Kush e kërkon rihapjen e ekonomisë në SHBA?

/Hajdi Bengu/

Si fillim, duke i kërkuar ndjesë lexuesit, kam zgjedhur të bëj një hyrje që trajton një çështje në pamje të parë pa asnjë lidhje me situatën e koronavirusit: sakrificën njerëzore. Kur them sakrifica njerëzore, nuk e kam fjalën për sakrificën që po bëjmë të gjithë me anë të distancimit social apo për sakrificat e mjekëve, policëve dhe të gjithë atyre që u duhet të punojnë me një rrezik të shtuar për shëndetin e tyre. Jo, e kam fjalën për sakrifikimin e qëllimtë të jetëve të të tjerëve.

Ideja e ritualit të sakrificës njerëzore nuk është vetëm trillim i gjendur në vargjet homerike, ku Agamemnoni sakrifikon për nder të Artemisës vajzën e tij, Efigjeninë, në mënyrë që grekët të niseshin drejt Trojës; apo në tekstet e shenjta të besimeve abrahamike, ku Abrahami niset të sakrifikojë djalin e tij në emër të Zotit. Në vendin tonë, legjenda e Rozafës tregon sakrifikimin e një gruaje në emër të një Zoti apo besëtytnie të pakuptueshme.

Sakrificën njerëzore në të vërtetë mund ta gjurmojmë  të përhapur pothuajse në të gjithë planetin, të faktuar nëpërmjet gjetjeve arkeologjike. Në Egjiptin e lashtë, vdekja e faraonëve shoqërohej me vdekjen e shërbëtorëve të tij, të cilët besohej se do t’i shërbenin mbretit të tyre edhe në jetën e përtejme. Popujt e Evropës veriore, sidomos vikingët, sakrifikonin gra skllave në të njëjtin varr me luftëtarët e rënë në betejë, duke besuar se do të bëheshin gratë e tyre në Valhalla, botën e përtejme. Por mbase rasti më tipik i sakrifikimit të jetës së njeriut ka ndodhur në shoqëritë e Amerikës Qendrore. Veçanërisht aztekët ishin të njohur për sakrificat që bënin në nder të Diellit. Ata i druheshin një nate pa mbarim, kështu që në mënyrë që Dielli të lindte përsëri mëngjesin tjetër, sakrifikonin një person në ditë. Në vitin 1487 disa burime thonë që gjatë përurimit të Piramidës së Templo Mayor-it u sakrifikuan afro 4 mijë të burgosur brenda katër ditëve.[i] Po ashtu për Zotin e Shiut, ata sakrifikonin fëmijët pasi besonin se ai kërkonte lotët e tyre për të bekuar tokat e thara.

***

Tani le t’i hedhim një vështrim të shpejtë fakteve dhe shifrave të epidemisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, meqenëse mediat në përgjithësi tentojnë të shfaqin gjysmë të vërteta.

Për momentin SHBA ka bilancin më të lartë të rasteve të infektuara me Covid 19 (më shumë se 800 mijë) dhe po ashtu të vdekjeve (duke u afruar 50 mijëshit). Për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të sistemeve mjekësore – pasojë e reformave neoliberale – zgjidhja për të ulur numrin e viktimave në pandemi është gjetur te distancimi social dhe karantinimi në masë i popullsisë.

Po ka një grup të vogël njerëzish në Shtetet e Bashkuara që kërkojnë të kundërtën, rihapjen e ekonomisë dhe rikthimin e aktiviteteve të përditshme. Gjatë fundjavës që kaloi ndodhën disa protesta sporadike në të njëjtën kohë në të gjithë SHBA. Protestues të armatosur, pa maska dhe pa respektuar distancimin social, shumëllojshmëria e kërkesave dhe pankartave të të cilëve ishte e mahnitshme. “Amerika është vendi i lirisë”, “Covid-19 është një gënjeshtër” dhe qershia mbi tortë “Distancimi social është komunizëm”, që po ta rimendosh në një sens nuk është dhe aq qesharake. Nga ana tjetër kanë rënë në sy edhe mjekët, të cilët kanë dalë në një kundërprotestë, edhe pse nën sulmin verbal (ndonjëherë dhe fizik) të protestuesve, duke i shtuar përpjekjes për shpëtimin e jetëve edhe atë për sensibilizimin e njerëzve.

