Kushtuar kalamajve që e gdhijnë në këmbët e “Pesëmbëdhjetëkatëshit”

/Ervin Hatibi/

 

Natës

Vezullojnë si peshq jetët tona

I diktojmë me avullin tek hov

Nga goja

Tek brof si gisht fëmije

Prej vrimës në çorap

 

I ftohti

Me tri pale dhëmballë

Shtrëngon duart e popullit si me prangë

I ftohti po ashtu mpiks e zbardh

vesën e errët mbi trotuar

 

Natën dimërore në qytete

Drita ka marrë yjet mbi vete

Si çuna të rinj nga provinca

E i punëson

Në shkronja tabelash me neon

Bar ”London”

Taverna “Blue Sky”,”Alfa Bank”

Hotel “Tirana International”

Shpejtësisë së dritës i kërcen përsipër

Anglisht

Pingul i ftohti si një luzmë me pinguinë

Që hidhen vrik nga kati i pesëmbëdhjetë

Me kokë

dhjetëra mijë copë pinguinë të tejdukshëm

Në erë

Qyteti bombardohet me frigoriferë. Të gjithë në prizë

 

Në këmbë të hotelit

I fshihen qiellit

Fëmijë pa shtëpi

Vështrojnë shkronjat nëpër graffiti

Elektrikë

Derisa sytë u digjen prej asaj drite

U bëhen hi

E kështu në atë errësi/nis i merr

Gjumi i natës/e i grumbullon

Me autobusin e vet transparent

Xhamathyer/pa shofer

 

Mos i fol shoferit meqë s’ekziston

Ndërro pozicion në çdo stacion

Qe të mos mpihesh rrotullohu nga pak

Nga e djathta në të majtë

Si një qengj në hell symbyllur {sikur ëndërron}

Me hurin përmes vetes qengji, si vija

Kur S-në e dollarit penetron

 

kur isha më i vogël, shkronja g

Më ngjante me një milingonë

Pastaj s-në shikoja që në fakt është një dhelpër

A-të janë arinj

F-ja ngjan me një kafshë krejt tjetër

Gjirafë

Po ti ke ftohtë, e veç kësaj

Nuk di as të lexosh

Mbyll sytë dhe mbush kokën me prushe bosh

Tabelash drite

Ku alfabeti rri nusëron

Mbi një karrige elektrike

Ti mbështillesh me tepër

Pas qenit që fle

Bri dritareve të kuzhinës së hotelit

Jeni mbështjellë

Ambalazhe për banane apo artikuj të tjerë

Fëmijë dhe prapë fëmijë! Nise të trashëgosh botën

Duke u nisur nga i ftohti

Ngroh sytë me reklama

Nxjerr avull nga goja dhe je fëmijë

Nise ta trashëgosh jetën tonë, shoqërinë

Për frymë

Nën shkronja nomade që ecin gjithë natën

E u shmangen shumë fjalëve për të dalë këtu

Nëpër elektro-graffiti banalë komercialë

Dhe hutohesh;

një hallkëz e vogël je, në zinxhirin

E të ftohtit klasor

Që dëshmojnë

Të gjithë

përfshirë dhe ata që s’mërdhijnë

Një halkëz ende prej ari je

kapur në renditje me një qen

Dhe ai prej ari të ftohur krejt

Kapur rresht, përdore zinxhir

 

Me dyzinat e lypsave të mitur, prostitutave

Me çmim të lirë

Dhe me gjunjët te ngrira si gjinj morgjesh ato

Patrullojnë krahëhapur, të gatshme për t’u vrarë

Në shesh-masakrat e qyteteve të natës anembanë

 

Rrethuar

Nga yjet prej neoni limoni

Të flamurit festiv evropian

 

Të ftohurit në këtë botë

Janë vetë i ftohti

Janë ky zinxhir mishi prej politike dhe moti

Zinxhir ashensori

Vertikal trashëgimie që na vjen thellë nga historia

Që nxjerr turma-turma me asfiksi

nga zgafelle e minierave fytyrëndrakur

Për ne transhetë adoleshente të luftës së parë, me dëborë

U lidhet për kërcinjsh reumatikë robërve rremtarë

Në galerë

Një zinxhir me ar minierash

Për sahatin me qostek të larë në ar

Të Bakuninit, Cese, Karlosit-Iliç

Bombë, flamur, drapër, çekiç

Ti nuk e kupton këtë siklet që vjen

Nga poshtë ajrit

E të lidh

Pandalshëm-pastaj gishtat nuk janë më të tutë

Ke dorën tënde në xhep, s’është hajdut

Ti veç shtyn orteqet e bardhenjta

Të frymës

Që të zgjatohen rreth fytyrës

Si mjekra fallco

E plakut paftyre të vitit të ri

 

Të kesh ftohtë

Do të thotë

Se s’di gjë për ty njeri

Gjallë në botë

Qeveria dhe media të fsheh

Si monedha në kek

Në darkën e bamirësisë së fundvitit. Të fshehin

Pas së vërtetës së hidhur të druve të shtetit

Emri yt si formula e gazit të përditshëm

Harruar nëpër tuba

Vërret

Përdhe nëpër zorrët e Rusisë apo Algjerisë që ha qebap

Me mishin e vet

Teksa luhatet e dridhet bursa

Ti ke ftohtë, jo fëmijët e atyre që të zhdukin

Nga ekranet, kopertinat me reklama/madama

Nuk mërdhin fëmija

Që si kangurë mbartin në fund

Të matrioshkës së moshës. Si ca gladiatorë të penduar

Të afrohen kokëzbuluar ngadalë

Pronarë kantieresh, qeveritarë

Me helmetat e mëdha publike në duar

 

Fëmijë si ti bëhen sapo i mallëngjen ndonjë

vjershë e përkthyer apo gotë shampanje

Fëmijë,por që s’kanë ftohtë si ti janë

ministra, vipa, mendimtarë zyrtarë

Trashëgimtarë shtatë brezash

Rojtarësh pylli që ngrohen

Me vatrat të ndezura

Si festa,

Me drutë stivë

Ata

Qe na vënë revolucionin si alternativë

Për të na qeverisur me frikën nga ai

Ata që na trembin me anarkinë

Ata që deformojnë fenë dhe fjalinë

Për të mos prishur rehatinë

Për mos të të ngrohur

Mbrohen pas faktit se nuk të kanë njohur

Personalisht

Nise jetën mbrapsht ta trashëgosh

Me hipin nervat

Kam frikë

Mos bëhesh komunist; më keq

Frigohem mos harrosh

Të ftohtin

I cili është ata që të lanë

Të kesh ftohtë

Frigohem se mos mendosh

se të ftohtin s’ta ka kush borxh

Se mos të duket vetja tepër

Se mos bëhesh i egër

Se mos bëhesh vrasës serial, ku i dihet

Dhe na fut në shënjestër

Si në një varr të përbashkët

Të gjithëve që djegim drutë e Zotit

Popullin Kain të të ngrohtit

 

 

Imazhi: “Night Magic (Blue Jester) (1988)”, Carlos Almaraz

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.