Kuba: Rast i jashtëzakonshëm apo avangardë e luftës kundër imperializmit?

/Ernesto Çe Guevara/

Asnjëherë deri tash në Amerikë nuk pasur ndonjë ngjarje me karakteristika aq të jashtëzakonshme, me rrënjë të tilla dhe me pasoja aq të thella për fatin e lëvizjeve përparimtare të këtij kontinenti siç është lufta jonë revolucionare. Disa bile e kanë quajtur ngjarje numër një në historinë e Amerikës dhe e kanë vënë krahas trilogjisë të cilën e përbën Revolucioni Rus, ndryshimet shoqërore të krijuara në Evropën Lindore pas disfatës hitleriane dhe Revolucioni Kinez.
Ndonëse kjo lëvizje ishte mjaft e llojllojshme për kah forma, ajo ndoqi e ndryshe as që ka mundur të jetë, drejtimet e përgjithshme të të gjitha ngjarjeve të mëdha historike, karakteristikë esenciale e të cilave është lufta kundër kolonializmit dhe rruga kah socializmi.
Ndërkaq, disa qarqe kanë dëshiruar me qëllim të mirë ose nga interesat politike, që në revolucionin kuban të shohin një sërë shkaqesh të jashtëzakonshme dhe rrethanash të veçanta. Ata rrisin rolin e tyre deri në atë masë sa që i konsiderojnë faktorë vendimtarë për interpretimin e atyre ngjarjeve të tjera shoqërore e historike. Flitet mbi “karakterin e jashtëzakonshëm” të revolucionit kuban në krahasim me drejtimin e veprimit të partive të tjera përparimtare të Amerikës. Pohohet, me fjalë të tjera, se forma dhe rrugët e revolucionit kuban janë të jashtëzakonshme dhe se zhvillimi historik i popujve të vendeve të tjera të Amerikës do të jetë tjetërfare.
Ne pranojmë se faktorët e jashtëzakonshëm i kanë dhënë revolucionit kuban karakteristika të veçanta. Është i pamohueshëm fakti se çdo revolucion përmban faktorë të tillë të jashtëzakonshëm. Por gjithashtu është vërtetuar qartë se revolucionet iu nënshtrohen edhe ligjeve të caktuara, të cilave shoqëritë nuk mund t’u ikin. T’i analizojmë faktorët e ashtuquajtura “të jashtëzakonshëm”.
I pari nga ata faktorë, më i freskti dhe ndoshta më i rëndësishmi, është ajo forcë fizike e cila mban emrin Fidel Kastro Ruz, që brenda një viti ka arritur përmasa historike. Meritat e tij mund të renditen mes meritave të personaliteteve më të mëdha në historinë e Amerikës Latine. Cilat rrethana të jashtëzakonshme rrethojnë personalitetin e Fidel Kastros?
Në jetën dhe karakterin e tij ekzistojnë më shumë faktorë, të cilët e ngrisin mbi shokët dhe ithtarët e tij. Fideli është aq personalitet i jashtëzakonshëm sa do të ishte prijës i çdo lëvizjeje në të cilën do të merrte pjesë; ai edhe ishte i tillë me tërë rrugën e vet jetësore, nga koha e studimeve e gjithnjë deri te momenti kur u bë prijës i vendit tonë dhe i popujve të shtypur të Amerikës.
Ai posedon cilësi të prijësit të madh. Me aftësinë e vet për të lidhur, për të bashkuar dhe për të kundërshtuar ndarjet të cilat paraqesin dobësi; me shkathtësinë e tij që si prijës supreme të udhëheqë aksionin e popullit me vullnetin e vet të çuditshëm që gjithnjë të dëgjojë dëshirën e popullit; Fidel Kastro ka bërë më shumë se çdo kush tjetër në Kubë, për ndërtimin, gati prej asgjësë, të aparatit të tashëm të mrekullueshëm të revolucionit kuban.
Askush, ndërkaq, nuk do të mund të pohonte se kushtet politike dhe shoqërore në Kubë kanë qenë krejtësisht të ndryshme nga kushtet në vendet e tjera të Amerikës dhe se revolucioni erdhi për shkak të atyre dallimeve. Poashtu nuk mund të pohohet se Fideli bëri revolucion përkundër atyre dallimeve. Fideli udhëhoqi revolucionin në Kubë në momentin e dhënë dhe në mënyrën e vet karakteristike, duke shpjeguar mospajtimet e thella politike, të cilat përgatitën popullin për kërcim të madh në rrugë kah revolucioni.

