Intervistë imagjinare me Marksin

/Donald Sassoon/

 

Historiani britanik Donald Sassoon, i mirënjohur sidomos me veprën “Njëqind vjet socializmi: E majta evropiano-perëndimore në shekullin e njëzetë”, kryen një intervistë imagjinare me Karl Marksin. Pyetjet përfshijnë një larmi temash, prej frymëzimit teorik dhe raportit të teorisë marksiste me lëvizjet politike që janë identifikuar me të gjatë shekullit XX te qëndrimi i Marksit ndaj zhvillimeve bashkëkohore të kapitalizmit global. I mëposhtmi është përkthim i pjesëve kryesore të intervistës së botuar më 2003.

***

Donald Sassoon (DS): Mirë pra, doktor Marks, keni rënë nga fiku apo jo? Pesëmbëdhjetë vjet më parë teoritë tuaja sundonin në gjysmën e botës. Ç’ju ka mbetur? Kuba? Koreja e Veriut?

Karl Marks (KM): “Teoritë” e mia – siç i quan zotrote – nuk kanë sunduar asnjëherë. Kam pasur ndjekës që as i kam zgjedhur, as i kam kërkuar, dhe për të cilët nuk kam më shumë përgjegjësi nga çka pasur Jezu Krishti për Torkemadën apo Muhameti për Osama Bin Ladenin. Ndjekësit e vetemëruar janë çmimi që paguhet për suksesin. Shumica e bashkëkohësve të mi do të donin të ishin kaq të rënë nga fiku nga ç’mendon zotrote për mua. Kam shkruar se puna nuk është ta shpjegojmë botën, por ta ndryshojmë atë. Sa viktorianë (të kohës së mbretëreshës Viktoria në Britaninë e shekullit XIX, shën. përkth.) të famshëm e kanë bërë këtë gjë?

 

DS: A nuk ka mendimtarë të mëdhenj borgjezë?

KM: Sigurisht që ka dhe i kam nderuar me rigorozitet. Mirëpo sot pakkush prej armiqve të mi e vret mendjen të lexojë Adam Smithin apo David Rikardon. Studiues të mëdhenj si Çerniçevski janë harruar tërësisht.

 

DS: Po mendimtarët më të vonshëm?

KM: Apologjetët modëndjekës të klasave pronare orvaten herë pas here të gjejnë ndonjë rival të denjë për mua. Nuk e durojnë dot idenë se u mungon një gjeni i mirënjohur. Kësisoj verës ngjallin Hajekun, pranverën tjetër veshin petkat e Poperit… Më përtacët mes tyre i thërrasin Isaiah Berlinit – kaq i lehtë për t’u kuptuar, kaq budallakisht joorigjinal, kaq shkatërimtarisht tautologjik. Prej bashkëkohësve të mi vetëm Darvini i mbijetoi kohës. Dhe unë e pata kuptuar që në fillim. Fridrihu (Engelsi, shën. përkth.) më bindi t’ia kushtoja atij Kapitalin, mirëpo Darvin frikacaku refuzoi. Tani që po e mendoj, mirë bëri. Po të pranonte, përzgjedhja natyrore do të shihej si konspiracioni marksist i radhës.

 

