Dëshiron “të jesh padroni i vetes”? Socializmi demokratik është zgjidhja.

/Ben Burgis/

Bëni një kërkim në YouTube si “të jesh bosi i vetes – be your own boss,” dhe duket se ka rezultate pa fund.

“SI TË JESH PADRONI I VETES NË 2021- TO BE YOUR OWN BOSS IN 2021”

“20 IDE BIZNESI PËR 2020-N SE SI PËRFUNDIMISHT TË BËHESH PADRONI I VETES – 20 BUSINESS IDEAS FOR 2020 T0 FINALLY BE YOUR OWN BOSS”

“BËHU PADRONI I VETES! Si shpëtuam prej orarit 9 me 5 – BE YOUR OWN BOSS! How we escaped the 9-5 ft. Chris Hau”

“TË FITOSH 2000 DOLLARË NË NJË DITË – MAKING $2,000 IN ONE DAY!”

Shumë nga njerëzit që provojnë ta ndjekin këtë ëndërr dështojnë. Edhe nëse ata që me shumë vështirësi grumbullojnë kapitalin fillestar për biznesin e tyre, 70 për qind e bizneseve dështojnë tërësisht brenda dekadës së parë të veprimtarisë. Dhe shumica e atyre që ia dalin, nuk ia mbërrijnë të fitojnë “2000 DOLLARË NË NJË DITË!”

Por diçka interesante për llojin e këtyre videove është se fare pak prej tyre tregojnë se si të bëhesh i pasur vërtet. Shumica e njerëzve që ëndërrojnë të bëhen padronë të vetes përfytyrojnë se si të nisin biznesin më të vogël – të llojit ku ata vetë ende do të kryenin shumicën e punës. Ëndrra, tek e fundit, është si të jesh padroni i vetes dhe jo të jesh thjesht “padroni”. Fokusi më shpesh është më pak te paratë sesa tek autonomia.

Një video që përmbledh këshilla “si të bëhesh padroni i vetes” nga biznesmeni kanadez Kevin O’Leary-i fillon me rrëfimin e O’Leary-it për “punën e tij të parë të vërtetë.”

Dikur, kur isha 15 vjeç, punoja në një lokal akulloresh… dhe në ditën e dytë mu kërkua të pastroj çamçakëzët nga dyshemeja me pllaka meksikane, dhe unë iu përgjigja pronares së lokalit:… “Ju nuk më punësuat të pastroj çamçakëzët, por  të shërbej akullore”… Ajo mu përgjigj: “Ça thua?! Unë jam pronarja e dyqanit dhe do të bëj ç’të dua me ty, prandaj ulu në gjunjë dhe pastro çamçakëzët!”

O’Leary-i refuzon të pastrojë çamçakëzët dhe pushohet nga puna. Ishte puna e fundit që ka kryer ndonjëherë. “Nuk më pëlqen të punoj për njerëz të tjerë”, i tregon ai audiencës së sipërmarrësve të mundshëm. “Shpresoj se shumë nga ju këtu ta përvetësoni këtë.” Ndërkohë që ai i siguron ata se nuk ka asgjë të keqe me të qenit punëtor: “Nëse do të kontrollosh fatin tënd, puno për veten tënde!”

Kjo është frymëzuese – por çështja është se në kapitalizëm është e pamundur thuajse për përkufizim. Nëse lokali i akulloreve ishte në një qoshe rruge, mund të ishte një punë për një person, por me kalimin e kohës u zgjerua edhe me një punonjës të dytë, dhe një nga dy punonjësit që mbushnin kupat e akullores nuk mund të jetonte më ëndrrën e O’Leary-it. Pronari mund të përdorte fuqinë e tij ekonomike për të detyruar tjetrin të ulej në gjumë për të kruar çamçakëzët

Në një fjalim të 1861, Abraham Lincoln-i argumentonte se nuk ekzistonte “fenomeni i njeriut të lirë të mbërthyer për tërë jetën në kushtet e punës me mëditje.” Lincoln-i nuk ishte socialist. Vizioni i tij ishte i kufizuar në zëvendësimin e punës skllavëruese në Jug me punën kapitaliste me mëditje. Por atë e bezdiste ideja se disa njerëz mund ta kalonin krejt jetën në kushte të tilla nënshtrimi. Ai mendonte se puna me mëditje ishte në përputhje me lirinë e vërtetë jo sepse punëtori me mëditje ishte një person plotësisht i lirë në kontroll të fatit të tij, por sepse dikush mund të punonte për pagë “për një copë herë” dhe më tej “të kursente tepricat për të blerë mjete pune ose tokë për veten e tij”.

