Idiotë dhe qytetarë

/Arlind Qori/

Nëse do të orvateshim ta përkthenim çarjen e brendshme të njeriut (më njërën anë subjekt i të vërtetës dhe në tjetrën riprodhues i logjikës së situatës përjashtuese) në gjuhën e mendimit dhe praktikës politike të demokracisë antike greke, i pari do të quhej qytetar, kurse i dyti idiot. Qytetari dhe idioti nuk janë vetëm dy kategori që e ndajnë shoqërinë në mes, por edhe dy forma të të qenit, të sjellit dhe të menduarit që i shkojnë tejpërtej çdo qenieje njerëzore. Pra secili prej nesh është sheshbeteja midis qytetarit dhe idiotit.

Afërmendsh idioti, në kuptimin demokratiko-antik që do ta përdorim këtu, nuk është sinonim i të marrit, budallait, teveqelit apo të çmendurit. Idioti, nëse mund ta çojmë metaforën deri këtu, është mishërim i dikujt të cilit mendja i punon deri aty sa të dijë të lidhë ushkurin e interesave të veta, që arsyen e përdor instrumentalisht vetëm për të përmbushur sa më shpejt qëllimet personale dhe ku qëllimet e shtyjnë ngaherë të sakrifikojë publiken dhe të përbashkëtën për privaten. Po ashtu, idioti si qenie apolitike, pra jashtëkomunitare, mendon se lumturia vetjake nuk arrihet bashkë me të tjerët, por në kurriz të të tjerëve.

Si antipod i tij qëndron qytetari, i cili e ushtron të arsyetuarin publikisht, mendon se tek e vërteta arrihet në diskutim dhe përpjekje kolektive, e sheh privaten të kushtëzuar nga publikja dhe e konsideron lumturinë si bashkëjetesë të lirë dhe të barabartë me të tjerët.

Në kushtin politiko-shoqëror aktual shqiptar, gjithçka na shtyn t’i zëmë grykën qytetarit brenda vetes dhe të sillemi, veprojmë dhe mendojmë si idiotë. Paçka se në dukje është kontradiktore, raporti midis të menduarit vetëm për veten dhe fuqizimit të vetes nuk është i drejtë. Kësisoj, sot sa më shumë mendojmë vetëm për veten – të lidhur veç instrumentalisht me tjetrin, aq më të vetmuar e të pafuqishëm ndihemi, mu si të braktisur në shkretëtirën ku pafuqia konkrete prodhon mirazhe solipsizmi.

Më konkretisht, duke u ndalur në shembullin më domethënës aktual të reformimit të arsimit të lartë, të idiotëzohemi na shtyjnë idiotët në krye të diplomoreve private. “Bëhuni si ne! – na thonë. Bujrum në vallen konkurruese të idiotizmit dhe kësisoj do të fitoni duke mundur të tjerët, sidomos më të varfrit e të dobëtit! Edhe nëse do të mposhteni nga shumëkush, sërish poshtë vetes do të mbani dikë e kësisoj do ta përkëdhelni sedrën.”

Të idiotësohemi na shtyn, po ashtu, idioti në krye të qeverisë. Për të siguruar mbështetjen okulte të një grushti të privilegjuarish investues në arsimin privat, s’e ka për gjë t’i nxjerrë universitetet publike në pazarin e gjësë së gjallë. Dhe ç’është më paradoksalja, bëhet fjalë për të njëjtin personazh që para do kohësh përvetësoi moton e Lëvizjes Për Universitetin “dija nuk është mall”, duke i dhënë ideologjikisht domethënie të shtrembëruar. Për kryeministrin tonë kjo shprehje nuk mbart asnjë kuptim subversiv që do ta vinte në krizë tregtarizimin e jetës universitare; përkundrazi është ndërmjetëse e vetë procesit të tregtarizimit. Kësisoj, nga rezistencë e arsyes kritike ndaj tregtarizimit, “dija nuk është mall” do-me-thënë vetëm se diplomat nuk do të shiten më në tregun e zi si dikur. Jo se do të mposhtet logjika tregtaro-zeze, por se tregu i zi do të legalizohet dhe, kësisoj, diplomat dhe dija instrumentale do t’u shiten vetëm atyre që kanë mundësi të paguajnë: pinjollëve të të privilegjuarve dhe të varfërve që do të guxojnë të aventurohen duke mbajtur në kurriz borxhin e pritshëm studentor.

