Neoliberalizmi nuk është vetëm një teori ekonomike në krizë, por edhe një projekt politik i cili kërkon të riformësojë shoqërinë dhe të ndryshojë “frymën” e burrave dhe grave. Një intervistë me Christian Lavalin e marrë nga gazeta “Il Manifesto” (datë 22-2-2014) me rastin e prezantimit të librit “Arsyeja e re e botës” (titulli ne origjinal: La nouvelle raison du monde), të shkruar në bashkëpunim me Pierre Dardotsë.
Ashtu si një feniks arab, neoliberalizmi rilind vazhdimisht nga hiri i tij. Nuk ka asnjë ndjenjë kënaqësie në të vënit në dukje “rezistencën” e tij përballë krizës që e ka përfshirë. Për më tepër kriza është konteksti në të cilin ai shfaq kapacitetin e “rinovimit”. Duke nisur nga këto parashtrime merr shtysë libri “Arsyeja e re e botes” i Pierre Dardot-së dhe Christian Laval-it. Analiza e dy studiuesve francezë përqendrohet në realitetin kapitalist evropian dhe atë të SHBA-ve, duke e lënë për një studim të dytë analizën e vendeve si Kina, India, Brazili apo Afrika e Jugut. Gjithsesi kjo nuk do të thotë se libri – të cilit i është dedikuar një numër nga inserti i përjavshëm “Alias” i datës 30 nëntor 2013 – nuk ndihmon në nënvizimin e një kritike rigoroze ndaj regjimit të akumulimit të kapitalit i cili ka frymë “globale”. Punimi i Dardot-së dhe Laval-it në fakt nuk është një analizë e neoliberalizmit si një model ekonomik, por si një projekt shoqëror që ka si kusht fillestar “formimin” e një “ njeriu të ri”, individin pronar. Kjo është pikënisja e intervistës me dy autorët, të bërë në takime të ndryshme, por që është përfunduar me dërgimin e përgjigjeve të Laval-it përgjatë korrigjimeve të librit të fundit mbi “Komunat” të shkruar po ashtu me Pierre Dardot-më.
“Arsyeja e re e botës” është një afresk magjepsës i neoliberalizmit. Shumë ekonomistë dhe politologë kishin mbrojtur tezën se me krizën ekonomike, neoliberalizmi do t’i kishte hapur udhën politikave keinesiane. Pas gjashtë vitesh nga kriza, neoliberalizmi vazhdon të jetë modeli social, politik dhe ekonomik dominues. Cilat janë, sipas jush, arsyet e një kapaciteti të tillë për të mbijetuar ndaj krizës?
Fjalia që hapte publikimin e parë të librit tonë në frëngjisht, më 2009, ishte: “Neoliberalizmi ka vdekur”. Ishte një mënyrë për t’iu përgjigjur të gjithë atyre që, pas falimentimit të Lehman Brothers-ave, nxitonin t’i binin requiem-it të “fundit të neoliberalizmit” (siç thoshte asokohe titulli i një shkrimi të famshëm të Joseph Stiglitz-it). Sot e kemi harruar, por në atë periudhë shumë ekonomistë dhe politikanë e shihnin krizën si aktin e vdekjes së një “ideologjie”, asaj neoliberaliste, e cila kishte çuar në shumë “teprime” dhe “abuzime”. Nga ana tjetër, analiza jonë mbi historinë dhe mbi natyrën e neoliberalizmit na tregonte se kjo krizë nuk përfaqësonte aspak “ fundin e neoliberalizmit”, por një lloj sëmundjeje të rënde e cila, e vetme, nuk e ndalte zhvillimin e asaj që e kemi përkufizuar si “arsyeja e re e botës”.
Analizat “alla Stiglitz” flisnin për një rikthim të Keynes-it dhe të ndërhyrjes së shtetit. Efektivisht, shteti ka ndërhyrë shumë pas 2009-ës, madje në mënyre masive, në disa raste, po kjo ndërhyrje nuk ka shkuar në drejtimin që menduar prej Stiglitz-it. Shteti, kësisoj, ka ndërhyrë për të shpëtuar financat, duke shembur mekanizmat e mbrojtjes sociale, shëndetësinë, shkollën dhe të drejtën për të punuar. Metamorfoza e krizës së borxhit privat në krizë të borxhit publik në Evropë i ka dhënë jetë radikalizimit të neoliberalizmit, i cili ka funksionuar si rreth vicioz në të cilin efektet negative të konkurrencës, të financiarizimit, e të pabarazive, sistematikisht përforcojnë të njëjtat shkaqe që i kanë prodhuar. E vërejmë më qartë tani me Bashkimin Evropian i cili, me diskursin e “reformave strukturore” dhe politikave të shtrëngimit ekonomik, kërkon të përshpejtojë një ndryshim neoliberalist të shoqërisë.
