/Ernesto Guevara/
NE MENDOJMË NJËSOJ
Kjo nuk është histori e bëmave heroike apo rrëfimi i një ciniku; të paktën nuk e kam për qëllim. Është vështrim i dy jetëve që ecin paralelisht për disa kohë, me shpresa të ngjashme dhe ëndrra të përafërta.
Përgjatë nëntë muajve të jetës së tij njeriu mund të mendojë për shumëçka, që nga meditimet më të lartësuara të filozofisë gjer në dëshirën e dëshpëruar për një pjatë të ngrohtë supe, në dakordësi të plotë me gjendjen e stomakut. Dhe nëse njëkohësisht ai është njëfarësoj aventurier, atëherë mund të jetojë episode me interes për njerëzit e tjerë, të treguara kuturu në shënime të tilla.
Kështu monedha u hodh në ajër disa herë, duke rënë herë në njërën anë dhe herë në tjetrën. Njeriu, përcaktuesi i gjithçkaje, flet këtu me gojën dhe rrëfen me gjuhën time, atë që kanë parë sytë. Mos vallë botëkuptimi ynë nuk ishte kurrë i plotë, por rastësor dhe i painformuar? A ishim tepër të pakompromis në gjykimet tona?
Ndoshta, por në të tillë mënyrë makina e shkrimit i interpretoi impulset e gishtave që e preknin, dhe ato impulse tani kanë vdekur. Për më tepër, askush nuk mund të cilësohet përgjegjës për këto shkrime.
Personi që i shkroi ndaloi së ekzistuari në çastin kur këmbët e tij shkelën përsëri në brigjet argjentinase. Personi që i riorganizon dhe boton nuk është më, ose të paktën unë nuk jam më personi që isha. I gjithë ky rrugëtim në Amerikën tonë, me A të madhe, më ka ndryshuar më shumë se ç’mund të kisha menduar ndonjëherë.
Në çdo manual fotografik mund të hasësh në peizazhe të rrëmbyer nga nata nën dritën e hënës së plotë. Sekreti i këtij vizioni magjepsës të “errësirës në mesditë” e gjen shpjegimin në tekstin shoqërues. Ndërsa lexuesit e këtij teksti nuk do të gjejnë shumë shpjegime mbi ndjeshmërinë e retinës të tij; edhe unë vetë e kam të vështirë ta ndiej. Kështu, lexuesit nuk do të jenë në gjendje të kontrollojnë pas kornizës së fotografisë për të parë si dhe kur është shkrepur secila prej ngjarjeve. Kjo do të thotë që nëse unë paraqes një imazh dhe pretendoj të jetë shkrepur, le të themi, në orët e natës, mund të më besoni ose jo; për mua ka pak rëndësi, meqë nëse nuk e keni përjetuar nga afër pamjen e asaj që tregoj, do ta keni të vështirë të gjeni një të vërtetë alternative nga ajo e imja. Megjithatë, tani do t’ju lë me vetveten, me njeriun isha që dikur…
KY SHEKULL I RI I ÇUDITSHËM
Më e keqja e krizave ka kaluar dhe ndihem pothuajse mirë, edhe pse herë pas here gjej shpëtim në mikun tim të ri, aparatin francez të frymëmarrjes. E ndiej ashpër mungesën e Albertos. Ndihem sikur krahët i kam të pambrojtur nga ndonjë sulm hipotetik. Shpesh e gjej veten duke i vënë në dukje diçka, vetëm për të kuptuar që ai nuk është më aty.
Vërtet nuk kam shumë për t’u ankuar. Ushqimi është i mirë dhe i bollshëm, shoqëruar nga ndjesia e kthimit në shtëpi për të mbaruar studimet e lëna në mes. Megjithatë, ideja e të ndarit në mënyrë të përhershme nuk më bën plotësisht të lumtur; muajt e gjatë që kaluam së bashku, në të mirë e në të keqe, të mësuar të kishim ëndrra të ngjashme në situata të ngjashme, na afroi së tepërmi me njëri tjetrin. Me ato ëndrra që vërshojnë në kokën time, e gjej veten duke u larguar nga qendra e Karakasit. Shtëpitë në periferi janë akoma më larg. Karakasi shtrihet përgjatë një lugine të ngushtë, të cilën e rrethon në të gjitha anët e saj, kështu në një ecje të shkurtër mund të ngjisësh kodrat përqark, për të parë dimensione të reja të qytetit.
