I varfri

/Michael Hardt, Antonio Negri/

Në të gjitha periudhat historike, një subjekt shoqëror i përhershëm dhe kudogjendshëm i njëjti identifikohet, shpesh herë negativisht, por gjithsesi në mënyrë të ngutshme, rreth një forme jetese të përbashkët. Kjo formë nuk u përket të fuqishmëve dhe të pasurve: ata janë thjesht figura të kufizuara e të pjesshme, quantitate signatæ. Në të gjitha kohërat, emri i të varfrit është i vetmi “emër i përbashkët” i pakufizueshëm i diferencës së kulluar. I varfri është i skamur, i përjashtuar, i shtypur, i shfrytëzuar – e megjithatë i gjallë! Ai përbën emëruesin e përbashkët të jetës, themelin e shumësisë. Fakti që autorët pasmodernë i referohen rrallë kësaj figure në teorizimet e tyre është sa e çuditshme, aq edhe sqaruese. E çuditshme meqenëse, në një farë kuptimi, i varfri është një figurë e përjetshme pasmoderne: figura e një subjekti tërthorës, të gjithëpranishëm, të dallueshëm dhe të lëvizshëm; testamenti i karakterit pashmangshmërisht rastësor (aleatorik) të ekzistencës.

Ky emër i përbashkët, i varfri, përbën edhe themelin e çfarëdo mundësie njerëzie. Siç e ka vënë në dukje Niccolò Machiavelli, gjatë “kthimit tek fillesat”, që e karakterizon fazën revolucionare të feve dhe ideologjive të modernitetit, i varfri shihet pothuajse gjithmonë si mbartësi i një zotësie profetike: i varfri jo vetëm që është në botë, por gjithashtu ai vetë përbën pikërisht mundësinë e ekzistencës së botës. Vetëm i varfri e jeton rrënjësisht qenien e pranishme në të tashmen, në skamje e vuajtje, e për pasojë vetëm i varfri ka zotësinë ta ripërtërijë qenien. Karakteri hyjnor i shumësisë së të varfërve nuk çon kah ndonjë transhendencë. Përkundrazi, këtu dhe vetëm në këtë botë, në ekzistencën e të varfrit, paraqitet, pohohet, konsolidohet dhe çelet fusha e imanencës. I varfri është zot mbi tokë.

Sot nuk ka mbetur as edhe iluzioni i ndonjë Zoti transhendental. I varfri e ka shpërbërë atë imazh dhe ka marrë fuqinë e tij. Shumë kohë më parë moderniteti u përurua nga e qeshura e Rabelais-së, nga  epërsia e barkut të të varfrit, nga një poetikë që shprehte gjithë ç’gjendej “nga barku e poshtë” te njerëzimi i skamur. Më vonë, përmes proceseve të akumulimit fillestar proletariati doli në pah si një subjekt kolektiv që mund të vetëshprehej në fushën materiale dhe imanente, një shumësi të varfërish që nuk kishte vetëm karakter profetik, por edhe prodhonte, duke çelur kështu mundësi që nuk ishin më virtuale, por konkrete. Më në fund në ditët e sotme, në regjimet biopolitike të prodhimit dhe në proceset e pasmoderizimit, i varfri përbën një figurë të shfrytëzuar e të nënshtruar, por gjithsesi prodhuese. Këtu qëndron risia. Sot, ngado, në bazën e konceptit dhe emrit të përbashkët të të varfrit qëndron një marrëdhënie prodhimi. Pse nuk janë të aftë ta kuptojnë këtë kalim pasmodernistët? Ata na thonë se një regjim marrëdhëniesh gjuhësore tërthorase prodhimi ka hyrë në një univers abstrakt dhe të përbashkuar vlere. Mirëpo kush është subjekti që prodhon “në mënyrë tërthore”, i cili i jep gjuhës një kuptim krijues? Kush tjetër përveç të varfërve, të cilët janë të nënshtruar e të dëshiruar, të varfëruar e të fuqishëm, gjithnjë e më të fuqishëm?! Këtu, brenda hapësirës së prodhimit global, i varfri nuk dallohet më vetëm nga zotësia e tij profetike, por edhe nga prania e domosdoshme në prodhimin e të mirave të përbashkëta, gjithnjë e më i shfrytëzuar dhe gjithnjë e më i radhitur në defterin e fuqisë. Vetë i varfri është fuqi. Ka Varfëri Botërore, por mbi të gjitha ka Mundësi Botërore, dhe vetëm i varfri e zotëron këtë të fundit.

