Nëpër udhët e Zheni Marksit

/Ariela Zeneli/

Ato që bëri kjo grua, e pajisur me një mendje kaq kritike, me një takt politik kaq të madh, me një karakter kaq energjik dhe të zjarrtë, ato që bëri kjo grua për shokët e saj të luftës gjatë 40 viteve, nuk njihen nga publiku dhe për to nuk flitet në kronikat e shtypit. – Fridrih Engels

Kështu do të shprehej miku i saj më i mirë Fridrihu për Zhenin. Arsyeja pse shkrimi nis pikërisht me këto fjalë është se edhe sot e kësaj dite vijon mungesa e njohurive mbi këtë grua dhe kontributin që ka dhënë ajo për luftën revolucionare të punëtorëve.

Shpesh herë Zheni njihet si gruaja e një prej autorëve dhe revolucionarëve më të mëdhenj të historisë, Karl Marksit. Mmegjithatë Zheni ishte shumë më tepër se kaq jo vetëm për Marksin, por edhe për luftën e tyre të përbashkët. Të flasësh për Zhenin do të duhet të përfshish punën teorike të Marksit dhe padyshim historinë e lëvizjes punëtore. Ajo ishte jo vetëm grua, por shoqja që e ndihmonte të mbante lart flamurin e luftës. Ishte një rrugëtim i gjatë i shoqëruar me ndjekje, persekutime, varfëri dhe, mbi të gjitha, me vrull të pandalur revolucionar.

E lindur në Gjermani në vitin 1814, Zheni i përkiste një familjeje aristokrate, të cilën ajo më vonë e braktisi. Mohimi i klasës së saj shoqërore ishte shenjë e formimit të vetëdijes së saj politike dhe tregues i shpirtit rebel që do ta karakterizonte gjithë jetën . Që në moshë të  re, Zheni arriti të dallonte problemet që e rrethonin shoqërinë gjermane të atyre viteve. Në letrat e para që ajo shkëmbente me Marksin, i shkruante atij se për të ishte privilegj që ishte student, ndërkohë që asaj i duhej të kujdesej për shtëpinë. Zheni e ndjente pabarazinë gjinore e mbase ky ka qenë rebelimi i saj i parë kundra padrejtësive.

Asokohe, kur gratë franceze të shekullit XIX përlesheshin në barrikada, gratë gjermane ishin të mbyllura dhe nuk mund përfshiheshin në jetën politike. Në letrat e para drejtuar Marksit, ajo shkruante : “Për burrat mund të jetë ndryshe, por për një grua, fati i të cilës është të ketë fëmijë, të qepë dhe të gatuajë, Gjermania është një vend i mjerueshëm. ” Admirimi i saj për gratë franceze që luftonin heroikisht u shndërrua në dashuri për gjithçka që përfaqësonte Franca e asaj kohe, dashuri e cila ndikoi në mënyrë të theksuar në botëkuptimin e saj.

E mbushur nga dashuria dhe zelli i moshës, Zheni vendos të martohet me Marksin në mënyrë të fshehtë. Për familjen e saj, martesa ishte e “pabarabartë” sepse Marksi nuk i përkiste klasës që ata preferonin për të bijën. Ama kjo nuk ndikoi aspak te Zheni, e cila vazhdoi të besojë te vlerat e përbashkëta që ndante me Marksin. Drama personale e martesës së Zhenit i jep zë edhe një herë çështjes së emancipimit të gruas dhe thyerjes së traditave dhe paragjykimeve.

Leximet për Francën e kishin lidhur shumë me këtë vend dhe pas martesës, ajo me Marksin largohen për në Francë. Për herë të parë fillojnë të frekuentojnë lagjet punëtore dhe atje përballen me ritmin dhe forcën e proletariatit francez, që Zhenit i kishte munguar aq shumë. Ashpërsia në fytyrat e tyre dhe fisnikëria njerëzore ishin cilësi të cilat Zheni i çmonte shumë mes proletarëve, kauzës së të cilëve i përkushtoi jetën. 

Zheni kishte qenë dëshmitare e Marksit të ri të frymëzuar nga Hegeli dhe ishte akoma dëshmitare e ndryshimit të tij drejt materializmit dialektik. Ajo e çmonte shumë miqësinë e Marksit me Engelsin, i cili u bë bashkudhëtari më besnik në rrugën e vështirë që Marksi po niste. Sfida e vërtetë e Engelsit dhe Marksit në këto kohë ishte të vinin në dukje se klasa reale prej së cilës do të vinte ndryshimi ishte proletariati, jo mikroborgjezia . Lufta e tyre ndikoi edhe te  Zheni, duke bërë që ajo vetë ta identifikonte veten më ketë klasë të re revolucionare.