DS: Duhet ta pranojmë se marksizmi nuk është më si dikur…

KM: Në fakt vepra ime nuk ka qenë kurrë kaq e rëndësishme sa tani. Dyzet vitet e shkuara ka pushtuar hapësirën akademike në vendet më të përparuara të botës. Historianë, ekonomistë, shkencëtarë shoqërorë, madje, për habinë time, edhe disa kritikë letrarë i kanë kthyer sytë nga konceptimi materialist. Historiografia më entuziazmuese që prodhohet këto kohë në SHBA dhe Evropë është më “marksiste” se kurrë. Shkoni e ndiqni konventën e përvitshme të Shoqatës Amerikane të Historisë së Shkencave Shoqërore, të cilën e ndjek si rregullisht si fantazmë! Me seriozitet po hulumtohen ndërlidhjet midis strukturave institucionale dhe politike dhe botës së prodhimit. Të gjithë flasin për klasat, strukturat, determinizmin ekonomik, marrëdhëniet pushtetore, të shtypurit dhe shtypësit. Dhe të gjithë pretendojnë se më kanë lexuar – shenjë e sigurt suksesi. Madje edhe historianët e diplomacisë – ose së paku më të mirët syresh – tani e hedhin vështrimin drejt bazës ekonomike të fuqive të mëdha. Afërmendsh, një pjesë e mirë e këtyre veprave shprehin një determinizëm ekonomik të vrazhdë. Marksizmi “vulgar” mund të të shpjerë larg. Shikoni suksesin e teorive të thjeshtëzuara që propozojnë ide sipas të cilave perandoritë e mëdha kanë rënë për shkak të shpenzimeve të mëdha! Së paku po kthehet ekonomia. Historia shoqërore, historia e burrave dhe grave të zakonshme, i ka zënë vendin fiksimit idiotik me njerëzit e mëdhenj. Sigurisht, shumëçka është zhvilluar, falë zotit. Nuk e kam pasur ndonjëherë me qejf prehjen. “Kapitali” mbeti i papërfunduar jo thjesht për shkak të vdekjes sime, por edhe sepse, në një kuptim mjaft real, ai nuk mund të përfundohej. Kapitalizmi zhvillohet dhe analiza i vjen pas ngaherë…

 

 

DS: Ideja se sot punëtorët nuk kanë asgjë për të humbur është absurde.

KM: Ke të drejtë. Punëtorët tuaj – punëtorët e Evropës dhe Amerikës së Veriut – tanimë kanë shumëçka për të humbur. Në kohën time ata trajtoheshin mizorisht. Edhe njëzet vjet pas “Manifestit” (të Partisë Komuniste, shën. përkth.), pavarësisht se Anglia ishte vendi më i pasur në botë, punët nuk ishin përmirësuar edhe aq. Kërkimi i fitimit shkaktonte gjithnjë e më shumë viktima – dhe jo thjesht mes punëtorëve. Më 1866 vura re historitë sensacionale gazetareske rreth aksidenteve në hekurudha. Atëbotë, kur Britania sundonte, makinisti i një lokomotive punonte 30 orë rresht, çka sillte pasoja shkatërrimtare. Katastrofat hekurudhore asokohe quheshin “vepra të zotit”. Unë i quajta vepra të kapitalizmit. (Sigurisht që tani punët shkojnë krejtësisht ndryshe, apo jo?!) Merrni raportin në gazetat e Londrës të qershorit 1863 me titullin: “Vdekje nga mbipuna”. Bëhej fjalë për vdekjen e kapelebërëses njëzetvjeçare Meri An Uoklei, që punonte në një ndërmarrje me nam të mirë. Vajza në fjalë punonte mesatarisht 16 orë pa pushim. Meqenëse ishte “piku i sezonit”, lindte nevoja që të qepeshin shpejt fustanet e mrekullueshme të zonjave fisnike të ftuara në ballon për nder të Princeshës së Uellsit. Uoklei pati punuar pa pushim për rreth 26 orë së bashku me 30 vajza të tjera në një dhomë të vogël. Të gjitha këto i gjen te “Kapitali”. Nëse të bëhet vonë ta lexosh djalosh, do të kuptosh se nuk bëhet fjalë thjesht për një traktat ekonomik të thatë. Ai është i mbushur me mllef dhe indinjatë.

