Çfarë na mëson lufta e punëtorëve të GKN-së

/Deborah Lucchetti/

Çështja e punëtorëve të GKN-së, të pushuar kolektivisht nga puna në mënyrë të padrejtë, së fundmi ka marrë përmasa kombëtare në Itali duke mobilizuar me dhjetëra mijëra punëtorë dhe qytetarë nga i gjithë vendi. Disa ditë më parë në Firence u mbajt një manifestim i jashtëzakonshëm për nga pjesëmarrja dhe jehona mediatike në mbështetje të punëtorëve KGN, në të cilin u ritheksuan kërkesat për anulimin e heqjeve të padrejta kolektive nga puna dhe rishikimin e ligjit mbi delokalizmin, i cili u jep mundësinë sipërmarrjeve të ndryshme ta zhvendosin kurdo që dëshirojnë procesin e punës, pa marrë në konsideratë fatin e punëtorëve. Në fakt është pikërisht delokalizmi i egër nga ana e multinacionaleve që po kërcënon me mijëra punëtorë në Itali dhe në të gjithë botën. Më 29 shtator nga Gjykata e Punës në Firence ka ardhur lajmi i shumëpritur i paligjshmërisë së heqjeve kolektive nga puna nga ana e GKN-së, duke hapur kështu një dritare shprese për qindra punëtorë që të rikthehen në punë apo të marrin dëmshpërblimet që u takojnë nga vitet e punës. Ndërkohë kolektivi i GKN-së, së bashku me sindikata të tjera progresiste në vend, po vazhdojnë luftën në shumë fronte, duke nisur nga rinisja e punës së fabrikës së GKN-së, dhënien fund të delokalizimeve të egra, punës në të zezë, për një jetë të dinjitetshme, paga më të mira, etj.

***

Zotërinjtë anonimë të fondit financiar mendonin t’i shkarkonin në mënyrë të menjëhershme 422 punëtorët e fabrikës metalmekanike që gjendet mes magazinave dhe qendrave tregtare në periferinë e largët të një qyteti të artit. Prej dekadash turbokapitalizmi neoliberal ndjek me sukses objektivin e shkatërrimit të botës së punës, duke e dobësuar, parcelizuar, varfëruar dhe duke e zhveshur nga infrastrukturat sociale dhe politike të domosdoshme për ta mbajtur atë në jetë të shëndetshëm, të organizuar dhe të aftë për të vepruar si trup shoqëror antagonist në një dialektikë transformuese demokratike. Por dyert e kësaj fabrike kanë shpërthyer, jeta e fabrikës ka depërtuar njëkohësisht dhimbshëm dhe gëzueshëm në shoqëri dhe i tërë komuniteti e ka bërë fabrikën të vetën, e ka shtrënguar fort pranë vetes, duke pranuar drejtimin e kthjellët dhe të zgjuar të delegatëve pragmatistë dhe vizionarë të kësaj fabrike. Kolektivi i fabrikës diskuton dhe vepron në mënyrë të kthjellët, me këmbëngulje dhe vendosmëri. Ai ka meritën e madhe se ka popullarizuar dinamikat e globalizimit dhe shkaqet sistemore të krizës, nyjet nevralgjike me të cilat duhet të përballemi për të ndryshuar drejtim jo për veten e tyre, por për të gjithë.

Kur lexova për herë të parë për heqjet e urryera nga puna në fabrikën GKN, mendimi im shkoi sakaq te mijëra punëtoret dhe punëtorët e sektorit të modës, të cilët vendin e punës e kanë humbur madje pa as edhe një email. Janë punëtoret e tekstilit në Azi, Evropën lindore, Amerikën Qendrore apo Afrikën e Veriut – së paku 50 milionë punëtore/ë – të cilët në 12 muajt e parë të pandemisë kanë pësuar, sipas vlerësimeve të ndryshme, një vjedhje në pagë prej rreth 10 miliardë eurosh. Kjo do të thotë se pagat e tyre, tashmë shumë të ulëta, janë ulur edhe më shumë dhe, në rastet e shumta të heqjeve kolektive nga puna për shkak të mbylljes apo falimentit të fabrikave, punëtorët nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim. Ata nuk kanë pasur as mundësinë e përdorimit të amortizatorëve social, pasi në vendet ku për dekada me radhë e kanë zhvendosur prodhimin delokalizimet e egra, nuk ekziston ose pothuajse nuk ekziston mbrojtja sociale. Zinxhirët e etur global të vlerës nuk e lejojnë diçka të tillë, ato drenazhojnë burimet, pasuritë dhe jetët njerëzore duke mos lënë gati asgjë pas.

