Jo, unë nuk jam Sharl-atan!

/Bora Mema/ Fenomeni aspak i panjohur i solidarizimit, protestimit e shprehjes së revoltës në rrjetet sociale nuk është vetëm i zakonshëm, por edhe shqetësues. Ky fenomen po kthehet gradualisht në formën e vetme të reagimit. Shprehim dufin, qajmë hallet, ngremë zërin, revoltohemi, rebelohemi dhe…e qamë statusin ose foton e cover-it. Gjithë ç’kishim në dorë e bëmë.  Monotonia vazhdon. Pasojë shqetësuese e këtij fenomeni virtual është se nëse trendi i momentit shfaq risi, të gjithë individët cool e gjëmojnë nga pas. Këta janë qytetarët largpamës e të ndërgjegjshëm; mentorët që me mesazhet e tyre goditëse na ndërgjegjësojnë për shoqërinë problematike në të cilën jetojmë. Në morinë e kauzave të mëdha shoqërore të reklamuara, kam pasur fatin e madh të njoh altruistë nga më të shumtit si në #ALS#icebucketchallenge#amcDSA#feeling#autochthonous e shumë të tjerave me radhë, ku më e fundit ndodhi të jetë #jesuischarlie. Për sqarim: nuk jam kundër ndihmesës dhe solidaritetit si ndaj të sëmurëve me sindromën Down ose ALS a çfarëdo qoftë, ashtu edhe ndaj reagimit mbi vrasjen e Sharl Hebdosë (Charlie Hebdo). Ajo që më shtyn të shkruaj është sjellja e altruistëve shqiptare të kauzave me thurje të rrjeteve sociale e mediave. Të gjithë ndihen Sharli. Të gjithë janë të tmerruar se si u shkel koncepti themelor i demokracisë. E ku pa – në Francë, aty ku ndodhi kthesa e historisë shoqërore më 1789. ‘‘Si është e mundur – thonë këta – që të vritet dikush vetëm se ushtroi një të drejtë demokratike?!” Për të gjithë ‘‘këta’’ që i preku kaq shumë kjo situatë e rëndë dua të sjell ndërmend 21 janarin e damkosur të katër viteve më parë. Për ata që, kushedi, nuk u kujtohet, bëhet fjalë për një nga momentet më të rënda në historinë e të shumëpërfolurës demokraci shqiptare. Katër protestues të varfër, aspak të famshëm para vdekjes së tyre si Sharli, u vranë gjatë sendërtimit të një akti demokratik siç është të protestuarit. Katër viktima nga Berisha, të pagëzuar kokëpalarë nga Meta e që arrijnë të mallëngjejnë Ramën kanë katër vjet që nuk gjejnë prehje se janë tradhtuar nga populli. Po, po nga populli! Nga populli që ishte në shesh me ta atë ditë dhe prej vdekjes së tyre u tremb; nga populli që rri se ‘‘drejtësia vonon, or nuk harron’’; nga Rama që i vë fajin drejtësisë; nga populli që pret Ramën; nga populli indiferent. E kushedi sa të përdhosur e ndjenë kujtimin në këto momente hipokrizie e sa u rëndon rrasa Hekuranit, Aleksit, Ziverit e Faikut nga shprehje të tipit: ‘‘#Unë jam Sharli se nuk duroj dot terrorin që i bëhet demokracisë#!’’ Me siguri Hekurani dhe Aleksi (po supozoj) po çuditen se pse nuk ndihet kush për ata me thurjet para dhe pas. Mos vallë emrat Ziver dhe Faik janë më paktrendy se Sharl?! Çështje orientalizmash thua?! Pa synuar të bie në baltovinën e cinizmit të kudohasshëm, shpirtin nuk ma ngrohin as lapsat me ngjyra në xhepa kryeministrorë, as kurorat me lule, as qirinjtë te Piramida. Madje as deklaratat patetike të ministrit të Brendshëm nuk ma shtojnë sigurinë se demokracia funksionon në këtë vend. As krenare nuk ndihem se katër klerikë, me të cilët rastis të ndaj kombësinë, dolën në marshim gjithë lezet në mes të Parisit. Po t’i kisha përballë, s’do t’ua kurseja pyetjen: mos Perëndia u ka dhënë mesazh që jeta e një francezi të famshëm është më e vlefshme se ajo e një shqiptari të varfër?! Apo se kur vdesin “tanët” s’ka kush ju vë në rresht parade?! Apo se po të mbani qëndrim për plojat më pak famoze vendase, iu akuzojnë për anësi politike?! E për pasojë zgjidhni më mirë heshtjen fajtore?! Të më ndjeni hirësij të çdo feje a sekti! E përshëndes aktin tuaj simbolik që nuk duhet të ketë vrasje për ndasi fetare, por s’di pse jam skeptike se tash që i latë duart simbolikisht do përtoni t’u flisni bashkëfetarëve jo thjesht për tolerancë, po për bashkëjetesë; jo thjesht për bashkëjetesë si ndërpasivitet apo ndërshpërfillje, por si bashkëveprim që rrugës së zgjidhjes së problemeve shoqërore prodhon solidaritetin autentik. Se po bënit kështu, mbase grigja do kuptonte se barinjtë janë të tepërt, po ky është tjetër muhabet… Duke i lënë mënjanë mëkëmbësit e Perëndisë, nuk është se më shqetëson fakti në vetvete që ka solidaritet edhe virtualisht – përkundrazi – për sa kohë që do t’i qëndrohej besnikë në çdo formë kauzës dhe jo trendit. Kauza është universale dhe e riaktualizueshme, ndërsa trendi partikular dhe i zhdukshëm me të njëjtën shpejtësi siç lind. Do të ndjeja siguri dhe që jetoj në demokraci nëse do protestoja e nuk rrezikoja të vritesha, madje edhe të tërhiqesha zvarrë nga policia si shoqet e shokët e mi të lëvizjes studentore; nëse familjet e Ziverit, Aleksit, Hekuranit, Faikut – e shoqëria bashkë me ta – do të gjenin drejtësi dhe jo sorollatje gjyqeve shoqëruar me trëndafila e lot krokodilësh nëpër trotuare; mbi të gjitha nëse nuk do të riprodhoheshin periodikisht 21 janarë më pak spektakolarë ku të varfrit shtyhen në dëshpërim, vetëgjymtim e vetëvrasje, ku nuk u hiqen dritat se nuk kanë të paguajnë, as u bëhet lëmsh në fyt kur s’kanë me se ta mbajnë familjen. Edhe këta shteti i vret, pavarësisht se kush e tërheq litarin. Deri atëherë, deri kur ta marrim veten seriozisht si kolektivitet fati të përbashkët, të hapur ndaj njëri-tjetrit po aq sa ndaj botës, reagimi #JesuisCharlie dëshmon veç që #tuestcharl-atan#.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.