Të idiotësohemi na shtyn, sidozot, idiotja në krye të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. “Nuk do të rriten tarifat – na thotë – veç do të liberalizohen.” Pra do të çlirohen nga prangat e ndërhyrjes publike që i mban ende nën çmimin e tregut. Liri çmimesh, robëri njerëzish! Ama prapëseprapë liri në botëkuptimin idiotesk. “Edhe në u rritshin, ç’e vrisni mendjen – na thonë. Ato do të rriten për studentët e ardhshëm. Ju e hodhët lumin.” Përveçse nuk është e vërtetë pasi çdo vit tarifat rriten me 10-15%, disafish më shumë sesa mesatarja e inflacionit, duhet guxim i madh, që vetëm botëkuptimi idiotesk ta lejon, që t’i konsiderosh studentët e sotëm të palidhur me studentët e ardhshëm apo me shoqërinë në tërësi.

Të idiotësohemi na shtyjnë, natyrisht, edhe zëvendës-idiotë të së njëjtës ministri. “Nuk e keni kuptuar mirë projektligjin – u thotë pedagogëve. Po ta kishit lexuar mirë do të kuptonit se në fakt autonomia tregtare që ju ofrojmë në vend të financimit publik mund t’ju pasurojë individualisht, paçka se do t’ju idiotësojë universitarisht. Ja p.sh., do të keni liri më të madhe për të rrjepur studentët me tarifa më të larta, do të mund t’i rrisni rrogat vetes, paçka se kjo vjen edhe me koston e pritshme të falimentimit ekonomik të institucionit arsimor, mu si të ishte dyqan pantallonash.” Pra liri për t’u tjetërsuar, për ta trajtuar studentin si klient,dhe jo liri për t’u vetafirmuar si universitarë.

Të idiotësohemi na shtyjnë, afërmendsh, idiotët e shumtë të komisionit qeveritar të reformës. “Anglo-saksonizohuni!” – na thonë, paçka se me këtë të fundit nënkuptojnë vetëm përvojën pak dekadëshe të idiotizmit theçerian dhe jo atë shekullore të universitarizmit britanik, prej Okhamit, iluminizmit skocez të David Hume-it e Adam Smith-it deri më në bashkëkohësi te logjika e Bertrand Russell-it apo materializmi historik i Eric Hobsbawm-it. “Mos mendoni kritikisht, por dukuni, shituni bukur, mburrni veten dhe institucionin, bëni reklamë ne vend të kritikës së brendshme! E për më tepër, mos u organizoni e bashkëpunoni, por konkurroni. Më i miri është më pak i keqi.”

Të idiotësohemi, se për pak harruam, na shtyjnë edhe të kudogjendurit idiotë të burokracisë së lartë universitare publike. Shumë syresh e kanë harruar që përveç burokratit, hamendësisht janë edhe universitarë. Po ç’mund të presësh, në kushte idiotizmi përmbytës, nga burokratë që mendojnë se ia kanë hëngrën çairin punës së tyre e se ç’ndodh në të ardhmen me jetën universitare i shqetëson po aq sa prishja e faunës nënsahariane.

Përkundër këtyre e të tjera shtysave të panumërta kah idiotësimi, brenda nesh – sidomos kur ne-ja pasurohet kolektivisht – ekziston ende mundësia për të qenë qytetarë. Lufta jonë nuk është vetëm kundër idiotëve të pushtetshëm e të privilegjuar jashtë nesh, por mbi të gjitha kundër fakir-idiotit brenda vetes. Duke ngadhënjyer mbi veten, do të ngadhënjejmë mbi ta. Duke ngadhënjyer mbi ta, do të ngadhënjejmë përfundimisht edhe ndaj vetes për ta çliruar progresivisht shoqërinë nga idiotizmi dhe për të hapur terrene të reja bashkëkrijimi si qytetarë. Prandaj na duhet universiteti. Prandaj i duhemi universitetit. Prandaj jetojmë dhe luftojmë Për Universitetin.

*Ky artikull është mbështetur mbi fjalën e mbajtur gjatë protestës së 8 prillit dhe është botuar në numrin e katërt të gazetës “Universitari”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.