Tek libri ju ndaleni gjatë mbi konceptin “ governance”, duke analizuar ndryshimet dhe kalimet që koncepti ka marrë përgjatë kalimit nga sipërmarrja te shteti. Është sikur politika të ketë përvetësuar nga ekonomia menaxhimin e shtetit. Gjendemi të zhytur në lojën e vjetër marksiste mbi shtetin garant të regjimit të akumulimit kapitalist apo kemi të bëjmë me një ndryshim rrënjësor të “politikës” ?
Nuk përbën risi fakti që shteti bëhet garant i akumulimit kapitalist. Është e rëndësishme, nga ana tjetër, të kuptohet që ky funksion nuk kryhet gjithmonë në të njëjtën mënyrë. Deri më tani, faktikisht, roli i “garantit” implikonte që shteti të pohonte pozicionin e tij të jashtëm dhe të tregonte përkujdesje për interesin e përgjithshëm përkundër interesave kapitaliste të veçanta. Risia e kohëve të fundit është se shteti shndërrohet në tokën e pasur të sipërmarrjes dhe kjo e fundit bëhet modeli i tij ideal. Kjo është një nga risitë më të mëdha të neoliberalizmit në krahasim në liberalizmin klasik.
Ndryshe nga ajo që besohet rëndom, neoliberalizmi nuk përfaqëson asnjë rikthim në të ashtuquajturin treg “natyror”. Te faktet, përveç justifikimeve, mund të vihet re një projekt konstruktivist i cili presupozon një ndërhyrje aktive të shtetit për të ndryshuar shoqërinë dhe ekonominë. Por kjo ndërhyrshmëri drejtohet dhe mbi vetveten: Shteti ndryshon formë dhe funksion në të njëjtën kohë që zhvillohen politikat neoliberale. Të ashtuquajturat “reforma welfare”, për shembull, janë politika publike të cilat kanë për synim të prodhojnë një lloj vetëndryshimi të shtetit, që përfshinë diskurse dhe praktika, mënyra vlerësimi dhe menaxhimi që vijnë nga sektori privat. Nëse kthehemi pas në kohë, Maragret Thatcher-i thoshte se duhej ndryshuar “shpirti dhe zemra” e njerëzve. E të ndryshosh zemrën duhet të ndryshosh kushtet dhe situatat në të cilat njerëzit jetojnë, t’i vendosësh aq sa është e mundur në kushtet e konkurrencës, t’i fusësh në skema të t’arsyetuarit në mënyrë fikse që mbështeten në logjikën e homo oeconomicus-it. Thënë me një fjale të vetme, shteti nuk duhet vetëm të “respektojë” tregun si në kohet e bukura të liberalizmit klasik, por tanimë duhet t’i futet punës për të ndërtuar gjithandej situata në të cilat individët janë të detyruar të përbrendësojnë një logjikë të konkurrencës ose të përfitimit. Thënë ndryshe: akumulimi kapitalist, konkurrenca, përfitimi nuk janë vetëm objektiva dhe kritere ekonomike, por kanë tendencën të bëhen norma shoqërore të cilat tejkalojnë hapësirat e ngushta të ekonomisë.
Në libër ju mbështetni idenë se procesi i ndërtimit të Evropës ka qenë produkt i një vizioni neoliberalist. Tani, ky proces po kalon në një fazë vendimtare. Në zgjedhjet e ardhshme, shtimi i lëvizjeve populiste (si të majta ashtu dhe të djathta) mund të shkaktojë një ndryshim të thellë për sa i përket përbërjes së parlamentit evropian, aq sa janë të shumtë ata që i druhen mundësisë së fitores së një shumice relative të evroskeptikëve. A do të thotë kjo se nuk është e mundur të imagjinohet një Evropë jashtë regjimit të akumulimit neoliberalist?
