Përse kjo nuk është lufta e popullit?

/Arbjona Çibuku/

Atmosfera e ditëve të fundit në vendin tonë ka qenë e mbushur me kaos. Mediat anembanë  transmetonin lajme aspak pozitive, me shkatërrim qendrash KZAZ, arrestime dhe dhunë. Një njeri asnjanës, pa bindje politike, që ndjek situatën dhe shikon pambarimisht këto lajme në ekran jo vetëm frikësohet, por mendon të fundit: Vendi është duke shkuar drejt luftës civile!

Nëse deri më tani dyshuam dhe po prisnim marrëveshjen mes palëve, tashmë kjo gjë është bërë e vështirë. Kësaj radhe është dhënë përshtypja se palët janë të vendosura për mos të negociuar. Marrëveshja që duhej të kishte ndodhur tanimë i ka të rralla gjasat të firmoset, edhe pse nuk përjashtohet mundësia e një pakti “in extremis”, luajtja e blofit deri në minutat e fundit. Asnjëra nga palët nuk ka ndërmend ta shuajë zjarrin që kanos të zaptojë vendin tonë, madje secila i fryn atij më shumë, duke mos bërë asnjë hap përpara drejt një zgjidhjeje të mundshme.

Opozita e bashkuar, tashmë, me dekretin e Metës si një as nën mëngë argumenton se zgjedhjet vendore janë të paligjshme. Me këtë argument, ata justifikojnë dhunën e ushtruar ndaj institucioneve dhe forcave të rendit nën sloganin tashmë cliché,“RAMA IK”. Nga ana tjetër qeveria Rama ka ndryshuar këto ditë Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, duke vendosur përjashtim nga administrata dhe 10 vjet mosdalje nga Shqipëria për çdokënd që kryen krime elektorale.

Po çfarë do i shtynte qytetarët për të dalë sot në rrugë, madje të rrezikonin jetën e tyre?

Ekziston një anekdotë e famshme për popullin si nocion të përgjithshëm. Shpeshherë populli identifikohet me kafshën e urtë dhe gjithmonë të frikësuar, delen. Në stanin tonë të vogël, delet e kanë kuptuar se kush janë ujqërit. Tashmë, mbas 30 vjetësh tranzicion drejt asgjësë, populli e ka kuptuar se Basha,Kryemadhi dhe Rama në thelb janë njësoj. Njerëzit janë të lodhur nga kjo klasë politike, tashmë e kalbur dhe e ndërgjegjshme për fundin e saj. Kjo krizë nuk është veçse rezultat i kalbjes së sistemit në tërësi. Por ne duhet të kuptojmë që rrugëdaljet që propozohen nga të dyja palët, sigurisht të mbështetura nga ndërkombëtarët si “aleatët tanë strategjikë”, nuk tregojnë në thelb veçse jo-rrugëdaljet nga ky sistem. Tregojnë zvarritjen dhe kalbësimin e mëtejshëm të tij. Populli shqiptar ka akumuluar prej vitesh një mllef për këtë kastë politikanësh. Në vend ka aq urrejtje për Ramën sa do bëhej  gjithçka për ta rrëzuar nga pushteti. Por një pjesë e ndërgjegjshme e popullit që nuk e do Ramën, refuzon edhe ardhjen e Bashës në pushtet . Një pyetje lind ndër ta :’Po ja iku Rama, kush do vijë pas tij?”

 Kjo tregon mjaft qartë situatën e nderë ku ndodhemi, se populli dhe njerëzit punëtorë të këtij vendi nuk ndihen dhe nuk kanë qenë kurrë të përfaqësuar nga këto shushunja që po i pinë gjakun për kaq vite. Madje e dini çfarë? Populli nuk ka nevojë as për përgjimet e gazetës BILD. Mendoni se ata nuk e dinë që votat janë vjedhur në çdo zgjedhje këto 3 dekada?!

Po pse kjo luftë nuk është për popullin? Pse kjo luftë nuk na përfaqëson?

 Sepse ata nuk janë duke i vënë flakën vendit për interesat tona. Ata janë duke luftuar për karrigen si dhe për status quo-në e tyre ekonomike-politike.  Prandaj kjo luftë nuk është për popullin. Minatorët dhe punëtorët e ndershëm, ata të cilët vërtet prodhojnë në këtë vend, do të vazhdojnë të punojnë në kushte të mjerueshme dhe të vdesin çdo ditë, pavarësisht se kush do jetë në pushtet mes Bashës apo Ramës. Pagat e punëtoreve të fasonerisë dhe fabrikave nuk do të rriten. Kushtet e punës nuk do të përmirësohen. Sindikatat do të vazhdojnë të jenë inekzistente dhe të kapura nga klasa sunduese.

Rama, Meta, Basha apo Kryemadhi nuk do të ndryshojnë pas 30 Qershorit.  Basha do të kishte vepruar njësoj sikur të ishte në pushtet dhe Rama po njësoj sikur te ishte në opozitë.  Aktet e tyre politike në të dyja rastet janë të regjistruara në memorien kolektive të shqiptarëve, që fatkeqësisht historia e ka provuar mjaft të dobët. Këta dhe partitë që kryesojnë janë thjesht shërbëtorë dhe instrumente të një klase e cila na ka sunduar në mënyrë despotike për 30 vjet. Krizat janë kontradiktat që lindin mes tyre, dhe në çdo rast zgjidhjeje që ofrohet, kurbani jemi ne, njerëzit e thjeshtë dhe punëtorë.

Prandaj kjo luftë nuk bëhet për popullin!

Imazhi: Organizata Politike

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.