/Arlind Qori/
Kush nuk e mban mend se si pas tërmetit ekranet u pushtuan nga “bamirësia” e oligarkëve?! Samir Manja “dhuronte” 1.2 milionë euro, Shefqet Kastrati 1.5 milionë e kështu me radhë. Letra plot dashuri e patetizëm drejtuar popullit, përbetime për unitet kombëtar, editoriale të sherbetosura e kronika televizive që garonin rrotë më rrotë me televizionin koreano-verior për ditëlindjen e Kim Jong Unit. Kur shoqëria ishte e gjunjëzuar, me një goditje të vetme oligarkët synuan të pudrosnin fytyrën e vrarë lije nga akuzat për pasurim të pandershëm e kapje të shtetit. Dhe ia arritën deri diku.
Operacioni propagandistik do të vlente edhe si përligjje e riprodhimit të një marrëdhënieve plaçkitëse me shoqërinë, duke vazhduar pambarimisht sagën e koncesioneve, PPP, tenderave e favoreve fiskale të ardhshme. Ndërkohë që tërmeti ofronte një shans të artë për kontrata rindërtimi. Meqë shumë syresh janë vetë ndërtues, ose ortakë ndërtuesish, ose kodoshë që lidhin ndërtuesit me pushtetarët, tërmeti ishte një rast i artë. Për ta, tërmeti ishte “shkatërrimi krijues” për të cilin flet Joseph Schumpeter-i: çdo krizë (shkatërrim) përbën një mundësi për të krijuar mënyra të reja të akumulimit të kapitalit.
Si katastrofë natyrore, tërmeti sjell panik afatshkurtër. Sizmologjia na tregon me gjasa të larta se sa është probabiliteti i përsëritjes së tij me të njëjtën magnitudë. Shoqëria e merr veten shumë shpejt, ndërkohë që zinxhiri prodhues, shërbyes e tregtar i vendit nuk preket thuajse fare. Ato ditë firmat e ndërtimit vazhdonin pa të keq t’i ngjisnin punëtorët majë skelave. Nga ana tjetër, kostot e rindërtimit të ndërtesave të rrënuara e të dëmtuara mund të dëmtonin buxhetin e shtetit, por paraqitnin një kërkesë të madhe për shërbimet e firmave të oligarkëve. Me një fjalë, për shumë prej oligarkëve tërmeti ishte si dhuratë nga Perëndia.
Nuk duhet harruar se tërmeti është katastrofë thellësisht klasore. Ai godet kryesisht të varfrit, njerëzit që jetojnë në pallate e shtëpi të ndërtuara si mos më keq, pa projekt e me kosto të ulët, për të mos folur për mashtrimet e spekulantëve të ndërtimit që morën më qafë edhe një numër të konsiderueshëm qytetarësh të klasës së mesme që kishin blerë shtëpi prej rëre. Ama në vilat ku jetojnë dhe shumëkatëshet nga ku sundojnë, oligarkët ishin të sigurt. Ata nuk kursejnë për sigurinë personale, përveçse kullat tregtare në mes të qytetit kanë një çmim shitjeje shumë herë më të madh se kostoja e ndërtimit, çka e bën të kotë kursimin në shtylla betoni e të tjerë elementë sigurie.
Ndërkohë që sot ata janë strukur. Nuk i sheh televizioneve, nuk bëzajnë kurrkund, përveçse për të kërkuar nën zë ndonjë lehtësi fiskale. Koronavirusi nuk do t’ia dijë për përkatësinë klasore, nivelin e pasurisë, etninë, besimin fetar, statusin shoqëror etj. Ironikisht është më demokratiku dhe barazimtari, rrafshuesi i çdo hierarkie shoqërore. Sot virusi ka futur në panik edhe ata që deri dje i frikësonte vetëm vonimi i firmosjes së një koncesioni: oligarkët dora vetë.
Këto ditë oligarkët kanë frikë se mos i infekton ushtria e shërbëtorëve, shoferëve dhe badigardëve të tyre. Me gjasë, i kanë përzënë dhe po detyrohen të fshijnë sallonet e mëdha, të gatuajnë, lajnë enët e pastrojnë vetë. Vetëm, brenda atyre kështjellave bashkëkohore me pishinë e sauna, të cilat nuk mund t’i mirëmbajë askush. Si njerëz të mësuar të jetojnë nga puna dhe shërbimet e të tjerëve, edhe në intimitetin shtëpiak, oligarkët janë qeniet njerëzore më të dobëta. Ata nuk dinë si ia dilet me forcat e veta, as mund ta përdorin pasurinë për t’u kuruar në ndonjë spital perëndimor në rast sëmundjeje. Kanë ngecur këtu brenda, si të gjithë ne, por më të dobët se ne dhe po aq të urryer sa dje.
Tjetër faktor i strukjes së tyre është pasiguria ekonomike që po kaplon edhe vendin tonë. Deri më sot ia kanë dalë të sigurojnë mosndalimin e punës edhe në sektorë katastrofikë për nga potenciali i infektimit si minierat. Ama retë e zymta të së ardhmes ekonomike i shtyjnë të bëjnë hesape humbjesh ekonomike. Zinxhiri i prodhimit, shërbimit dhe tregtisë, afërmendsh, do të cenohet, në mos rrezikohet. Shumë prej tyre operojnë në sektorë parazitarë e spekulativë – jo në prodhim e manifaktura. Sot pakkush ka mendjen të blejë apartament të ri, të bëjë reklamë në televizione, të vizitojë një qendër tregtare apo t’i hedhë karburant makinës.
