/Julian Sayarer/
Më 8 korrik daton pesëdhjetë vjetori i vrasjes së Ghassan Kanafani-t, shkrimtarit, heroit dhe martirit palestinez që vdiq në një atentat me bombë në makinën e tij në Bejrut. Vrasja u krye nga agjentë të shtetit izraelit duke shpresuar – në vitin 1972, si sot – të dobësonin fatalisht përpjekjen për çlirimin e Palestinës. Megjithatë, gjysmë shekulli më vonë, trashëgimia e Kanafani-t vazhdon – së bashku me të dhe shumë mësime të vlefshme. Njëri prej mësimeve është që shteti Izraelit dhe përkrahësit e tij amerikanë i janë frikësuar gjithmonë më shumë zërit të çlirimit e demokracisë, si dhe socializmit në Palestinë se sa një lufte të motivuar fetarisht.
Një mësim tjetër lidhet me ekzekutimin e gazetares Shireen Abu Akleh nga snajperistët izraelitë. Ngjarja tregoi përsëri se ndërsa apologjetët e sionizmit nxitojnë për të mohuar të drejtën palestineze për rezistencë të armatosur, ata mund të jenë edhe më armiqësorë ndaj palestinezëve që kanë dhënë gjithçka për të komunikuar shpresat, luftën dhe të vërtetën e tyre të thjeshtë me fjalë dhe histori. Megjithatë, nëse vdekja e Kanafani-t meriton të kujtohet sot, ai duhet të nderohet mbi të gjitha për jetën e tij dhe prodhimin e saj të shkruar. Aty gjenden ende fjalët dhe mendimet e tij.
Në “Men in the Sun” të vitit 1962, Kanafani tregon historinë e disa punëtorëve palestinezë që udhëtojnë brenda një kamioni përmes shkretëtirës së Irakut, me shpresën për të punuar në vendin e pasur me naftë të Kuvajtit. Në premisat dhe kontekstin e tij ekonomik, romani trajton tradhtinë e shpeshtë të palestinezëve nga bota arabe, veçanërisht në Gjirin Persik. Kastrimi i shoferit të kamionit shërben si metaforë për dobësimin e burrave palestinezë përgjatë procesit të dorëzimit të armëve. Fakti që ngjarjet kritike në histori varen nga vonesa dhe ngatërresa burokratike, në mënyrë të frikshme simbolizon shpronësimin e palestinezëve nëpërmjet dokumenteve dhe burokracive, si në rastin e Marrëveshjes së Oslos tri dekada pas shkrimit të librit, ku për Palestinën u shënua një kreshendo ndoshta e patejkalueshme.
Një dekadë më vonë vepra tjetër më e njohur e tij në vitet 1970, “Rikthimi në Haifa”, ishte përsëri e mbushur plot me pasurinë e realizmit magjik me të cilin imagjinata palestineze mund të kapërcejë, përpunojë dhe deri diku të zhbëjë katastrofën e Nakba-s. Romani ndjek një çift palestinez përgjatë kthimit në shtëpinë e tyre në qytetin port, të pushtuar nga forcat armiqësore. Këta të fundit kanë rritur si të tyren foshnjën e çiftit, që tani quhet Dov, të cilin e gjetën aty kur prindërit e tij u detyruan të arratiseshin në mënyrë kaotike në vitin 1948. Ribashkimi, në një moment ku lexuesi pret të kuptojë nëse fëmija ndihet palestinez apo izraelit, gjen Kanafani-n në përpjekje për të kuptuar nëse kauza palestineze apo cilado kauzë tjetër mund të ruhet dhe të udhëtojë pandryshueshëm në gjak.
Empatia dhe përpjekja e Kanafani-t për të kuptuar madje edhe psikologjinë e shtypësit të tij, tregon fuqinë e ndjeshmërisë së veprave të tij. Imazhet e fundit të agresorëve pas vrasjes së Shireen Abu Abkleh-ut, ku banorët u luteshin policëve sionistë që të mos sulmojnë një funeral, paraqesin në mënyrë të ngjashme këtë gjendje në të cilën palestinezët mund t’i shohin izraelitët dhe brutalitetin e tyre shumë më mirë sesa ata e shohin veten.
Nëpërmjet përgjegjësisë së romancierit për të humanizuar personazhet e tij, duke u dashur të kuptojë edhe të metat e tyre më të këqija, Kanafani demonstron kompleksitetin e tij letrar. Kanafani ishte gjithashtu një ekspert i ironisë. Ashtu si me më të mëdhenjtë e letërsisë, si p.sh. Oscar Wilde-i, është e lehtë ta imagjinosh Kanafani-n në botën e shpejtë dhe të zymtë të mediave sociale. Linja e famshme “Nuk është konflikt, por lëvizje çlirimtare që lufton për drejtësi”, ilustron të kuptuarit e tij për rolin e gjuhës në mënyrën se si organizohen dhe kuptohen ngjarjet në Palestinë. Ai ishte i palëkundur në njohjen e lidhjes midis krijimtarisë dhe armëve në luftën palestineze, duke u përgjigjur se mjetet e tij ishin “çfarëdo që mund të përdor për të mbrojtur veten: furçe dhëmbësh, stilolaps, armë – të gjitha janë mjete vetëmbrojtjeje”.
Në një intervistë të famshme arkivore me gazetarin australian Richard Carleton, Kanafani hedh poshtë implikimin kolonial se palestinezët duhet të detyrohen të heqin dorë nga ndjenja dhe koncepti i të drejtave, si një parakusht ndihmues për paqen. Në të njëjtën intervistë Kanafani u pyet për nevojën e bisedimeve me izraelitët në kushte të tilla; ai i hodhi poshtë këto bisedime duke i krahasuar me një bisedë “midis shpatës dhe qafës”.
Si të gjithë shkrimtarët më të mirë, Kanafani thotë gjithçka duke thënë shumë pak. Ai mundëson thjeshtëzimin e kompleksitetit. Shkrimi i tij shkëlqen në të kuptuarit e gabueshmërisë njerëzore, por edhe në paraqitjen dinjitoze së forcës të përjetshme të kauzës së çlirimit palestinez për të cilën ai luftoi, mbrojti dhe – më e rëndësishmja – shkroi.
Pena, siç thuhej shpesh, ishte pushka e tij. Bomba që i mori jetën Kanafani e ndau nga jeta kur ishte vetëm tridhjetë e gjashtë vjeç – tre vjet më i ri se Malik el-Shabazz (Malcolm X) ose Martin Luther King-u, të cilët gjithashtu u vranë në atentat në një kohë kur bota ende kishte nevojë për ta.
Kanafani dhe pena e tij u dogjën fort në jetë. Po pesëdhjetë vjet pas martirizimit të tij, ai dhe pena e tij vazhdojnë të shndrisin, ndërsa entiteti që kundërshtoi bëhet gjithnjë e më i dikurshëm. Është ironikisht e përshtatshme disfata e një regjimi të përkushtuar ndaj propagandës dhe censurës kundrejt një autori si Kanafani: një njeri i përulur në të gjitha mënyrat më të rëndësishme, i lavdishëm në të gjitha më të mirat.
Së bashku me mbesën e tij shtatëmbëdhjetëvjeçare, Lamees Najim-in, gjithashtu e vrarë në sulmin frikacak të vitit 1972, Kanafani është tani kudo, me fjalët dhe shpirtin e tij inkandeshent.
E përktheu Frenklin Elini
Shkëputur nga revista Jacobin
Imazhi: Middle East Monitor