Punimi ynë ka për qëllim të tregojë se mbi ç’baza është ndërtuar Evropa? Është shumë e rëndësishme të rikujtojmë rolin e luajtur nga “ordoliberalizmi” në ndërtimin e Evropës. Kjo doktrinë me origjinë gjermane ka pasur shumë sukses tek élite-a evropiane aty rreth viteve pesëdhjetë dhe sot duket sikur i ka kaluar koha. Përtej thirrjeve te paqarta për paqen evropiane, të nesërmen e Luftës së Dytë Botërore, ka qenë kjo doktrinë ajo që ka vënë themelet e Evropës, që me vetëdije të plotë ka ndërtuar një “treg konkurrues” me instrumente juridike, institucione politike dhe monetare të konceptuara për këtë qëllim. Mbi bazamentin e fortë të kësaj formë të tregut do ndërtohej një rend politik dhe një ngrehinë kushtetuese me qëllimin e vetëm e ruajtjes së logjikës së konkurrencës. Sigurisht, kriza europiane ka shkaqe më globale, por gjithashtu është shkaktuar nga konkurrenca e brendshme dhe dogmat e stabilitetit monetar. Dëgjohet shpesh të thuhet se euroja ka qenë një gabim teorik të cilin tani po e paguajmë shumë shtrenjtë. Për ne, problemi themelor gjendet përtej kësaj çështjeje: të ndërtuarit e Evropës mbi një model tregu, të konceptuarit e politikës si administrim i tregut dhe i monedhës, duke e menduar popullin evropian thjesht si një shumësi konsumatorësh, e gjitha kjo do të thotë të kapërcehen frustracionet e miliona vetëve. Fitorja e perspektivave sovraniste dhe lokaliste, të nacionalizmit dhe të ksenofobisë, bëhen gjithnjë e më të mundshme, fatkeqësisht, me thellimin e krizës shoqërore. Zhdukja e shpirtit të solidaritetit internacionalist të së majtës është shumë shqetësuese. Rishpikja e një të majte në kuptimin e vërtetë të termit në Europe duhet medoemos të kalojë përmes rithemelimit mbi baza të reja të projektit evropian.
Në ekstremitetin tjetër të pushtetit neoliberalist kemi “subjektin”. Ky është kuptimi i fjalisë së Thatcher-it që cituam më lart. Në një shoqëri që i bindet logjikës së tregut, individi përshtatet, ndryshon, shndërrohet në një tjetër subjekt. Ai duhet të funksionojë si një sipërmarrje, duhet të jetë “ sipërmarrësi i vetvetes”. Jemi pjesëmarrës, në këtë mënyrë, të përhapjes, në hapësirat më të pamenduara apo më të fshehura, të normave të sjelljes dhe formave të ekzistencës që janë të lidhura ngushtë mes tyre. I sëmuri mendor duhet të “menaxhojë” shëndetin e tij, ashtu siç duhet të mësojë keqbërësi të “menaxhojë” marrëdhënien e tij me ligjin, apo me procedurat gjyqësore, ekzaktësisht siç duhet të zgjedhë studenti degën e studimit në universitet në mënyrë të atillë që të “optimizojë” investimin e bërë në shkollën e mesme. Por duhet të tregojmë kujdes, pasi ky nuk është një model apo një normë e vendosur nga lart, nga një shteti totalitar. Sigurisht, është e vërtetë që kudo nëpër botë vërehet se politikanët i binden gjithnjë e më shumë kësaj norme sjelljeje sipërmarrëse, duke dalë në këtë kuptim nga rruga e demokracisë liberale, por nuk janë politikanët ata që ua imponojnë këtë model qytetareve. Politikanët, për më tepër, si të tjerët, janë pjesëmarrës të sistemit të normave shoqërore të cilat administrojnë marrëdhëniet e individëve me vetveten dhe të tjerët. Kjo është mbase ana më tërheqëse e neoliberalizmit, por edhe më e frikshmja: mënyra sipas të cilës rimodelohet subjektiviteti nga brenda dhe vihet në rresht me racionalitetin kapitalist. Nga ana tjetër ky është kuptimi i konceptit të “kapitalit njerëzor” , nga i cili nxirren justifikimet e panumërta për sa u përket politikave publike në fushat e ndryshme.
Këmbëngulni shumë në idenë e rrezikut si një aspekt i rëndësishëm i fabrikës së subjektit neoliberalist. Më duket se edhe borxhi, ose më mirë menaxhimi i tij, ka marrë një rol vendimtar. A nuk është kështu?
