/Bertolt Brecht/
Rreth katër vjet më parë në vendin tim ndodhën një sërë ngjarjesh të tmerrshme që paralajmëruan se të gjitha aspektet e kulturës kishin hyrë në një terren rreziku vdekjeprurës. Grusht-shteti fashist provokoi protesta të menjëhershme dhe të zjarrta në një pjesë të madhe të botës. Dhuna e tij ngjalli indinjatë. Megjithëkëtë, domethënia e saj e përgjithshme ka ngelur e turbullt për ata që janë të indinjuar më së thelli. Ndërkohë që e kanë njohur rëndësinë e secilit fakt të izoluar, njerëzit nuk e kanë shquar ndikimin e tyre elementar mbi “të jesh apo të mos jesh”-in e kulturës.
Ngjarjet monstruoze në Spanjë, bombardimi i fshatrave dhe qyteteve të hapura, si edhe masakra e popullsive të tëra, shërben vetëm për ta kthjelluar para syve të njerëzve kuptimin e ngjarjeve – jo më pak mizore, ndonëse më pak dramatike – që po përjetojmë në vende si imi, vende që janë nën ndikimin e fashizmit. Ato hedhin dritë në origjinën njësoj të frikshme të shkatërrimit të Guernikës dhe të ndërtesave të sindikatave gjermane në majin e 1933-s. Dënesat e të vrarëve në sheshet publike, rifuqizojnë dënesën anonime të të torturuarve në burgjet e Gestapos. Diktatorët fashistë tashmë u eksportojnë proletarëve të huaj metodat që së pari i ushtruan ndaj punëtorëve të vendeve të tyre. Ata i trajtojnë spanjollët mu sikurse gjermanët apo italianët. Gjersa diktatorët fashistë ndërtojnë qendrat e tyre të aviacionit, populli i tyre tashmë nuk merr as gjalpë e popujt e huaj marrin bomba. Sindikatat dikur qenë ngritur për gjalpë dhe kundër bombave. Ato qenë shtypur! Kush mundet tani të dyshojë se kemi të bëjmë me një dhe të njëjtin sistem, të përfshirë në shkëmbimin e forcave ushtarake dhe zhvillimin gjigant të tregtisë së tyre me punonjës, ndërkohë që batalionet e tyre civile janë të detyruar ta vënë punën e tyre në shërbim të kapitalit?!
Qyshse mësymja e përgjithshme mbi pozitat ekonomike dhe politike të punëtorëve gjermanë dhe italianë doli efektive, në çastin që liria për t’u organizuar në sindikata dhe liria e shtypit, si edhe demokracia, e panë veten të ngulfatur, sulmi mbi kulturën ishte kurorëzuar me sukses.
Ne nuk e dalluam aq shpejt dhe drejt sa duhet që shkatërrimi i sindikatave dhe i katedraleve e monumenteve të tjera të kulturës nënkuptonte të njëjtën gjë. Dhe ishte pikërisht ky çasti kur kultura u sulmua.
Me humbjen e pozitave politike dhe ekonomike, popujt gjermanë dhe italianë humbën të gjitha atutë e prodhimit kulturor. Vetë zoti Gëbels gogësinte me mërzi në teatrot e tij. Populli spanjoll, duke mbrojtur me armë tokën dhe demokracinë e vet, ruan dhe mbron prodhimtarinë e vet kulturore; e bashkë me secilin hektar toke që mbron, ai njëkohësisht ruan një centimetër katror të pikturave në Prado.[1]
Nëse kjo është mënyra se si shkojnë punët; nëse kultura është e pandashme prej prodhimtarisë kolektive të një populli; nëse është shumë e lidhur me forcën materiale; nëse një dhe e njëjta valë dhune mund t’ia marrë një populli edhe gjalpin, edhe sonetet; dhe nëse, përfundimisht, kultura është diçka me të vërtetë materiale, ç’duhet bërë për ta mbrojtur atë?
Çfarë mund të bëjë vetë kultura? A mund të luftojë? E po, tashmë është duke luftuar. Dhe mundet. Luftimi përbëhet prej fazave të ndryshme. Në fillim, prodhuesit e veçuar kulturorë e mbajnë veten mënjanë ndodhive mizore në vend. Por vetë përkufizimi i barbarizmit dhe përballja me të shënjon nevojën për ta luftuar atë. Atëherë, ata bashkohen kundër barbarizmit, ashtu siç e lyp luftimi. Ata kalojnë prej protestës në kushtrim, prej ankesës në të gërthitura beteje. Ata nuk kënaqen më duke e vënë në dukje krimin; tashmë i thirrin kriminelët në emër dhe kërkojnë dënimin e tyre. Ata janë të vetëdijshëm se urrejtja ndaj shtypjes duhet të trajtësohet me shfarosjen e shtypësit; se keqardhja për viktimat duhet të zhbëjë çfarëdo ndjenje keqardhjeje për ekzekutuesit; se dhembshuria duhet të shndërrohet në zemërim dhe tmerri i dhunës bëhet vetë dhuna. Plotënia e dhunshme e fuqisë popullore duhet të ngrihet kundër dhunës së të veçuarve, të klasës së privilegjuar.
Për këto luftërat s’do marrin kurrë fund. Motorët akoma të nxehtë të skuadriljeve ajrore që dje sulmuan Abisininë fatligë, janë ringjitur në qiell për t’u bashkuar me bashkëfajtorët e tyre gjermanë dhe së bashku po i sulen popullit spanjoll. Beteja akoma s’ka marrë fund e andej tashmë po ngrihen mbi Kinë skuadriljet e imperializmit japonez.
Është e domosdoshme t’i shpallim luftë kësaj lufte – sikurse të gjitha luftërave të tjera për të cilat sapo folëm – dhe është një luftë të cilën duhet ta zhvillojmë të bashkuar si një.
Kultura, e cila për kohë të gjatë – shumë të gjatë – kishte vetëm armët e inteligjencës për t’u mbrojtur prej armëve materiale të agresorëve, kjo kulturë është në vetvete jo vetëm emancipim i shpirtit, por njashtu dhe mbi të gjitha, diçka materiale. E, prandaj, janë armët materiale me të cilat ajo duhet të mbrohet.
Përktheu: Fitim Salihu
*Fjalim në Kongresin e dytë të Shkrimtarëve për Mbrojtjen e Kulturës në korrik 1937
[1] “Museo del Prado” është muzeu kryesor kombëtar i artit në Spanjë dhe gjendet në qendër të Madridit. Përmban një prej koleksioneve më të mira botërore të artit evropian, që datojnë prej shekullit XII gjer në fillimet e shekullit XIX, bazuar në ish Koleksionin Mbretëror Spanjoll, dhe pa dyshim, koleksionin më të mirë të artit spanjoll. El Prado u hap më 1819 dhe sot është një prej lokacioneve më të vizituara në botë, si edhe konsiderohet një prej muzeve më të mëdhenj të artit në botë. Aty ekspozohen veprat e Francisko Gojës, Velaskezit, El Grekos, Rubensit, etj. Koleksioni i Prados përmban rreth 7600 piktura, 1000 skulptura, 4800 gravura dhe 8200 vizatime. (Vërejtje e përkthyesit)