Komunizmi i vërtetë është tëhuajsia e të nesërmes

/Alain Badiou/

Do doja të falënderoja dhe përshëndesja të gjithë miqtë tanë grekë, dhe më gjerë të gjithë ata që sot po luftojnë kundër situatës së tmerrshme që ka prodhuar oligarkia financiare, e cila ka pushtetin në Evropë dhe e ushtron në shërbim të kapitalizmit global, në kurriz të popullit grek.

Famëkeqja Trojkë, që po qeveris sot Greqinë, nuk është vetëm përfaqësuesja e Evropës. Sepse sot Evropa nuk është veç një rrip transmisioni i kapitalizmit global. Po çfarë i thuhet popullit grek për të justifikuar shtypjen dhe shkatërrimin e tij? Se duhet të zini vendin tuaj në botën reale. Duhet të merrni parasysh realitetet e botës bashkëkohore. Duhet të dorëzoheni e të pranoni ligjet e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës globale.

Për t’i rezistuar kësaj propagande duhet t’ia nisim nga një pohim fare i thjeshtë. Sot, nuk ka botë reale të kushtetuar nga burrat dhe gratë që e banojnë këtë planet.

Pse them se nuk ka botë reale burrash e grash? Sepse bota që ekziston, bota e globalizmit, është vetëm botë mallrash dhe shkëmbimesh financiare. Është tamam ajo që parashikoi Marksi njëqindepesëdhjetë vjet më parë: bota e tregut botëror. Në këtë botë ka vetëm gjëra – objekte të shijshme – dhe shenja – instrumentet abstrakte të blerjes dhe shitjes, format e ndryshme të parave dhe kredisë. Prapëseprapë, nuk është e vërtetë se në këtë botë subjektet njerëzore ekzistojnë lirisht. Dhe, për fillestarët, ata nuk i gëzojnë absolutisht të drejtat bazike të lëvizjes dhe ngulimit sipas dëshirës. Pasi shumica dërrmuese e burrave dhe grave në këtë të ashtuquajtur botë, botë mallrash dhe parash, nuk kanë fare të drejta të shfrytëzimit të kësaj bote. Përpara tyre ngrihet muri i përjashtimit brutal prej saj, ata ekzistojnë jashtë saj, aty ku ka fare pak mallra dhe aspak para. Dhe fjalën mur s’po e përdor si metaforë. Muri që synon të ndajë palestinezët nga izraelitët; muri në kufirin meksikano-amerikan; barriera elektrike midis Afrikës dhe Spanjës; kryebashkiaku i një qyteti italian propozonte ndërtimin e një muri që do të ndante qendrën nga periferitë! Gjithnjë e më shumë mure, që po i burgosin të varfrit brenda shtëpive të tyre. Ka syresh në Evropë që mendojnë se na duhet të ndërtojmë një mur midis Greqisë së pafat dhe të begatës Evropë Veriore. Bota e mëtuar e globalizmit është një botë muresh e burgosjesh.

Thuajse njëzet vjet më parë ra Muri i Berlinit. Ajo rënie simbolizonte unitetin e botës pas pesëdhjetë vjet ndarjeje. Gjatë këtyre pesëdhjetë viteve kishte dy botë, bota socialiste dhe bota kapitaliste. Ose siç thoshin ca, bota totalitare dhe bota demokratike. Kësisoj, rënia e Murit të Berlinit ishte triumfi i një bote të vetme, botës së demokracisë. Megjithatë, sot po shohim se muri veçse është zhvendosur. Dikur ngrihej midis Lindjes totalitare dhe Perëndimit demokratik, mirëpo sot ngrihet midis Veriut të pasur kapitalist dhe Jugut të varfër e të shkatërruar. Kjo vlen edhe brenda Evropës. Kohëve të shkuara – edhe brenda vendeve të veçanta, përfshirë ato Veriore – kontradikta kundërvinte një klasë punëtore të organizuar e të fuqishme ndaj një borgjezie sunduese që kontrollonte shtetin. Sot shohim ngado vetëm borgjezinë sunduese që kontrollon shtetin. Sot shohim ngado përfituesit e tregtisë globale dhe masën e pamasë të të përjashtuarve, dhe midis këtyre të dyve ka lloj-lloj muresh e barrierash; ata nuk shkojnë më në të njëjtat shkolla, nuk përfitojnë të njëjtin kujdes shëndetësor, nuk mund të sillen vërdallë në të njëjtën mënyrë, nuk mund të jetojnë në të njëjtat pjesë të qytetit…

“Të përjashtuar” është emri i duhur për të gjithë ata që nuk janë në botën reale, që janë jashtë saj, mbrapa mureve dhe telave me gjemba. Ose këtu, në Greqi, mbrapa mureve të paragjykimit dhe mbrapa xhandarëve të Evropës.