Borxhi si modalitet qeverisës i individëve është në qendër të disa studimeve të kohëve të fundit mbi neoliberalizmin, si ato të Maurizio Lazzarrato-s apo të David Graeber-it. Sipas nesh, ky është një aspekt padyshim i rëndësishëm i neoliberalizmit, por nuk është veçse një pjesë e atij fenomeni më të gjerë i cili përfaqësohet nga shndërrimi i individëve në subjekte statistikore, në subjekte të “kontabilizueshëm”. Varësia nga mekanizmi i kreditimit është vetëm një aspekt i një aksioni më të gjerë që vepron mbi subjektivitetet. Bëhet fjalë për modelimin e individëve të cilët janë të varur nga norma financiare, duke i futur hera-herës në situata në të cilat ndjehen të detyruar të llogarisin rendimentin ekonomik të zgjedhjeve të bëra. Shembulli më i përshtatshëm i gjithë kësaj janë studentët të cilët, gati në të gjithë botën, duhet të përballen me rritjen e tarifave të regjistrimit në universitet duke shkaktuar në këtë mënyrë problemin e llogaribërjes së rikthimit të investimit financiar që përfaqësohet nga studimet e përzgjedhura.
Ky llogaritarizim (ita: contabilizzazione) ka për objektiv t’i qeverisë individët në mënyrë të atillë që t’i bëjë më efiçentë, më performues, me anë të “përgjegjshmërizimit llogaritar” ( ita: responsabilizzazione contabile) të tyre. Kjo është një mënyrë për të përforcuar vetëmbikëqyerjen e çdo gruaje a burri, të detyruar që të tejkalojnë vazhdimisht rezultatet e tyre në mënyrë që të mos pësojnë ndëshkimet të cilat lidhen me mungesën e efiçencës dhe për të përfituar shpërblimet e dhëna nga performanca optimale.
Përfundimet e nxjerra në librin tuaj flasin për një fund të demokracisë liberale. Cila është atëherë forma e qeverisjes së neoliberalizmit?
Demokracia liberale u themelua mbi një ndarje të qartë mes sferës publike dhe sferës private, e garantuar nga barriera të forta juridike dhe institucionale mes botës politike dhe universit ekonomik. Është e vërtetë që kjo ndarje ishte një trillim të cilin marksistët e kishin pikasur menjëherë, dhe e kishin denoncuar. E megjithatë një trillim i tillë kishte një efekt real, atë të shmangies që politika të reduktohet thjesht në sferën e mbrojtëse së interesave dominuese. Për më tepër, “loja” politike që krijohej në këtë mënyre ka mundësuar gjithashtu , historikisht, mbajtjen e interesave private brenda kufijve të mirëpërcaktuar, duke i vendosur nën interesin e përgjithshëm. Me neoliberalizmin, nga ana tjetër, sfera politike modelohet tërësisht mbi realitetin ekonomik, e jo vetëm mbron interesat e klasave dominuese dhe sipërmarrjeve të mëdha, por e shndërron tërë shoqërinë në një hapësire tërësisht të nënshtruar prej sundimit të racionalitetit kapitalist. Sot politika duket gjithnjë e më e uniformuar me logjikën e konkurrencës. “Konkurrenca” po bëhet principi politik suprem, ndërsa principe si ai i “qytetarisë” dhe i “solidaritetit” po dalin nga skena gjithnjë e më shumë. Shpartallimi intelektual i së majtës historike dhe parlamentare është një nga simptomat kryesore të këtij procesi të reduktimit të politikës në logjikën ekonomike. Për të vazhduar duke dhënë idenë e pranisë, e majta ka parapëlqyer të ngushtohet e tëra në logjikën e modelit sipërmarrës. Sipërmarrësi, tashmë, ka zënë vendin e klasës punëtore, “performanca” ka zënë vendin e “ drejtësisë sociale”. Duke dashur që të modernizohet, e majta nuk ka bërë tjetër, në realitet, veç vetëvrasjes, çdo ditë e më shumë. Prandaj nuk mund të thuhet se ekziston një formë qeverisëse specifike e neoliberalizmit dhe as një regjim politik posaçërisht i veti, pasi ai mund të shfrytëzojë sipas qejfit çfarëdolloj forme politike : stili menaxherial mund të shkojë krah për krah edhe me një regjim politik autoritar. Elementi thelbësor, pra, është pikërisht ky proces boshatisës i demokracisë politike, i cili na legjitimon të flasim për një arsye të re politike jodemokratike.
Intervistoi: Bendetto Vecchi
Përkthyer nga: Alfred Bushi
Për versionin në italisht të intervistës : http://ilmanifesto.it/la-trappola-del-capitale-umano/