“E majta” dhe kurdët

/Slavoj Žižek/

E majta evropiane po i hedh poshtë kurdët për shkak të mbështetjes së tyre te SHBA. Kjo është thjesht një tjetër tradhti e neveritshme.

A mos duhet të vetësakrifikohen në altarin e solidaritetit antiimperialist?! Ndërkohë që shtetet sovrane përreth tyre po zhyten gradualisht në një barbarizëm të ri, kurdët janë e vetmja rreze shprese.

***

Mbi njëqind vjet më parë Karl May shkroi bestsellerin “Përmes Kurdistanit të egër”, mbi aventurat e një heroi gjerman, Kara Ben Nemsi-t. Ky libër tejet popullor hodhi themelet e perceptimit të Kurdistanit nga Evropa qendrore: një vend me luftëra të egra fisnore, me ndershmëri dhe ndjenjë naive nderi , por edhe me besëtytni, tradhti dhe luftëra mizore të përhershme. Ishte pothuajse një karikaturë e Tjetrit barbar në qytetërimin evropian.

Nëse shikojmë kurdët e sotëm, nuk mund të mos habitemi nga kontrasti me këtë klishe – në Turqi, ku unë e njoh situatën relativisht mirë, kam vërejtur se minoriteti kurd është pjesa më moderne dhe laike e shoqërisë, larg  çdo fundamentalizmi fetar, me një feminizëm të zhvilluar etj. (Më lejoni të përmend vetëm një detaj që mësova në Stamboll: restorantet në pronësi të kurdëve nuk tolerojnë asnjë shenjë besëtytnie…) 

Gjeniu i qëndrueshëm (siç e quan veten Trump-i) e justifikoi tradhtinë e tij të kohëve të fundit ndaj kurdëve (praktikisht e pranoi sulmin turk në territorin kurd në veri të Sirisë) duke përmendur se “kurdët nuk janë engjëj”. Sigurisht pasi për të engjëjt e vetëm në atë rajon janë Izraeli (veçanërisht në Bregun Perëndimor) dhe Arabia Saudite (veçanërisht në Jemen). Sidoqoftë, në disa kuptime, kurdët JANË të vetmit engjëj në atë pjesë të botës.

Fati i kurdëve i bën ata viktimat shembullore të lojërave koloniale gjeopolitike: të shtrirë përgjatë vijës kufitare të katër shteteve fqinje (Turqia, Siria, Iraku, Irani), autonomia e tyre e plotë (më shumë se e merituar) nuk ishte në interes të askujt, dhe për të sakrifikuan gjithçka.

A i mbajmë mend ende bombardimet masive të Sadamit dhe helmimin me gaz të kurdëve në veriun e Irakut në fund të viteve 1980? Kohët e fundit, për vite me radhë, Turqia ka luajtur një lojë të mirëplanifikuar ushtarako-politike, duke luftuar formalisht ISIS-in, por praktikisht duke bombarduar kurdët të cilët po luftojnë vërtet kundër ISIS-it.

Në dekadat e fundit, aftësia e kurdëve për të organizuar jetën e tyre komunitare u testua në kushte eksperimentale thuajse ideale: në momentin kur iu dha një hapësirë për të marrë frymë lirisht jashtë konflikteve të shteteve përreth tyre, ata habitën botën.

Pas rënies së Sadamit, territori kurd në Irakun verior u shndërrua në pjesën e vetme të sigurt të Irakut, me institucione të mirëfillta dhe madje me fluturime të rregullta për në Evropë. Në Sirinë veriore, territori kurd i përqendruar në Rojava ishte një vend unik në rrëmujën e sotme gjeopolitike: kur kurdët u lanë rehat nga fqinjët e tyre të mëdhenj, të cilët përndryshe i kërcënonin gjatë gjithë kohës, ata ndërtuan shumë shpejt një shoqëri që gjithkush do ta përkufizonte si një utopi faktike dhe mirëfunksionuese.

