Dy fjalë për drejtësinë
/Alfred Bushi/
Të bësh drejtësi do të thotë t’i rikthesh gjërat në rrjedhën e tyre racionale, të heqësh pengesat që pushteti vetëreferencial e diskriminues kërkon të vendosë në çdo aspekt të jetës. Drejtësia në këtë perspektivë nuk mund të jetë as e vogël dhe as e madhe, nuk mundet të funksionojë me pak a shumë, herë po e herë jo. Ajo është një e tërë e domosdoshme. Një vijë e drejtë nuk mund të jetë e tillë për sa kohë segmentohet, përthyhet apo pritet në mes.
Kur qeveria jonë thotë se nuk ka drejtësi, që gjërat nuk kthehen në rrjedhën e tyre të drejtë, duhet që ky fakt të jetë i vërtetë në tërësi ose të paktën për shumicën e konsiderueshme të njerëzve që e kërkojnë atë. Edhe sikur qeveria të ishte në mirëbesim, prapëseprapë është evidente dhe opinion i përgjithshëm i konsoliduar se në vendin tonë kur njerëz të pushtetshëm kërkojnë drejtësi (mbrojtje e padrejtësisë) – për shembull kur ai që sot është në krye të parlamentit shfaqet me sy e zë në një situatë korruptive duke kontraktuar mbi 700,000 euro, kur mbulohet vrasja shtetërore e 21 Janarit apo kur dy a tre deputetë zihen kur u ndërcenohen interesat vetjake – atëherë mekanizmat e drejtësisë vihen në lëvizje dhe situata zgjidhet, sigurisht në favor të më të fortit të çastit. Por duke qenë se me të fortit s’do e kenë ekzistencën të sigurt si të tillë për aq kohë sa nuk e kthejnë forcën në të drejtë, u lind nevoja për ta ndryshuar edhe sistemin, pra për të ndryshuar lojtaret. Ndryshe do qe situata sikur sistemi i drejtësisë të vihej në punë prejse pushteti po cenon çdo princip barazie dhe drejtësie shoqërore, siç po ndodh sot me dhunën e pushtetit dhe 21 janarët e përditshmërisë.
Sovraniteti, që prej kohëve më të hershme të organizimit politik, vazhdimisht e ka kushtetuar veten mbi përjashtimin. Në Greqinë e lashtë polisi themelohej si përjashtim i zoe-s (jeta biologjike, kafshërore) nga organizimi politik i jetës njerëzore të kualifikuar. Marksi, për ata që kanë pasur veshë ta dëgjojnë, duke folur për luftën e klasave si motori i historisë dhe hegjemoninë që për rrjedhojë krijon klasa fituese në këtë përballje, ka shprehur të njëjtën karakteristikë përjashtuese të sovranitetit. Pavarësisht kësaj karakteristike të sovranitetit, përgjatë historisë ka pasur disa momente – të shkurtra fatkeqësisht – ku përjashtimi ka qenë politikisht përfshirës, në kuptimin e gjithëpërfshirjes dhe krijimit të kushteve për themelimin e një shoqërie të drejtë dhe sa më të barabartë. Ndër to mund të përmendim demokracinë amerikane në fillesat e saj, siç shkruan Tocqueville-i, apo komunën e Parisit. Pjesa e tjetër është e tëra histori përjashtimi dhe dhunë e vazhdueshme ndaj pamjaftueshmërisë njerëzore.
Megjithatë ka një përbërës thelbësor të natyrës racionale njerëzore i cili është zhvilluar si përballje ndaj natyrës përjashtuese të sovranitetit, e kjo është drejtësia. Atëherë kur pushteti politik kërkon ta bëjë dallimin, pabarazinë e padrejtësinë rend mbizotërues të gjërave vihet në lëvizje drejtësia, si e vetmja mënyrë për t’i vendosur gjërat në vazhdimësinë e tyre të arsyeshme në rendin politik dhe për ta kthyer vetë rendin politik në identitetin e tij harmonik.
Për t’iu kthyer përsëri grekëve, drejtësia, të cilës i thoshin Dikaiosune si kuptimi i të drejtës, është diçkaja që rrjedh, shumë e shpejtë dhe shumë e hollë. Platoni thotë te Kratili se meqë gjërat janë gjithnjë në lëvizje, pra që nuk kanë një vend të caktuar ku qëndrojnë dhe një gjendje përkatësisht të ngurtë, e reja që krijohet vjen për shkak të asaj që rrjedh. Andaj drejtësisë, vazhdimësisë së drejtë racionale, asgjë nuk i është pengesë pasi kemi të bëjmë me diçka aq të shpejtë sa të kalojë përmes gjërave, që depërton në thelbin e tyre. Atëherë kur drejtësia kalon përmes gjërave t’pabarabarta vendos një shenjë barazie duke e kthyer pamjaftueshmërinë në mundësi. Ajo ka të bëjë me këtë ndryshim të vazhdueshëm ku ndalet dhuna historike, ku drejtësia dallohet nga padrejtësia, nga dhëmbëzimi i t’pangopurve që u leverdis t’i lënë gjërat në pamundësinë e tyre. E tillë duhet të jetë edhe për ne e drejta; rrjedhshmëri e ngjarjes së re, si rendje e pareshtur e së resë së arsyeshme që ngulmon të themelohet politikisht në një organizim të tjetërllojtë. Kështu kur kjo ngjarje që përpiqet të formësojë një kolektivitet të ri e të drejtë pengohet, lind padrejtësia. Në këtë moment thirret në veprim guximtari, ai që greket quajnë Andreia, që do të thotë rrymë e kundërt. Kemi të bëjmë me atë rrymë që kundërshton atë që shkon kundër drejtësisë. Andreia në rrënjë të saj ka fjalën andro, që i referohet burrit e më në tërësi njeriut. Kësisoj guximtari është ai njeri që, duke shkuar në rrymën e kundërt të atyre që i kundërvihen të drejtës, e rikthen gjendjen në identitetin politik origjinar, në përputhje me arsyen dhe harmoninë universale.
Pushteti përjashtues dhe mospërfshirës, si yni, nuk mundet kurrë ta reformojë drejtësinë apo ta vërë në lëvizje sepse bie në kundërshtim me veten. Sot na duhet guximtarë, burra e gra që i kundërvihen padrejtësisë që është rrënjosur në shoqëri. Nuk duhen reforma që ndërrojnë lojtarët dhe ngjyrat e tyre, por vullnete të fuqishme që kërkojnë ta kthejnë politikën në rrjedhën e saj racionale përkah drejtësisë dhe barazisë së kushteve ku kushtetohet mirëqenia e përgjithshme.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.