Tridhjetë vjet më parë ekzistonte një mur ideologjik, një perde e hekurt politike. Sot ekziston një mur që ndanjouissance-ën e të pasurve nga dëshira e të varfërve.

Punët shkojnë sikur të ishte vendosur një ndarje e mprehtë midis trupave të gjallë sipas prejardhjes dhe burimeve, ashtu që të eksitonte bota e vetme e shenjave dhe e objekteve monetare. Po e përsëris që sot nuk ka botë. Dhe kjo ngaqë çmimi i botës së unifikuar të kapitalit është ndarja brutale dhe e dhunshme e ekzistencës njerëzore në dy rajone të ndara me mure, qen policie, kontrolle burokratike, patrulla detare, tela me gjemba dhe dëbime.

Pse është bërë i ashtuquajturi imigrim çështje politike me rëndësi themelore në krejt botën? Sepse të gjitha qeniet njerëzore që mbërrijnë, duke u përpjekur të jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme, përbëjnë provën se uniteti demokratik i botës është tërësisht i rremë.

Po të qe i vërtetë, do të na duhej t’i mikprisnim këta të huaj si njerëz nga e njëjta botë si ne. Do të na duhej t’i donim ashtu siç duam dikë që në udhë e sipër ndalet në prag të shtëpisë sonë. Mirëpo nuk ndodh kështu. Pjesa më e madhe prej nesh mendon se këta njerëz vijnë nga një botë tjetër. Këtu qëndron problemi. Ata janë prova e gjallë se bota jonë e zhvilluar dhe demokratike nuk është një botë e vetme burrash e grash. Madje ka popuj në Evropë, si grekët, të cilët qeveritë franceze ose gjermane i shohin sikur vijnë nga një tjetër botë. Paraja është e njëjtë ngado, dollari dhe euroja janë të njëjta ngado; ne i pranojmë me qejf dollarët dhe eurot që kanë ndër xhepa këta të huaj nga tjetërbota. Ne i kontrollojmë, nuk i lejojmë të qëndrojnë. U çojmë një trojkë për t’i mbikëqyrur. Gjithë ankth pyesim veten se sa syresh gjenden mes nesh, sa syresh kanë ardhur prej tjetërbotës. Pyetje e tmerrshme, po ta mendosh. Një pyetje që përgatit pashmangshmërisht terrenin për persekutimin, ndalimin dhe dëbimin e tyre në masë. Një pyetje që nxit shpalosjen e fytyrës kriminale të politikave qeveritare.

Kësisoj mund të themi: Nëse uniteti i botës është unitet i objekteve dhe shenjave monetare, atëherë një unitet i tillë nuk ekziston për trupat e gjallë. Ka zona, mure, rrugëtime të dëshpëruara, urrejtje dhe vdekje. Ka Gjermani të mirë dhe Greqi të keqe.

Prandaj sot çështja qendrore politike ka të bëjë me botën, me ekzistencën e botës.

Bota e vetme, përkundër botës së rreme të tregut global: kjo ishte ajo që donte komunisti i madh Marks, dhe duhet t’i kthehemi atij. Ai argumentonte fuqishëm se bota është ajo çka është e përbashkët për krejt njerëzimin. Ai thoshte se aktori kryesor i emancipimit është proletariati. Po, ai thoshte: proletari nuk ka atdhe tjetër veç krejt botës së qenieve njerëzore. Dhe që kjo të realizohej, do të duhej që t’i jepej fund botës së tregut global, botës së mallrave dhe parasë; botës së kapitalit dhe pronarëve. Për të pasur një botë të përbashkët, do të duhej t’i jepej fund diktaturës financiare të pronës private.

Sot disa – padyshim vullnetmirë – mendojnë se te ky vizion i fuqishëm i Marksit mund të arrijmë duke zgjeruar demokracinë. Pra, duke e shtrirë formën e mirë të botës, domethënë atë që ekziston në demokracitë perëndimore dhe Japoni,  në të gjithë botën. Atëherë, Greqia duhet të globalizohet ashtu siç duhet, të gjejë paqe me bankat dhe t’iu nënshtrohet tërësisht. Problemi qëndron në faktin se kjo demokraci nuk ekziston gjithkund.

