Loja popullore e futbollit dhe identiteti klasor

/Owen Jones/

Përkthimi që vijon është shkëputur nga libri CHAVS i autorit Owen Jones. Në të trajtohet stigmatizimi që i ndodh në Angli shtresës më të varfër të popullsisë dhe klasës punëtore si dembelë, huliganë, imoralë etj. Libri argumenton se situata s’ka qenë gjithmonë e tillë dhe se sidomos prej viteve të pasluftës e deri në fillimvitet ’70 identiteti i klasës punëtore përbënte një shënjues identitar krenarie që lidhej me rëndësinë e punës prodhuese në shoqëri që kryente një punëtor miniere, fabrike, agrikulture etj. Lufta që Margaret Thatcher-i i shpalli sindikatave të punëtorëve, nocionit të identitetit klasor dhe vetë nocionit të shoqërisë (nuk ka shoqëri, por vetëm gra e burra dhe familje), duke përhapur ideologjinë hegjemonizuese të shoqërisë së konsumit dhe lakmisë personale drejt karrierizmit, solli shpërbërjen e identitetit klasor dhe degjenerimin e gjendjes së shtresave më të prekura nga vala e neoliberalizmit. Pjesa më poshtë trajton raportin mes lojës së futbollit që lindi dhe u masivizua nëpër lagjet e varfra të punëtorëve dhe transformimin tregtarëzues të saj si dhe margjinalizimin e shtresës së varfër prej saj.

Përçmimi ndaj klasës punëtore që u zgjerua gjatë thaçerizmit (1) arriti zenitin e tij të tmerrshëm me incidentin e Hillsborou-t (2). Sot bota e futbollit vazhdon të kallëzojë shenjat e një ndryshimi dramatik në sjellje gjatë tri dekadave të fundit. Duke parë se çfarë i ka ndodhur pasionit sportiv tradicional të klasës punëtore britanike, mund të krijojmë një ide të mirë mbi ndikimin kulturor të urrejtjes ndaj katundarëve (3). “Loja e bukur” është transformuar për t’u bërë e panjohur.

Megjithëse klubet e mëdha u zhvendosën nga origjinat e tyre kohë më parë – për shembull Mançester Junajtidi u themelua nga punëtorët e hekurudhës – ngelën megjithatë të rrënjosura thellë nëpër komunitetet e klasës punëtore. Futbollistët ishin përgjithësisht djem të ardhur nga rrethinat e klubit të zonës. Ndryshe nga plutokratët e llastuar në të cilët janë transformuar sot disa prej lojtarëve të Premier Ligës, për pjesën më të madhe të shek. XX “futbollistët ishin më keq ekonomikisht sesa pjesa më e madhe e atyre që i ndiqnin nga tarracat të shtunave,” – siç shkruan i biri i futbollistit Stuart Imlach. Në fillimvitet 1950 rroga maksimale për lojtarët ishte vetëm £14 në javë gjatë sezonit – jo shumë më larg pagës së një punëtori krahu – dhe vetëm një ndër pesë lojtarë ishte me aq fat sa ta merrte atë pagë. Lojtarët jetonin nëpër “kasolle të ngjitura” – shtëpi në pronësi të klubeve nga të cilat mund të dëboheshin në çdo moment. Nuk është për t’u habitur që një futbollist, duke folur më 1955 në Kongresin e Sindikatave, u shpreh se “kushtet e punësimit të futbollistëve profesionistë janë fort të ngjashme me skllavërinë.”

Futbolli është zhvendosur nga njëri ekstrem në tjetrin. Flladet e ftohta të ekonomisë së tregut të lirë qëndruan larg botës së futbollit gjatë viteve ’80. Në dekadën e viteve ’90, megjithatë, goditën furishëm. Më 1992, njëzetedy klubet e Divizionit të Parë u ndanë për të formuar Premier Ligën, duke hequr dorë nga detyrimi për të ndarë të ardhurat me klubet e tjera të Ligës. Pjesë e etikës së re komercializuese ishte mbajtja larg nga stadiumet e klasës punëtore. Në publikimin e vet të quajtur Një plan për të ardhmen e futbollit, Shoqata e Futbollit argumentoi se loja duhet të tërheqë “konsumatorët më të kamur të klasës së mesme.”

Kur tarracat e vjetra u hoqën pas incidentit të Hillsborou-t, ndenjëset me çmim bilete më të ulët u zhdukën gjithashtu. Nga 1998 deri më 2008, çmimi mesatar i një bilete stadiumi u rrit me 600%, mbi shtatë herë më shumë sesa çmimi i gjithckaje tjetër. Kjo ishte tërësisht e papërballueshme për shumë pjesëtarë të klasës punëtore. Por disa figura të rëndësishme të futbollit jo vetëm që ishin në dijeni të këtij fakti, por edhe e përgëzuan atë. Siç u shpreh edhe ish-trajneri i ekipit kombëtar të Anglisë, Terry Venables: “Pa dashur të bëj snobin apo të tregohem i pabesë ndaj rrënjëve të mia në klasën punëtore, rritja e çmimit të biletës do përjashtojë sojin e njerëzve që i japin një emër të keq futbollit anglez. Po flas për të rinjtë, kryesisht klasë punëtore, që terrorizonin terrenet e futbollit, trenat, varkat e transportit nëpër kanale, komunat e qytetet në gjithë Anglinë dhe Evropën.” Demonizimi i klasës punëtore po përdorej për të justifikuar rritjen e çmimit të biletës dhe përjashtimin e tyre nga stadiumet.

