Dy kampet e reformës në arsim
/Jani Marka/
Ka më tepër se një vit, qëkurse me nismën e kryeministrit E. Rama u ngrit komisioni për reformimin e arsimit të lartë dhe veçanërisht pas publikimit të draftit të parë në majin e shkuar, që dallohen qartë dy kampe në pozicione të kundërta në lidhje me reformën e arsimit të lartë. Në njërin kamp janë rreshtuar komisioni i hartimit të draft-reformës, teknicienët e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe lobistët e universiteteve private. Në tjetrin bëjnë pjesë pedagogët e universiteteve publike, organet kolegjiale të universiteteve publike, studentët, por edhe personalitete të shquara të opinionit publik. E vetmja pikë përbashkuese e këtyre dy kampeve është pohimi se arsimi i lartë ka nevojë për reformim, por, më tej, qasja ndaj reformimit është krejt e ndryshme. Për më se një vit në procesin e reformimit, edhe pse janë prodhuar dy drafte të reformës dhe tre drafte të projektligjit, dhjetëra debate e disa protesta, asgjë e re nuk është prodhuar nga parimet fillestare të publikuara në muajin dhjetor të vitit 2013.
Këto dy kampe po përplasen me njëra-tjetrën, me të vetmin rezultat që kampi i pushtetarëve dhe i të privilegjuarve sa vjen e shton arrogancën, ndërsa ai i universitarëve rezistencën e tij, se argumentet nuk kanë lëvizur as edhe një grimë. Kështu, universitarët thonë se kjo reformë nuk u përgjigjet kushteve aktuale të universiteteve, atyre social-ekonomike dhe nivelit të demokracisë së vendit, paçka se pushtetarët dhe të privilegjuarit pretendojnë se reforma ka për ta ndryshuar thelbësisht për mirë arsimin e lartë: “Prisni disa vite dhe do e shikoni, dhe pastaj do të na falënderoni” – i drejtohet kampi i pushtetit atij të universitetit. Por ata që jetojnë në dhe për universitetin s’kanë oreks ta hanë sapunin për djathë, sado bukur të reklamohet dhe propagandohet ai! Universitarët e dinë se dëmet që mund t’i shkaktohen sistemit nga një reformë e keqe do të kërkojnë dekada për t’u riparuar. Si krahasim për këtë, shikoni nivelin e sotëm edukativ dhe kulturor të shoqërisë që i ka rrënjët e këqija, ndër të tjera, edhe në degradimin e nivelit të arsimit në vitet ‘90.
Universitarët thonë që kjo reformë e tregtarizon universitetin publik. Pushtetarët dhe të privilegjuarit bëjnë të çuditurin: “Ç’është ky tregtarizim që na thoni!? Edhe si fjalë duket allasoj!”. Po lexoni draftin e parë – përgjigjen universitarët – ku fjala treg përmendet mbi 45 herë, shumë herë më tepër se fjala dije, mendim kritik apodemokraci. Kampi i pushtetit dhe privilegjeve propozon një institucion të ri të arsimit të lartë: Institucione publike të pavarura. Universitarët thonë se ky institucion i ri nuk është kërkuar nga asnjë universitet publik, nuk i përgjigjet kërkesave të tij reale dhe arsyeja e krijimit të tij qëndron thjesht në kalimin e fondeve publike drejt multi-pronarëve të “ish”-universiteteve private. Të parët pretendojnë po ashtu se reforma shton autonominë e universiteteve, ndërsa universitarët i qëndrojnë idesë se me këtë ligj rritet ndjeshëm kontrolli i shtetit mbi universitetet, madje ky kontroll rritet paralelisht me tërheqjen e shtetit nga financimi i universitetit publik. Jo – thonë teknikët e pushtetit dhe privilegjeve, se ky është paradoks. Ndodh sheshit, lexohet qartë në çdo dokument qeveritar, por prapëseprapë na del paradoks(!!!) Universitarët kërkojnë rritjen e shkallës së financimit të arsimit nga shteti. Po do të rritet – thonë përfaqësues të MAS-it, por ndërkohë janë miratuar dy buxhete nga qeveria e Rilindjes dhe asgjë nuk është rritur përveç pretendimeve qeveritare. Kushedi hyrja e universiteteve private në lojën e financimit nga buxheti i shtetit do ta bëjë qeverinë që për herë të parë të shtojë financimin për arsimin e lartë (privat).