*

Kanë ekzistuar edhe disa kushte tjera të cilat, ndonëse nuk kanë qenë karakteristikë për Kubën, popujt e tjerë vështirë do të mund t’i shfrytëzonin, sepse, për dallim nga disa qarqe përparimtare, imperializmi di të nxjerrë mësim nga gabimet e veta.
Kushti të cilin do të mund ta karakterizonim të jashtëzakonshëm ishte fakti se imperializmi amerikano-verior ishte i hutuar dhe nuk mund të vlerësonte thellësinë e vërtetë të Revolucionit Kuban. Me këtë mund të arsyetohen shumë kundërthënie fictive në politikën amerikanoveriore. Siç është e zakonshme, në raste të tilla, monopolet së pari mendonin t’i gjenin trashëgimtar Batistës, pikërisht për arsye se e dinin që edhe populli i pakënaqur gjithashtu e kërkon nëpërmjet perspektivës revolucionare. Natyrisht, ishte më e mençme dhe më e kujdesshme të tërheqësh atë diktator të vogël, i cili më nuk mund të shërbente dhe në vend të tij, të sjellësh të rinj, “forca të reja”, të cilët në momentin e caktuar do të mund t’u shërbenin shumë mirë interesave të imperializmit. Imperialistët një kohë luanin në atë letër, por humbën në mënyrë të mjerueshme. Para fitores ne i kemi brengosur, por nuk na u kanë friguar. Thënë më mirë, ata luanin në dy letra, duke u mbështetur në përvojat e veta në atë lojë dyfytyrëshe, në të cilën në parim nuk mund të humbnin. Të deleguarit e Stejt Departamentit (të Ministrisë së Punëve të Jashtme të ShBA), të maskuar në gazetarë, erdhën shumë herë të hulumtojnë këtë revolucion “të pahijshëm”, por asnjëherë nuk arritën të konstatojnë as shenjën më të vogël të rrezikut të fshehtë. Kur imperializmi, më në fund, vendosi të reagojë dhe kur kuptoi se grupi i njerëzve të rinj të papërvojë, i cili në mënyrë ngadhënjyese hyri në Havanë, ka mendim të qartë mbi detyrën e vet politike dhe është fortë i vendosur t’ia përkushtojë jetën – tanimë është vonë. Kështu, në janar të vitit 1959 lindi revolucioni i parë shoqëoror në tërë regjionin e Karaibeve, më i thelli nga të gjitha revolucionet amerikane.
Nuk mendojmë se ka pasur gjë të jashtëzakonshme në faktin se borgjezia ose së paku një pjesë e mirë e saj ishte në anën e luftës revolucionare kundër tiranisë, e njëkohësisht përkrahte dhe ndihmonte rrymat të cilat përpiqeshin të gjenin zgjidhje nëpërmjet të bisedave, në mënyrë që në vend të Batistës të vijnë elemente të afta ta kontrollojnë revolucionin.
Duke pasur parasyshë kushtet në të cilat u bë lufta revolucionare dhe kompleksitetin e forcave politike të cilat kundërshtonin tiraninë, nuk është çudi që disa latifondistë morën qëndrim neutral, ose së paku jondërluftues ndaj forcave kryengritëse. Është e kuptueshme që borgjezia e vendit, e shkatërruar nga imperializmi dhe tirania, shikonte me një dozë simpatie se si ata njerëz të rinj nga malet dënonin ushtrinë mercenare, atë mjet në shërbim të imperializmit. Kjo forcë jorevolucionare megjithatë, në esencë, ndihmoi revolucionin ta marrë pushtetin.

