/Alfred Bushi/
Zgjerimi i madh që ka pësuar përgjatë dekadës së fundit sektori i call center-it, si në rritjen e numrit të të punësuarve ashtu edhe në përqendrimin gjithnjë e më të madh të punëtorëve në këto fabrika moderne të punës, do të sillte herët a vonë në mënyrë të pashmangshme edhe organizimin e punëtorëve në vendin e punës. Padrejtësitë e ndryshme që ndodhin nëpër call center-a, si vjedhja e orëve të punës, stresi, problemet e ndryshme shëndetësore, presioni i madh gjatë punës dhe ndërgjegjësimi i punëtorëve mbi këto problematika kanë bërë të mundur që një organizim i tillë të merrte jetë në Shqipëri. Ky është rasti i “Solidaritetit”, sindikatës së parë të punëtorëve të sektorit të call center-it.
Sindikata, për nga përkufizimi,është organizim i punëtorëve në vendin e punës që ka për qëllim mbrojtjen e interesave të këtyre të fundit përballë punëdhënësit apo pronarit. Ashpërsimi i kontradiktave mes pronarit, i cili kërkon të rrisë gjithnjë e më shumë fitimin në kurriz të punëtorëve, dhe punëtorëve, që kërkojnë paga dinjitoze dhe kushte më të mira pune, e bëjnë të domosdoshme lindjen e sindikatave. Mirëpo organizimi sindikal nuk është aspak i paqtë dhe i lehtë si në aspektin juridik ashtu edhe në atë organizativ, pikërisht sepse kërcënon interesat e klasës ekonomikisht sunduese edhe interesat e shtresave që parazitojnë në kurriz të punëtorëve, siç janë sindikatat e korruptuara të lidhura ngushtë si me partitë politike ashtu dhe me pronarët.
Të parët që I frikësohen organizmit të punëtorëve janë pronarët ose, siç quhen sot, sipërmarrësit. Hapësira ku merr jetë shfrytëzimi i punëtorit është vendi i punës pasi aty kemi konkretizimin e marrëdhënies në prodhim, marrëdhënies mes atij që zotëron kapitalin (paratë dhe teknologjinë) dhe atij që zotëron fuqinë punëtore. Marrëdhënia në prodhimi ka të bëjë me pushtetin që ka pronari për t’i përdorur mjetet e prodhimit sipas interesave të tij dhe për të marrë për vete produktet e punës së punëtorëve. Kjo marrëdhënie është marrëdhënie e pushtetit të pronarit mbi punëtorin, i cili nuk ka asnjë të drejtë të vendosë mbi procesin e punës, as mbi pagën, as për orët e punës dhe as për produktin e punës. Meqë qëllimi kryesor i organizimit sindikal është përmirësimi i kushteve të punës, pra përpjekja e pandërprerë për të reduktuar shfrytëzimin në punë, ulur orët e punës, rritur pagën, për të pasur punë të sigurt dhe siguri në punë, atëherë lind një përplasje interesash e cila me kalimin e kohës shpie në një luftë të hapur mes pronarit, ose pronarëve, dhe punëtorëve.
Çdo luftë klasash është luftë politike dhe anasjellas. Përpjekjet që bëjnë punëtorët në vendin e punës për të fituar të drejtat e tyre bazike, për të ulur shfrytëzimin dhe për të përmirësuar kushtet e punës janë njëkohësisht përpjekje politike, pra tentativa që synojnë transformime edhe në rrafshin politik. Institucionet juridiko-politike që kanë për funksion riprodhimin dhe themelimin e marrëdhënieve shfrytëzuese në prodhim marrin një goditje të fortë nga organizimi sindikal i punëtorëve. Frika nga një organizim i tillë i shtyn ata, pa vullnetin e tyre, të dalin lakuriq përballë punëtorëve dhe opinionit publik si mbrojtës të interesave të klasës ekonomikisht sunduese, dhe jo të interesave të punëtorëve apo atij të përgjithshëm.