Nisur nga interesi im profesional, më ka rënë në sy komuniteti intelektual në lulëzim e sipër në Rojava, i cili më ftuar vazhdimisht për të dhënë leksione – plane të cilat u ndërprenë brutalisht nga tensionet ushtarake në zonë. Por ajo që më trishtoi veçanërisht ishte reagimi i disa prej kolegëve të mi “të majtë”, të cilët shqetësoheshin nga fakti se kurdët duhej të mbështeteshin edhe në mbrojtjen ushtarake të SHBA.

Çfarë duhet të kishin bërë ata, të gjendur midis tensioneve me Turqinë, luftës civile siriane, rrëmujës irakene dhe Iranit? A kishin ndonjë alternativë? A duhet ta sakrifikojnë veten në altarin e solidaritetit antiimperialist? Ky distancimi kritik i “të majtës” nuk ishte më pak i neveritshëm se i njëjti distancim kundrejt Maqedonisë. Disa muaj më parë, diskutimi sillej rreth zgjidhjes së problemit të emrit “Maqedoni”. Zgjidhja e propozuar ishte ndryshimi i emrit në “Maqedonia e Veriut”, por kjo zgjidhje u sulmua menjëherë nga radikalët e të dyja vendeve. Kundërshtarët grekë këmbëngulnin se “Maqedonia” është një emër i vjetër grek, kurse kundërshtarët maqedonas u ndjenë të poshtëruar se po reduktoheshin në një provincë “Veriore” pasi ata janë njerëzit e vetëm që e quajnë veten “maqedonas”. Kjo zgjidhje, edhe pse e papërsosur, përmbylli një luftë të gjatë dhe të pakuptimtë me një kompromis të arsyeshëm. Por ajo u përball me një “kundërshtim” tjetër: lufta midis fuqive të mëdha (SHBA dhe BE nga njëra anë, Rusia nga ana tjetër).

Perëndimi u bëri presion të dyja palëve që ta pranonin kompromisin në mënyrë që Maqedonia të mund të anëtarësohej më shpejt në BE dhe NATO, ndërsa, pikërisht për të njëjtën arsye (duke parë te kompromisi rrezikun e humbjes së ndikimit të saj në Ballkan), Rusia e kundërshtoi atë, duke mbështetur forcat e tërbuara nacionaliste konservatore në të dyja vendet. Pra, anën e kujt duhet të marrim në këtë rast? Unë mendoj se duhet të marrim me vendosmëri anën e kompromisit, për arsyen e thjeshtë se është zgjidhja e vetme realiste e problemit – Rusia e kundërshtoi atë thjesht për shkak të interesave të saj gjeopolitike, pa ofruar një zgjidhje tjetër, kështu që përkrahja e Rusisë këtu do të thoshte të sakrifikonim zgjidhjen e arsyeshme të të vetmit problem të marrëdhënieve maqedonaso-greke për hir të interesave gjeopolitike ndërkombëtare. (Tani që Franca ka vendosur veton për përfshirjen e shpejtë të Maqedonisë së Veriut në BE, a do të jenë ata përgjegjës për një katastrofë të paparashikueshme në atë pjesë të Ballkanit?) A do të përballen kurdët me të njëjtën goditje nga “majtistët” tanë antiimperialistë?

Prandaj ne kemi për detyrë ta mbështesim plotësisht rezistencën e kurdëve ndaj pushtimit turk dhe të denoncojmë me rreptësi lojërat e ndyra që fuqitë perëndimore bëjnë me ta.  

Nëse kurdët do të braktisen, do të lindë një rend i ri në të cilin nuk do të ketë vend për pjesën më të çmuar të trashëgimisë evropiane të emancipimit. Nëse Europa largon sytë nga kurdët, ajo do të tradhtojë veten e saj. Europa që tradhton kurdët do të jetë Europastani i vërtetë!

E përktheu Klejda Rrapaj

Marrë nga gazeta Independent

Imazhi: Council on Foreign Relations

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.