Pesë arsye pse shpërthimi social është i pashmangshëm

/Klodi Leka/

1. Gjatë gjithë dekadës së fundit, universitetet publike dhe private të vendit kanë fabrikuar masa të mëdha rinie urbane e suburbane me perspektiva të larta për jetën, por që janë të papunë ose të pajtuar në angari të padëshirueshme. Është pikërisht kjo kontradiktë midis kërkesës dhe ofertës, pritshmërisë dhe realitetit, e cila do të shpjerë në krizë. Është goxha e rrezikshme që me mijëra njëzet e ca-vjeçarë të diplomuar në shkenca politike, juridik, shkenca ekzakte etj. të sorollaten pa një dyshkë në xhep rrugëve të qytetit. Letërsia nihiliste ruse na e dëshmon më së miri këtë.

2. Puna dhe paga janë burimi tjetër i madh i krizës dhe eksodit masiv. Puna është jodemokratike, jokreative, jondërtuese. Për shembull, një miku im kamerier që shërben te kafenetë në Paicën e Tiranës paguhet për një punë, por kryen tri të tilla: fton njerëzit nga rruga në kafene, u sjell me nxitim porositë dhe në darkë ndreq karriget, derdh mbeturinat etj. Në fund të muajit ai paguhet 15 mijë lekë të reja. Kështu edhe me punëtorët në fabrika, në markata, në pensione etj. Ky brez nuk mund as të blejë shtëpi, as të kursejë dhe as të martohet. Pabarazia ndërkohë shton thinjat dhe frustrimet.

3. Rritja e së djathtës ekstreme në Evropë rrezikon t’i japë fund jo veç valës së emigrimit masiv të refugjatëve të trurit e të krahut, por edhe ta izolojë Shqipërinë prej BE-së. Që tani, për parti politike në pushtet ose në prag të pushtetit, për gazetat dhe opinionin publik, vendi ynë vështrohet me përbuzje si shtet mafioz me popullatë problematike. Bisedimet për çështjen e anëtarësimit në BE janë shndërruar ne cirk jo vetëm në politikën e vockël nacionale, por edhe në kuvendet e mëdha evropiane. Në sportelet e Rinasit, xhandarët e BE-së luajnë bingo se kush do të kalojë ose jo në Perëndim. Rënia e idesë së BE-së do të jetë krizë nervore për Shqipërinë.

4. Kriza e përfaqësimit politik është në zenitin e saj. Në këtë luftë elektorale, popullata nuk ka se kë të votojë dhe teatri që deri më dje mundësonte rotacionet me klishenë e së keqes më të vogël, tashmë është kthyer në western pa rrugëdalje. Me politikat e ndëshkimit dhe të koncesionit, pushteti po e çon shoqërinë drejt një distopie kapitaliste. Ndërkaq, opozita nuk premton as besim dhe as program jashtë këtij horizonti. Kriza në shtëpi është reale, ndërsa lufta në rrugë artificiale. Si marrëveshja, si konflikti, si autoritarizmi e si pluralizmi japin të njëjtin rezultat: forcim të status quo-së. E në ajër, në intuitën tonë më të thellë, ndihet se diçka e re do me lindë, por s’po mundet.

5. Shthurja strukturore e shoqërisë është jo më pak e rëndësishme. Lidhjet e vjetra sociale si familja, fqinjët dhe kushërinjtë në kurbet, të cilat me gjithë të këqijat e tyre krijuan solidaritet në kaosin e varfërisë dhe mozekzistencës së ligjit, po shkërmoqen me shpejtësi. Martesa po zien, qyteti nuk ekziston më si koncept dhe shteti, me të cilin supozohet të kemi një kontratë të drejtash dhe detyrimesh, na paraqitet si dhunë pa bukë – domethënë si armik. Gjithë çka ishte e shenjtë, e drejtë, e bukur apo e vërtetë i është nënshtruar kursit të këmbimit. Pra janë pikërisht këto rrethana të rrënimit të përgjithshëm që, sipas teoricienëve të revolucionit, e bëjnë të pashmangshëm shpërthimin. Kështu, ai është veç çështje kohe.

Imazhi: Loreta Cuka|Birn

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.