Negrit, këta shembuj të shkëlqyer të racës afrikane, e kanë parë territorin e tyre të uzurpohet nga një skllavërues i ri, portugezët. Dy racat e lashta kanë filluar një bashkëjetesë të re dhe të vështirë, të mbushur me grindje dhe zënka. Diskriminimi dhe varfëria i bashkon në betejën e përditshme për mbijetesë, por qasjet e ndryshme mbi mënyrën e jetesës i ndajnë thellësisht; negrit janë ëndërrimtarë dhe rrogën e pakët e shpenzojnë në kotësi dhe pije, ndërsa evropianët janë të mësuar me kulturën e ashpër të punës dhe kursimit, traditë që i shtyn të vijnë deri në këtë qoshe të largët të Amerikës.
Në këtë lartësi shtëpitë prej betoni zhduken tërësisht, të zëvendësuara nga kasolle të vogla. I hedh sytë drejt njërës prej tyre. Është një dhomë e ndarë në dy pjesë, me tavolinë, vatër zjarri dhe disa grumbuj kashte, që duket sikur shërbejnë si dyshekë. Një tufë macesh dhe një qen i dobët luajnë me tre fëmijë tërësisht të zhveshur. Dhoma është e mbushur nga tymi i zjarrit. Nëna e tyre gatuan, e ndihmuar nga vajza 15-vjeçare. Në portën e kasolles filluam një bisedë, ku i kërkova nëse mund të pozonin për një foto, gjë që e refuzuan kategorikisht nëse nuk pranoja t’ua ktheja foton menjëherë. Dhimbshëm u mundova të shpjegoj që nuk është e mundur që fotoja të dalë aq shpejt, por nuk ramë dakord. Mendova të premtoj që mund t’ua dorëzoj menjëherë foton, por ata u bënë dyshues dhe refuzuan përfundimisht. Njëri prej fëmijëve u arratis të luante me moshatarët e tij, ndërsa unë flisja ende me familjen. Si përfundim, u vendosa si roje në hyrje të kasolles, me aparat në dorë, duke u shtirë sikur fotografoja këdo që nxirrte kokën prej saj. Luajtëm për disa kohë kështu, deri kur shoh djaloshin sipër një biçiklete të re të cilës i jepte pa duar. Fokusohem dhe shkrep aparatin, por përfundimi ishte katastrofik. Për të shmangur foton, fëmija humbet kontrollin dhe paloset në tokë duke qarë. Menjëherë, të gjithë e humbasin frikën nga aparati dhe sulen duke bërtitur ofendime të këndshme. U përpoqa të shmangem disi, duke i vlerësuar aftësitë e tyre të jashtëzakonshme në hedhjen e gurit, i ndjekur nga grupi i nxehur, i cili më lëshon dhe ofendimin më madhor të mundshëm:”Portugez!”
Në cepat e rrugës gjenden kontenierë që transportojnë makina, të cilët portugezët i përdorin si vendbanime. Një njërën prej tyre, ku jeton një familje me ngjyrë, arrita të shoh një frigorifer të ri akull, të saponxjerrë nga qesja. Dëgjohet muzikë e ndryshme nga radio të ngritura në kupë të qiellit. Qiejt mbyten nga zhurmat e avionëve, dhe aty, nën këmbët e mia gjendet Karakasi, qyteti i pranverës së përjetshme. Qendra e tij kërcënohet nga pushtimi i çative të kuqe, të ngjashme me arkitekturën e ndërtesave moderne. Por diçka tjetër do të mundësojë që e verdha e ndërtesave koloniale të mbijetojë në kohë, edhe pasi të jetë zhdukur nga harta e qytetit: shpirti i Karakasit, i papërshkueshëm dhe indiferent ndaj jetesës së veriut, i ngulitur me kokëfortësi në kushtet gjysmë pastorale të së shkuarës së tij koloniale.
SHËNIME ANËS FLETËS
Yjet i jepnin dritë qiellit të atij fshati të vogël malor, ndërsa qetësia dhe i ftohti e zhduknin errësirën. Nuk di të shpjegoj ndjesinë, thuajse sikur gjithçka shkrihej mes vetes, duke zhbërë gjithë individualitetin dhe duke na gllabëruar pa kthim në errësirë. Asnjë re e vetme nuk e zinte perspektivën e qiellit. Pak më tutje drita e një llambe të dobët humbi betejën me terrin.
