/Michael Roberts/
…Çështja e parë që dua të prek është se sa fort po godet Covid-19. Nëse nuk do të kishte masa frenuese, sipas çdo përllogaritjeje racionale të normës së vdekshmërisë, do të infektohej mesatarisht 60% e popullsisë përpara se virusi të dobësohej nëpërmjet të ashtuquajturit “imunitet të tufës”. Norma e vdekshmërisë është shumë e vështirë për t’u qartësuar, duke shkuar nga 3-4% që llogarit Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bazuar në rastet ekzistuese, deri te 0.3-0.4% që llogaritin disa studime lokale duke e ekstrapoluar numrin e infektimeve nga testimi masiv. Edhe kjo normë do të ishte 3-4 herë më e lartë se mesatarja e normës së vdekshmërisë vjetore nga gripi.
Sidoqoftë, nëse hamendësojmë një normë vdekshmërie prej 1% të popullsisë – një vlerësim që po e bëjnë shumë epidemiologë, atëherë në një popullsi globale prej 7.8 miliardë njerëzish – duke marrë në konsideratë nivelin prej 60% të ‘imunitetit të tufës’ – duhen llogaritur rreth 45 milionë të vdekur në rang global. Marrë parasysh se mesatarja e vdekjeve për një vit është 57 milionë, virusi i pafrenuar do ta rriste me 80% normën e vdekshmërisë për vitin 2020. Për vendet e veçanta rritja do të luhatej nga 65% në dyfishim. Edhe sikur norma e vdekshmërisë (së pafrenuar) del të jetë sa gjysma e kësaj, prapëseprapë do të vdisnin 20 milionë njerëz, apo rreth 40% më shumë se zakonisht.
Po mund të parashtrohet argumenti maltusian. Për shkak se 70-80% e të vdekurve do të vinin nga radhët e 70-vjeçarëve e sipër dhe vdekjet mes nën-40-vjeçarëve do të ishin të neglizhueshme, atëherë nuk do të duhej të shqetësoheshim për impaktin e virusit.
Në të vërtetë, ka njerëz në rrethet financiare që argumentojnë se virusi “po heq qafe” të moshuarit dhe të sëmurët, të cilët janë kryesisht joproduktivë në krijimin e vlerës dhe fitimit. Pasi të mbarojë pandemia, bota do të jetë “më e hajthme dhe më e shëndetshme”, si dhe më e aftë për t’u zgjeruar në mënyrë më “produktive”.
Marksi dhe Engelsi e dënonin rreptësisht teorinë e Malthus-it për “mbijetesën e më të fortit”; Engelsi e quante “kjo teori e poshtër dhe famëkeqe, kjo blasfemi e neveritshme ndaj natyrës dhe njerëzimit”. Po ata nuk e dënonin vetëm për shkak të karakterit çnjerëzor, por edhe sepse Malthus-i e kishte gabim ekonomikisht. Rritja e produktivitetit nuk varet nga frenimi i rritjes së popullsisë, por nga rritja e forcave prodhuese dhe përparimi i shkencës e teknologjisë. Nuk është çështje mbipopullimi, por pabarazie dhe varfërie që ushqehet nga akumulimi dhe përvetësimi kapitalist i vlerës së krijuar nga fuqia punëtore.
Kjo është arsyeja vendimtare e përpjekjes për ta frenuar Covid-19; të shpëtojmë sa më shumë jetë që mundemi. Arsyeja tjetër është se nëse pandemia lejohet të përhapet në mënyrë të pakontrolluar, sistemi shëndetësor do të përmbytej, duke shkatërruar kapacitetet e tij për t’u marrë me pacientët ekzistues dhe njerëzit me sëmundje të tjera; që me gjasë do të shkaktonte një rritje të normës së vdekshmërive dytësore (dhe kësaj radhe do të prekeshin edhe njerëzit më të rinj e më të shëndetshëm). Shumica e qeverive të globit nuk janë në pozitën e zgjedhjes së alternativës së Malthus-it dhe injorimit të presionit publik, kur trupat e njerëzve të dashur, të moshuar apo të sëmurë, do të bëheshin kapicë. Po ta provonin, nuk do të mbijetonin politikisht.