Sipas meje, kjo është një qasje absurde. Baza materiale absolute e demokracive perëndimore është prona private. Ligj i saj është që një për qind e njerëzve zotërojnë 46% të pasurisë botërore dhe dhjetë për qind syresh zotërojnë 86% të pasurisë botërore. Dhe pesëdhjetë për qind e popullatës botërore – po, pesëdhjetë për qind – në të vërtetë nuk zotërojnë asgjë. Si mund të bëhet bota me të tilla pabarazi ulëritëse?! Në demokracitë perëndimore liria është pikësëpari liria e pacak e pronës, përvetësimi i gjithçkaje me vlerë. Pastaj vjen liria e qarkullimit të objekteve dhe shenjave monetare. Pasojë fatale e këtij konceptimi është ndarja e trupave të gjallë nga dhe për hir të mbrojtjes së paepur e të pamëshirshme të privilegjeve të pasurisë.

Për më tepër, e dimë më së miri se çfarë forme merr kjo “shtrirje” demokracie. Thjesht fare, është luftë. Luftërat në Jugosllavi[1], Irak, Afganistan, Somali dhe Libi, për të mos përmendur një duzinë ndërhyrjesh ushtarake në Afrikë. Janë po ashtu edhe luftërat e heshtura e tinëzare ndaj popujve të tërë, si grekët – nga sistemi evropian e botëror.

Fakti se do të ishte e domosdoshme të bëheshin luftëra të gjata për të organizuar të ashtuquajturat zgjedhje të lira në një vend të caktuar, duhet të na bëjë të reflektojmë jo vetëm mbi luftën, por edhe mbi zgjedhjet. Me ç’konceptim bote lidhet sot demokracia zgjedhore? Si çdo gjë, kjo demokraci imponon ligjin e numrave. Po ashtu nëpërmjet numrave, bota e unifikuar prej mallrave imponon ligjin e parasë. Imponimi i ligjit të numrave zgjedhorë në Bagdad, Tripoli, Beograd, Bamako, Kabul apo Bangui na shtron përpara problemin: nëse bota është bota e objekteve dhe e shenjave, kjo është botë ku gjithçka numërohet. Dhe atyre që nuk numërohen (llogariten), ose numërohen (llogariten) pak, u imponohen ligjet tona përmes luftës.

Kjo tregon se bota e përfytyruar kësisoj nuk ekziston në realitet, ose ekziston vetëm artificialisht, përmes dhunës.

Besoj se këtë problem duhet ta kthejmë për së mbari. Duhet të pohojmë ekzistencën e botës, prej fillimit, si aksiomë dhe parim. Duhet të themi këtë frazë fare të thjeshtë: “Ekziston një botë grash dhe burrash të gjallë”. Kjo fjali nuk është një përfundim objektiv. E dimë se nën ligjin e parasë, nuk ka botë të vetme për gratë dhe burrat. Ka një mur që i ndan të pasurit nga të varfrit, guvernatorët e Evropës nga populli i Greqisë. Kjo frazë, ‘ekziston një botë’, është performative. Ne vendosim që të ekzistojë për ne. Dhe se do t’i qëndrojmë besnikë kësaj fraze. Detyra që na del përpara është që të përcaktojmë rrjedhojat serioze dhe të vështira të kësaj fjalie fare të thjeshtë. Ashtu siç bëri Marksi, kur krijoi të parën organizatë ndërkombëtare të klasës punëtore, që përcaktoi rrjedhojat e vështira të deklaratës së tij se punëtorët nuk kanë atdhe. Proletarët janë prej të gjitha vendeve. Proletarët janë ndërkombëtarë.