Në të njëjtën kohë futbolli u var te paraja e madhe dhe bizneset e mëdha. Në fillimvitet ’90, kompania e Rupert Murdoch-ut ‘BskyB’ nënshkroi një marrëveshje prej £305 milion për të drejta eksluzive ndaj FA Carling Premiership. Më 1997 nënshkroi një tjetër marrëveshje katërvjeçare, kësaj here për £670 milion. Jo vetëm që një pjesë e madhe e klasës punëtore është e përjashtuar për shkak të gjendjes ekonomike nga stadiumet: shumë prej tyre as nuk mund ta ndjekin skuadrën e tyre në televizor nëse nuk lëshojnë një dorë të mirë parash për SkyBox. Ndërkohë, sasia e stërmadhe e parave që qarkullon në këtë lojë i ka çrrënjosur skuadrat e futbollit një herë e mirë nga komunitet lokale të dikurshme. Sasi të frikshme parash të tranfertave ka bërë që lojtarë nga qindra mijëra kilometra larg të dominojnë skuadrat kryesore. Skuadrat janë kthyer në lodrat e korporatistëve amerikanë dhe oligarkëve rusë. Dhe me pagat e lojtarëve që vërtiten te rreth £160.000 në javë, ata janë shkëputur tërësisht nga rrënjët e dikurshme në klasën punëtore. Deputeti i Partisë Laburiste Stephen Pound shprehet mbi humbjen e ikonave të klasës punëtore: “Nëse shikon heronjtë e klasës punëtore si Frank Lampard apo David Beckham, cila është gjëja e parë që bëjnë? Shpërngulen nga lagjet e klasës punëtore për lagje si Cheshire apo Surrey (4). Vetë personazhet-model të të rinjve nuk kanë kurajën që të ruajnë identitetin e tyre.

Kjo është fyerja më e madhe. Loja që ishte në qendrën e identitetit të klasës punëtore për një kohë kaq të gjatë është transformuar në një mall konsumi për klasën e mesme që kontrollohet nga spekulatorë miliarderë. Karikaturimi i gjithë klasës punëtore si huliganë agresivë të prirë drejt dhunës ka përbërë justifikimin për përjashtimin e tyre.

***

Është njëkohësisht tragjike dhe absurde situata në të cilën, ndërkohë që shoqëria jonë është bërë gjithnjë e më e pabarabartë dhe në vitet e fundit të varfrit janë bërë më të varfër, përçmimi ndaj vegjëlisë është rritur. Urrejtja ndaj katundarëve është një mënyrë për të justifikuar një shoqëri të pabarabartë. Po sikur pasuria dhe suksesi që disa prej nesh kemi të na jenë dhuruar në një pjatë? Po sikur njerëzit që janë më të varfër se ne të jenë të tillë për shkak të kushteve të vështira me të cilat iu është dashur të përballen? Po të pranohej ky argument, do të shkaktohej një krizë vetëbesimi te të paktët e kamur në shoqërinë tonë. Dhe nëse do ta pranonim këtë argument, atëherë pa dyshim do pranonim se detyra e qeverisë është të bëjë diçka për ta ndryshuar këtë situatë – pikërisht duke shkurtuar privilegjet e tona. Mirëpo nëse e bindim veten se më pak të kamurit kundërmojnë, janë të trashë, racistë dhe arrogantë prej natyre, atëherë është e drejtë që të ngelen aty ku ndodhen – në batak. Urrejtja për katundarët justifikon ruajtjen e rendit aktual, bazuar në trillimin se është në fakt një pasqyrim i drejtë i asaj se sa i vlen lëkura gjithsecilit.

Imazhi: Huffintgon Post

E përgatiti dhe përktheu: Redi Muçi

Shënime:

  1. Periudha 1979 – 1990 në të cilën Margaret Thatcher ishte kryeministre e Britanisë së Madhe.
  2. Më 15 Prill të vitit 1989 në ndeshjen mes Liverpulit dhe Notingam Forestit stadiumi i Hillsborout u tejmbush mbi kapacitetin e vet nga tifozeritë e dy skuadrave, çka rezultoi në daljen e situatës jashtë kontrollit që solli vdekjen e 96 personave dhe lëndimin e 766 të tjerëve.
  3. Termi “katundar” i referohet termit denigrues “chav” që përdoret gjerësisht në Britani ndaj klasës punëtore më të varfër që përgjithësisht vuan nga papunësia dhe përdorimi i drogës mes të rinjve.
  4. Lagje të pasurish në Londër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.