Kësisoj, frenimi i virusit ishte i domosdoshëm. Po frenimi nënkupton shumëçka. Mund të nënkuptojë mbyllje totale të çdo lëvizjeje dhe aktiviteti ekonomik e shoqëror ose masa më të relaksuara, deri te thjesht testimi i gjithkujt dhe izolimi e karantinimi i të infektuarve dhe ruajtja e të moshuarve, duke shtruar në spital vetëm ata që janë në gjendje të rëndë. Nëse një vend do të kishte instrumente testuese dhe staf të plotë për të “kontaktuar e gjurmuar” dhe izoluar; së bashku me pajisje të mjaftueshme mbrojtëse, shtretër spitalorë dhe njësi të kujdesit intensiv, atëherë frenimi në këto linja do të funksiononte – pa mbyllje domethënëse të ekonomisë.
Po thuajse të gjitha vendet u kapën të papërgatitura apo u treguan të paafta për të siguruar instrumentet dhe burimet për ta realizuar këtë. Gjermania i është afruar më shumë dhe do ta shpjegoj më poshtë arsyen. Ndoshta edhe Koreja e Jugut. Po në të dyja këto vende ka pasur “mbyllje” sociale dhe ekonomike domethënëse. Çdo vend tjetër me përmasa të mëdha infektimi është detyruar të marrë masa serioze mbylljeje të lëvizjes dhe izolim për javë të tëra për të frenuar pandeminë. Kina është shembulli më i veçantë i një mbylljeje të nivelit të lartë në një provincë të madhe. Zelanda e Re mori masa mbyllëse të nivelit të lartë që nga dita e parë dhe i reduktoi vdekjet në minimum.
Në figurën shoqëruese jepen shkallët e ndryshme të masave mbyllëse të marra nga shtetet:
Nëse shikoni mesataret, mund të vini re se sipas prirjeve të lëvizjes së Google-it, Spanja ka realizuar një reduktim prej 66% të aktivitetit ekonomik e shoqëror, ndërkohë që Suedia vetëm 6%.
A ka funksionuar frenimi? Sigurisht. Dhe këtu po hyj në territorin e rrezikshëm të orvatjes për të matur suksesin e frenimit. Më lart llogarita se pa masa frenuese do të kishte rreth 45 milionë vdekje nga Covid-19 më 2020. Duke përdorur pjesërisht llogaritjet parashikuese të Institute for Health Metric and Evaluation (IHME), mendoj se për shkak të masave frenuese numri i të vdekurve do të jetë ulur në “vetëm” 250-300.000 vetë.
Ja parashikimet e mia për vende të ndryshme, duke i krahasuar me numrin e vdekjeve që do të ndodhnin nëse nuk do të merreshin masa frenuese:
Vdekje (në mijëra)
US | UK | Spa | Ita | Bel | Fra | Ger | Sëe | Kor | Jap | Chi | Ind | Russ | Bra | Ëorld | |
Pa frenim | 1974 | 402 | 282 | 360 | 69 | 402 | 498 | 61 | 312 | 756 | 8400 | 7872 | 882 | 1260 | 43200 |
Frenim | 60 | 37 | 24 | 26 | 8 | 23 | 5 | 6 | 0.4 | 0.4 | 7 | 0.8 | 0.6 | 4 | 248 |
Siç mund ta shihni, frenimi do t’u mundësojë shteteve ta ulin normën e vdekshmërisë potenciale nga mosfrenimi me 90-99%. Për pasojë, nëse mbahet deri në fund, frenimi do ta përkulë vdekshmërinë shtesë mbi mesataren vjetore normale në më pak se 1%.
Pra frenimi funksionon. Po ai është arritur kryesisht nëpërmjet masave mbyllëse drastike, duke e shtyrë ekonominë botërore në greminë dhe sjellë një rënie të fortë në prodhim, vende pune dhe investime – që do të pasohet nga një rikuperim tejet i ngadaltë në vitet e ardhshme, nëse frenimi do të mbahet në nivele të larta për të ulur mundësinë e rindodhjes së pandemisë dhe/ose deri kur të prodhohet një vaksinë efektive, e shoqëruar me testim masiv dhe metoda izolimi.