Në fakt, ajo që ka ndodhur është braktisja e arsimit nga shtetit, braktisje e shoqëruar edhe me fyerje, arrogancë e shtypje. Shumë këshilla fakultetesh dhe dy herë Senati i Universitetit të Tiranës janë shprehur qartësisht kundër dy shtyllave kryesore të reformës: skemës së financimit dhe mënyrës së organizimit. Por këto të dyja nuk janë prekur. Universitarët thonë se tarifat sot janë të papërballueshme për nivelin ekonomik të shqiptarëve dhe me hyrjen në fuqi të ligjit këto tarifa do rriten edhe më tej. Jo – thonë përfaqësuesit e pushtetit dhe privilegjeve në qeveri, tarifat nuk do të rriten, por “harrojnë” që tarifat janë rritur ndjeshëm vit pas viti, deri 20-fishuar, nisur nga viti 2000 e këtej, madje “harrojnë” që edhe këtë vit akademik i rritën ndjeshëm ato për mijëra studentë. Universitarët propozojnë që tarifat të ulen gradualisht dhe arsimi të konsiderohet e mirë publike pasi dija nuk është mall dhe dijësimi është kusht emancipimi shoqëror. Tarifat nuk mund të ulen – thonë komisionarët e pushtetit dhe privilegjeve, se niveli i taksave që vilen në Republikën e Shqipërisë nuk është i njëjtë me atë të Gjermanisë. Sa bukur, pa kurrfarë studimi a përgjegjësie publike, komisionarët sillen si ekspertë të ndonjë dikasteri financiar! Universitarët thonë se numri i shumtë i agjencive që do të krijohen, si dhe përbërja e bordit dhe kompetencat e tij, sa do cenojnë autonominë po aq do shtojnë burokracinë, paçka se edhe kjo mohohet pabesueshëm nga hartuesit e reformës.
Universitarët kërkojnë që studentëve t’u njihet një e drejtë e qenësishme vote dhe vendimmarrjeje, jo vetëm për të ndalur përjashtimin e studentit nga jeta universitare, por edhe për të demokratizuar jetën e brendshme të universitetit. Komisionarët thonë jo, pasi me demek studentët nuk e kanë nivelin e duhur për të kontribuar në demokraci dhe vendimmarrje. Anglo-saksonizëm serioz, nga ai kolonialist i shekullit XIX!
“Ju nuk e keni kuptuar reformën” – u drejtohen pushtetarët pedagogëve dhe studentëve që e kanë lexuar, së paku pesë herë, reformën në fjalë. Ç’kontradiktë e hidhur: në njërën anë MAS-i pretendon për një proces unik të hartimit të reformës, ku janë dëgjuar të gjitha grupet, dhe në anën tjetër rezulton që të vetmit që e kanë lexuar, konspektuar dhe kritikuar imtësisht nuk e kuptojnë!
Arsyet pse qeveria nuk e dëgjon zërin e universitarëve mund të jenë të shumta, që nga kapja e shtetit për interesa të privilegjuarish, narcizmi i njerëzve të përfshirë në reformë, mungesa e qartësisë intelektuale apo edhe arsyetimi arrogant se pushteti fiton gjithmonë. Fatkeqësisht në Shqipëri pushteti ka fituar gjithmonë, dhe për këtë ndër fajtorët kryesorë janë edhe universitetet publike, të cilat në këto dekada kanë qenë shprehësja më konsekuente e apatisë shoqërore. Universitetet nuk i kanë rezistuar pushtetit, përkundrazi, janë bërë palë me të, kanë ulur kokën e i kanë hapur rrugë. Përndryshe nuk ka si shpjegohet, për shembull, që në Kuvendin e Shqipërisë flitet se ka më shumë individë të dyshuar për veprimtari të paligjshme sesa përfaqësues të botës akademike dhe shtresave intelektuale. Universitetet publike kanë dështuar në demokratizimin e shoqërisë dhe politikës, por duket se tashmë ka ardhur çasti historik për ta ndaluar pushtetin. Lypet guxim, afërmendsh, që vetëm buza e greminës ku po na katandis qeveria mund të na e japë. Ka ardhur koha që universitetet të rezistojnë jo vetëm për veten, por edhe për shoqërinë e cila deri më tash ka qenë edhe më e pashpresë dhe e pazë. Vetëm duke qenë sot zëri i padrejtësive që pësojmë në universitete, mund të jemi nesër ndërmjetësi nga mund të artikulohet mizëria e padrejtësive shoqërore. Fundja kahmoti ky ka qenë misioni i intelektualëve, paçka se tingëllon si në botën e çudirave.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.