Ndryshe nga tërmeti, kësaj here kufijtë kohorë të emergjencës janë të paparashikueshëm: nga pak javë, në rastin më të mirë, në më se një vit në rastin më të keq. Diçka e tillë, nga pikëpamja e tyre, dëfton për rrezikun e shtyrjes në kohë të porosive shtetërore, koncesioneve e PPP – burimi më i rëndësishëm i pasurimit të tyre. Nga ana tjetër, duke kontribuuar për vite të tëra në dobësimin e kapaciteteve administrative dhe uljen e besueshmërisë së qytetarëve ndaj shtetit, oligarkët kanë sot një shërbëtor të dobët e të çoroditur në krye të qeverisë. Një njeri i çoroditur në krye të qeverisë, i rrethuar nga puthadorë pa mend e imagjinatë, nuk ofron asnjë garanci për vazhdimësinë e sundimit të tyre.
Frika i bën oligarkët të mbyllen edhe më fort në zhguallin e interesit vetjak, pa pyetur për interesat e përbashkëta të oligarkisë. Paradoksalisht, përballë pasigurisë ekonomike, politike e shoqëror, ata po sharrojnë degën mbi të cilën ishin ulur deri më tash: ruajtjen e interesave të përbashkëta të oligarkisë si kusht i pasurimit të njëkohshëm të të gjithë oligarkëve. Duke synuar secili të përfitojë sa të mundet e sa më parë për vete, ata do të vënë në krizë kompaktësinë e tyre si klikë sunduese, çka përkeqësohet nga dobësia e shërbëtorëve të tyre në krye të shtetit.
Ironikisht, shpresa e tyre më e madhe do të ishte ngritja e shtetit në lartësinë e asaj që etërit e materializmit historik e quanin “kapitalist i përgjithshëm”. Në rastin tonë, qeveria duhej të sundonte si të ishte oligarkja e përgjithshme, duke fituar autonomi relative nga interesat individuale të çdo oligarku dhe u shërbyer interesave afatgjata të të gjithë oligarkëve, edhe përkundër interesave të tyre individuale afatshkurtra. Për t’u shërbyer oligarkëve, qeveria duhej të bënte ç’është e mundur që të shmangë kaosin shoqëror që mund të lindë nga pasiguria e konsumimit të të mirave bazike. Ajo duhet t’u marrë oligarkëve sot, nëpërmjet taksave, një pjesë të pasurisë së tyre përrallore. Kësisoj do t’i ruajë ata nga mllefi i nesërm shoqëror, ku turma njerëzish, përpara se t’u drejtohen ushqimoreve, do t’u sulen lagjeve e kështjellave të luksit, kullave e gjithçkaje tjetër që vjen era privilegj në kurriz të të mirave bazike shoqërore. Sot e nesër e pasnesër, sa kohë çdo vend po izolohet, oligarkët nuk kanë as se ku të arratisen.
Mirëpo ngurrimi i paradisaditshëm i Ramës për të mos rritur taksat për më të pasurit tregon se kjo qeveri e ka të vështirë të ngrihet në nivelin e ruajtëses së interesave afatgjata të oligarkëve. Është shumë e nënshtruar ndaj tyre individualisht për të pasur autonominë dhe reputacionin e mjaftueshëm.
Radhët e mësipërme mund të keqkuptohen sikur po më shqetëson vazhdimësia e oligarkëve si klikë sunduese e shoqërisë sonë. A nuk do të ishte më mirë – mund të mendonte dikush – që kontradikta të acarohej aq shumë e aq shpejt, saqë ta përmbysnim sa më parë këtë grup parazitar që e kemi në krye prej vitesh? Në fakt jo, për sa kohë përmbysja e rrufeshme e tyre në kushte pandemie do të shoqërohej me kaos dhe shpërbërje të indit shoqëror që ende na lidh si bashkëqytetarë. Revolucion mund të ketë në kohë lufte, edhe për t’i dhënë fund luftës, por jo në kohë pandemie. E nesërmja e revoltës në kohë pandemie do të ishte një luftë hobsiane e të gjithëve kundër të gjithëve – ku njeriu për njeriun bëhet ujk e shkuar ujkut – apo një dalldi fanatizmi fetar e fashistoid që mund të lindë pas kaosit.
Sot kemi nevojë të respektojmë distancimin shoqëror fizik, bash duke u organizuar për së largëti që t’u japim më nevojtarëve të gjithë ndihmën, kujdesin dhe solidaritetin tonë. Na duhet të komunikojmë sa më shumë me njëri-tjetrin, me durim, arsye e imagjinatë. Të kuptojmë, pikësëpari, se rendit të vjetër politiko-shoqëror i ka ardhur fundi. Sundimtarët nuk mund të ringrihen pas krizës sikur të mos ketë ndodhur gjë. Ideja se tregu privat vetërregullues është alfa dhe omega e rendit shoqëror ka marrë fund, edhe pse si i tillë (treg mirëfilli i lirë) ka ekzistuar vetëm në imagjinatën e një grushti fanatikësh të teorive të vjetruara. Ne kemi nevojë për institucione publike që demokratizohen radikalisht, çka i bën gjithnjë e më të fuqishme, të përgjegjshme dhe instrumente në duart e një shoqërie që përparon duke fuqizuar më së pari më të dobëtit mes saj.
Me të mbaruar emergjenca shëndetësore, duhet të ngrihemi në këmbë si shoqëri për të imponuar, me pahir nëse e lyp nevoja, zhdukjen e privilegjeve dhe institucioneve të kalbura.
Imazhi: Business Insider
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License)