privatizimin, por vetëm të arbitronte termat se si do të ndahej ky privatizim midis palëve të interesuara. Cikli i privatizimit ishte vënë në lëvizje. Tani kishte ngelur ndarja e “plaçkës”.

Këto seanca dëgjimi në Kongres e detyruan NFS t’i jepte një rol më të madh industrisë në përcaktimin e të ardhmes se këtij rrjeti. Kjo gjë e thelloi dhe e përshpejtoi privatizimin.

Hapi i radhës dhe me logjikën e privatizimit ishte eliminimi i rrjetit kombëtar NSFNET. Në vend të këtij rrjeti kryesor kombëtar publik do të kishte disa rrjete në pronësi private. Kjo gjë filloi të merrte formë në 1993.

Sipas drejtuesve të industrisë, ky rikonceptim do e sheshonte garën midis operatorëve privatë. Gjithsesi kjo “hapje” e lojës eliminonte monopolin shtetëror për të krijuar oligopolin privat duke qenë se gjithsesi në fund të procesit do të operonin vetëm disa kompani të mëdha e të fuqishme në treg.

Për të qenë të saktë, numri i këtyre kompanive do të ishte pesë. NFS nuk po hapej drejt tregut të lirë, po thjesht po i dorëzohej pak korporatave. Ky dorëzim u bë pa kushte. Qeverisja qendrore nuk do të mbikëqyrte rrjetin e ri kryesor që po krijohej dhe nuk do të rregullonte mënyrën se si operatorët privatë do të menaxhonin infrastrukturën e tyre.

Nuk do të kishte më as subvencione për rrjetat jofitimprurese të cilat kishin lidhur kampuset universitare dhe komunitete të tëra në fillimet e internetit. Këto rrjeta shumë shpejt u blenë nga korporatat e mëdha ose falimentuan. Në 1995 NFS deklaroi fundin e NFSNET, rrjetit të parë të internetit. Për pak vite cikli i privatizimit ishte kompletuar.

Privatizimi i shpejtë i Internetit ndodhi pa kundërshtim dhe pa debat të qenësishëm. Bëhemi naivë po të themi se privatizimi u realizua nga drejtuesit shtetërorë apo Kongresi, pa marrë parasysh sfondin historik të viteve ‘90. Pra konsensusin e gjerë neoliberal që shpallte triumfin e tregut të lirë megjithë mungesën e rregullimit që sjell. Në këto kushte privatizimi konsiderohej proces jo vetëm i dobishëm për shoqërinë, por edhe i pashmangshëm.

Normalisht nuk pati asnjë fushatë të organizuar për ta ndaluar privatizimin apo lëvizje për të ofruar ndonjë alternativë. Kjo lëvizje do të kishte zgjidhur problemet e internetit duke e popullarizuar atë, por edhe pa e privatizuar komplet atë. Në vend që të braktiste rrjetat lokale të kampuseve dhe komuniteteve, qeveria mund t’i kishte zgjeruar ato.

Me tarifat që do të paguanin operatorët privatë, qeveria mund të mundësonte internetin si një të drejtë sociale, me shpejtësi të lartë dhe kosto të ulët. Ndërkohë që agjencitë rregulluese si FCC do të përcaktonin rregullat se si do të funksiononte rrjeti kryesor dhe tarifat që operatorët do t’i paguanin njëri-tjetrit për kalim trafiku.

Por implementimi i vetëm një fraksioni të vogël të këtyre politikave do të kërkonte një mobilizim të gjerë popullor. Meqenëse në ato vite internet nuk ishte shumë i njohur për masat e gjëra, ndërtimi i një koalicioni për demokratizimin e kësaj teknologjie ishte i vështirë.

Në këto rrethana privatizimi korri një fitore të pakontestueshme pasi ishte një proces gati i padukshëm në sytë e publikut dhe kompanitë private morën në kontroll një teknologji e cila shumë shpejt do të revolucionarizonte botën.

Rikthimi i internetit si një e mirë publike

Njëzet vjet më vonë interneti është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Por struktura e pronësisë të infrastrukturës kryesore të tij nuk ka ndryshuar thuajse fare. Më 1995 rrjetin qendror të internetit e zotëronin pesë kompani. Sot janë midis 7-12 ofrues  dhe zotërues të këtij rrjeti qendror në Shtetet e Bashkuara dhe disa të tjerë përtej oqeanit.

Duke marrë parasysh edhe një seri të gjatë shkrirjesh, blerjesh, riorganizimesh, shumë nga kompanitë e mëdha kanë lidhje ose varësi me oligopolin fillestar: AT&T , Cogent, Sprint, Verizon.

Për të realizuar një rrjet global të bashkuar të internetit, duhet që të gjitha rrjetat qendrore të lidhen me njëra-tjetrën dhe me ofruesit e vegjël. Kjo ndërlidhje realizon kalimin e të dhënave nga një pikë e globit në tjetrën. Por duke pasur parasysh mënyrën se si ndodhi  privatizimi, qeveritë nuk e rregulluan mënyrën si do të realizohej interkoneksioni, pra kompanitë e mëdha kanë dorë të lirë për të negociuar çdo lloj marrëveshjeje me njëra-tjetrën.

Zakonisht kompanitë e mëdha lidhen me njëra-tjetrën falas për shkak të interesit të kuptueshëm të përbashkët, por tarifojnë ofruesit më të vegjël për transportimin e trafikut. Këto kontrata jo vetëm që janë të parregulluara nga institucionet publik, por zakonisht janë edhe sekrete. Kjo siguron që ujditë e brendshme të këtyre korporatave të mëdha mbahen të fshehura ndaj opinionit publik.