Shumë është shkruar dhe ende do të shkruhet mbi këtë kapitull entuziazmues të historisë sindikale italiane. Prandaj do të ndalem këtu mbi disa trajektore ose ide që kjo ngjarje paraqet, sipas një vizioni politik të kahershëm dhe origjinal, solidar dhe internacionalist. Ideja që askush nuk mund të shpëtojë i vetëm dhe që vetëm duke e përgjithësuar konfliktin mund të ndryshohen raportet e forcave: një lloj altruizimi universal që i kapërcen kategoritë dhe sektorët e ndryshëm, kushtet kontraktuale dhe funksionet shoqërore për të përqafuar një ide radikale të sindikatës-komunitet që i kundërvihet politikave të mbrapshta të korporatave, që synon të mos lërë pas asnjeri dhe ku më të fortët mbrojnë më të dobtët. Ideja që përballja po zhvillohet bazuar mbi rregullat dhe aftësitë e një shtetit që rikthehet në protagonist dhe rregullator të ekonomisë: thirrja e juristëve përpara dyerve të fabrikës së bashku me punëtorët për të bërë një ligj kundër delokalizimeve të egra, e përmbys praktikën e një të drejte gjithnjë të shkruar e të përshtatur për sipërmarrjet dhe tregun nga presioni i mijëra lobistëve, përtej parimeve të kushtetutës dhe të mirës së përbashkët, bazuar mbi parimin neoliberal të shtetit të vogël në një treg të vetërregulluar. Parë më me vëmendje, kjo thirrje është plotësisht në një linjë me kërkesën për t’u vënë kufizime veprimeve të multinacionaleve dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshëmrisë së tyre meqenëse deri tani ka pasur një praktikë të konsoliduar shkeljesh dhe abuzimesh të të drejtave të njeriut dhe të drejtave në punë në zinxhirët e gjatë globalë të furnizimit. Kërkesa këto të bëra nga qindra organizata të shoqërisë civile drejtuar institucioneve ndërkombëtare.

E shoh me rëndësi këtu të kujtoj diskutimin shumë aktual të zhvilluar në gjirin e BE-së me rastin e nxjerrjes së një direktive mbi faktin se sipërmarrjet duhet të jenë ligjërisht përgjegjëse për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe impakteve negative të shkaktuara në zinxhirët e tyre globalë të vlerës dhe në veprimet dhe marrëdhëniet e tyre tregtare. Si mbrojtës të të drejtave të njeriut, jemi të angazhuar fuqimisht që kjo direktivë të përmbajë të gjithë elementët e rëndësishëm, duke nisur nga sanksionet në rast abuzimi, si sanksione civile dhe penale të përshtatshme; kompetencat dhe burimet e organizmave kombëtare të krijuara për këtë punë; bashkëpunimin mes autoriteteve që duhet të bëjnë aplikimin e këtyre rregullave.

Shtetit italian i leverdis padyshim të avancojë në këtë proces, i cili herët a vonë do të prekë të gjitha shtetet. Një mënyrë e mirë për ta bërë këtë është vënia në praktikë e propozimit të juristëve të të drejtës së punës të aprovuar nga asambleja e përhershme e GKN-së

Përktheu dhe përgatiti Alfred Bushi

Marrë nga blogu Volere la luna

Imazhi: L’Indipendente

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.