*

Po të shkojmë edhe më tutje, mund të shtojmë edhe një faktor të jashtëzakonshëm, e ky është proletarizimi i popullit në pjesën më të madhe të territorit kuban, si pasojë e veprimit të kapitalit të madh në Kubë dhe mekanizimit të përgjysmuar të prodhimtarisë bujqësore, nga e cila doli organizata e cila forconte vetëdijen klasore.
Ne këtë mund ta pranojmë. Por, për hir të së vërtetës duhet të theksojmë se territori i parë, të cilin e mori armata kryengritëse e përbërë nga luftëtarët e shpëtuar të aradhes së mundur nga jahta “Granma”, ishte i banuar me fshatarësi e cila përkrah rrënjëve shoqërore dhe kulturale dallohej nga fshatarët që banonin në regjionet me bujqësi ekstensive ose gjysmë të mekanizuar në Kubë. Në të vërtetë, qëndra e parë revolucionare, Siera Maestra, u shërbeu si vendstrehim të gjithë atyre fshatarëve, të cilët për çdo ditë luftonin kundër latifondistëve. Ata gjendeshin në tokën e cila i takonte shtetit ose ndonjë pronari të madh, duke u përpjekur të fitojnë një copë toke të veten, pak begati. Ata pa ndërprerë është dashur të luftojnë kundër gjobitjeve nga ana e ushtarëve, atyre aleatëve të përhershëm të latifondistëve. Horizonti i tyre arrinte vetëm deri të fitimi i tapisë. Ushtarët e armatës sonë të parë fshatarëve-guerilë rrjedhin nga ajo pjesë e klasës shoqërore e cila gati në mënyrë ofensive dëshiron pronësinë e tokës, që më së miri e shpreh të ashtuquajturën frymë “mikroborgjeze”. Fshatari lufton sepse e do tokën për vete, për fëmijët e vet, ai do ta drejtojë atë tokë, ta shesë, me punën e vet të pasurohet.
Përkundër frymës së vet “mikroborgjeze” fshatari shpejt mëson se nuk mund të kënaqë dëshirën e vet për të pasur tokë po nëse nuk e shkatërron sistemin pronësor të latifondeve. Reforma rrënjësore agrare, e cila është e vetmja që mund t’u japë tokën “campesionosve” (fshatarëve), është në kundërshtim me interesat e imperialistëve, pronarëve të mëdhenj dhe magnatëve të sheqerit dhe të blegtorisë. Borgjezia nuk guxon të luftojë kundër këtyre interesave. Proletariati, këtë frikë s’e ka. Së këndejmi, pikërisht, kahja e revolucionit i bashkon punëtorit dhe fshatarët. Punëtorët përkrahin luftën kundër latifondeve; fshatari i varfër, ai i cili fiton tokën me nder përkrah pushtetin revolucionar dhe e mbron atë nga armiqtë e tij imperialist dhe kundërrevolucionar.

