/Slavoj Žižek/
Ndonëse jam prej dekadash një mbështetës i fortë i Evo Morales-it, me thënë të drejtën, ndërsa lexoja rreth konfuzionit pas fitores zgjedhore të kontestuar të Morales-it, më hyri dyshimi: mos ndoshta edhe ai ra pre e tundimit autoritarist, siç ka ndodhur rëndom me majtistët radikalë kur vijnë në pushtet? Sidoqoftë, pas një a dy ditësh ujërat u qartësuan.
Gjatë vetëshpalljes presidente e përkohshme, duke vringëlluar një bibël gjigande prej lëkure, zëvendës-presidentja e dytë e senatit Jeanine Añez deklaroi: “Më në fund bibla u kthye në pallatin presidencial.” Paskëtaj shtoi: “Ne duam të bëhemi instrument demokratik i përfshirjes dhe unitetit.” – ndonëse në kabinetin tranzitor nuk bën pjesë asnjë përfaqësues i komunitetit indigjen.
Kjo i tregon të gjitha: ndonëse shumica e popullsisë së Bolivisë përbëhet nga indigjenë apo njerëz me origjinë të përzier, deri në ardhjen në pushtet të Morales-it ata kanë qenë de facto të përjashtuar nga jeta politike, të nëpërkëmbur si një shumicë të heshtur. Me Morales-in erdhi zgjimi politik i kësaj shumice të heshtur, për të cilën nuk kishte vend në rrjetën e marrëdhënieve kapitaliste.
Ata nuk ishin ende proletarë në kuptimin modern të fjalës dhe mbetën të kyçur brenda identiteteve shoqërore fisnore paramoderne. Ja se si e përshkruante fatin e tyre zëvendësi i Morales-it, Alvaro Garcia Linera: “Në Bolivi ushqimi prodhohej nga fermerët indigjenë, pallatet dhe shtëpitë ndërtoheshin prej punëtorëve indigjenë, rrugët pastroheshin nga indigjenët, ashtu sikundër elita dhe klasa e mesme u besonte atyre rritjen e fëmijëve të vet. Prapëseprapë, e majta tradicionale sikur e harronte këtë dhe merrej vetëm me punëtorët e industrive të mëdha, duke mos i kushtuar vëmendje identitetit të tyre etnik.”
Për t’i kuptuar, na duhet të sjellim ndër mend krejt peshën historike të gjendjes së tyre të rëndë: ata janë të mbijetuarit e atij që me gjasë ka qenë holokausti më i madh i historisë së njerëzimit: zhdukja nga faqja e dheut e komuniteteve indigjene nga kolonizimi spanjoll dhe anglez i Amerikës së Jugut dhe të Veriut.
Statusi i tyre paramodern shprehet fetarisht nëpërmjet kombinimit unik të katolicizmit dhe besimit te Paçamama, apo Nëna Tokë. Prandaj, ndonëse Morales-i deklaronte se ishte besimtar katolik, kushtetuta në fuqi e Bolivisë (e miratuar më 2009) ia hoqi statusin zyrtar Kishës Katolike. Në nenin 4 të saj shkruhet: “Shteti respekton dhe garanton lirinë e fesë dhe të besimeve shpirtërore, në përputhje me botëvështrimin e çdo individi. Shteti është i pavarur nga feja.”
Shpalosja biblës nga Añez-i drejtohet pikërisht kundër këtij afirmimi të kulturës indigjene. Mesazhi është i qartë: një pohim i hapët i supremacizmit fetar të të bardhëve dhe një orvatje hiç më pak e hapët për ta kthyer shumicën e heshtur në vendin e nënrenditur që supozohet se i takon. Nga ekzili në Meksikë, Morales-i i ka bërë thirrje Papës që të ndërhyjë. Reagimi i Papës do të na tregojë shumëçka. A do të reagojë Françesku si një i krishterë i vërtetë duke dënuar pa hezitim rikatolicizimin e dhunshëm të Bolivisë, si një lojë politike për pushtet që tradhton bërthamën emancipuese të krishterimit?
Nëse lëmë mënjanë rolin e mundshëm që mund të ketë luajtur litiumi në grushtin e shtetit (Bolivia ka rezerva të mëdha litiumi, i cili nevojitet për bateritë e makinave elektrike, çka u ka dhënë jetë një sërë teorive rreth arsyeve të rrëzimit të Morales-it), çështja madhore është: pse ka qenë Bolivia për më se një dekadë një gjemb i ngulur në mishin e establishmentit liberal perëndimor? Arsyeja është tejet e pazakontë dhe gjendet në faktin befasues se zgjimi politik i tribalizmit paramodern në Bolivi nuk prodhoi një version të ri tmerreve të Sendero Luminosos apo Kmerëve të Kuq. Sundimi i Morales-it nuk ishte historia e zakontë e të majtës radikale në pushtet e cila e dhjet punën, ekonomikisht dhe politikisht, duke sjellë varfëri dhe u munduar ta mbajë pushtetin me masa autoritariste. Provë e karakterit joautoritarist të sundimit të Morales-it është fakti se ai nuk e spastroi ushtrinë dhe policinë nga kundërshtarët e vet (prandaj ata kishin mundësi t’i kundërviheshin).
Sigurisht që Morales-i dhe ndjekësit e tij nuk ishin të përsosur dhe kanë bërë gabime, si dhe brenda lëvizjes së tij ka pasur konflikte interesash. Mirëpo, rezultantja e përgjithshme është mbresëlënëse. Ndryshe nga Chavez-i, Morales-i nuk ka pasur mundësi t’i mbyllë problemet duke shpenzuar pa hesap paratë e naftës. Kësisoj, qeverisë së tij i është dashur të kryejë një punë të vështirë dhe plot durim për zgjidhjen e problemeve të vendit më të varfër të Amerikës Latine. Rezultati ishte hiç më pak se mrekulli: ekonomia lulëzoi, niveli i varfërisë ra, kujdesi shëndetësor u përmirësua, ndërkohë që vazhduan të funksiononin të gjitha institucionet demokratike, kaq të dashura për liberalët. Qeveria e Morales-it ruajti balancën delikate midis formave indigjene të aktivitetit komunal dhe politikës moderne, duke luftuar njëkohësisht edhe në emër të traditës, edhe në emër të të drejtave të grave.
Për të treguar të gjithë historinë e grushtit të shtetit – dhe unë nuk kam kurrfarë dyshimi se bëhet fjalë për grusht shteti – në Bolivi, na duhet një Julian Assange i ri, i cili do të zbulonte dokumente sekrete të rëndësishme. Ajo që tani mund të vërejmë është se Morales-i, Linera dhe ndjekësit e tyre ishin një gjemb mjaft shpues në mishin e establishmentit liberal pikërisht për shkak të suksesit të tyre: për më se një dekadë e majta radikale kishte pushtetin dhe Bolivia nuk u kthye në Kubë apo Venezuelë. Socializmi demokratik është i mundshëm.
E përktheu Arlind Qori
Imazhi: Financial Times
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).