Së fundmi kanë ndodhur përqendrime të reja të këtij pushteti .Rrjeti qendror nuk është i vetmi që kontrollohet nga të paktët. Sot më shumë se gjysma e të dhënave që shkon te përdoruesit amerikanë vjen nga jo më shumë se tridhjetë kompani, ku Netflix-i zë një pjesë të konsiderueshme të këtij trafiku.

Gjigandët e telekomit dhe kabllorët si Comcast,Verizon, Time Warner dominojnë tregun për shërbimin me brez të gjerë (broadband – shërbimi që kemi në shtëpitë tona). Këto dy industri e kanë transformuar arkitekturën e internetit. Madje për t’u lidhur me njëra-tjetrën kanë anashkaluar edhe rrjetin qendror. Ofruesit e përmbajtjes (content providers) si Netflix tashmë e kalojnë përmbajtjen e tyre direkt në rrjetin e ofruesve broadband si Comcast, duke shmangur rrugën e gjatë e kalimit të trafikut në gjithë ciklin e zakonshëm të internetit.

Këto ujdi kane shkaktuar shumë nervozizëm dhe pakënaqësi dhe kanë ndihmuar që të ndërmerren hapat e parë drejt rregullimit të Internetit në SHBA. Në vitin 2015 kemi fitoren e parë të këtij rregullimi, ku FCC shpalli vendimin më të fortë deri më sot për të detyruar kompanitë të ruajnë “neutralitetin e rrjetit” (net neutrality), parim ky që garanton që ofruesit e internetit të trajtojnë njësoj trafikun e një kompanie të fuqishme si Netflix më atë të blogut të vogël të një gazetari.

Ne praktikë ky lloj neutraliteti është i vështirë për t’u arritur duke pasur parasysh dhe arkitekturën e sotme të internetit. Por një rregullim i tillë ka kthyer sytë e publikut drejt kontrollit që kanë korporatat e mëdha mbi internetin dhe na ka sjellë disa fitore reale.

Ky vendim i FCC i riklasifikoi ofruesit e broadband-it si “transportues të së përbashkëtës” (common carriers), gjë që i nënshtron për herë të parë ndaj rregullimit të telekomunikacioneve. Agjencia ka premtuar që këtë fuqi të re mbi kompanitë do ta përdorë për t’i ndaluar ato që të bllokojnë trafikun drej site-ve të caktuara, të ngadalësojnë shpejtësitë e konsumatorëve dhe të pranojnë  “prioritizim trafiku”  të paguar nga ofruesit e përmbajtjes (content providers).

Vendimi i FCC është një fillim i mbarë, por i pamjaftueshëm. Ai nuk arrin të ketë zbatim të gjerë mbi gjithë industrinë e telekomit dhe i përjashton ofruesit e shërbimit broadband nga shumë rregullime dhe detyrime të ligjit të komunikimeve të 1934, nga koha e New Deal-it.

Ai gjithashtu fokusohet te shërbimi broadband, duke lënë mënjanë rregullimin e rrjetit qendror (backbone).Por ky vendim në të ardhmen mund të zgjerohet, meqenëse FCC e ka lënë të hapur sidomos për fazën e implementimit.

Një front tjetër premtues është ofrimi i internetit nga pushteti lokal, bashkitë dhe komunat (municipal broadband). Në vitin 2010 ndërmarrja e rrjetit elektrik në Çatanuga të Tenesisë filloi t’u ofronte banorëve shërbim interneti me çmim të përballueshëm. Ajo përdori infrastrukturën e rrjetit elektrik për të implementuar një rrjet me fibër optike. Ky rrjet i ngritur pjesërisht me financimin e qeverisjes qendrore arrin t’u ofrojë banorëve të tij  një nga shërbimet më të shpejta të internetit rezidencial në botë.

Industria e broadband-it ka reaguar më shumë forcë duke lobuar fuqishëm që të ndalohen ose të kufizohen eksperimente të tilla. Por suksesi i modelit të Çatanugës ka frymëzuar shumë projekte të ngjashme në qytete të tjera duke përfshirë Siatëllin, ku anëtarja socialiste e këshillit bashkiak e mbështet prej kohësh këtë ide.

Këta mund të duken si hapa të vegjël, por na çojnë të besojmë se ekziston mundësia e ndërtimit të një lëvizjeje popullore për të kthyer mbrapsht privatizimin. Kjo gjë realizohet jo vetëm me zgjerimin e kontrollit dhe rregullimet nga institucionet publike dhe me ofrimin e shërbimit nga ndërmarrjet publike bashkiake, por edhe duke ndryshuar retorikën drejt reformimit të internetit.

Një nga idetë më të dëmshme të reformuesve të internetit është se rritja e konkurrencës do ta demokratizojë atë. Për t’u mbajtur në këmbë interneti kërkon shumë infrastrukturë dhe është e gabuar ideja se ndarja e korporatave të mëdha në të vogla, duke u bazuar te tregu, do të sjellë rezultat më të mirë.

Në vend që të përpiqemi t’i shmangemi përmasave të mëdha të internetit, duhet ta përqafojmë këtë tipar, duke e sjellë nën kontroll demokratik. Kjo nënkupton zëvendësimin e ofruesve privatë me publikë aty ku është e mundur dhe një rregullim më të madh atje ku nuk është e mundur.

Nga ana teknike nuk ekziston asnjë arsye që interneti të jetë në kontrollin e pak korporatave. E ardhmja e internetit është problem politik. Si i tillë zgjidhjen e ka politike .

E përktheu Edvin Thomollari

Marrë nga revista Jacobin, 31 gusht 2016.

Imazhi: ENIAC, kompjuteri i parë për përdorim te përgjithshëm, i përdorur nga ushtria amerikane (Hackaday)

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.