 

DS: Mirëpo të tilla gjëra edhe asokohe përbënin raste të veçanta – ndaj raportoheshin. Ato nuk ndodhin më. Makinistët e trenave sot kanë shtëpi të këndshme, shkojnë për pushime jashtë shtetit…

KM: Po, po, dhe arsyeja kryesore qëndron në faktin se pala ime, partia ime, socialistët, sindikalistët, reformistët të cilët i kam mbështetur dhe inkurajuar, i vendosën caqe shfrytëzimit kapitalist. Ose, po ta themi me zhargonin e tmerrshëm të skribëve të vetëkënaqur të shtypit borgjez, ata krijuan ngurtësi në tregun e punës. Mirëpo gjetiu, në ish-koloni, ku nuk ka demokraci, sindikata apo parti socialiste, degradimi i atyre që s’kanë ç’të shesin tjetër veç krahut të punës u ngjan fabrikave të kohës sime. Madje edhe në Perëndim, ngado ku punëtorët nuk janë të organizuar, punët shkojnë fare pak më mirë… Në vendin kryekapitalist, SHBA, shkualifikimi i fuqisë punëtore dhe ulja e pagave ndodh në shumë sektorë të industrisë – prej më modernëve te më të prapambeturit. Fabrika dhe punishte të reja kanë thyer shpinën e sindikatave në zonat e teknologjisë së lartë si Kalifornia. Kështu që, kur dëgjoj gjuhën boshe moralizuese mbi të drejtat dhe liritë e njeriut nga përfaqësuesit e rendit borgjez, … tund kokën pangushëllueshëm: A nisin këta njerëz luftëra për t’i vënë kufij shfrytëzimit të punës? A përpiqen ndonjëherë për lirinë e punëtorëve për t’u organizuar në sindikata? Ajo që bëjnë është thjesht ndërrimi i qeverive “jomiqësore” me “miqësore” – qeveri miqësore me akumulimin e kapitalit.

 

DS: Mirëpo në Perëndim punëtorët i kanë përdorur liritë që përmendët për të përmirësuar fatin e tyre brenda shteteve kombëtare kapitaliste, nuk i kanë shfuqizuar ato. Pranojeni se klasa punëtore ju ka zhgënjyer!

KM: Është e vërtetë që shteti kombëtar, i cili u shfaq në histori si shtypësi kryesor i punëtorëve, rezultoi në 100 vitet e ardhshme si burimi kryesor i besnikërisë punëtore. Klasa e mesme, sidomos intelektualët, rezultuan të ishin ku e ku më internacionalistë se proletariati. E patëm një parandjenjë rreth këtij reformizmi. Më kujtohen zgjedhjet e para të mbajtura pas “Aktit të reformës” më 1867. Mançesteri (Mançesteri, a kupton?!) zgjodhi tre konservatorë dhe dy liberalë. Engelsi u ligështua dhe shkroi se “proletariati e ka diskretituar veten si mos më keq.”

 

DS: Si e shpjegoni këtë?

KM: Lufta socialiste mbart një kontradiktë të pashmangshme. Ne duhet të luftojmë për reforma, mirëpo çdo fitore shter vullnetin revolucionar të punëtorëve. Punëtorët e fuqishëm (politikisht, shën. përkth.) fitojnë përmirësime reale të kushteve të jetesës. Punëtorët e dobët vdesin urie. Ta merr mendja se borgjezia do t’i pranonte ditën tetorëshe të punës, pushimet e paguara, pensionet, shërbimin shëndetësor falas, arsimimin për të gjithë dhe sigurimin shoqëror kombëtar prej dalldisë filantropike?! Fitorja e tyre kërkonte të goditej jo zemra e kapitalistëve, por fitimet e tyre. Ta do mendja se kapitali shkon në Tailandë, Tajvan, Bangladesh apo Brazil me shpresën se do të gjejë punëtorë të mirorganizuar, të ndërgjegjshëm për të drejtat e tyre dhe të aftë për të siguruar paga të larta?! Kushtet e jetesës që kanë fituar punëtorët në Perëndim nuk mund të shtrihen në gjithë planetin. Kapitalizmi mund të bëhet global – siç e pata shpjeguar shumë kohë më parë, atëherë kur kapitali nuk ishte veçse një rreze në kënetën e stërmadhe botërore të mbizotëruar nga prodhimi i vogël i mallrave dhe fshatarësia. Mirëpo, a mund të globalizohen të gjitha? Socialdemokracia suedeze?! Apo mënyra e jetesës së shumë punëtorëve amerikanë?! Edhe katolikët e dinë se nuk mund të bëhen të gjithë papë. A do të vijë dita kur 1.3 miliardë kinezë dhe 1 miliard indianë do të shkojnë në punë duke u dhënë makinave që konsumojnë karburant të lirë?! Paskëtaj të kthehen në shtëpitë me dhoma me ajër të kondicionuar?! Dhe mëngjeseve (4.6 miliardë syresh) t’u hedhin sqetullave deodorantë pa ndjerë zhurmën shurdhuese të shkatërrimit të shtresës së ozonit?! Vërtet mendoni se rritja ekonomike nuk ka kufij?!

