/Gresa Hasa/
Data shënonte 21 janar 2011 dhe mua më duhej të përfundoja një ese që deri në ato çaste e kisha shtyrë për në zgrip të afatit. Puna është se gjithçka që po ndodhte, ose që pritej të ndodhte, dukej ku e ku më interesante dhe e rëndësishme sesa shfletimi i faqeve të panumërta të librave apo ngulitja përpara një flete bosh pa kurrfarë frymëzimi për të shkruar.
Protestën e parashikuar për atë ditë e konsideroja më se legjitime, të drejtë dhe të nevojshme. Berisha ishte shndërruar në një kandërr të frikshme dhe unë doja dëshpërimisht që ai të zbythej nga karrigia ku qe ulur, mundësisht të ikte larg, sa më larg prej nesh, sepse askush s’do ta vinte përpara përgjegjësisë. Kaq gjë më ishte bërë e qartë. I pata premtuar vetes që nëse ai do të fitonte një mandat të tretë, unë do të mblidhja plaçkat e do të zhdukesha rrugëve të Evropës, kudoqoftë, mjafton që të ishte larg atij regjimi të egër dhe vrastar. Kjo ide infantile dhe e dëshpëruar më pushtonte sidomos ngaqë asokohe nuk kisha njohur ende shumë bashkëmoshatarë e njerëz me të cilët të piqja idenë e organizimit të përbashkët dhe rezistencës ndaj makutërisë.
Një pjesë e mirë e asaj paraditeje më kaloi sa duke u zënë me time ëmë, po aq duke mos e shkëputur vëmendjen nga ekrani. Unë doja se s’bën të shkoja në atë protestë! Nëna ime e konsideronte të rrezikshme vajtjen time aty. Unë i kundërvihesha me duar e me këmbë duke i thënë se qëndrimi i saj ishte paranojak; se asgjë nuk do të ndodhte; se fundja, nuk do të isha shumë larg prej shtëpisë dhe se, mbi të gjitha, isha një person i rritur që mund të bëja ç’të doja e se nuk po i merrja leje, por thjesht po e njoftoja që do të dilja në shesh. Aty do të ishin edhe disa miq të mitë dhe të tjerë persona që më vonë gjatë viteve do të shndërroheshin në shokë për kokë e me të cilët sot organizojmë qëndresën e protesta kundër së njëjtës shtypje.
Ishte fill në kulm të asaj shamate me nënën time kur media njoftoi që situata kishte përshkallëzuar në dhunë, se dikush kishte mbetur i vrarë pasi nga godina e kryeministrisë po qëllonin me armë. Jo! Në fakt, kishin mbetur dy të vrarë. Nga dritaret e dhomës sime të ndenjjes u dëgjua një shpërthim i fortë a thua se krejt papritur kishim hyrë (sërish) në luftë. Ishte shpërthimi i një makine siç e tregonte edicioni i drejtpërdrejtë i lajmeve. Tanimë poterja e protestës dëgjohej si kurrë më parë: nga dritaret e shtëpisë sime dhe nga televizori po ashtu. Unë dhe familja ime kishim mbetur të shokuar. Askush nuk bëzante. Ime ëmë herë pas here më hidhte ca vështrime qortuese sikur më thoshte: “Hë, a s’kisha të drejtë?!”.
Situata ishte e frikshme. E pasigurt. ’97 në reminishencë. Askush prej nesh nuk e dinte se ç’do të ndodhte në vijim. Mësuam më vonë se numri i të vdekurve ishte rritur në katër dhe shumë të tjerë ishin plagosur. Po tani?
* * *
Atë ditë u vranë katër burra që protestonin paqësisht për të pasur bukë në tryezë për veten dhe fëmijët e tyre. Ishte po ajo ditë kur për herë të parë në jetë provova një ndjenjë të papërshkrueshme revolte. Ishte ky çasti kur vendosa se do të merresha me politikë, çfarëdo që kjo të nënkuptonte. Ne nuk kishim më asgjë për të humbur. E tashmja dhe e ardhmja na qenë vjedhur dhunshëm. E vetmja zgjidhje ishte qëndresa, bashkësia dhe lufta kundër një pushteti kriminal e shtypës. Ishte prej asaj dite kur vendosa të thërrisja fort e me zë të lart ndaj gjërave që i konsideroja të padrejta dhe pak më vonë, ishte ky çast e të tjerë gjatë viteve që më lidhën me shokët dhe shoqet që kam sot.
Lufta vazhdon ende! Ajo jo vetëm që nuk u mbyll, por u intensifikua më tej me aleancën e Ramës dhe Metës, me mbylljen e një procesi gjyqësor të korruptuar për 21 Janarin; me vrasjet e tjera që pasuan (kujtoni rastin e Ardit Gjoklajt!); aferat korruptive të njëpasnjëshme; arrogancën e tyre të pamatë; ligjin klientelist për arsimin e lartë dhe imponimin arrogant të një kryeministri narciz; shkatërrimin e lumenjve, pyjeve, parqeve; shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe jetët tona që mbeten të pasigurta dhe rëndohen nga përpjekja mbinjerëzore jona për t’ia dalë mbanë edhe një ditë tjetër në një sistem që na zhvesh nga njerëzorja dhe të cilin nuk e meritojmë!