*

Mendojmë se nuk ekziston asnjë faktor tjetër i karakterit të veçantë. Të shfrytëzojmë tash bazat e përhershme të çdo dukurie shoqërore në Amerikë, d.m.th., kundërthëniet të cilat janë zhvilluar brenda shoqërisë bashkëkohore, duke sjellë ndryshimet të cilat mund të marrin përmasa të një revolucioni çfarë është ky kuban.
Në vend të parë sipas kronologjisë, nëse jo edhe përkrah rëndësia në momentin e pikërishëm, gjendet sistemi i latifondeve. Ai është bazë e forcës ekonomike të klasës sunduese gjatë tërë periudhës, e cila pasoi pas revolucioneve çlirimtare e antikoloniale të shekullit të kaluar. Kjo klasë e pronarëve tokësorë, e cila ekziston në të gjitha vendet, zakonisht ngel pas ngjarjeve shoqërore të cilat sundojnë në botë. Ndërkaq, anëtarët më të shkathtë të kësaj klase të pronarëve të tokave, ata të cilët kanë pikëpamje më të drejtë, shohin rrezikun dhe fillojnë të ndryshojnë  në mënyrën e investimit të kapitalit të vet, mekanizojnë nganjëherë bujqësinë, e hedhin një pjesë të kapitalit të vet në industri sepse edhe vetë bëhen ndërmjetësues tregtar të monopoleve. Ky revolucion i parë çlirimtar nuk shkatërroi latifondet si bazë ekonomike dhe la të paprekur atë element reaksionar, i cili përfaqëson principin e robërimit në punë. Kjo është dukuri e cila pa përjashtim shfaqet në të gjitha vendet e Amerikës dhe është bazë e të gjitha padrejtësive të bëra qysh nga koha kur mbretëritë spanjolle u ndanin toka të mëdha konkuistadorëve nga radhët e aristokracisë më të lartë, duke u lënë “autoktonëve” – e këta në Kubë ishin kreolët dhe melezët – vetëm “realengosë” (toka të shtetit), d.m.th., një copë tokë në mes të tri pronave të mëdha përreth të cilat puqen. Çifligari, i cili në pjesën më të madhe të vendeve kuptoi se nuk mund të ekzistojë vetëm, së shpejti lidhte aleancë me monopolet, me atë shtypësin sigurisht më të fortë dhe të më të vrazhdë të popujve amerikanë.
Amerika është për konzorciumet imperialiste fushëbetejë. Kah fundi i Luftës së Dytë Botërore kjo betejë pat përfunduar gati krejtësisht në dobi të monopoleve veri-amerikane; nga ky moment imperialistët iu kushtuan forcimit të aftësisë së vet mbi kolonitë e veta dhe perfeksionimit të mjeteve të mbrojtjes nga depërtimi i rivalëve të rinj e të vjetër nga vendet e tjera imperialiste. Krejt kjo solli deri deformimin e çmeritshëm të ekonomisë, të cilën ekonomistët e regjimeve kapitaliste e përshkruanin me një fjalë të thjeshtë,  e cila shpreh dhembshurinë e tyre të thellë ndaj nesh “të pazhvilluarve”. (Ata indianët tanë të mjerë, të eksploatuar, të ndjekur dhe të gjykuar në padije i quanin “indianë të vegjël”; të gjithë njerëzit e racës së zezë ose mulatët, të cilët iu kishin shtruar përbuzjes dhe diskriminimit, i quajnë “të ngjyrosur”; atyre ata, si individë dhe si klasë, u shërbejnë si mjet për shkatërrimin e unitetit të masave punonjëse në luftën e tyre për ardhmëri më të mirë ekonomike.)

Ç’është pazhvillimi?

Ky është shkurtabiq me kokë të madhe dhe gjoks të fuqishëm, i cili është i pazhvilluar sepse këmbët e tij të dobëta dhe duart e shkurtra nuk iu përgjigjen pjesëve të tjera të trupit; ai është prodhim i çuditshëm i një sëre rrethanash të pavolitshme të cilat çoroditin zhvillimin e tij. Të tillë, në të vërtetë, jemi ne, të quajtur në mënyrë dashamirëse “të pazhvilluar”, në vendet koloniale, gjysmëkoloniale apo të varura. Ekonomitë e vendeve tona  ka deformuar politika imperialiste, e cila jonormalisht i ka zhvilluar degët industrial ose bujqësore ashtu që kanë paraqitur plotësim të ekonomive të përbëra të imperialistëve. “Pazhvillimi”, ose zhvillimi i deformuar në planin e prodhimit të lëndëve të para sjell specializimin e rrezikshëm, i cili të gjithë popujt i mbanë nën kërcënimin e urisë. Ne, “të pazhvilluarit”, gjithashtu jemi vende të monokulturës. Një prodhim i vetëm, shitja e pasigurt e të cilit varet nga vetëm një treg i cili imponon dhe cakton kushtet, kjo është formula e madhe e dominimit ekonomik imperialist i cili i përgjigjet fjalës së urtë të vjetër e të përhershme romake “përçaj e sundo”.
Me marrëdhëniet e veta me imperializmin, sistemi i latifundive përcakton plotësisht të ashtuquajturin “pazhvillim”, i cili pas vetes tërheq papunësinë dhe mëditjet e ulëta. Shfaqja e mëditjeve të ulëta dhe e papunësisë paraqesin rrethin magjik, i cili paralelisht me ashpërsimin e kundërthënieve në sistem, bën të mundshëm mëditje edhe më të ulëta dhe papunësi edhe më të madhe nëse kundërthëniet e sistemit ashpërsohen. E lënë gjithnjë në mëshirën dhe pamëshirën e luhatjeve ekonomike, kjo dukuri gjithnjë krijon emëruesin e përbashkët pëe të gjithë popujt e Amerikës, nga Rio Bravo deri te Poli i Jugut. Ky emërues i përbashkët (të cilin do ta shkruajmë me germa të mëdha), i cili është pikënisje për  të gjithë ata që shqyrtojnë dukuritë shoqërore, është URIA E NJERËZVE; lodhja nga shtypja e jashtëzakonshme, ndjekja dhe eksploatimi; lodhja e tepërt nga shitja e fuqisë punonjëse me çmim të lirë dhe prej sot deri nesër (nga frika se po shtohet numri i të papunëve), e krejt kjo për arsye që nga çdo trup i njeriut të nxirret profit sa më i madh dhe të tretet në luksin e pronarit të kapitalit.

