Jo më shumë se 29 vite!

/Viki Çipi/

Kriza në të cilën ndodhet vendi, sulmet mes partive, situata parlamentare, farsa zgjedhore dhe pasiguria që ndjen populli i thjeshtë nuk janë diçka e re, e krijuar nga hiçi. Përkundrazi, ato janë vazhdimi dhe degradimi i një sistemi të ngritur mbi krimin, korrupsionin, mashtrimet, dhunën dhe shtypjen e gjithanshme të bandave partiake ndaj gjithë shoqërisë.

Ne jetojmë në një sistem politik ku:

  • Pushtetarët e këtyre 29 viteve nuk e kanë për gjë të na vrasin në mes ditës për karriget e tyre, njësoj siç vranë më ’97, në Gërdec, më 21 Janar; siç vrasin përditë me mënyra më të sofistikuara.
  • Pushtetarët e këtyre 29 viteve nuk e kanë për gjë të na prishin shtëpitë e të na flakin në mes të katër rrugëve, njësoj siç ka ndodhur me banorët e Selitës, Shkozës, Bregut të Lumit, Stacioni të Trenit etj. 
  • Pushtetarët e këtyre 29 viteve nuk e kanë për gjë që të përdorin si vegla të ashtuquajturat sindikata aktuale, vetëm e vetëm që biznesmenët e mëdhenj të fitojnë gjithmonë e më shumë në kurrizin e punëtorëve.
  • Pushtetarët e këtyre 29 viteve nuk e kanë për gjë kur fermerët hedhin qumështin në rrugë dhe perimet në lumë. Nuk e kanë për gjë që fshati është lënë në mëshirë të fatit, pa rrugë, pa shkollë, pa qendër shëndetësore dhe pa asnjë lloj shprese se dikur mund të rigjallërohet.
  • Pushtetarët e këtyre 29 viteve nuk i kanë për gjë PPP në pothuajse çdo sektor të jetës ekonomike të vendit, privatizimin dhe shkatërrimin e çdo pasurie të përbashkët, si minierat, pyjet, lumenjtë, rafineritë, rrugët, duke ia marrë popullit dhe ua dhënë klientëve pranë pushtetit.
  • Pushtetarët e këtyre 29 viteve nuk e kanë kanë për gjë të vërsulin policët bashkiakë ndaj shitësve të çamçakëzëve dhe farave të lulediellit, sikur këta të fundit të ishin kriminelët më të mëdhenj në këtë vend.
  • Pushtetarët e këtyre 29 viteve nuk e kanë për gjë që prioritet të kenë vetëm fasadën, bojatisjen e mureve të pallateve edhe atëherë kur qytetarët vuajnë për bukën e gojës, nuk kanë lekë të kurohen në spitalet e ashtuquajtura publike, as të paguajnë dritat apo të arsimojnë fëmijët e tyre.

Këta pushtetarë dhe ish-pushtetarë – Rama, Berisha, Basha, Kryemadhi, Meta e Veliaj me shokë – janë hiçgjë për ne. Ata nuk e meritojnë konsideratën dhe vëmendjen e njerëzve të thjeshtë veçse për t’u përzënë një herë e mirë nga jeta publike dhe politike e vendit.

Kemi gati 30 vjet që emigrojmë, lëmë vendin, familjen, shtëpi e katandi, se një grusht maskarenjsh kanë përvetësuar pothuajse gjithçka duke na e pamundësuar jetesën normale dhe dinjitoze neve, qytetarëve të thjeshtë. Ëndrra më e madhe e shqiptarëve vazhdon të jetë largimi nga ky vend që tashmë është vështirë të të sigurojë qoftë edhe veç shpresën për një të ardhme më të mirë.

Për këto arsye, për shkak të këtyre keqbërësve që na kanë sjellë në këtë ditë, ne duhet të bojkotojmë farsat zgjedhore mes një apo disa të këqijash, duhet të mos i legjitimojmë zgjedhjet pa zgjidhje dhe çdo marrëveshje midis tri bandave partiake. E vetmja rrugë që në këtë vend të lindë sërish shpresa dhe të mos pritet shpëtimi me sytë matanë kufirit është që ne të qëndrojmë këtu, të organizohemi, të bashkohemi e besojmë te njëri-tjetri. Nuk duhet të ikim ne, mijëra e milionat, por duhet të ikin një orë e më parë shkaktarët e të gjitha të zezave në këto 29 vjet.

*Shkrimi i mësipërm është bazuar në fjalën e aktivistes gjatë manifestimit “Kjo nuk është lufta jonë” të 25 qershorit te Partizani i Panjohur.

Imazhi: Organizata Politike

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.