Mund të shmangeshin masat mbyllëse? Siç e kam trajtuar më parë, nëse do të kishte instrumente dhe staf për testim, kontaktim dhe gjurmim masiv, burime të mjaftueshme spitalore dhe vaksinë, masat mbyllëse nuk do të ishin të nevojshme. Edhe vendet e varfra kanë pasur sukses me këto metoda – shih Keralën “komuniste”!
A janë të panevojshme masat ekstreme të mbylljes që kanë përdorur Kina dhe disa vende të tjera? Autoritetet suedeze kanë zgjedhur çka mund të quhet “mbyllje e lehtë”, me kufizime vetëm për grumbullimet masive dhe me izolim shoqëror vullnetar. A po funksionon aq mirë sa mbylljet drakoniane në vendet e tjera?
Të dhënat e vdekjeve potenciale të projektuar nga IHME për vende të ndryshme tregojnë që jo.
Suedia po shkon drejt normave më të larta të vdekjes në botë, ku, mes vendeve të mëdha, me gjasë do t’ia kalojë vetëm Belgjika. Krahasuar me fqinjët e saj skandinavë (ku kufizimet kanë qenë thuajse sa dyfishi i Suedisë – shih grafikun e lëvizjes më lart!), norma e vdekshmërisë suedeze do të jetë dy ose tri herë më e lartë. Me sa duket, autoritetet suedeze kanë dështuar të mbrojnë të moshuarit pasi azilet e privatizuara, si gjithandej, janë të mbushura me infeksione.
Po Belgjika ka marrë masa mbyllëse dhe do të ketë një normë më të lartë vdekshmërie se Suedia, kurse Gjermania do t’ia dalë shumë më mirë se vende si Spanja dhe Italia ku masat mbyllëse kanë qenë mjaft më të forta. Kjo tregon se frenimi nuk varet vetëm nga niveli i kufizimeve dhe mbylljes, por edhe nga niveli i infrastrukturës spitalore dhe testimet.
Rezervat e Gjermanisë në shtretër spitalorë janë shumë më të mëdha se në pjesën tjetër të Evropës.
Ndërkohë që testimet e saj janë mjaft të shumta, ndonëse ende me një normë të ulët.
Suedia dhe Belgjika kanë më pak shtretër dhe po kryejnë më pak testime.
“Mbyllja e lehtë” suedeze do të thotë më shumë të vdekur për numër popullsie. Argumenti që përdoret është se me gjasë popullsia suedeze do të fitojë “imunitet tufe” dhe ekonomia do të vazhdojë pa u mbyllur. Pohimi i parë është plot me të panjohura: si do ta kuptojnë autoritetet nëse e kanë arritur këtë imunitet? Pohimi i dytë është qartësisht i rremë. Asnjë ekonomi nuk është si një ishull. Edhe nëse ekonomia suedeze vazhdon të jetë e hapur, ku do të shkojnë eksportet e saj kur pjesa tjetër e botës është mbyllur?!
Ja disa përfundime të mundshme:
Covid-19 ka një vdekshmëri mjaft më të lartë se gripi.
Pa masa frenuese, në shumicën e vendeve norma e vdekshmërisë vjetore do të ishte rritur mbi 80%.
Frenimi ka funksionuar në uljen e numrit të vdekjeve potenciale nga miliona në mijëra.
Për shkak se shumica e qeverive janë kapur të papërgatitura dhe u kanë munguar instrumentet e mjaftueshme shëndetësore, ato janë detyruar të marrin masa të ndryshme mbylljeje, duke mbajtur pezull ekonominë botërore.
Sa më të forta masat mbyllëse dhe sa më të shumta instrumentet shëndetësore, aq më të pakta vdekjet.
Qasja e “mbylljes së lehtë” rrezikon të shtojë numrin e të vdekurve pa ofruar në këmbim një ekonomi më të fortë.
E përktheu Arlind Qori
Marrë nga blogu i autorit
Imazhi: Reuters