/Klisman Kadiu/
Gjithçka nisi në Bolonja, për të vijuar pastaj në Modena. Është historia e shkurtër, por njëkohësisht e zhurmshme, e “Sardin” (sardeleve), lëvizja më e re italiane e cila u krijua si një kundërpërgjigje ndaj Matteo Salvini-t, liderit të Legës (e quajtur dikur Lega Nord, Lidhja e Veriut). “Pa simbole partiake, kundër racizmit dhe retorikave fashiste.” Kështu shprehet një nga ideatorët e kësaj nisme, Mattia Santoni, 32 vjeç, i diplomuar në shkencën politike.
Si u krijuan ‘”Le Sardine”?
Më 14 nëntor, Matteo Salvini do të niste fushatën e tij elektorale për zgjedhjet vendore të 26 janarit të ardhshëm në rajonin e Emilia Romanjës, duke filluar nga kryeqendra Bolonja. Në sondazhet e para, Lucia Borgonzoni, kandidatja e së djathtës (Lega), gjendej në avantazh për të fituar zgjedhjet dhe për t’u bërë presidente e këtij rajoni. Një lajm i bujshëm ky nëse shohim që historikisht në këtë zonë asnjëherë nuk ka dalë fitues një kandidat/e i/e së djathtës (që nga ndarja rajonale e vitit 1970 deri më sot). Prandaj katër të rinj, Mattia Santoni, Andrea Garreffa, Giulia Trappoloni dhe Roberto Morotti shfaqën shqetësimin ndaj fuqizimit të së djathtës radikale në qytetin e tyre. Nga këtu lindi ideja e një manifestimi kundër Legës.
Hapi i parë që hodhën ishte hapja e një eventi në Facebook, të cilin e quajtën “6.000 sardele kundër Salvinit”. Pse sardele dhe pse pikërisht 6.000? Emri u zgjodh në mënyrë simbolike për t’iu referuar organizimit të sardeleve , të cilat mblidhen të gjitha bashkë, të ngjeshura për t’u mbrojtur nga peshkaqeni i cili në këtë rast në mënyrë figurative është Matteo Salvini. Këta peshq të vegjël, duke u mbledhur bashkë, lëvizin si një trup i vetëm, çka përbën dhe pikën e tyre të forcës që tejkalon dobësinë e theksuar individuale. Kjo lëvizje synon të arrijë një masë popullore të organizuar si një krijesë e vetme. Për sa i përket numrit, duke qenë se në sheshin Paladozza ku do të bëhej hapja e fushatës nga Borgonzoni dhe Salvini, kapaciteti është 5.570 persona, ata menduan se mjaftonin 6.000 vetëpër të qenë më shumë sesa mbështetësit e Salvini-t. Logoja e lëvizjes (edhe pse ideatorët preferojnë ta quajnë thjesht si një fenomen social) u përpunua nga Nicola Gobbi,një dizajner italian i cili jeton në Paris,nën sloganin “Bologna non si Lega” (Bologna nuk lidhet dot –një lojë fjalësh duke iu referuar Legës).
Si është pritur kjo iniciativë?
Përgjigja ka qenë më se pozitive duke parë që nga thirrja për manifestimin e parë në Bolonja nuk u paraqitën 6.000 personat që organizatorët prisnin, por plot 15.000 vetë. Të nesërmen e tubimit u anëtarësuan plot 24.000. Mijëra njerëz po mblidhen çdo javë në sheshet kryesore të qyteteve si Palermo, Piaçenza, Peruxhia, Rimini, për të arritur te manifestimi më i rëndësishëm, ai i 14 dhjetorit në Romë, ku në sheshin kryesor u mblodhën më shumë se 35.000 njerëz. Deri më tani, numri zyrtar i të anëtarësuarve ka mbërritur në rreth 120.000 dhe pritet të rritet dita ditës për shkak të mbështetjes mbarëpopullore që po merr kjo lëvizje. Ideja e këtyre të rinjve mori dhenë në rrjetet sociale kur, një javë pas krijimit, në Modena 7.000 protestues filluan të këndonin të gjithë njëzëri “Bella Ciao”-n, këngën e njohur të partizanëve italianë, që sot është simbol i antifashizmit dhe është shndërruar tanimë në himn të kësaj lëvizjeje. Ajo këndohet kudo, në çdo qytet, në fund të manifestimit.
Interesante dhe suprizuese është ajo që po ndodh në rajonin e Umbrias, me kryeqendër Peruxhian. Ky rajon ka pasur gjithnjë prirje kah e djathta, madje vitet e fundit ka mbështetur edhe të djathtën radikale, çka u dëshmua edhe nga fitorja e Legës në zgjedhjet lokale të tetorit të shkuar. Mirëpo në Peruxhia manifestimi i “Sardeleve”zgjoi një mbështetje të madhe kundër gjuhës diskriminuese dhe retorikave e politikave fashiste të Salvinit. Për habinë e të gjithëve, më shumë se 7.000 njerëz mbushën sheshin kryesor të qytetit gjatë mbrëmjes së të shtunës së 23 nëntorit. Të pajisur me pankarta me “sardelet”e vizatuara, sheshi kryesor i Peruxhias u shndërrua në një arenë festive ku theksi vihej te kundërshtimi i abuzimeve racore, diskriminimeve gjinore apo etnike dhe ndryshimi i politikëbërjes për një Itali që meriton më shumë sesa klasa politike aktuale. Mbresëlënës ishte edhe rasti i qytetit te Parmës, ku u mblodhën rreth 10.000 manifestues, çka nuk ndodhte prej vitesh në një manifestim publik në këtë qytet. Lëvizja ka fituar mbështetje edhe në Amerikë, ku në Washington Square Park të Nju Jorkut, pranë statujës së Garibaldit, janë mbledhur qindra italiane, të cilët preferojnë të quhen “Sardelet Atlantike”, për të “denoncuar retorikat e urrejtjes, diskriminimit dhe mospërfshirjes së shtresës së varfër shoqërore, të cilat po infektojnë politikën tonë. Ngremë të njëjtat shqetësime si në Amerikë ashtu dhe në Itali mbi diskriminimin, racizmin, ksenofobinë dhe populizmin.”
