Komunikatë për fillimin e vitit të ri akademik

/Lëvizja Për Universitetin/ Jemi mbledhur sot, më 20 tetor 2014, studentë dhe pedagogë të universiteteve publike për t’ju uruar mirëseardhjen të gjithë studentëve të viteve të para. Shpresojmë që vitet e studimit të jenë një eksperiencë e mrekullueshme për ju dhe shpresojmë të jeni të gatshëm të luftoni për to. Në solidaritet po ju paralajmërojnë se me çfarë do përballeni gjatë studimeve. Universiteti aktual është mjerisht i ndarë nga studenti. Atë e shfrytëzojnë drejtues të korruptuar për interesin e tyre privat dhe për interesin e privatëve të tjerë. Ky universitet nuk i siguron studentit asnjë hapësirë të tijën dinjitoze si biblioteka, oborre, laboratorë dhe salla aktivitetesh jashtëkurrikulare. Tarifat janë rritur përsëri, siç ka mbi dhjetë vite që ndodh, dhe tani, përmes një reforme në arsimin e lartë, duan ta ndajnë buxhetin për arsimin edhe me universitetet private. Njëkohësisht kostoja e jetesës në qytet bëhet gjithnjë e më pak e përballueshme. Në këto kushte, ky universitet nuk mund ta zhvillojë ‘Arsyen’ e studentit, dhe është kthyer ose në një burokraci të lodhur shtetërore, ose në një ndërmarrje private. Studenti sot trajtohet si klient në universitet dhe në qytet. Ndërsa këshillat studentorë janë organizma në mos inekzistentë, qesharakë. Por ju mund të zgjidhni të bëni rezistencë, rezistencë krijuese. Të bashkoheni me nismën ‘Për Universitetin’. Të kërkojmë arsim publik falas, konvikte falas, mensa publike dhe bursa jetese, kushte dinjitoze studimi dhe të drejtë për qytetin. Të kërkojmë gjithashtu që universiteti të jetë autonom në organizim të brendshëm dhe në vendimmarrje, të menaxhohet nga universitarët, pra studentët dhe pedagogët, të pavarur nga problemet e qeverive periodike dhe interesi ‘kaotik’ i tregtarëve. Për t’i arritur këto na duhet të organizohemi në nivel fakultetesh duke çliruar dhe krijuar hapësira të lira studentore ku të mundemi të mendojmë dhe diskutojmë kolektivisht. Detyra e universitetit është të zhvillojë fakultetet e mendimit dhe arsyen njerëzore. Vetëm kështu universiteti do t’i shërbejë shoqërisë pa iu nënshtruar qendrave të komandës së saj, dhe vetëm kështu mund ta kuptojmë se arsimi është një e mirë publike, një e drejtë themelore, një investim shoqëror, dhe jo një sakrificë individuale. Si universitarët universitarëve, ju urojmë solidaritet dhe përkushtim sa më të madh në këtë vit akademik!
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.