Njëra prej rrjedhojave më të para ka të bëjë me njerëzit me origjinë të huaj që jetojnë mes nesh: ata që quhen imigrantë. Në vendin tim kjo fjalë nënkupton marokenët, maliasit, kinezët etj. Edhe këtu, mes varfërisë së përgjithshme, ka njerëz që kanë ardhur nga jashtë, si p.sh. shqiptarët. Nëse ka një botë të vetme burrash e grash të gjalla, atëherë ata janë prej së njëjtës botë si ne. Ky punëtor zezak afrikan që shoh në kuzhinën e restorantit, apo marokeni që shoh të hapë një vrimë në rrugë, apo gruaja e mbuluar që shoh të kujdeset për fëmijët në çerdhe; të gjithë ata janë nga e njëjta botë si unë. Kjo është çështja kryesore. Këtu, dhe askund tjetër, mund ta përmbysim idenë sunduese të unifikimit të botës përmes objekteve, shenjave dhe zgjedhjeve – një ide që na çon në luftë e persekutim. Uniteti i botës është unitet i trupave të gjallë e aktivë këtu e tani. Dhe unë duhet ta kaloj medoemos provën reale të këtij uniteti: se këta njerëz që ndodhen këtu – të ndryshëm nga unë në gjuhën, veshjet, fenë, ushqimin dhe edukimin e tyre – ekzistojnë në të njëjtën botë, dhe fare thjesht ekzistojnë njëlloj si unë. Ngaqë ekzistojnë njëlloj si unë, mund të diskutoj me ta, dhe paskëtaj, si gjithë bota, të biem ose jo në një mendje. Por me kushtin absolut se ata ekzistojnë njëlloj si unë, domethënë, në të njëjtën botë.

Dikush mund të kundërshtojë duke thënë se kulturat janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Po si? A janë prej së njëjtës botë si unë apo jo? Partizanët e politikave identitare do të thonë: jo, jo! Bota jonë nuk është e çdokujt. Bota jonë është bashkësia e të gjithë atyre për të cilët vlerat tona kanë rëndësi me të vërtetë. Për shembull, e atyre që janë demokratë, respektojnë gratë, përkrahin të drejtat e njeriut, flasin frëngjisht, bëjnë këtë apo atë, hanë të njëjtin mish, e atyre që pinë verë e mbllaçitin salsiçe. Ose: vetëm ata që flasin greqisht, janë të krishterë ortodoksë, hanë djathë dhe ullinj. Po, këta njerëz jetojnë në të njëjtën botë. Mirëpo ata që mbartin një kulturë të ndryshme, – na thonë lëpenët apo agimartasit e vegjël, – nuk janë me të vërtetë nga bota jonë. Ata nuk janë demokratë, ata shtypin gratë, ata veshin rroba barbare…Si mundet dikush që nuk pi verë apo ha mish derri të jetë nga e njëjta botë me mua?

Apo ndryshe: ata janë të pisët, janë myslimanë, janë edhe më varfanjakë se ne. Nëse duan të hyjnë në botën tonë, duhet të mësojnë vlerat tona; ata duhet të pranojnë vlerat tona. Atyre do t’iu duhet të marrin provimin e vlerave tona: në Francë në provime mund të të bjerë një gotë verë, një fetë sallam dhe katekizmi shekullar. Ose në Greqi, iu duhet të gjunjëzohen përpara priftit dhe të recitojnë tërë historinë mitike të popullit grek në gjuhën moderne greke.

Fjala për të gjitha këto punë është “integrim”; ai ose ajo që vjen nga tjetërkund duhet të integrohet në botën tonë. Që bota e punëtorit të ardhur nga Afrika të jetë e njëjtë me botën së cilës i përkasim ne të tjerët, zotërit e kësaj bote, ai – punëtori afrikan – duhet të bëhet njëri prej nesh. Atij i duhet të dojë dhe të praktikojë të njëjtat vlera. Një president i Francës, Nicolas Sarkozy-ia, thoshte se “nëse të huajt duan të qëndrojnë në Francë, atëherë ata duhet ta duan Francën, përndryshe duhet të largohen”. Thashë me vete: Edhe mua më duhet të largohem atëherë, meqenëse unë nuk e dua Francën e Nicolas Sarkozy-së. Unë nuk i pranoj vlerat e integrimit. Unë nuk jam i integruar në këtë integrim. Jam armiqësor ndaj integrimit në një botë të vogël e të mbyllur, qoftë ajo franceze apo greke, sepse ajo çka i bën njerëzit të fortë është thënia se ka një botë, dhe në këtë botë ka proletarë që duan të udhëtojnë, ndonjëherë edhe shumë larg, për të mbijetuar. Proletariati i botës sonë të vetme është një proletariat nomad, dhe shansi ynë i vetëm politik është të jemi me të, kudo shkoftë.

Në realitet, nëse i vini kushte punonjësit afrikan apo punëtorit shqiptar për të qenë në të njëjtën botë me ju, atëherë e keni braktisur dhe shkelur sakaq parimin se “ka një botë të vetme grash e burrash të gjallë”. Do më thoni: po një vend ka ligjet e veta. Sigurisht. Mirëpo ligji nuk është absolutisht e njëjta gjë si kushti. Ligji vlen për të gjithë njëlloj. Ai nuk vendos kushte mbi përkatësinë në botë. Ai është thjesht një rregull i përkohshëm që ekziston në një rajon të caktuar të botës. Dhe askujt nuk i kërkohet ta dojë ligjin – por vetëm t’i bindet atij.