 

DS: Ja pra, edhe ju po i referoheni Maltusit duke thënë se e ardhmja mund të jetë katastrofike. A mund t’ju kujtoj doktor Marks se ju keni qenë një optimist viktorian, bir i Iluminizmit. Te “Manifesti” ju…

KM: Prit t’jua fus “Manifestin” në kontekst. E shkrova atë dreq teksti në shkurt të 1848, kur isha 30 vjeç. Pjesa më e madhe e veprës sime shkencore daton më vonë. “Manifesti”, i porositur nga një grup majtist i parëndësishëm, u shkrua brenda një afati shumë të shkurtër. Ndërsa mësynte raftet (në fakt, është figurë letrare se nuk besoj se u shitën më shumë se 1000 kopje më 1848), Evropa ishte përfshirë nga një valë revolucioni. Franca, Gjermania, Hungaria, Polonia, Italia. Kudo masat po kërkonin kushtetutë, liri, demokraci. “Manifesti” reflektonte optimizmin e atyre ditëve marramendëse. Ne mendonim se gjithçka ishte e mundur. Në pushtet kishte ardhur imagjinata.

 

DS: Po pastaj?

KM: Pastaj fitoi kundërrevolucioni. U arritën disa fitore aty-këtu, mirëpo, në tërësi, pala ime humbi. Në Francë, strehën e shpresave tona më të mëdha, një rishtar me emër të madh, Lui Napoloni, mori pushtetin. Ai ishte i pari diktator i zgjedhur i historisë moderne. Shkrova menjëherë një libër… Përkundër çdo filistini neoliberal që mendon se unë jam determinist ekonomik…, shpjegova se kur borgjezia ndihet e kërcënuar, ajo ia dorëzon pushtetin kujtdo që mund ta marrë. Kush e vret mendjen për të drejtat civile, zgjedhjet dhe lirinë e shtypit kur sundimi i kapitalit vihet në rrezik?! Borgjezia, pasi kuptoi se sundimi i saj politik ishte i papërputhshëm me mbijetesën e saj, e shkatërroi regjimin e saj, denigroi parlamentin e saj dhe ftoi Napolonin për të sunduar. Ajo e abdikoi pushtetin e saj në duart e udhëheqësit të shpifur të një partie kodoshësh të rënë nga fiku, batakçinjsh, sharlatanësh, bixhozçinjsh, akademikësh në kushte prekariati dhe lypësish. Me këtë llum, Perandoria e Dytë u krijua si rezultat i fitores në një referendum popullor. E kam analizuar këtë proces. E kam dekonstruktuar madje (ja pra, nuk mbetem prapa sharlatanëve modernë). Rezultati: e para teori e fashizmit. Kështu që mos më tregoni mua se kam pasur ndonjëherë iluzione për popullin! Di si ta shoh realitetin e ashpër me gjakftohtësi. E kuptova se kishim humbur… Mblodha veten dhe iu futa punës. Ditët më shkuan në dhomën e leximit të Muzeut Britanik, i vetmuar dhe krenar, me shpirt të ngrënë nga marazi, me bythë të qelbëzuar me lunga, por me mendje që kryente detyrën e vet, detyrën e intelektualëve: përballej me realitetin.

