Dy universitetet
/Arlind Qori/
Re(sh)formuesve të arsimit të lartë herë i nxjerrin namin vetes se po bëjnë namin duke anglo-saksonizuar sistemin universitar shqiptar e herë u nxirret boja se po prodhojnë një gërmadhë të pahasur e të pagjendshme në jetën universitare shqiptare. Në fakt kontradiktat e brendshme të universiteteve shqiptare, ekzistenca e dy universiteteve ndërshtytëse brenda të njëjtave godina, është baza nga sot po përnaltësohet lufta konceptuale dhe jetike për universitetin. Si gërmadha që po përkeqësojnë re(sh)formuesit, si përpjekjet kolektive për ta mëkëmbur gjenden të ndërfytura prej kohësh në jetën universitare.
Radhët në vijim janë copëza të ripunuara nga fjala e mbajtur në protestën e Lëvizjes Për Universitetin përpara godinës së një qeverie e cila gënjen edhe për ditën kur do ta miratojë projektligjin për arsimin e lartë. (Ndryshe nga ç’deklaroi ministrja e Arsimit dhe zëvendësi i saj, projektligji nuk kaloi në Këshillin e Ministrave më 25 mars, ditën e protestës).
***
Sot ndeshen dy botë brenda të njëjtit vend, dy forca, dy universitete: Universiteti i tyre dhe universiteti ynë. Po përpara se t’i shquajmë në papajtueshmërinë e tyre, duhet t’i përgjigjemi pyetjes: kush janë ata dhe kush ne? Ata janë qeveria aktuale, qeveria e shkuar medoemos, lobistët pronarë diplomoresh private miklues për çdo qeveri pasi ngjyra e lekëve është ku e ku më përbashkuese se ajo e flamujve, intelektualët me e pa spaleta akademike që aq fort e kanë ndyrë konceptin e intelektualitetit duke mos u shërbyer të vërtetës dhe qëllimit politiko-shoqëror të saj: ndërtimit të një shoqërie të emancipuar.
Po ne? Ne jemi universitarët, kolektivi gjithnjë e më i padallimtë i studentëve e pedagogëve.
Ata gjallojnë në kurriz të universitetit.
Ne jetojmë nga dhe për universitetin.
Kështu, universiteti i tyre riprodhon e përforcon më të keqen e universiteteve aktuale: burokracinë e nginjur, tarafore e represive, tregtarizimin që s’lë javë pa e kërrusur vëmendjen universitare në produkte komerciale nga më të rëndomtat, përjashtimin klasor dhe papërgjegjshmërinë akademike.
Universiteti ynë merr e përforcon më të mirën e universiteteve publike: seriozitetin dhe përkushtimin për dije, bashkëveprimin studimor, bjerrjen e autoritarizmave të rreme e, mbi të gjitha, solidaritetin që përdor horizontalitetin për të kapur horizontin.
Universiteti i tyre ka tregtarë, specializohet për marketing, prodhon hendeqe klasore e simbolike dhe rrafshon diferencat. Universiteti i tyre nuk ka edhe pedagogë, edhe marketues: ai ka pedagogë-marketues, marketues-pedagogë që shkencën e bëjnë treg e tregun e konsiderojnë shkencën e shkencave. Në universitetin e tyre pedagogu është VIP dhe VIP-i pedagog.
Universiteti ynë ka studiues, ku të tillë nuk janë vetëm rrogëtarët akademikë (ruajna fat prej infektimit!), por gjithkush që zbulon, ndërton, prodhon e krijon dimensione të dijes, gjithnjë publike e bashkëmotivuese.
Universiteti i tyre varet nga xhepi dhe fal diplomën, jo më kot po të përputhej shënjuesi me të shënjuarin do të quheshin diplomore.
Universiteti ynë varet nga përkushtimi studimor dhe s’fal pothuajse asgjë. Vetëm ekonomikisht është falas.
Universiteti i tyre kthen sytë lart për nga tarifat dhe ul kokën për nga dinjiteti.
Universiteti ynë ul sytë poshtë për nga tarifat dhe ngre kokën për nga dinjiteti.
Pedagogjia e tyre është represive nga brenda dhe komerciale nga jashtë.
Pedagogjia jonë është çlirimtare, ku hierarkia nuk është as e dhëna e pandryshueshme, as mjeti i duhur, por gjendja që duhet përmbysur.
Universiteti i tyre bazohet te frika dhe nënshtrimi vertikal: Studenti ka frikë pedagogun, pedagogu dekanin, dekani rektorin, rektori administratorin, administratori ministrin, ministri kryeministrin, kryeministri ambasadorët e fuqive të mëdha (mike të përbetuara të popullit tonë) dhe financuesit e nëntokës.
Universiteti ynë bazohet te shpresa dhe solidariteti. Krijimi ka nevojë për shpresë, prodhimi për solidaritet. Marrëdhëniet për të dyja bashkë.
Universiteti i tyre përforcon marrëdhëniet më obskurantiste shoqërore. Ai është pronari që shfrytëzon e shtyn drejt gjymtimit, në mos vdekjes, punëtorin; është burri pijanec që u kall datën gruas dhe fëmijëve; është kleriku rruazashumtë të cilit kurrë s’ia gjen të përputhshme fjalën me veprën; është polici brutal dhe nëpunësi qelepirxhi.
Universiteti ynë fut në krizë marrëdhëniet obskurantiste shoqërore dhe modelohet sipas ishujve të rezistencës dhe bashkëkrijimtarisë. Ai emancipon veten për të emancipuar krejt shoqërinë.
Universiteti i tyre është shkollë klasore: përjashton, disiplinon dhe kushtëzon në mënyrë klasore. Deri vonë të paprivilegjuarit kanë pasur dy rrugë për të çarë individualisht kufijtë klasorë: shkollën dhe krimin. Universiteti i tyre do ta pamundësojë progresivisht shkollën derisa të lërë si shteg arratie prej mjerimit vetëm krimin, çka do të përligjte paskëtaj edhe policimin shoqëror. Klasat do të përkryheshin historikisht në formën më reaksionare të kastave.
Universiteti ynë është instrumenti dhe vendpuna e shkatërrimit të mureve klasore. Jo vetëm individualisht, por, duke e shndërruar bashkëprodhimin intelektual brenda vetes në model shoqëror, edhe kolektivisht.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.