/Huey P. Newton /
Fjalimi në vijim është mbajtur më 15 gusht 1970 nga i ndjeri Huey P. Newton, bashkëthemelues i Partisë së Panterave të Zeza (Black Panthers Party), për të drejtat e grave dhe homoseksualëve. Shelley Ettinger-i, anëtare e Partisë Botërore të Punëtorëve (Worker’s World Party) dhe aktiviste lezbike shkruan në blogun e saj “Read Red” për fjalimin e Newton-it: “Mendoj se është e rëndësishme ta ngulisim në mendje këtë fjalim sepse lëvizja çlirimtare e zezakëve, madje edhe komuniteti i zezakëve në tërësi, përfliten shpeshherë si seksistë dhe/ose homofobë, edhe më shumë sesa lëvizjet apo sektorët e tjerë të shoqërisë dhe këtu kemi një udhëheqës të madh revolucionar që flet vetëm një vit pas rebelimit të Stonewall-it, shumë më herët se pothuajse kushdo tjetër.”
***
Viteve të fundit po zhvillohen lëvizje të forta grash dhe homoseksualësh që kërkojnë çlirim. Ka pasur ca paqartësi rreth mënyrës si t’u qasemi këtyre lëvizjeve.
Pavarësisht mendimeve personale dhe pasigurive që keni për homoseksualitetin dhe lëvizjet e ndryshme çlirimtare të homoseksualëve dhe grave (flas për homoseksualët dhe gratë si grupe të shtypura), duhet të përpiqemi që të bashkohemi me ta në mënyrë revolucionare.
Them “pavarësisht pasigurive që keni” sepse dihet shumë mirë që nganjëherë instinkti ynë i parë është ta godasim një homoseksual në fytyrë dhe duam që një grua ta mbyllë gojën; duam të godasim një homoseksual në fytyrë sepse frikësohemi se mos jemi vetë homoseksualë dhe duam të godasim apo t’ia mbyllim gojën gruas sepse kemi frikë se mos ajo na tredh ose na merr guximin që nuk e kemi fare.
Duhet të fitojmë siguri në veten tonë dhe prandaj të kemi respekt dhe të ndjejmë së bashku me të gjithë njerëzit e shtypur. Nuk duhet të përdorim qëndrimin racist që përdorin racistët e bardhë kundër njerëzve tanë ngaqë janë të zinj dhe të varfër. Rëndom i bardhi më i varfër është më racisti sepse ka frikë se mos humbet diçka apo zbulon diçka që nuk ka. Pra ju jeni një lloj kërcënimi për të. Ky lloj psikologjie hyn në veprim kur ne i shohim njerëzit e shtypur dhe zemërohemi me ta për shkak të mënyrës së veçantë të sjelljes së tyre apo devijimit nga normat e kushtetuara.
Mos harroni se ne nuk kemi krijuar ndonjë sistem vlerash revolucionare; ne jemi vetëm në proces të themelimit të tij. Nuk mbaj mend të kemi kushtetuar ndonjë vlerë që thotë se një revolucionar duhet të thotë gjëra ofenduese ndaj homoseksualëve, ose se një revolucionar duhet të kujdeset që gratë të mos flasin për formën e tyre specifike të shtypjes. Në të vërtetë është e kundërta: ne themi se i duhet njohur gruas e drejta për të qenë e lirë. Nuk kemi thënë shumë për homoseksualin, por duhet të krijojmë lidhje me lëvizjen homoseksuale meqenëse ekziston. Unë e di prej leximit dhe përvojave jetësore e vëzhgimeve që homoseksualëve nuk iu janë dhënë nga askush liritë. Ata mund të jenë njerëzit më të shtypur në shoqëri.
Çfarë i bëri homoseksualë? Është një fenomen që ndoshta nuk e kuptoj plotësisht. Ca thonë se është dekadenca e kapitalizmit. Unë nuk e di nëse kjo është arsyeja. Për më tepër jam skeptik. Por cilado qoftë arsyeja, ne e dimë që homoseksualiteti është fakt që ekziston dhe ne duhet ta kuptojmë në formën më të pastër: një person duhet të ketë lirinë për të përdorur trupin e tij në çfarëdo mënyre që dëshiron.