Bota e vetme e grave dhe burrave të gjallë mund të ketë ligje. Ajo nuk mund të ketë kushte për hyrjen në të apo të ekzistuarin brenda saj. Për të jetuar në të nuk mund të ketë detyrime për të qenë si të tjerët. Aq më pak për të qenë minoritet i këtyre të tjerëve, si në rastin e mikroborgjezëve të bardhë të qytetëruar apo të shtazëve nacionaliste greke. Nëse ka një botë të vetme, atëherë të gjithë ata që jetojnë në të ekzistojnë si unë, por nuk janë si unë: ata janë të ndryshëm. Bota e vetme është pikërisht vendi ku ekziston pafundësia e dallimeve. Bota është e njëjtë dhe njerëzit që jetojnë në të janë të ndryshëm.

Nëse, përkundrazi, kërkojmë që banorët e botës të jenë të njëjtë, atëherë bota mbyllet dhe bëhet vetë e ndryshme nga një botë tjetër. Kjo çon pashmangshmërisht në ndarje, mure, kontrolle, urrejtje, vdekje, fashizëm dhe, në fund, në luftëra.

Njerëzia do të pyesë: A nuk mund të rregullohen këto dallime të pafundme? Mos vallë asnjë identitet nuk mund të hyjë në një marrëdhënie dialektike me këto dallime? Vërtet kemi një botë të vetme, por a do të thotë kjo se të qenit francez, maroken në Francë, breton, mysliman në një vend me tradita të krishtera, apo shqiptar në Greqi nuk ka fare rëndësi në vendosjen e unitetit në botën e të gjallëve?

Pyetje me vend. Sigurisht që pafundësia e dallimeve është edhe pafundësi identitetesh. Le të shqyrtojmë pak mënyrën se si këto identitete të dallueshme mund të vijojnë edhe kur ne kemi pohuar ekzistencën e një bote të vetme për të gjitha qeniet njerëzore.

Mirëpo së pari: ç’është identiteti? Përkufizimi më i thjeshtë thotë se identiteti është një bashkësi tiparesh dhe cilësish me anë të të cilave një individ a grup njeh “veten”. Po ç’është “vetja” e tyre? Ajo përcaktohet nga të gjitha cilësitë karakteristike të identitetit që mbesin të pandryshuara. Kësisoj mund të themi se identiteti është një bashkësi tiparesh dhe cilësish të pandryshuara. Për shembull, identiteti homoseksual përcaktohet nga gjithçka që ka të bëjë me pandryshorin e objektit të mundshëm të dëshirës; identiteti i artistit është ajo çka mund të shquajmë si të pandryshueshme në stilin e tij; identiteti i një bashkësie të huaj brenda një vendi të dhënë përcaktohet nga ajo që bashkësia në fjalë njeh se i përket asaj: gjuha, ritualet, veshjet, bindjet, zakonet e të ngrënit etj.

Duke u përkufizuar përmes pandryshorit, identiteti lidhet me dallimin në dy mënyra:

Identiteti është ajo çka është e ndryshme nga gjithçka tjetër (identiteti statik).

Identiteti është ajo çka nuk bëhet e ndryshme (identiteti dinamik).

Në sfond kemi të bëjmë me dy dinamika filozofike të mëdha të Vetes dhe të Tjetrit.

Duke iu përmbajtur hipotezës se të gjithë ne jetojmë në të njëjtën botë, mund të pohojmë të drejtën për të qenë të njëjtët, për të mbartur dhe zhvilluar identitetin tonë. Nëse një punonjës nga Mali, apo një fshesaxhi shqiptar, ekziston njëlloj si unë, ai mund të thotë gjithashtu se ka të drejtën, njëlloj si unë, e mbartjes dhe organizimit të cilësive të tij të pandryshueshme, që nga feja deri te gjuha e nënës, mënyra e zbavitjes apo e jetesës.

Ai e pohon identitetin e tij duke refuzuar atë që i imponon integrimi: domethënë, shthurjen e thjeshtë e të plotë të identitetit të tij për hir të një identiteti tjetër. Nëse ai mendon si unë, se jeton në të njëjtën botë si unë, atëherë s’ka arsye se pse ta konsiderojë këtë identitetet tjetër a priori më të mirë se të tijin.