Duket qartë që protesta të tilla nxiten nga një ideologji e ekstremit të djathtë konservator. Disa prej tyre mbanin veshur simbolin e svastikës, parullën “Make America Great Again”[ii], madje dhe me flamurin e Konfederatës[iii], shenja të qarta të grupeve ultra të djathta në Shtetet e Bashkuara, mbështetësve të së drejtës për të mbajtur armë, ndalimit të abortit, përhapësve të teorisë konspirative se vaksinat janë një komplot, nacionalistëve etj. Çka u jep më shumë forcë këtyre protestuesve është bekimi nga presidenti Trump. Më 16 prill ai deklaroi shtyrjen e afateve për rihapjen e aktiviteteve, por nga ana tjetër nxiste protestuesit ta kundërshtonin këtë vendim të qeverisë.[iv] “Ata janë njerëz të mrekullueshëm, ata thjesht duan t’u rikthehen punës dhe jetëve të tyre të përditshme.” –  ishin fjalët me të cilat përshkroi protestuesit.

Në fakt Trump-i filloi të kërkonte një rrugëdalje nga karantina që në fund të marsit, edhe pse për këshilltarët e tij të politikave të shëndetit publik kjo kërkesë ishte e paimgjinueshme në atë kohë. Madje ai nuk e mori fare iniciativën për të nxitur karantinimin. Presidenca filloi të mbështesë distancimin social vetëm pasi guvernatorët e shteteve (pushteti vendor) dhe vetë njerëzit filluan të vetizoloheshin. Shembull tipik është guvernatori republikan i Merilendit, Larry Hogan, i cili nuk priti ndihmat e vonuara nga qeveria qendrore, por porositi gjysmë milioni teste nga Koreja e Jugut. Trump-i vazhdon që në mënyrë të veçantë të artikulojë nevojën e vendit për të për të rihapur bizneset dhe rikthyer ekonominë në korsinë e shpejtësisë. Vetëm paralajmërimi për një rihapje të shpejtë shkaktoi sinjale pozitive në bursa.[v] Gjithsesi duhet thënë se distancimi social ka akoma mbështetjen e shumicës së amerikanëve, ndërkohë që protestuesit dhe mbështetësit e Trump-it janë një pakicë shumë e vogël. (71% e amerikanëve janë të shqetësuar për rihapjen e ekonomisë më shpejt se ç’duhet).[vi]

Por ajo që na vlen për të kuptuar nga këto protesta është absurditeti i konfliktit midis shëndetit dhe fitimit ekonomik, midis jetës dhe kapitalizmit. Është e kuptueshme që pandemia e ka goditur fort pretendimin e Trump-it se Amerika është ekonomia më e fortë në botë, por kjo nuk është arsyeja e vetme pse ai kërkon me kaq ngulm rihapjen e ekonomisë. Të mos harrojmë se Trump-i nuk është thjesht një president. Ai është një nga përfaqësuesit më agresivë (injorant dhe qesharak po, por gjithsesi agresiv) të interesave të oligarkëve dhe elitës jo vetëm amerikane, por edhe botërore. Interesa që përfshijnë rihapjen e ekonomisë jo për t’ju rikthyer palestrës apo për të stiluar flokët, por për rikthimin në punë të klasës punëtore, garantuesve të panumërt të mirëqenies së tyre. Të mos na gënjejë mendja se të pasur e të varfër janë në të njëjtën llogore lufte kundër këtij virusi. Llogorja e fortifikuar e të pasurve të karantinuar në lagjet e tyre luksoze është shumë larg vijës së parë të zjarrit. Të gjithë e dimë që të detyruar të punojnë shpesh në hapësira të ngjeshura, të detyruar të lëvizin, me pak për të mos thënë fare mundësi strehimi dhe higjiene, të varfrit e kequshqyer janë më të rrezikuar nga viruset.