Me arrestimin e saj të parë, Zheni shfaqet si një revolucionare e vendosur, e cila i jepte kurajë shokëve të saj të idealit. Pas arrestimit ata u kthyen përsëri në Paris. Parisin, që aq shumë e kishte dashur, e gjeti ashtu siç e kishte ëndërruar, të mbushur me marshime burrash dhe grash që brohorisnin himnet e tyre. Parisi dukej i dehur nga fitorja, dhe Zheni vetë ishte optimiste se ngjarje të tilla e afronin proletariatin edhe më shumë drejt qëllimit final: revolucioni. Gjatë revolucionit të vitit 1848 në Gjermani, ajo shkruante artikuj drejtuar proletariatit, duke folur me forcën më të madhe për besimin dhe solidaritetin që ata duhet të kishin mes njëri-tjetrit. Pavarësisht disfatës së këtij revolucioni, angazhimi i saj për një luftë përparimtare nuk do të shuhej. Ajo e dinte se dështimi ishte i përkohshëm, kontradiktat klasore nuk ishin shuar dhe prandaj punëtorët do të luftonin përsëri në sheshe dhe barrikada.

 Për veprën madhore të Marksit “Kapitali”, Zheni ka dhënë një kontribut të pandalur jo vetëm duke kopjuar me durim të gjitha fletët që shkruante Marksi, por edhe duke shërbyer si kritike e dorës së parë të ideve të tij. Madje, duke ditur gjendjen shëndetësore jo të mirë të tij, e nxiste që kritikën për borgjezinë ta shpejtonte. “Arti s’ka fund, kurse jeta e njeriut është e shkurtër” – ishte shprehja e saj e preferuar nga Gëtja. Ajo e përvetësoi “Kapitalit” duke rrokur konceptet bazë të ekonomisë politike nga akumulimi i kapitalit deri te ligji i vlerës dhe nxjerrja e mbivlerës. Reagimi ndaj kësaj vepre historike pas botimit në vitin 1867 ishte vërtet për të ardhur keq. Në shtyp askush nuk shkruante dhe kudo mbizotëronte një heshtje e qëllimshme, nga e cila Zheni mbeti shumë e zhgënjyer. Ajo besonte vërtet që botimi i kësaj vepre do të bënte jehonë në shtyp, ama çdo gjë u shemb para syve të saj.

Ngjarjet  e 1848 u pasuan nga Komuna e Parisit (1871). Pavarësisht se nuk arriti të përfshihej drejtpërdrejt dhe të rreshtohej krah punëtorëve, Zheni e cilësonte Komunën si një formë foshnjore të shtetit proletar. Ajo mahnitej nga heroizmi i proletarëve francezë dhe shkruante për ta: “Edhe pse u mungonin udhëheqësit, ata e vazhduan luftën e pabarabartë me armiqtë në barrikada, duke mbrojtur shtigjet e fundit. Vdiqën në këmbë, ama s’e lëshuan flamurin nga dora.”

Pavarësisht gjendjes së mjerueshme në të cilën shpesh herë ndodheshin, për Zhenin dhe Marksin ngjarje të tilla ishin burim force dhe shprese, prandaj arritën t’i bënin ballë varfërisë dhe sëmundjeve të vazhdueshme. Shtëpia e tyre u kthye në një vatër të vërtetë politike të lëvizjes punëtore, sidomos gjatë Internacionales apo pas Komunës së Parisit. Ajo e shihte shumë të rëndësishme që të përkrahte më të dobëtit, ndaj qëndroi shoqe besnike dhe e patundur për miqtë e saj në lëvizjen e madhe historike.

Ndërkaq detyra e saj si sekretare mori më shumë peshë gjatë Internacionales së Parë sepse ajo u mor me çdo gjë teknike duke përkthyer të gjitha thirrjet që dilnin nga Internacionalja, madje edhe dërgimin e tyre në mënyrë të fshehtë jashtë vendit. Por nuk duhen harruar edhe qëndrimet e saj politike. Atë e karakterizonte modestia, ndaj në shumë prej shkrimeve të saj mungon autorësia. Zheni shkroi artikuj për kryengritjen polake, luftën franko-prusiane dhe në vitet 1878 për Rusinë, duke i bërë kritikë sistemit të kalbur carist dhe mënyrës se si carizmi shtypte çdo alternativë të re revolucionare.

Por shumë shpejt, gjendja shëndetësore e Zhenit u përkeqësua aq shumë sa u desh t’ia linte pozicionin vajzave të saj.  Duket sikur  Zheni arriti t’i bënte ballë çdo lloj beteje, përveçse asaj të shëndetit. Edhe pse shumë optimiste ditët e fundit, ajo nuk mundi të qëndronte më gjatë. Në letrën që Marksi i dërgoi të bijës shkruhej : “Në orët e fundit, ajo nuk luftoi fare me vdekjen: bëri një dremitje të ngadaltë, por sytë saj ishin më shprehës, më të ndritshëm, sesa gjithnjë.”  Shumë mund të thuhet për këtë grua, por ajo që ia jep më shumë shkëlqimin është dashuria për punëtorët dhe vendosmëria për drejtësi shoqërore. Kjo nuk ishte aspak një pasion i përkohshëm apo pasqyrim i bindjeve të të shoqit. Jo! Qe pjesë organike e natyrës së saj, të cilën nuk e humbi kurrë.

Burime:

  1. Biografia e Vinogradskaja, P. “Zheni Marks”, Tiranë: Naim Frasheri, 1968
  2. Arkivi në Internet i Marksizmit

Imazhi: Nadja

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.