*

Shohim, pra, se në Amerikën Latine ekzistojnë emërues qenësor e të pashmangshëm të përbashkët, e nuk do të mund të thoshim se kemi qenë të kursyer nga cilido prej tyre. Sistemi i latifondeve, si në formën e vet të eksploatimit fillestar, ashtu edhe në formën e vet monopoliste, i përshtatet kushteve të reja dhe bëhet aleat i imperializmit: kjo formë e eksploatimit, nga ana e kapitalit të jashtëm, krijon ekonomi të tipit kolonial, të cilën në formë të butë e quajnë “pazhvillmësi”.
Krejt kjo ka ekzistuar në Kubë. Kishte uri, përqindja e papunësisë ishte më e madhja në Amerikën Latine, ndërsa imperializmi këtu ishte edhe më i pamëshirshëm se në shumë vende të tjera. Latifunditë ishin po aq të forta sa edhe në cilën do republikë tjetër të ngjashme.
Ç’kemi bërë  që të çlirohemi nga ky sistem i fortë imperialist, përcjellja e tij e qeverive marionete në secilin vend dhe të ushtrive të tyre mercenare për ta mbrojtur atë sistem të ndërlikuar të eksploatimit të njeriut nga ana e njeriut? Uria e popullit dhe ngritja e tij kundër urisë, dhuna e cila nxiti rezistencën e popullit dhe valën e urrejtjes të cilën e lindte vetë shtypja, krijuan kushtet objektive për luftë. Kushtet objektive mungonin në Amerikë, e më i rëndësishmi ndër ta ishte vetëdija se mund të fitohet nëpërmjet luftës së ashpër kundër pushtetit imperialist dhe aleatëve të tij të brendshëm. Këto kushte i krijoi lufta jonë e armatosur e cila e bëri më të qartë nevojën për ndryshim dhe u bëri të mundshme forcave popullore të sjellin disfatë dhe plotësisht ta shkatërrojnë armatën (që është kusht i domosdoshëm për çdo revolucion të vërtetë).

*

Forca jonë e armatosur, e krijuar në fshat, pushtoi qytetet duke depërtuar nga jashtë, u bashkua me klasën e saj punëtore dhe në kontakt më të zhvilloi vetëdijen e saj politike.

*

A është kjo e mundshme edhe në vendet e tjera të Amerikës Latine? Do të shpjegojmë vështirësitë në të cilat, sipas mendimit tonë, do të hasim luftërat e reja revolucionare në Amerikë. Që në fillim të këtij artikulli kemi theksuar se disa faktorë mund t’i konsiderojmë të jashtëzakonshëm: qëndrimin e imperializmit, të cilin atëbotë revolucioni kuban e befasoi dhe deri në një masë të caktuar qëndrimin e vet borgjezisë së vendit, e cila poashtu ishte e befasuar dhe e cila me një simpati të caktuar shikonte aksionin e kryengritësve për shkak të padrejtësisë të cilën i sillnin imperialistët (kjo situatë vlen edhe për vendet e tjera). Ndërkaq, imperializmi mori mësim nga Kuba dhe nuk do të lejojë më të përjetojë befasi në asnjë nga të njëzet republikat amerikane. Kjo është e rëndësishme, sepse nëse lufta çlirimtare kubane që zgjati dy vjet pa ndërprerë ishte e vështirë, betejat e reja që i presin popujt në pjesët e tjera të Amerikës Latine, do të jenë shumë më të vështira. Shtetet e Bashkuara u dërgojnë armatim plotësues qeverive marionete, të cilat i konsiderojnë të rrezikuara; ato nënshkruajnë me to pakte të varësisë, në mënyrë që, shikuar nga aspekti juridik, të mund të bënin më lehtë presion, të përziheshin në punët e brendshme, e bile edhe të intervenonin. E të mos flasim mbi shpjegimin e stërvitjeve ushtarake të atyre ushtrive ndëshkimore në mënyrë që nga ato të krijohen vegla të suksesshme kundër popullit.