 

DS: Askush nuk jua vë në dyshim integritetin. Pikëpyetja po vihet mbi analizën tuaj. Nëse qeveritë demokratike mund të jenë kërcënim për borgjezinë, atëherë është e gabuar të thuash, siç keni shkruar te “Manifesti”, se “ekzekutivi i shtetit modern nuk është veçse një komitet për të menaxhuar punët e përbashkëta të krejt borgjezisë”.

KM: Mirë, po vërtet të duket sikur kam goditur shumë larg shënjestrës?! A nuk është e vërtetë që qeveritë janë të shtrënguara nga strukturat e kapitalizmit?! Apo se, pavarësisht të gjithave, janë të detyruara të bëjnë ç’është e mundur për të siguruar fitimet e tyre, trajnuar fuqinë punëtore për to, rregulluar dështimet e tyre dhe pastruar rrënojat që strukturat e kapitalizmit prodhojnë rrugës?! Të gjithë e bëjnë këtë, të gjithë janë skllevër të imperativëve të kapitalizmit: të majtë, të djathtë, të qendrës, socialistë, fashistë, liberalë e të gjelbër. Me të ardhur në pushtet, ata duhet të luajnë sipas ritmit të vendosur. Nëse punët mbrothin, atëherë mund të taksojnë, të shpenzojnë dhe rishpërndajnë atë apo këtë për të ndihmuar të varfrit dhe të sëmurët, mu si në kohën e viktorianëve. Kur fitimet janë të bollshme, ata merren me moralitet dhe etikë. Kur fitimet bien dhe ekonomia hyn në njërin prej cikleve ekonomike që pata parashikuar, filantropia hidhet tutje si të ishte dashnore e plakur. Atëbotë borgjezi juaj i mirë zbulon se nuk mund të taksosh dhe të shpenzosh, se të papunët janë përfitues, se mjekësia publike kushton shumë, se mamatë e divorcuara janë të padobishme. Ndërgjegjja e borgjezisë është e lidhur ngushtë me ndeshtrashat e bursës.

 

 

DS: Medoemos kam për t’jua bërë këtë pyetje: Po Bashkimi Sovjetik, gulagët, terrori komunist?

KM: Ma mori mendja se do ta bëje. Duhet të pranoj se jam njeri i zakonshëm dhe se ky kult personaliteti dhe adhurimi nuk më shkon për shtat. Çuditem kur shoh fytyrën time të stampuar mbi kartëmonedhat e Republikës Demokratike Gjermane dhe nga një shesh Marks në çdo qytet prusian. Sigurisht që falë dhuntive marketuese të Engelsit dhe përpjekjeve të Bernshtajnit dhe të mërzitshmit Kautski, u bëra guruja i madh i lëvizjes socialiste fill pas vdekjes sime. Paskëtaj perëndimorizuesve rusë iu desh të më merrnin po aq seriozisht sa elektricitetin. Kësisoj nuk u habita kur Lenini vendosi të më shndërronte në Bibël. Lenini ka qenë politikan i mprehtë dhe me instinkte të mira. Mirëpo ishte gjithashtu një fundamentalist i vendosur që ta kthente veprën time në justifikim për gjithçka që donte të bënte. Ai sajoi rrugës “marksizmin”. Ky zakon i urryer, tipik i feve që prej s’mbahet mend, u përhap gjithandej. Kam përshtypjen se edhe lista e blerjeve të mia i ka hyrë në punë këtij apo atij fraksioni të lëvizjes. Marrim nocionin e “diktaturës së proletariatit”. Bëhet fjalë për një formulë që, duke ndjekur përdorimin romak të termit, merret me qeverisjen e jashtëzakonshme në kohë krize. E kam përdorur a s’e kam përdorur nja dhjetë herë si term gjatë gjithë jetës. S’jua rrëfej dot habinë kur ky term ridoli në sipërfaqe si një prej ideve qendrore të marksizmit, për të justifikuar sundimin e një partie të vetme. Ç’t’ju them?!… Bolshevikët kryen revolucionin borgjez që borgjezia e vogël dhe budallaqe ruse nuk mund ta merrte përsipër. Komunistët përdorën shtetin për të krijuar një sistem industrial modern. Nëse doni ta quani këtë “diktaturë të proletariatit”, ju qofshi!