Vogelfrei, “i lirë si zog” (njëkohësisht edhe në kuptimin “i jashtëligjshëm”. Shën. përkth.), është termi që ka përdorur Marksi në përshkrimin e proletariatit, i cili në fillesat e modernitetit, gjatë proceseve të akumulimit fillestar, u çlirua dyfish: në radhë të parë, u çlirua së qeni pronë e zotërisë (domethënë, u çlirua nga bujkrobëria); në të dytën, “u çlirua” nga mjetet e prodhimit, duke u ndarë nga toka, e duke mos pasur ç’të shesë veç fuqisë së tij punëtore. Në këtë kuptim, proletari u shtrëngua të bëhej mundësia e kulluar e pasurisë. Megjithatë, rryma mbizotëruese e traditës marksiste i ka urryer gjithnjë të varfrit, pikërisht sepse ishin “të lirë si zogj”, se  ishin të imunizuar nga disiplina e fabrikës dhe disiplina e domosdoshme për ndërtimin e socializmit. Vini re se si Vittorio De Sica dhe Cesare Zavattini u denoncuan përdhunshëm për utopizëm nga zëdhënësit e realizmit socialist kur në fillim të viteve 1950, në fund të filmit të tyre të bukur Mrekulli në Milano, i shfaqën të varfrit në fluturim mbi bishta fshese.

Vogelfrei është një engjëll apo demon kryeneç. Pas sa e sa përpjekjeve për t’i shndërruar të varfrit në proletarë dhe proletarët në ushtri çlirimtare (ideja e ushtrisë peshonte shumë mbi atë të çlirimit), sërish në pasmodernitet del në pah, në dritën verbuese të qiellit pa re, shumësia, emri i përbashkët i të varfërve. Ajo del në pah tërësisht sepse në postmodernitet i nënshtruari e ka përthithur të shfrytëzuarin. Me fjalë të tjera, të varfrit, çdo njeri i varfër, shumësia e njerëzve të varfër, e kanë gëlltitur dhe tretur shumësinë e proletarëve. Prej vetë këtij fakti të varfrit janë bërë prodhues. Edhe trupi i prostituuar, personi i skamur, uria e shumësisë – të gjitha format e të varfrit janë bërë prodhuese. Kësisoj të varfrit janë bërë gjithnjë e më të rëndësishëm: jeta e të varfrit e përfshin planetin dhe e mbështjell atë me dëshirën e tij për krijimtari dhe liri. I varfri është kushti i çdo prodhimi.

Thuhet se në rrënjë të ndjeshmërisë pasmoderne dhe të ndërtimit të konceptit të pasmodernizmit gjenden ata filozofë socialistë francezë të cilët në rini të tyre i thurnin lavde disiplinës në fabrikë dhe horizonteve të ndritura të socializmit real, por që pas krizës së 1968-s u penduan dhe u dorëzuan, duke shpallur kotësinë e pretendimit socialist për ripronësimin e pasurisë shoqërore. Sot të njëjtët filozofë dekonstruktojnë, banalizojnë dhe përqeshin në mënyrë cinike çdo përpjekje shoqërore që kundërshton triumfin universal të vlerës së këmbimit. Media dhe kultura mediatike na thonë se filozofët në fjalë janë të vetmit që e kanë kuptuar domethënien e kësaj epoke të re, mirëpo diçka e tillë nuk qëndron. Zbulimi i pasmodernitetit ka të bëjë me rivendosjen e të varfërve në qendër të terrenit prodhues dhe politik. Profetike në të vërtetë ishte e qeshura e varfër dhe e lirë si zog e Charlie Chaplin-it kur, i çliruar nga çdo iluzion utopik dhe mbi të gjitha nga çdo disiplinë çlirimi, interpretonte “kohët moderne” të varfërisë, por në të njëjtën kohë e lidhte emrin e të varfrit me atë të jetës – një jete të çliruar dhe një prodhueshmërie të çliruar.

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga libri i Michael Hardt-it dhe Antonio Negri-it “Empire”

Imazhi: Pixabay

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.