Komercializimi i varfërisë
/Klodi Leka/
Me një titull pompoz e të denjë për ndonjë zbulim të rëndësishëm shkencor, “Kultura financiare – shqiptarët barazohen me europianët” gazeta Mapo pasqyron statistikën e fundit të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilës, për nga kursimi, blerja dhe risqet financiare u barazokemi me xhepat e civilizuar europianë. Ndër të tjera, sipas Bankës, një arritje e individit dhe shoqërisë tonë qenka edhe njohja e këmbimit valutor në kohë apo dhe kuptimi i fjalëzës “inflacion”.
Kreun e kursimtarëve, sipas kësaj statistike, e marrin të vetëpunësuarit, studentët dhe të punësuarit e tjerë çfarëdolloj, duke mos harruar të vërë në pah se më t’pakursyerit e të gjitha kategorive shoqërore janë ata në nevojë dhe ata që nuk gjenden në kurrfarë marrëdhënieje pune. Gjithashtu, shqiptarët manifestokan edhe zgjuarsi për sa i përket zgjedhjeve që duhen bërë nëpër raftet e markatave apo dyqaneve të rrobave. “Diçka që s’ta mban xhepi, nuk mund ta blesh” thotë e entuziazmuar statistika jonë, që kushedi ç’metodë shkencore duhet të ketë ndjekur për të dalë në përfundime të tilla.
Po sipas të njëjtës statistikë, shqiptarët nuk na i paskan shumë të mira marrëdhëniet debitore me shtetin, por që me rritjen e moshës, edukimit arsimor dhe pozitës demografike ky detyrim (pra shlyerja e faturave të rrymes) vjen e zë vend në ndërgjegjen e individit dhe familjes shqiptare; kryesisht të burrave, që mbajnë përmbi supe barrën ekonomike të familjes herë duke u konsultuar me gruan, herë duke mos e pyetur fare. Dhe Banka jonë sugjeron që organizimi, sekreti i një ekonomie të begatë shtëpiake, duhet përforcuar te familjet e mëdha dhe shpenzimeshumë. E të tjera e të tjera!
Ajo çka më bëri përshtypje nga budallallëku i mësipërm, me të cilin qesha unë, bota dhe nja dy gomarë krejt të zakonshëm shqiptarë, është përpjekja “shkencore” e “Bankës së Shqipërisë” për të grimuar nën terma eurokulturorë me paturpësinë më të pashoqe situatën e rëndë financiare të bashkëqytetarëve tanë. Kursimin nuk e quan më përgatitje për situata edhe më të vështira financiare, por zgjuarsi ambicioze. Rënien e fuqisë blerëse kufizim racional dëshirash. Pamundësinë për të paguar rrymën mungesë ndërgjegjeje qytetare. Nevojën kulturë. Gjëra që as mendja më e hallakatur nuk do t’i thoshte. Por që mendja eksperte, shkencore, po i thotë ama!
Mirëpo, pavarësisht idiotësive shkencore të Bankës, përmendja e të cilave qe e detyrueshme, dua të ndalem pak te kultura financiare e qytetarëve shqiptarë. Pyetja, përkundër pallavrave që e shoqërojnë, mbetet për t’u parë. Sa të kulturuar janë financiarisht parexhinjtë shqiptarë? Një pyetjeje të tillë mund t’i përgjigjem fare mirë duke u bazuar në përvojën individuale dhe deklaratën e paradoditshme të kreut të biznesit shqiptar. Gjatë inspektimit në një punishte metalesh, kreu i shoqatës së biznesit deklaroi se synimi i qeverisë së re dhe personit juridik që ai përfaqëson është kthimi i rrjedhës së investimeve nga perandoria e ndërtimit te prodhimi i brendshëm industrial. Kjo është edhe sfida e çdo qeverie ndërtuese. Sot, derdhja e të gjitha parave nëpër rrokaqiej cep më cep territorit ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë jo vetëm rrënim mjedisor e urban, por edhe ekonomik. Rreth shtatëdhjetëmijë apartamente qëndrojnë aktualisht pezull në kryeqytet, dhe sikur kjo të mos mjaftonte, kullat vazhdojnë të ngrihen lart e më lart në qiellin e gjymtuar qytetas. Natyra po urbanizohet dhe qyteti po mbetet pa natyrë. Shtëpi pa fund dhe pafund të pashtëpi. Kjo është vetëm njëra faqe e monedhës.
Faqja tjetër, gjykuar në përvojën time jetësore, më saktë në qytezën time burg e të varfër, është fakti se treçereku i popullsisë rron me skema sociale, dërgesa emigrantësh dhe sipërmarrje të vogla familjare. Por, për çudi, kjo qytezë e braktisur, pa kurrfarë punishteje fabrike apo ferme, numëron disa miliona euro kafene nga më modernet (dhe çmime nga më modestet); vetura nga më luksozet (pa rrugë); dyqane dhe komplekse (pa fuqi blerëse). Në çdo fshat periferik gjenden dy ose tri kafene. Ëndrra e çdo banori, për disa e realizuar ndërkaq: ngritja e shtëpive nga më marramendëset nëpër toka dhe terrene bujqësore etj. Por, fare pak të punësuar. Fare, fare pak. Natyrisht, ngaqë askush nuk investon në tokëbukën e Ultësirës Perëndimore. Askush nuk investon në vijën bregdetare. Askush nuk investon në vreshtat e famshme të qytezës. Askush nuk investon në ndërtesat dhe makineritë e ish-punishteve të dikurshme. Askush nuk investon në potencialet e mëdha ekonomike që ekzistojnë realisht në këtë qoshkë pensionistësh. Kjo është pra kultura jonë financiare! Thuajse zero. Zero me xhufkë.
Por Banka jonë, guvernatori qejfli dhe skota e idiotëve shkencistë duket se nuk rrojnë më në realitetin e qytetarit shqiptar, hallet dhe nevojat elementare të tij. Aq më pak në potencialin e tij zhvillimor. Guvernatori ynë rron
nëpër statistika të rrejshme që jashtëqiten odave rozë të drejtorive. Rrena ku humbet edhe vetë. Rrena katërmijetetëqinddollarëshe për frymë, ku të zgjedhurit për produktet e shportës, kursimin dhe objektivat ekonomikë s’janë lak rreth grykës, por sport që u vë lakun të gjithëve në grykë.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.