 

DS: Po spastrimet, krimet, gjaku…?

KM:  Kam thënë se kapitali lind duke pikuar gjak e llum nga koka te këmbët, nga çdo pore.

 

DS: E kisha fjalën për komunizmin, jo për kapitalizmin.

KM:  Revolucioni rus nuk ishte revolucion socialist i kryer kundër një shteti kapitalist. Ishte një revolucion kundër një autokracie gjysmëfeudale. Bëhej fjalë për të ngritur industrinë moderne, shoqërinë moderne. Revolucionet industriale kanë gjithnjë kosto të mëdha, qofshin komunistët apo kapitalistët në krye të tyre. Llogaritarët modernë politikë që keni, kur gërmojnë historinë për të ndërtuar argumente rreth persekutimit, a zbulojnë rrugës edhe vdekjet e shkaktuara nga kolonializmi dhe kapitalizmi?! A kanë shtuar numrin e të gjithë afrikanëve që kanë vdekur gjatë transportit si skllevër në Amerikë?! Po indianët e masakruar të Amerikës?! Të gjithë të vdekurit e luftërave civile kapitaliste?! Të gjithë të vrarët nga sëmundjet e shkaktuara nga industria moderne?! Të gjithë të vdekurit e dy luftërave botërore?! Sigurisht që Stalini me shokë kanë qenë kriminelë. Po a mendon se Rusia do të bëhej fuqi industriale moderne duke përdorur mjete demokratike e paqësore?! Cila rrugë drejt industrializimit ka qenë pa viktima apo është ndërmarrë në një sistem dashamirës lirish civile dhe të drejtash njeriu? Japonia?! Koreja?! Tajvani?! Gjermania?! Italia?! Franca?! Britania me perandorinë e saj?! Cilat ishin alternativat në vend të Leninit, Stalinit dhe terrorit të kuq? Kësulëkuqja?! Alternativa do të ishte ndonjë diktator antisemit i mbështetur nga kozakët, po aq mizor dhe paranojak sa Stalini (ose Trocki, se fundja nuk kam ndonjë preferencë midis tyre), shumë më i korruptuar dhe shumë më pak eficent.

 

DS: Pra ishte e pashmangshme?

KM: Këtë s’e di as unë, as ti. Po mos guxo të më qortosh me një pikë gjaku apo me një shkrimtar në burg! Mund të të kujtoj se unë kam qenë azilant politik sepse mbrojta lirinë e fjalës, kam jetuar gjithë jetën si mos më keq dhe kam vdekur më 1883, kur Lenini ishte 13 vjeç, kurse Stalini katër. Mund të kisha shkruar bestsellerin “Libri i zi i kapitalizmit” dhe të rendisja të gjitha krimet e kryera në emër të tij. Po nuk e bëra. I ekzaminova bëmat e tij me qetësi, në mënyrë të drejtpeshuar, ashtu siç po ekzaminoj tani ato të komunizmit. Pavarësisht se më pëlqen polemika, e dija se kapitalizmi ishte më i mirë se çdo gjë që i kishte paraprirë dhe se do të hidhte bazat e një hapësire lirie të vërtetë, çlirimit prej nevojës, çlirimit prej frikës, çlirimit prej shtetit, pra komunizmit. Marrim për shembull artikullin që pata shkruar te New York Daily Tribune për revoltën indiane të 1857. Ushtarët anglezë kryen krime të urryera: përdhunuan gra, dogjën fshatra të tërë. E përdora këtë për të fituar pikë të lehta? Jo. As u bëra sentimentalist mbi shkatërrimin e komuniteteve indigjene idilike. Këto të fundit i denoncova si themelet solide të despotizmit oriental dhe vegla të supersticionit. Shpjegova se imperializmi britanik po kryente një revolucion shoqëror, të cilin e përgëzova, por nuk gjeta arsye për të mos u ankuar për efektet shkatërrimtare të industrisë angleze në Indi.