Ideja që çdokush mund të bëhej në fund fermer i pavarur apo biznesmen i vogël ishte bërë disi anakronike qysh në kohën Lincoln-it. Por sot kjo ide është qartësisht absurde. Do të ishte strukturalisht e pamundur për të mbajtur një ekonomi moderne me një forcë punëtore që do të përbëhej tërësisht nga pronarë të ardhshëm të pavarur të cilët do të punonin për disa vjet përpara se të dilnin më vete.

Kjo na vendos përballë zgjedhjes së mprehtë: ose do të kemi një shoqëri, siç e pranojnë edhe mbrojtësit më të flaktë të kapitalizmit si Kevin O’Leary-i, ku shumica e njerëzve janë punonjës të pafuqishëm të cilët nuk “e kontrollojnë fatin e [tyre],” ose mund të shkojmë gradualisht drejt një shoqërie ku njerëzit e kontrollojnë kolektivisht fatin e tyre.   

Mund të shohim se si duket ky vizion i dytë në ato pak ishuj të demokracisë në vendin e punës që ekzistojnë brenda kapitalizmit, si kompania Mondragon Corporation e zotëruar nga punëtorët në Spanjë ose kooperativat në Emilia-Romania në Itali. Në këto ndërmarrje punëtorët vendosin në mënyrë demokratike për nivelet e pagave, zgjedhin menaxherët dhe votojnë për kontratat e operimit – e barazvlefshme me kontratat sindikale por pa një pronar në anën tjetër të tavolinës. Nëse dikush duhet të kruajë çamçakëzët në dysheme, së paku çdokush ka mundësinë e shprehjes demokratike se kujt do t’i kërkohet të kryejë detyra të kësaj natyre, kur dhe në çfarë rrethanash. Nuk ka pronar fjala e të cilit është ligj.

Në kapitalizëm biznese të organizuara në këtë mënyrë janë relativisht të rralla dhe përballen me situata të pafavorshme strukturore kur konkurrojnë përballë firmave tradicionale. Shikoni, për shembull, në Baltimorë, ku industria e restoranteve në tërësi po ushtronte presion për hapje, goxha përpara futjes së vaksinës, Libraria dhe Kafeteria Red Emma e zotëruar nga punëtorët me kokëfortësi qëndroi mbyllur për mjediset e brendshme! Kur pronari i restorantit thjesht mund t’u thotë punëtorëve të tij atë ç’i tha pronarja e lokalit të akullores Kevin O’Leary-it — “Unë jam pronarja e dyqanit dhe do të bëj ç’të dua me ty” — ata punëtorë ka shumë më tepër gjasë ta sakrifikonin shëndetin dhe sigurinë e tyre për fitimet e firmës sesa po të kishin zë dhe votë për këtë çështje.   

Kësisoj krijimi i një shoqërie ku kontrolli punëtor është normë ekonomike kërkon aksion politik. Një qeveri e ardhshme socialiste do të bënte gjëra si vendosja e bankave në zotërimin publik dhe do t’i orientonte këto banka të shtetëzuara drejt dhënies së granteve vetëm atyre bizneseve të reja të organizuara si kooperativa punëtorësh.

Libertarianët dhe konservatorët natyrshëm do të çirreshin me zë të lartë se një qeveri e tillë do të na bënte të gjithëve më pak të lirë. Por siç tregon edhe zhanri i videove që po lulëzojnë për të ndihmuar veten se si të bëhesh padroni i vetes, krejt e kundërta është e vërtetë.  

Në kapitalizëm shumica prej nesh nuk e ka në kontroll fatin e vet. Në mënyrë realiste, e vetmja mënyrë që ne të gjithë të arrijmë një shkallë më të lartë lirie është që të jemi kolektivisht padronët e vetes duke kaluar gradualisht kah socializmit demokratik.   

Përktheu Jani Marka

Marrë nga revista Jacobin

Imazhi: The Nation

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.