*

E borgjezia? Kjo pyetja do të shtrohet meqë në shumë vende të Amerikës ekzistojnë kundërthënie objektive midis borgjezisë së vendit i cili lufton për zhvillimin e vet dhe imperializmit i cili i pushton tregjet për të shuar në konkurrencë të pabarabartë industrinë nacionale.
Por përkundër këtyre kontradiktave, borgjezia e vendit, marrë në tërësi, nuk është e aftë të marrë qëndrim luftarak ndaj imperializmit. Kjo tregon se ajo më shumë i frigohet revolucionit popullor sesa shtypjes tiranike të monopoleve, të cilët nënçmojnë kombësinë, ofendojnë ndjenjat patriotike dhe kolonizojnë ekonominë.
Borgjezia e lartë nuk nguron të vihet në lidhje me imperializmin dhe me latifondistët për të luftuar kundër popullit dhe, në këtë mënyrë, t’i presin rrugën e revolucionit.

*

Këto janë vështirësitë të cilat paraqiten pas forcimit të revolucionit të pathyeshëm kuban dhe lidhen me ato të cilat tashmë dalin nga kushtet e luftës në Amerikën Latine.

*

Ekzistojnë edhe probleme të tjera, më të veçanta. Më vështirë është të krijosh grupe të guerilëve në vendet ku është koncentrimi i fortë në qytete dhe ku janë më të zhvilluara industria e lehtë dhe e mesme – ndonëse industrializim të vërtetë as që ka. Ndikimi ideologjik i qyteteve pengon luftën guerile me atë që ngjall shpresa për luftë të qetë, të organizuar të masave. Kjo krijon një institucionalizëm të caktuar ku, pak a shumë në perioda normale, kushtet për popull janë më pak të rënda sesa rëndomë.
Lind, madje, shpresa se edhe shtimi kuantitativ i përfaqësimit parlamentar të elementeve revolucionare mund të sjellë ndryshim kuantitativ. Sipas mendimit tonë është fare pak e besueshme se mund të realizohet kjo shpresë në kushtet e sotme ne cilindo prej vendeve amerikane.
Ndonëse nuk do të duhej përjashtuar mundësinë që ndryshimi të fillojë me procesin elektoral, megjithatë kushtet të cilat mbizotërojnë në të gjitha vendet, e bëjnë këtë mundësi mjaft të largët.
Revolucionarët nuk mund të parashikojnë të gjitha variantet teknike deri te të cilat mund të arrihet gjatë luftës për zbatimin e programit të tyre të çlirimit. Aftësitë e vërteta të një revolucionari maten me shkathtësitë e tij që të gjejë taktikën përkatëse revolucionare për çdo ndërrim të situatës. Do të ishte gabim i pafalshëm të nënçmosh dobinë të cilën mund të ketë një program revolucionar nga një proces i caktuar elektoral. Por poashtu do të ishte e pafalshme të mendosh vetëm në zgjedhje e të lash pas dore format e tjera të luftës, duke përfshirë edhe atë të armatosur për marrjen e pushtetit, këtij mjeti të domosdoshëm për aplikimin e programit revolucionar.
Kur është fjala për marrjen e pushtetit nëpërmjet të zgjedhjeve, pyetja jonë është gjithnjë e njëjtë: nëse një lëvizje popullore e merr pushtetin në bazë të shumicës së votave popullore dhe vendos të fillojë ndryshime të mëdha shoqërore nga programi i vet, a mos do të përleshet menjëherë me klasat reaksionare në vend? A nuk ka qenë gjithmonë ushtria vegël e atyre klasave? Nëse është kështu, është logjike të supozosh se ushtria do të jetë në anën e klasës së vet dhe do të marrë pjesë në luftë kundër qeverisë së re. Me grushtshtet shtetëror, me pak apo më shumë gjakderdhje, qeveria mund të rrëzohet, e loja e vjetër të fillojë sërish ad aeternam. Natyrisht, mund të ngjajë edhe ajo që ushtrinë shtypëse ta mundë populli i armatosur i cili e mbron qeverinë. Ajo që na duket pak e besueshme është se forcat e armatosura do të pajtoheshin me ndryshime të thella shoqërore dhe në mënyrë paqësore të pranonin të likuidohen si kastë.