Thënë kjo, ky pohim identiteti ka dy aspekte të ndryshme brenda dialektikës së Vetes dhe Tjetrit.

Aspekti i parë është dëshira se unë mund të bëhem vetja e ardhshme brenda kufijve të njëjtësisë. Pak a shumë siç thoshte Nietzsche-ja në maksimën e famshme: “Bëhu ai që je!” Kjo nënkupton zhvillimin imanent të identitetit brenda një situate të re. Punëtori nga Mali, ose fshesaxhiu shqiptar, nuk do ta braktisë atë çka përcakton identitetin e tij individual, familjar apo kolektiv. Mirëpo ai do të përvetësojë pak e nga pak, në mënyrë krijuese, gjithçka gjen në cepin e botës ku ka përfunduar. Kësisoj ai do të shpikë atë që është: një punëtor malias në periferitë e Parisit, ose një fshesaxhi shqiptar – madje edhe një lypës shqiptar – në ndonjë lagje të Athinës. Ai do ta krijojë veten përmes një lëvizjeje subjektive, nga fshatari malias në punëtorin e vendosur në Paris, ose nga malësori i pafat shqiptar në fshesaxhiun ose lypsarin e Athinës. Pa frakturë të brendshme, por përmes një shtrirjeje të identitetit të tij.

Mënyra tjetër e pohimit të identitetit është ajo mohore. Ajo ka të bëjë me këmbënguljen kokëforte se unë nuk jam Tjetri. Dhe kjo është gjithnjë e domosdoshme kur qeveritë tona – në këtë pikë të gjitha janë reaksionare dhe bashkëpunëtore të fashizmit – kërkojnë integrim autoritar dhe persekutues. Atëherë punëtori malias pohon me forcë se traditat dhe zakonet e tij nuk janë ato të mikroborgjezit evropian. Tiparet identitare, që shprehen në fenë dhe mënyrën e tij të të veshurit, edhe mund të përforcohen. Ai ia kundërvë veten botës perëndimore, epërsinë e hamendësuar të së cilës nuk e pranon. E si mund të qortohet ai për këtë, nëse mendojmë, me të drejtë, se ideja e një bote superiore është absurde, meqenëse ka vetëm një botë?!

Në fund, brenda identitetit ka dy kuptime të ndryshme të dallimit. Një pohues: Vetja mbahet përmes fuqisë së saj për të dalluar. Ky është krijim. Një mohues: Vetja mbrohet nga korruptimi i saj prej Tjetrit. Ajo do të ruajë pastërtinë e saj. Ajo është pastrim.

Çdo identitet është loja dialektike e një lëvizjeje krijimi dhe një lëvizjeje pastrimi.

Kësisoj mund të shohim mirë marrëdhënien midis identiteteve dhe parimit të madh se “Ka vetëm një botë”.

Ideja e përgjithshme është e thjeshtë: duke u nisur nga parimi i unitetit të botës së të gjallëve, identitetet ngado bëjnë të mbizotërojë krijimi ndaj pastrimit.

Pse politika e mureve, persekutimeve, kontrolleve dhe shpërnguljeve përbën një katastrofë? Pse krijon një gjendje shpirtërore që priret kah fashizmi? Sepse, sigurisht, ajo krijon dy botë, çka nënkupton se mohon ekzistencën e njerëzimit dhe çon në luftëra të pafundme.

Për më tepër, ajo i korrupton së brendshmi shoqëritë tona. Sepse marokenët, maliasit, rumunët, shqiptarët dhe të gjithë të tjerët sido që të jetë do të mbërrijnë në masë. Megjithatë, persekutimi përforcon mes tyre jo më procesin e krijimit, por atë të pastrimit. Përballë Sarkozy-së dhe Blair-it, Hollande-it dhe Valls-it, Venizellosit dhe të tjerëve që duan integrim të menjëhershëm përmes shpërnguljes dhe persekutimit, kemi islamistët e rinj që janë gati të bëhen martirë për pastërtinë e besimit të tyre. E nëse Fronti Kombëtar apo Agimi i Artë organizojnë sulme e pogrome, atëherë kjo do t’i shndërrojë pak e nga pak shoqëritë tona në regjime krejt represive e policore. Diçka e tillë përgatit kushtet për fashizmin, i cili s’është gjë tjetër përpos politikës kapitaliste të skllavëruar nga një fantazi kombëtare e inflacionuar nëpërmjet shtetit policor. Prandaj ne duhet të mbështesim me çdo kusht gjithçka që çon në fitoren e identitetit krijues ndaj identitetit pastrues, megjithëse jemi të ndërgjegjshëm se ky i fundit nuk mund te zhduket kurrë tërësisht. Rruga e vetme është pohimi prej fillimit se ka vetëm një botë. Dhe se pasojat që rrjedhin prej kësaj aksiome duhet të jenë veprime politike që i hapin rrugë aspektit krijues të identiteteve: të tilla që të më mundësojnë të diskutoj si me një punëtor apo nënë nga Mali, ashtu edhe me një të papunë shqiptar, se ç’mund të bëjmë së bashku për të pohuar se të gjithë ne ekzistojmë në të njëjtën botë, cilatdo qofshin identitetet tona të pjesshme e të dallueshme.

