/Slavoj Žižek/
…Vetë shpata e kryen vrasjen; armiku thjesht shfaqet dhe shndërrohet në viktimë – luftëtari nuk ka asgjë në dorë, veç reduktohet në një vëzhgues pasiv të veprimeve të veta. S’është për t’u çuditur atëherë që “njëri prej shokëve të tij, i habitur nga ftohtësia e sjelljes dhe mizoria absolute e Pol Potit, e krahasonte këtë të fundit me një murg budist që kishte arritur “nivelin e tretë” të ndërgjegjes: “Jeni tërësisht neutral. Asgjë nuk ju prek. Ky përbën nivelin më të lartë” (Cituar nga Ferguson, The War of the World, f. 623). Kjo nuk duhet hedhur poshtë si paralelizëm i rremë e i pahijshëm: Në të vërtetë, Pol Poti rridhte nga një sfond kulturor budist dhe në budizëm gjendet një traditë e vjetër disipline militariste. Në rastin e budizmi tibetian gjejmë të njëjtën linjë autoritariste – për shembull, te një zakon tradicional tibetian që ka marrë një rrjedhë të çuditshme transformimi gjatë gjysmëshekullit të fundit:
Gjatë Revolucionit Kulturor, nëse një pronar i vjetër tokash ndeshej rrugës me bujkrobër të çliruar, të parit do t’i duhej të hiqej mënjanë dhe prej një farë distance të vendoste njërën mëngë mbi sup, të përkulej dhe të nxirrte gjuhën jashtë – nderim që u bëhej eprorëve nga njerëzit me status më të ulët – dhe do të guxonte të riniste rrugën vetëm pasi të kishin kaluar bujkrobërit e dikurshëm. Tashmë gjërat janë kthyer aty ku kanë qenë: ish-bujkrobërit hiqen mënjanë, përkulen dhe nxjerrin gjuhën jashtë, duke u hapur rrugën zotërinjve të vjetër. Ky proces ka ecur fjollë, ka qenë krejt i vullnetshëm dhe as është vënë me detyrim, e për të as është dhënë shpjegim. (Wang Lixiong dhe Tsering Shakya, The Struggle for Tibet, London: Verso Books 2009, f. 77).
Për t’i rënë shkurt: ish-bujkrobërit nuhatën disi se me “reformat” e Ten Siao Pinit ata gjendeshin sërish në fund të shkallares shoqërore; megjithatë, fakti që i njëjti ritual tradicional u mbijetoi këtyre transformimeve tronditëse shoqërore përbën diçka me më shumë interes sesa rishpërndarja e hierarkisë shoqërore të shënjuar nga ndryshimi i mësipërm. Nuk mjafton vënia në dukje e natyrës së pështirë të këtij zakoni për të rrëzuar iluzionet mbi shoqërinë tibetiane. Përmbi e përtej heqjes mënjanë dhe përkuljes së zakonshme – si për t’i shtuar dozat e poshtërimit – individit të nënshtruar i duhej t’i jepte fytyrës së tij një shprehje budallallëku poshtërues (gojëhapur, me gjuhën e nxjerrë jashtë, me sytë ngritur lart etj) me qëllim që përmes ngërdheshjes groteske të tregonte kotësinë e budallallëkut të tij. Në këtë pikë, rëndësi vendimtare ka kuptimi i karakterit të dhunshëm të kësaj praktike, të cilën nuk mund ta fshijë asnjë farë marrjeje në konsideratë e dallimeve kulturore apo respekti për tjetërsinë…
E përktheu Arlind Qori
Marrë nga libri i Slavoj Žižekut “Less than Nothing: Hegel and the Shadow of Dialectical Materialism”
Imazhi: Liberty Law Blog