*

Me supozimin se mund të llogaritet ndihma e kastës ushtarake në zhvillimin e betejës, do të duhej analizuar dy probleme. Së pari rastin që ushtria vërtët t’u bashkohet forcave popullore, e me supozim që ajo të paraqesë bërthamën e organizuar me aftësi të pavarur të vendosjes. Në këtë rast do të bëhej “sulmi” i një pjese të ushtrisë ndaj tjetrës, ndërsa struktura e kastës ushtarake me siguri do të ngelte e paprekur.
Rasti tjetër, kur ushtria do t’iu bashkohej shpejt e spontanisht forcave popullore mund të ngjajë, sipas mendimit tonë, vetëm pasi ajo të jetë e thyer ashpër ose e mundur nga armiku më i fortë dhe më këmbëngulës, e kjo do të thotë në kushte katastrofale për pushtetin e rënë. Kjo dukuri mund të ndodhë kur ushtria është e mundur ose moralisht e shkatërruar; por gjithnjë është e nevojshme më parë lufta gjithnjë kthehemi në pyetjen si ta vazhdojmë. Përgjigjja na çon në konkludimin se duhet zhvilluar luftën guerile jashtë qytetit, në terren të përshtatshëm, me përkrahje të luftës në qytete, duke llogaritur gjithmonë pjesëmarrjen më të madhe të mundshme të masave punëtore dhe me kusht që ideologjia e tyre, natyrisht, të jetë ideologji udhëheqëse e guerilëve.