Duhet të organizojmë kudo ekzistencën politike të një bote të vetme. Kur ta takojmë tjetrin do të jemi në gjendje të diskutojmë si të barabartë mbi mënyrat e ndryshme të të qenit në të njëjtën botë. Por në fillim, përpara çdo gjëje, së bashku do të kërkojmë shfuqizimin e ligjeve persekutuese, e ligjeve që ngrenë mure dhe organizojnë sulme dhe dëbime; e ligjeve që ia dorëzojnë policisë të huajt. Do të pohojmë me forcë, si në betejë, se prania në vendin tonë e qindra-mijëra njerëzve të ardhur nga jashtë nuk është problem identiteti dhe integrimi.

Rol kyç këtu kanë proletarët, të cilët na mësojnë përmes jetëve të tyre aktive e nomadike se në politikë – në politikën komuniste – është e domosdoshme të marrim si pikë referimi botën e vetme të qenieve njerëzore, dhe jo botën e rreme të kombeve të ndara. Për ta parë këtë mjafton të kuptojmë idenë e thjeshtë se ata janë këtu dhe ekzistojnë si ne. Mjafton të vërejmë ekzistencën e tyre t’i japim asaj status të rregullt, ta konsiderojmë si jetë normale, si jetë së cilës i lejohet të ekzistojë si çdo jetë tjetër. Në thelb, mjafton të bëjmë atë që do të bënte gjithsekush me shokët e tij.

Në këtë rrugëtim kolektiv, do të mësojmë të këmbejmë identitetet tona, pa u dashur që ndonjëri të heqë dorë nga ç’është, apo pa u dashur ta integrojmë dikë në atë që është tjetërkush. Të huajt do të na mësojnë, pas rrugëtimit të tyre të gjatë,  se si iu duket politika e keqe e vendit tonë dhe se si do të përfshihen në ndryshimin e saj; ndërsa ne do t’u mësojmë të huajve se si jemi përpjekur prej kohësh ta ndryshojmë këtë politikë dhe se ç’rol kyç mendojmë se do të kenë ata në të ardhmen e kësaj përpjekjeje. Ide të reja do të dalin prej këtij procesi, në mënyra të paparashikueshme. Gjithashtu forma të reja organizimi, ku dallimet midis të huajve dhe vendasve do t’i nënshtrohen vizionit tonë të përbashkët: ka një botë të vetme në të cilën ekzistojmë barazisht, dhe në këtë botë identitetet tona mund të këmbehen miqësisht përderisa i kemi hyrë një veprimi politik të përbashkët.

Ta përmbledhim linjën e mendimit në katër pika:

“Bota” e kapitalizmit pa pengesa dhe demokracive pasanike është një botë e rreme. Duke njohur vetëm unitetin e produkteve dhe shenjave, ajo refuzon shumicën e njerëzimit, të shtyrë tutje në një “botë” tjetër të zhvlerësuar, me të cilën ndahet përmes mureve dhe luftës. Në këtë kuptim, sot nuk ka botë. Ka vetëm mure, mbytje, urrejtje, luftëra, zona të plaçkitura e të braktisura, zona që mbrohen nga gjithçka tjetër jashtë tyre, të tjera të lëna në varfëri totale, dhe ideologji kriminale që begatojnë në kurriz të gjithë këtij kaosi.

Kësisoj, të pohuarit se “ka një botë të vetme” përbën një parim veprimi, një imperativ politik. Ky parim mbart gjithashtu barazinë e ekzistencës në çdo pjesë të kësaj bote të vetme.