Por reagimet nuk kanë qenë të gjitha pozitive. Një rast shqetësues ka ndodhur në Fiorenzuola, në provincë të Piaçencës. Giancarlo Talamini Bisi, profesor në një nga shkollat e mesme të zonës, postoi në Facebook këtë mesazh: “Unë do të jem aty. Të dashur studentë, nëse gjej ndonjë nga ju, nga dita e martë bëhuni gati të ndërroni ambient. Do t’jua bëj jetën ferr në lëndët e mia. Do t’i shikoni notat kaluese me dylbi dhe do të kaloni të gjithë verën me kokën mbi libra. Nuk dua idiotë në klasë. I paralajmëroj ‘Sardelet’… !” Postimi ka sjellë normalisht reagimin e mediave të cilat bënë publike edhe mendimet politike të profesorit, të shprehura në foto ku shkruhej “Të çlirojmë Emilia Romanjën!” apo në mesazhe publike të tipit “Jam racist dhe krenar!”. Rasti në fjalë ka zgjuar vëmendjen e ministrit të Arsimit Lorenzo Fioramonti, i cili në një deklaratë për mediat ka thënë se ka filluar shqyrtimin e rastit me instancat kompetente dhe ka nisur procedurat për pezullimin e tij. Disa orë me pas, Giancarlo Talamini Bisi e ka fshirë statusin dhe ka mbyllur llogarinë e tij në Facebook, si dhe u ka nisur një letër kërkimi ndjese mediave kryesore italiane, ku thotë se mesazhi i tij është keqinterpretuar. Përtej kësaj, ka pasur edhe një tentativë për të mbyllur faqen Facebook të lëvizjes, praktikisht aty ku nisi gjithçka, ku organizoheshin të gjitha manifestimet dhe komunikoheshin datat dhe oraret e protestave antisalviniste. Faqja është bllokuar për disa orë për shkak të një sulmi kibernetik të mirorganizuar dhe reporteve të bëra nga mbështetës të Salvinit. Është dashur ndërhyrja e ekipit dhe përfaqësuesve të Facebook-ut në Itali për të bërë të mundur zhbllokimin e faqes.
Kritikave se financohen nga eksponentë të forcave politike të majta për të prishur imazhin e së djathtës, “Sardelet” u kundërpërgjigjen duke thënë se “çdo gjë ka nisur nga poshtë, dhe më poshtë se kaq nuk mund të niset një organizim i tillë. Prandaj jemi të dobët ndaj sulmeve kundër nesh. Kundërshtarët tanë e dinë shumë mirë këtë gjë dhe kanë aktivizuar menjëherë mjetet e tyre propagandistike.”
Cilat janë objektivat dhe deri ku mund të arrijë kjo lëvizje?
Sipas një sondazhi nga Antonio Noto (sondazhier dhe drejtor i IPR Marketing, institut i pavarur i specializuar në kërkime dhe analiza tregu), nëse lëvizja do të kthehej në parti politike dhe do të merrte pjesë në zgjedhje, potenciali elektoral i tyre arrin deri në 15%, nga ku 10% thonë se do ta votonin me siguri dhe 5% se po e marrin seriozisht në konsideratë këtë alternativë. Nga të gjithë të intervistuarit, 54% deklarojnë se kjo lëvizje e ka fuqinë të përhapet në të gjithë Italinë, ndërsa 27% nuk beson në potencialin e tyre për t’u shtrirë përtej zonës së Emilia Romanjës. Ky elektorat do të vinte më shumë nga të zhgënjyerit e forcave të tjera të majta, kryesisht nga dështimi i PD (Partito Democratico, qendër e majtë). Në një tjetër sondazh të publikuar nga Index Research ku shtrohej pyetja “Cili është armiku më i rrezikshëm për Salvinin?”, 43,6% përmendnin pikërisht lëvizjen e “Sardeleve”, 14,4% PD, 12,2% partinë e re të Matteo Renzi-t, 10,9% M5S (Movimento 5 Stelle) dhe 8,4% kryeministrin Conte.
Përtej mbështetjes dhe sondazheve inkurajuese, themeluesi i lëvizjes Mattia Santoni shprehet se dëshiron që organizimi të vijojë të jetë apartiak dhe se qëllimi i tij nuk është të kalohet drejt krijimit të një partie politike, por thjesht të luftohet Salvini si fenomen, sidomos gjatë periudhës së fushatës elektorale, dhe të mobilizohen masat nga poshtë për t’i thënë jo të gjithë sistemit politik italian, politikave fashiste dhe populizmit. Për momentin objektivi i vetëm është përhapja sa më e shpejtë e valës së protestave në të gjithë Italinë. Sipas “Sardeleve”, duhet vepruar shpejt sepse Italia nuk është ajo që Lega kërkon të shfaqë në sytë e botës. Lega dhe zëdhënësit e saj nuk përfaqësojnë Italinë dhe italianët, dhe nga Roma do të nisë vala më e madhe që do të trazojë populizmin.
Imazhi: 6000 sardine
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).