Kjo nuk nënkupton miratimin e aspekteve të homoseksualitetit që nuk na duken revolucionare. Por nuk mund të themi se një homoseksual nuk mund të jetë edhe revolucionar. Ndoshta tani jam duke injektuar pak nga paragjykimet e mia duke thënë se “edhe një homoseksual mund të jetë revolucionar.” Përkundrazi, ndoshta një homoseksual mund të jetë më së shumti revolucionar.
Kur kemi konferenca revolucionare, mitingje dhe demonstrata, duhet të ketë pjesëmarrje të plotë të lëvizjes homoseksuale dhe lëvizjes çlirimtare të grave. Disa grupe mund të jenë më revolucionare se të tjerat. Ne nuk duhet të përdorim veprat e disave për të thënë se të gjithë ata janë reaksionarë ose kundërrevolucionarë, sepse nuk janë.
Duhet të merremi me fraksione ashtu si merremi me ndonjë grup a parti tjetër që pretendon të jetë revolucionare. Duhet të përpiqemi të gjykojmë, disi, nëse ata veprojnë në mënyrë të sinqertë revolucionare dhe vijnë nga një situatë vërtet shtypëse (dhe duhet ta pranojmë se në qoftë se janë gra, me siguri janë të shtypura.) Në qoftë se bëjnë gjëra jorevolucionare, atëherë kritikoje atë veprim.
Nëse mendojmë që grupi në frymë kërkon të jetë revolucionar në praktikë, por bëjnë gabime në interpretimin e filozofisë revolucionare ose nuk e kuptojnë dialektikën e forcave shoqërore në veprim, duhet t’i kritikojmë për këto arsye dhe jo ngaqë janë gra në përpjekje për të qenë të lira. E njëjta gjë vlen edhe për homoseksualët. Kurrë nuk duhet të themi se një lëvizje e tërë është e pasinqertë kur në fakt ata janë duke u përpjekur për të qenë të sinqertë. Shokëve u lejohen gabimet. Gabimet nuk u lejohen armiqve sepse krejt ekzistenca e tyre është gabim dhe ne vuajmë prej saj. Por fronti çlirimtar i grave dhe fronti çlirimtar i homoseksualëve janë shokët tanë, janë aleatët tanë potencialë dhe ne kemi nevojë për sa më shumë aleatë.
Duhet të jemi të gatshëm të diskutojmë për pasiguritë ka shumëkush për homoseksualitetin. Kur them “pasiguri”, e kam fjalën për frikën se ata përbëjnë njëfarë kërcënimi për burrërinë tonë. Unë mund ta kuptoj këtë frikë. Për shkak të procesit të gjatë kushtëzues që ndërton pasiguri te burri amerikan, homoseksualiteti mund të prodhojë frenime. Unë frenohem nga homoseksualiteti i burrave, por në anën tjetër nuk më ndodh e njëjta gjë për homoseksualitetin e grave. Dhe ky është fenomen më vete. Unë mendoj se jam kësisoj për shkak se homoseksualiteti mashkullor, ndryshe nga ai femëror, përbën një kërcënim për mua.
Ne duhet të jemi të kujdesshëm në përdorimin e termave që mund t’i ofendojnë shokët tanë. Terma si bythëqir (faggot, punk) duhet të fshihen nga fjalori ynë, e sidomos nuk duhet t’u ngjisim burrave që janë armiq të popullit si (Richard) Nixon-i ose (John) Mitchell-i emra të projektuar zakonisht për homoseksualët. Homoseksualët nuk janë armiq të popullit!
Ne duhet të përpiqemi të formojmë një koalicion funksional me grupet për çlirimin e homoseksualëve dhe grave. Forcat sociale duhet t’i vëmë në lëvizje gjithmonë në mënyrën më të përshtatshme.
E përktheu: Eurisa Rukovci