Por nuk kemi pse teorizojmë për të kuptuar që klasat e ndryshme shoqërore nuk janë në të njëjtën linjë zjarri. Mjafton të përmendim që fondi i programit të qeverisë federale për të ndihmuar me kredi të buta bizneset e vogla shteroi pak ditë para se këto biznese të aplikonin në masë. Shkak për këtë u bënë disa biznese të mëdha si disa zinxhirë restorantesh dhe fast food-esh, që tërhoqën sasi të mëdha ndihmash. Po ashtu, edhe Universiteti i Harvardit, që ithtarët e politikave neoliberale në arsim e trumpetojnë si shembullin e institucionit ideal të dijes, mori 9 milionë dollarë ndihma qeveritare që nuk duhej t’i merrte.[vii] Për informacion, ky universitet ka një fond total prej 41 miliardë dollarësh.

Si përfundim, po t’i rikthehemi të gjithë rasteve të sakrificave njerëzore që përmendëm në hyrje të këtij shkrimi, ato i bashkon një karakteristikë: besimi i verbër në një perëndi hakmarrëse, besimi se nëse nuk do të sakrifikojmë dikë (mundësisht nga shtresat e margjinalizuara ose të skllavëruara), ky Zot hakmarrës do të shfryjë inatin e tij mbi të gjithë të tjerët. Pa dyshim, këto besime e kanë origjinën në injorancën e njerëzve në atë kohë për të kuptuar fenomenet natyrore, rrotullimin e Diellit rreth Tokës, shiun, vdekjen. Megjithëse u zgjatëm pak në këtë pikë, ia vlen që historisë t’i rikthehemi për të mësuar, për të mos e lejuar të përsërisë veten. Sepse, sado absurde mund të duket, të djathtët konservatorë, ithtarë të Tumpit në Amerikë, disa prej të cilëve me poste të larta qeveritare, kanë filluar të flasin për sakrifikimin e “disa” jetëve njerëzore më shumë në mënyrë që të rihapet ekonomia.

Sidomos Fox News-i, rrjeti televiziv më i afërt me republikanët, ka nisur një fushatë në mbështetje të rihapjes së ekonomisë sa më shpejt të jetë e mundur. Disa zyrtarë kanë shprehur mendimin se rihapja e shkollave do t’i kushtonte Amerikës “vetëm 2 deri në 3%” rritje të vdekshmërisë”.[viii] Pa dyshim, të gjithë jemi duke luftuar me dëshirën për të dalë dhe takuar njerëzit më të afërt, por nuk është kjo arsyeja e të lartpërmendurve. Kjo është një luftë midis jetës dhe parave. Këta priftërinj të tempujve të kapitalizmit shfrytëzojnë dëshirat e disa njerëzve për të “ruajtur mënyrën amerikane të jetesës” në mënyrë që t’i dërgojnë punëtorët drejt altarit të sakrifikimit të jetës, në nder të parave, Zotit të kohëve moderne.


[i]http://www.bbc.com/culture/story/20150227-a-place-for-human-sacrifices

[ii] Make America Great Again (Ta Bëjmë Amerikën Sërish të Fuqishme) ka qenë slogani me të cilin Trump-i ka fituar zgjedhjet presidenciale.

[iii]Konfederata e Shteteve të Bashkuara ishte bashkimi i 11 shteteve jugore gjatë Luftës Civile amerikane, mbrojtëse e sistemit skllavopronar.

[iv]https://www.vox.com/2020/4/17/21225134/trump-liberate-tweets-minnesota-virginia-michigan-coronavirus-fox-news

[v]https://www.ccn.com/dow-futures-surge-1000-points-as-trump-provides-hope-for-economic-reopening/

[vi]https://today.yougov.com/topics/politics/articles-reports/2020/04/20/when-america-reopens-poll

[vii]https://www.huffpost.com/entry/harvard-richest-9-million-cares-aid_n_5e9cc9f5c5b63c5b58707122

[viii]https://edition.cnn.com/2020/04/17/media/doctors-oz-phil-drew-fox-news/index.html

Imazhi: Alex Scott/Bloomberg

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.