Por lufta jonë nuk është lufta e tyre! Nuk ishte në 21 Janar dhe nuk është as sot. Lufta e tri bandave partiake në vend që i trajtojnë njerëzit thjesht si numra lehtësisht të zëvendësueshëm, afërmendsh nuk ka kurrfarë lidhjeje me përpjekjen emancipuese tonën për një shoqëri ku mbizotëron barazia dhe drejtësia sociale; ku arsimimi është një mundësi që i garantohet të gjithëve pavarësisht të ardhurave mujore, identitetit gjinor apo etnik, orientimit seksual e besimit fetar; ku shërbimi mjekësor ofrohet falas; ku burri dhe gruaja ecin krah për krah me njëri-tjetrin në beteja të përbashkëta e ku më i forti nuk e mbyt më të dobëtin; ku liria është një e drejtë e pakompromis dhe siguria nuk është një ëndërr në tentativë.
Ende mendoni që këta kriminelë – të njëjtët aktorë në harkun kohor të 28 viteve të cilët shkatërruan ëndrrat e brezit të prindërve tanë e po tentojnë të bëjnë të njëjtën gjë me ne – janë aty për ne?!
Kryeministri Rama shpuri në gjykatë dhe bëri të mundur që të dënoheshin tetë studentë vetëm sepse protestuan për të drejtën e tyre për arsim dhe po i njëjti i vuri kapakun çështjes së 21 Janarit duke përdhosur jetët e katër të vrarëve, drejtësinë dhe mbarë shoqërinë tonë.
Nga ana tjetër, ata kundër të cilëve turma u mblodh në shesh atë ditë të ftohtë janari vranë më fatkeqët prej tyre dhe të mbijetuarit i quajtën “kokëpalarët” e rrethinave. Pas bashkëjetesës së shkurtër të PS-së me LSI-në, kjo e fundit është bashkuar sërish me PD-në, jo për të na rregulluar ne jetën, largqoftë!, por për të marrë sërish pushtetin për hir të pushtetit, atë pushtet për të cilin të gjitha këto banda partiake janë të gatshme të vrasin e djegin pa iu dridhur qerpiku.
Këta nuk duan t’ia dinë për ne! Ne jemi thjesht numra lehtësisht të zëvendësueshëm për çdo pazar të lig tyrin në kurrizin tonë, që do t’i pasuronte e fuqizonte më shumë.
Ata na përçmojnë! Atyre u vjen ndot nga ne!
Burrat dhe gratë me kostume të shtrenjta të pushtetit që sot në rrjetet e tyre sociale nxjerrin fotografi me të varfrit anembanë Shqipërisë, i urrejnë ata: urrejnë sytë e tyre të dëshpëruar, të ndrojtur, të mllefosur; urrejnë erën e tyre, zhelet e tyre të pista, të grisura, të përdorura; urrejnë gatishmërinë e tyre kundrejt një kothereje bukë; urrejnë vetë ekzistencën e tyre. I urrejnë sepse ata janë pasqyra e monstruozitetit 28-vjeçar të këtyre kriminelëve. Të varfrit u kujtojnë atyre versionin më të ndyrë të vetes pasi varfëria nuk është damkë e trashëguar ndër gjene, por pasojë e një sistemi makabër që kjo pakicë e vogëlth ka ndërtuar e mbajtur gjallë nëpërmjet vënies në përdorim të çdo mjeti, përfshi plumbat dhe vjedhjen e vetë jetës. E kjo, për të lëmuar egon me pushtet dhe nginjur të pasmet.
Kaq shumë i urrejnë këta njerëzit sa që kanë uzurpuar me mijëra hektarë tokë për të ndërtuar lagje të reja, të shtrenjta, llamburitëse; lagje brenda mureve të të cilave nuk shohin askënd veç fytyrave të tyre të akullta; hapësira të pafundme larg të varfërve që i ruajnë iluzionin e një jete që nuk e patën kurrë, e karaktereve që s’ditën kurrë të mbrujtnin.
Çdo dalje e tyre përtej gardhit hermetik klasor është paralajmërim i keq. Çdo trokitje e tyre në derë në kohë fushate; çdo presion i tyre për të dalë në rrugë për ta, për t’u flijuar për ta, për t’u burgosur për ta, është një ogur i zi për ne.
Këta nuk ofrojnë zgjidhje, por thellim të mëtejshëm në skamje e depresion.
Nuk ekziston e keqja më e vogël, por iluzioni i të keqes më të vogël. Ne jemi përballë një gangrene sociale, politike dhe ekonomike që do të na marrë me vete nëse nuk reagojmë sot; nëse nuk mësojmë të kemi pak më shumë besim te njëri-tjetri, më shumë komunikim dhe organizim, në universitete, në punë, në lagje, në klube sportive dhe kudo tjetër ku kemi shtrirë aktivitetin tonë. Ne s’duhet të intimidohemi nga asnjëra prej palëve në pushtet. Ata kanë paratë, fuqinë politike dhe armët. Por ne jemi më të shumtë në numër, më inteligjentë dhe të guximshëm.
Ne jemi shumë, ata janë pak!
Solidariteti jo vetëm që do të na ndihmojë ta çrrënjosim të keqen njëherë e mirë, por rrugës do të na japë mundësinë të ndërtojmë shoqërinë e re, të drejtën, të mirën, të bukurën, ku s’ka mure ndarës por veç ura lidhëse. Ne e dimë se ç’është më e mira për ne, më shumë sesa ata që flasin në emrin tonë me retorika boshe dhe agresive.
Por duhet t’ia nisim nga diku dhe fjala është më përbashkuese se Molotovi. Prandaj, çdokënd që po i lexon këto rreshta, do ta ftoja nesër në mbrëmje, në orën 19:00 në manifestimin te Partizani i Panjohur. Si mund t’ia dalim mbanë kundër oligarkisë në pushtet? Le të diskutojmë nesër se pjekja e ideve bashkërisht do të na japë përgjigjet e munguara e do të na orientojnë drejt zgjidhjeve që do t’i vlejnë secilit prej nesh.
Imazhi: Organizata Politike
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).