*

Mjaft folëm mbi vështirësitë në të cilat do të hasin lëvizjet revolucionare në Amerikën latine. Mund të bëjmë tani pyetjen a ekzistojnë apo jo kushtet e volitshme në shkallën e mëparshme, d.m.th., në shkallën në të cilën gjendej Fidel Kastro në malin Siera Maestra. Konsiderojmë se edhe aty ekzistojnë kushtet e përgjithshme të cilat lehtësojnë lindjen e qendrave kryengritëse, ndërsa në disa vende ekzistojnë kushte specifike dhe akoma më të volitshme. Do të ndalemi në dy faktorë subjektivë të cilët bëhen të mundshëm në pasojat më të rëndësishme të revolucionit kuban: së pari mundësia e fitores. Kjo menjëherë tregon mundësinë e krijimit të një lëvizje revolucionare e cila do të veprojë në fshat, të tërheqë masat fshatare, të shkojë nëpër dobësi deri te forca, të shkatërrojë armatën në luftën frontale, të marrë qytetet dhe me luftën e vet të forcojë kushtet subjektive të domosdoshme për marrjen e pushtetit.
Të “jashtëzakonshëm” të vërtetë janë ata individë të çuditshëm, të cilët konsiderojnë se revolucioni kuban është unik dhe ngjarje e papërsëritshme në botë. S’ka gjë më të gabueshme se kjo.
Mundësia e fitores së masave popullore në Amerikën Latine bëhet e qartë në formën e luftës guerile të armatës se fshatarëve, e cila shkatërron në themel strukturën e botës së vjetër koloniale.
Faktor të dytë, subjektiv, mund ta konsiderojmë faktin se tani masat janë të vetëdijshme jo vetëm për mundësinë e fitores, por edhe për fatin e vet. Ato në mënyrë gjithnjë e më të sigurtë e dinë se, përkundër të gjitha problemeve që historia në periudha të shkurtra mund t’i sjellë, ardhmëria, megjithatë i takon popullit, sepse ajo do të sjellë drejtësinë. Kjo njohuri do të paraqesë një katalizator revolucionar në Amerikën Latine.
Mund të përmendim edhe faktorë më pak të përgjithshëm, të ndryshëm për nga forca ndaj vendit të caktuar. Një nga ata faktorë, mjaft i rëndësishëm, është eksploatimi i fshatarëve, i cili, marrë në tërësi, ishte më i dobët në Kubë sesa në shumicën e vendeve të tjera të Amerikës Latine. Ata që do të donin që në periudhën kryengritëse të luftës sonë të shohin pasojat e proletarizimit të fshatit, do të duhej t’iu kujtohej çfarëdo që të ketë qenë kontributi i këtij proletarizimi për shpjegimin e themelimit të kooperativave pas ardhjes në pushtet dhe zbatimit të reformës agrare – se fshatari, i cili së pari ishte qendër, thelb i ushtrisë kryengritëse, është po ai i cili sot u kthye në Siera Maestra dhe u bë pronar, krenar për copën e vet të tokës dhe individualist i flakët. Natyrisht, në Amerikën Latine ekzistojnë veçori. Fshatari argjentinas s’është ç’është ai peruan, bolivian apo i Ekuadorit, por te ata është përherë e pranishme dëshira për tokë, e këta, marrë në tërësi, i japin tonin Amerikës. Pasi ata, në pjesën më të madhe të vendeve tjera janë edhe më shumë të eksploatuar sesa ishte rasti në Kubë, ekzistojnë mundësi të mëdha që të aktivizohet ajo klasë.
Këtu është edhe një fakt. Edhe përkundër të gjitha të metave të veta, ushtria e Batistës ishte e organizuar asisoj që të gjithë, prej ushtarit të thjeshtë deri te gjeneralët, ishin ekspertë për eksploatimin e popullit. Ata ishin në tërësi mercenarë, e kjo i jepte padyshim, forcë aparatit për shtypje. Marrë në tërësi, ushtritë në Amerikë janë të përbëra nga oficerët profesionalë dhe nga rekrutët joprofesionalë, të cilët, kohë pas kohe, i thërrasin në ushtri. Çdo vit rekrutët e rinj lëshojnë vatrat e veta, vendlindjen e vet, në të cilën nga prindërit e vet kanë dëgjuar mbi vuajtjet e përditshme, mbi mjerimin dhe padrejtësitë shoqërore, të cilën edhe vet e kanë njohur. Dhe, nëse një ditë, i dërgojnë të luftojnë kundër doktrinës të cilën e ndiejnë thellë si të drejtë, aftësia e tyre sulmuese do të jetë jashtëzakonisht e zvogëluar.
Pikërisht për këtë shkak, rezultate të mira mund të arrihen me propagandën përkatëse, e cila rekrutëve do t’iu tregojë drejtësinë dhe shkaqet e luftës që i zhvillon populli.

*

Pas këtij shpjegimi të përciptë për ngjarjet revolucionare, mund të themi se revolucioni kuban ka përmbajtur faktorë të jashtëzakonshëm nga të cilët kanë rrjedhë veçoritë e tij si edhe faktorët e përbashkët për të gjithë popujt e Amerikës, të cilët shprehin me të vërtetë nevojën e brendshme për një revolucion të tillë. Shohim gjithashtu se ekzistojnë edhe kushte të reja të cilat do ta lehtësonin lindjen e lëvizjeve revolucionare: vetëdija mbi domosdoshmërinë dhe mbi mundësinë që ai të realizohet. Ekzistojnë njëkohësisht edhe kushte të cilat ua vështirësojnë masave realizimin e qëllimit të tyre – marrjen e pushtetit. Në të vërtetë, borgjezitë e vendit janë aq ngushtë të lidhura me imperializmin sa që do të luftojnë direkt kundër forcave popullore. Amerikën Latine e presin ditë të errëta. Duhet mëshuar fort, pa ndërprerë, atje ku dhemb. Nuk duhet rrëshqitur mbrapa, por duhet shkuar përpara fuqishëm, t’i përgjigjesh çdo sulmi me presion të forcuar të masave popullore: kjo është rruga gjer në fitore.

* Artikull i botuar më 1961 në Havanë, në revistën e Armatës kryengritëse “Verde Olivia”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.