Parimi se ka një botë të vetme nuk bie në kontradiktë me lojën e pafundme të identiteteve dhe dallimeve. Ai parashtron vetëm se identitetet ia nënshtrojnë dimensionet e tyre mohuese (kundërvënien ndaj Tjetrit) dimensionit të tyre pohues (zhvillimit të Vetes).

Për sa i përket ekzistencës së miliona të huajve në vendet tona, kemi tre objektiva: t’i kundërvihemi integrimit persekutues; t’i presim udhën pastrimit reaksionar; dhe të zhvillojmë identitete krijuese. Artikulimi konkret i këtyre tre objektivave përkufizon atë çka është më e rëndësishme në politikë sot.

Për këtë lidhje të ngushtë midis politikës dhe çështjes së të huajve, që sot përbën një çështje absolutisht qendrore, mund të lexojmë një tekst mbresëlënës të Platonit, me të cilin dua ta mbyll. Bëhet fjalë për një pjesë nga libri 9 i Republikës. Bashkëbiseduesit e rinj të Sokratit thonë: “Ajo që na thua për politikën është boll e mirë, por e pamundur. Nuk mund të vihet në praktikë”. Dhe Sokrati përgjigjet: “Po, në qytetin ku kemi lindur ndoshta është e pamundur. Mirëpo ndoshta bëhet e mundur në një qytet tjetër”. Bash sikur çdo politikë e vërtetë të parakuptojë çatdhesimin, ekzilin, tëhuajsinë. Le ta sjellim ndër mend këtë kur shkojmë miqësisht të bëjmë politikë me studentët dhe punëtorët e huaj, të rinjtë e periferive dhe të varfit e të gjitha origjinave dhe besimeve: Sokrati kishte të drejtë, fakti se ata janë të huaj, ose se kultura e tyre është e ndryshme, nuk përbën pengesë. Përkundrazi! Përbën një shans, mundësinë e krijimit të formave të reja internacionalizmi mu këtu e tani. Kujtoni se ç’ka thënë Marksi: karakteristika më themelore e një komunisti është të jetë internacionalist. Sepse realizimi i një politike të vërtetë në çdo pjesë të kësaj bote të vetme që po shpallim i kërkon medoemos – edhe që të bëhet e mundshme – ata që vijnë nga tjetërkund brenda kësaj bote të njëjtë. Një kryeministër francez tha në fillim të viteve 1980 se “imigrantët janë problem”. Ne duhet ta kthejmë kokëposhtë këtë: “Imigrantët janë një shans!” Masa e punëtorëve të huaj dhe e fëmijëve të tyre dëshmojnë – në vendet tona të vjetra e të lodhura – për rininë e botës, shtrirjen e saj, larminë e saj të pafundme. Me ta do të krijohet politika e të ardhmes. Pa ta, ne do të mbetemi në çarkun e konsumimit nihilist dhe rendit policor. Do të lejojmë të sundohemi nga lëpenistët e vegjël dhe policët e tyre.

Të huajt të paktën duhet të na mësojmë të bëhemi të huaj për veten, ta projektojmë veten jashtë vetes dhe të mos mbetemi në rrjetën e kësaj historie të gjatë e të bardhë perëndimore së cilës po i vjen fundi, dhe prej së cilës nuk mund të pritet tjetër veç sterilitetit dhe luftës. Kundër pritjes së kësaj katastrofe nihiliste dhe sigurimase, ne ngjatjetojmë komunizmin e vërtetë, i cili përbën risinë, e kësisoj tëhuajsinë, e të nesërmes.

Përkthyer nga: Arlind Qori

[1] (Shën. Përkth.) Afërmendsh synimet e shteteve perëndimore që nisin luftërat e sipërpërmendura janë (neo)imperialiste. Sidoqoftë duket se edhe Badiou-ja i dorëzohet abstraksionit të së majtës radikale perëndimore që u mëshon vetëm të përbashkëtave të luftërave (neo)imperialiste, pa analizuar detajet e shtypjeve/racizmave nënsistemorë. Në këtë rast do të ishte i këshillueshëm leximi i artikullit kundërthënës të Slavoj Žižek-ut mbi luftërat në ish-Jugosllavi, sidomos për atë të Kosovës, të titulluar NATO as the Left Hand of God? Marrë nga: xhaxhai.files.wordpress.com/2013/02/zizek-left-hand.doc ;https://www.dropbox.com/s/lfuxiffh9cmolbo/Zizek%20-%20NATO%20the%20Left%20Hand%20of%20God.doc

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.