Marrim rastin e një institucioni shtetëror, si Inspektorati Shtetëror i Punës, qëllimi ligjor i të cilit është të inspektojë kushtet në të cilat punojnë punëtorët; pra të hetojë nëse sipërmarrjet i respektojnë apo jo ligjet e punës. Në përballjen e para disa ditëve mes punëtorëve dhe menaxherëve të kompanisë së call center-it “Albacall” për shkak të uljes së padrejtë të pagave të rreth 900 operatorëve, Inspektorati, i cili duhej të kryente funksionin ligjor të ndërmjetësuesit, ka ndërhyrë, sipas dëshmive të punëtorëve, duke i kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë punëtorët dhe duke dalë në mbështetje të kompanisë. Siç vihet re nga ky rast, por nuk mungojnë dhe plot raste të tjera, ky institucion sillet haptazi si një strukturë që ka për qëllim të riprodhojë dhe të ruajë rendin dhe pushtetin e pronarit në vendin e punës. Megjithëse ka pasur raste kur ky institucion ka ndërmarrë aksione gjoja penalizuese kundër pronarit (siç janë gjobat lehtësisht të pagueshme) apo sipërmarrjeve, këto veprime nuk e kanë kaluar asnjëherë cakun e të qenit problem i madh për këta të fundit. Madje duke ndërmarrë, në të rrallë, veprime në favor të punëtorëve, ISHP-ja ndihmon në përhapjen e idesë së rreme se organet shtetërore janë në anën e më të dobëtit. Mirëpo sapo beteja mes punëtorëve dhe pronarit ashpërsohet, organet shtetërore menjëherë pozicionohen në vijën e parë të luftës kundër punëtorit.
Përveç kësaj, lufta, organizmi dhe fitoret e punëtorëve në vendin e punës, solidariteti dhe uniteti i madh mes tyre, i jep jetë një ndërgjegjeje më të lartë politike. Rritja e numrit të punëtorëve që angazhohen gjatë betejave të ndërmarra nga sindikatat do të thotë edhe rritje e fuqisë, pra e besimit në kapacitetet reale për të ndërmarrë ndryshime më të mëdha sociale dhe politike. Pikërisht kjo i frikëson si klasat ekonomikisht sunduese, si dhe përfaqësuesit politikë dhe juridikë të interesave të tyre. Rasti i zvarritjes së njohjes së sindikatës së punëtorëve të call center-ave “Solidariteti” nga ana e gjykatëses dhe zvarritjet e shumta të kësaj të fundit, janë shembulli i qartë i kapjes së institucioneve shtetërore nga ana e sipërmarrësve të mëdhenj, të cilët ndjehen të frikësuar nga organizimi sindikal i punëtorëve dhe përpjekjet e tyre për të përmirësuar kushtet e punës.
Në rastin e Shqipërisë organizim sindikal do të thotë dhe demokratizim i jetës sindikale. Korruptimi i krerëve të sindikatave të derisotshme, të cilët prej vitesh janë shndërruar në instrumente në duart e partive politike dhe pronarëve të sipërmarrjeve, i ka kthyer sindikatat në institucione të urryera nga punëtorët, në institucione fantazmë dhe të padobishme, si dhe ka sjellë një pengim të vazhdueshëm të iniciativave për formimin e sindikatave të pavarura që lindin nga poshtë, nga vetë iniciativa e punëtorëve. Monopoli që dy konfederatat sindikale të korruptuara kanë krijuar gjatë këtyre viteve ka pasur një efekt shkatërrimtar te punëtorët pasi ka krijuar frikë, mosbesim dhe paaftësi organizative. Formimi i një sindikate të re të pavarur, siç është“Solidariteti”, që merret me shqetësimet e punëtorëve dhe i ndihmon ata në organizim, ka ndër të tjera për qëllim demokratizimin e sindikalizmit në vendin tonë, çlirimin e tij nga aristokracia sindikale, nga korruptimi dhe pazaret e ndryshme që bëhen në kurriz të punëtorëve. Organizimi i punëtorëve në sindikata të pavarura siç është ‘Solidariteti’, veprimtaria e tyre e përditshme në përmirësimin e kushteve të punës, angazhimi i punëtorëve dhe ndërgjegjësimi i tyre nxjerrin në pah paaftësinë dhe korruptimin e drejtuesve të sindikatave zyrtare të vendit tonë.
Punëtorët, siç shihet, nuk kanë perse i frikësohen askujt. Përkundrazi, janë pronarët, menaxherët, drejtuesit e korruptuar të sindikatave dhe të gjitha aparatet e shtypjes që duhet të kenë frikë prej punëtorëve dhe organizimit të tyre sindikal. Përgjatë historisë ka qenë organizimi i punëtoreve në greva, manifestime, protesta të vazhdueshme që bërë të mundur që sot punëtori të ketë disa të drejta bazike në vendin e punës. Sikur të mos ishin organizuar punëtorët në të shkuarën, ne sot nuk do të gëzonim shumë të drejta të patjetërsueshme. Dhe e drejta për t’u organizuar sindikalisht është njëra prej tyre. Një e drejtë e fituar me gjak dhe me shumë sakrifica nuk mundet te mohohet nga askush me një të rënë të lapsit.
Përmes “Solidaritetit” dhe në solidaritet me njëri-tjetrin, operatorët e “Albacall”-it dhe të të gjithë sektorit kanë për të arritur shumëçka!
Imazhi: Sindikata Solidariteti
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).