/Klodi Leka/
Unë besoj se kultura e vetëdija është universale, paçka se vetë njeriu jo. Jo, unë jam provincial. Për mua bota nuk është udhëtim turistik e kozmopolit, por lexim librash dhe lundrim në internet. Ky është fati i njeriut të varfër: ta ëndërrojë botën pa e shijuar atë. Unë mund të kem lindur në qytetin e Kamzës, pra jam kamzali, por jam edhe francez, grek, spanjoll, edhe pa e pasur pasaportën apo paratë për biletën e avionit. Unë jam zezak dhe hispanik duke qenë lekurëbardhë. Phë, ç’ne? Sepse Balzaku, Brehti e Lorka më kanë ndërtuar ky që jam. Se barrikadat dhe baladat e lirisë më tregojnë rrugën e njeriut.
Unë pra, jam edhe amerikan këto kohë. Unë nuk mund të jem antiamerikan, nuk mund të jem kundër asnjë populli dhe bashkësie politike, por kjo nuk më ndalon të jem kundër politikës së jashtme e të brendshme të Amerikës. Ka dy Amerika. Amerika me a të vogël, e njerëzve. Amerika me A të madhe, e padronëve të saj. Prandaj brenda vetë Amerikës, në kulturë dhe në histori, ka një luftë civile të përhershme. Çështja është se me cilën Amerikë je. Me kë Amerikë je ti? Po unë?
Unë jam Amerika e Abraham Lincoln-it, e Eugene Debs-it e Bernie Sanders-it dhe jo Amerika e Nixon-it, Reagan-it dhe Trump-it. Amerika e luftës kundër skllavërisë raciale e ekonomike dhe jo Amerika e agresionit imperial.
Unë jam Amerika e indianëve, e anijeve me irlandezë dhe italianë, e refugjatëve meksikanë dhe e ndërtuesve kinezë të hekurudhave. Jo Amerika e konkuistadorëve, tregtarëve të skllevërve dhe padronëve të pambukut.
Unë jam Amerika e Nat Terner-it, e Harriet Tubman-it, e John Brown-it.
Unë jam Amerika e John Steinbeck-ut dhe Whalt Whitman-it, e letërsisë së rebelimit dhe e dashurisë së miqve. Unë jam Amerika e Langston Hughes-it dhe Bob Kaufman-it. Unë jam Amerika e Jim Morrison-it, Jack Keruack-ut dhe Allen Ginsberg-ut.
Unë jam Amerika e Franklin Delano Roosevelt-it dhe Henry Wallace-it dhe jo Amerika e Milton Friedman-it dhe gangsterëve të terapisë së shokut.
Unë jam Amerika e sindikalizmit, e Mother Jones-it, e Ema Goldman-it, e Cesar Chavez-it, jo Amerika e grevëthyesve dhe pinkertonëve. Unë jam Amerika e sindikalistëve të shtypur me dhunë përgjatë viteve ’20.
Unë jam Amerika e Noam Chomsky-t dhe jo Amerika e Steve Bannon-it.
Unë jam Amerika e sufragjetave dhe e dallgës së dytë të lëvizjes feministe.
Unë jam Amerika e Harvey Milk-ut dhe jo e konservatorizmit religjoz. Unë jam Amerika e Martin Luther King-ut, Malkolm X, Fred Hampton-it, James Baldwin-it etj. Jam Amerika e lëvizjes për barazi racore e të drejta civile dhe jo Amerika e Ku Klux Klan-it dhe avdallëve të dashuruar me armët.
Unë jam Amerika e Stanley Kubrick-ut, Michael Moore-it dhe jo Amerika e kinemasë banale e brutale të Chuck Norris-it, Steven Seagal-it dhe Rambo-s.
Unë jam Amerika e Jimi Hendrix-it, e Janis Joplin-it e Bob Dylan-it. Unë jam Amerika e xhazit dhe bluzit. Amerika e impresionizmit dhe ekspresionizmit.
Unë jam Amerika e Georg Floyd-it dhe jo Amerika e Derek Chauvin-it. Unë jam Amerika e zezakëve në Misisipi, Mineapolis, Ferguson. Unë jam Amerika që u vë shkallmën stacioneve policore. Unë jam Amerika e anarkistëve dhe antifashistëve të rinj. Unë jam Amerika që zgjohet mes dhunës dhe ëndërron mes flakëve. Unë jam Amerika që kujton vetveten…
Imazhi: Julio Cortez
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.