Fytyra e njeriut vështirë të shquhej në errësirë; mund të dalloja vetëm atë që dukej si shkëlqimi i syve dhe të bardhën e dhëmbëve.
Ende nuk di të them nëse ishte atmosfera apo personaliteti i atij njeriu që më përgatiti për zbulimin, por di të them që të njëjtat argumente i kisha dëgjuar shumë herë prej shumë njerëzve, dhe kurrë nuk kishin pasur ndikim mbi mua. Bashkëbiseduesi ynë ishte vërtet njeri interesant. Nga një vend në Evropë i ishte arratisur thikës së dogmatizmit kur ishte ende djalosh, e njihte shijen e frikës (nga të paktat eksperienca që të bëjnë të vlerësosh jetën), e më pas ishte endur nga vendi në vend, duke mbledhur mijëra aventura, derisa në fund ai dhe kockat e tij përfunduan në këtë rajon të izoluar, duke pritur me durim ditën e madhe të gjykimit.
Pasi shkëmbyem disa fjalë të kota dhe përcaktuam pozicionet tona, biseda ishte gati të shuhej, deri kur ai shpërtheu në të qeshurën e tij të veçantë, gati fëminore:
E ardhmja i përket popullit, dhe gradualisht apo në një goditje të vetme, ai do të marrë pushtetin, këtu dhe në çdo vend tjetër.
Gjëja e tmerrshme është që populli duhet edukuar, dhe kjo nuk bëhet para marrjes së pushtetit, vetëm pas. Ata mund të mësojnë vetëm si pasojë e gabimeve të tyre, të cilat do të jenë tepër serioze dhe do të kushtojnë jetë të pafajshme. Ose ndoshta jo, sepse ato jetë mund të kenë kryer mëkatin e fundmë kundër natyrës, nuk kanë arritur të përshtaten. Të gjithë ata – unë dhe ti si shembuj – të paaftë për t’u përshtatur do të vdesim duke mallkuar pushtetin që ndihmuam për të krijuar me sakrificë të madhe. Revolucioni është jopersonal, ai do të korrë jetë duke i përdorur si shembuj për rininë e së ardhmes. Mëkati im është më i madh sepse unë, më finok dhe me eksperiencë, quaje si të duash, do të vdes duke e ditur që sakrifica ime buron vetëm nga papërkulshmëria që simbolizon qytetërimin tonë të kalbur. Gjithashtu di – dhe kjo nuk e ndryshon aspak rrjedhën e historisë apo mendimin tënd mbi mua – që ti do vdesësh me grushtet e mbledhur dhe nofullën e shtrënguar, epitomë e urrejtjes dhe përpjekjes, sepse ti nuk je simbol (ndonjë shembull pa shpirt), por pjesëtar prej mishi e gjaku i shoqërisë që duhet shkatërruar; shpirti i zgjoit flet përmes gojës tënde dhe të përcakton veprimet. Ti je po aq i dobishëm sa unë, por ende nuk e di sa i dobishëm mund të jesh për shoqërinë që të sakrifikon.
Pashë dhëmbët dhe buzëqeshjen e pacipë me të cilën ai parafliste historinë, ndjeva shtrëngimin e dorës dhe së largu përshëndetjen e tij formale. Nata më përpiu si fjalët që kisha dëgjuar. Por pavarësisht fjalëve të tij, tani e dija… E dija që kur shpirti i madh udhërrëfyes do të ndante njerëzimin në dy gjysma antagoniste, unë do të isha me popullin. E dija, e shihja të shkruar në qiellin e natës që unë, injoruesi eklektik i dogmës, do t’u turresha barrikadave apo llogoreve si i pushtuar nga djajtë, do të merrja armën e ndotur nga gjaku dhe i konsumuar nga urrejtja do të masakroja çdo armik që binte në duart e mia.
Dhe ndërsa lodhja e madhe e zbeh entuziazmin gjakatar, e shoh veten të përjetësuar në revolucionin prej mishi e gjaku, barazimtari i madh i vullnetit individual, duke shpallur mea culpa-n përfundimtare. I ndjej hojëzat e hundës teksa shijojnë aromën e ndyrë të barutit dhe gjakut. Trupin e shndërroj në çelik dhe e përgatis veten të shndërrohem në vendin e shenjtë, ku ulërima e përbindshme e proletariatit triumfues mund të kumbojë me energji dhe shpresë të re.
E përktheu Frenklin Elini
Shkëputur nga libri me të njëjtin titull i autorit.
Imazhi: The Irish Times