 

DS: Po feminizmi?

KM: Kam shkruar se ndryshimet e mëdha shoqërore janë të pamundura pa fermentin femëror. Mirëpo ka shumë punë për të bërë. Shumica e punëtorëve në botë sot janë gra, por shumica e feministëve nuk janë punëtore. Ajo çka duan shumë feministe sot është ndarja e pushtetit me burrin perëndimor. Pse jo fundja?! Kush do të donte të ishte shtëpiake?! Mirëpo diçka e tillë nuk ka të bëjë fare me armatën femërore të punës.

 

DS: Ç’mund të thoni për Amerikën?

KM: Më kanë pëlqyer gjithmonë jenkit: pa feudalizëm, pa tradita të shenjtëruara. Sigurisht me një mal me hipokrizi dhe fe. Mirëpo ata kanë dalë prej çdo krize të kapitalizmit edhe më të fortë. Sistem i përsosur qeverisjeje. Demokraci e rreme, zgjedhje të rreme, sistem politik i rremë i rrethuar nga avokatë batakçinj e të babëzitur. Kjo e lejon biznesin të vazhdojë punën e vet, të blejë kandidatë, të korruptojë aty e këtu. Po njerëzit nuk e hanë. Gjysma nuk e çan kokën të votojë. Për gjysmën tjetër politika është gallatë e padëmshme, si të shohësh “Kush do të bëhet milioner?”. Shtabin e Internacionales së Parë e zhvendosa në Nju Jork jo për ta kontrolluar më mirë, por sepse Amerika po bëhej vendi punëtor par excellence. Në fakt është i vetmi vend i klasës punëtore në botë. Lojërat, kultura, mënyra e sjelljes, ushqimi i tyre: gjithçka amerikane i përket klasës punëtore. Afërmendsh, Evropa plakë sillet si snobe me ta, çmim ngushëllues për epërsinë e humbur.

 

DS: Në fund, ç’keni për të thënë për luftën kundër terrorit?

KM: Tekembramja, gjithsecili zgjedh armiqtë e vet. Është absurde të mendosh se një botë kapitaliste nuk do të ndeshte forma të caktuara rezistence. Komunistët dhe socialistët përfaqësuan një kundërshti racionale, moderne dhe kuptimplote. Ata ndanin mjaft prej vlerave të kundërshtarëve të tyre liberalë: të drejtat bazike, idenë e demokracisë popullore, emancipimin e grave, neverinë për fenë e organizuar. Mirëpo me t’u zhdukur komunistët dhe socialistët nga faqja e dheut, çfarë prisnit? Triumfin e mendimit racional? Sigurisht që jo. Vakumi politik u mbush me fundamentalistë, fanatikë fetarë, mullahë të dalë mendsh. Zhdukni komunistët nga Irani, ja tek vjen Ajatollahu. Bëni të njëjtën gjë në Irak, ju vjen Sadam Huseini. Bie Bashkimi Sovjetik, ngre krye Osama Bin Ladeni.

 

E përktheu Arlind Qori

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.