/Enriko Peçuli/
Kur ishim të vegjël, përpara se të na rrënjosej vdekja në ankthet e para të të jetuarit, të rriturit na treguan diçka më të butë, më tokësore. Burgu ishte vendi i larjes së mëkateve, para se të lexonim “Komedinë Hyjnore” të Dantes. Burgu ishte streha e fundit e maskarenjve, përpara se të mësonim nacionalizmin. Atëherë na e merrte mendja se çelësat e burgut i mbante mamaja dhe sa herë nuk i laje dhëmbët, apo sa herë flisje më shumë se ç’duhej në vizita familjare, ajo do të lironte prej këtij burgu gjithë keqbërësit imagjinare: nga Gogoli te komshia e dy kateve më poshtë.
Përpara se të kuptonim që Batmani ishte fëmijë i pasur me një pozitë sociale të trashëguar e të privilegjuar, ndërsa Xhokeri një personazh i rritur në shkolla riedukimi, me trauma të njëpasnjëshme, shkaktuar nga shoqëria e sistemtizuar borgjeze dhe liberale, kujtonim përnjëmend se Xhokeri meritonte burgun. Qyteti imagjinar i Gothamit, kësisoj, do të jetonte në paqen e ofruar hollivudiane. Asokohe një gjë ishte e sigurt: ti, fëmijë i pafajshëm, do të rriteshe për t’u bërë në mos Batmani, të paktën inspektori i mbarë Gordon, po kurrsesi një Xhoker që meriton burgun.
Po u rritëm dhe pamë se në burg përfundonte edhe ai që nuk kishte para për të paguar dritat. Në burg përfundonte edhe ai që vidhte një kuti qumështi në supermarket. Pamë se në burg mund të përfundoje edhe për një cigare të vogël hashash, po kurrsesi nuk do të trajtoheshe më mirë se ata që vjedhin një popull.
Nelson Mandela kishte bërë burg për 27 vite se kërkonte që Afrika e Jugut të ishte e lirë nga kolonializmi. Oscar Lopez Rivera vuajti 36 vite në burgjet federale amerikane me akuzën e terrorizmit, vetëm pse luftoi për pavarësinë e ishullit të Porto Rikos. Ish-presidenti i Uruguait Jose (Pepe) Mujica, së bashku me shkrimtarin Mauricio (Russo) Rosenkof dhe gazetarin, politikanin dhe shkrimtarin Eleuterio (Nato) Fernandez Huidiboro, kryen 12 vjet në izolim për aktivitetin revolucionar gueril kundër diktaturës ushtarake të Uruguait. Antonio Gramsci, filozof dhe politikan italian, kreu 11 vjet burg për aktivitetin politik kundër regjimit fashist të Mussolini-t. Aty zhvilloi një prej veprimtarive më të vyera të shek. XX në fushën e filozofisë politike. Për të ardhur te vendi ynë, Petro Markoja – shkrimtar dhe publicist, luftëtar i grupimeve vullnetare që u nisën nga gjithë bota për të marrë pjese në Luftën Civile të Spanjës kundër liderit fashist Francisko Franko – u internua për dy vjet nga Italia fashiste në ishullin e Ustikës gjatë LIIB dhe për 3 vjet të tjera gjatë regjimit stalinist të Enver Hoxhës në Shqipëri. I fundit i burgosur për shkak të ekspozimit të informacioneve me të dhëna mbi korrupsionin e dhjetëra shteteve dhe politikanëve, është gazetari Julian Assange, krijues i rrjetit Wikileaks.
Çfarë kanë të përbashkët këta personazhe, përveçse kanë vuajtur burgun dhe nuk e kanë merituar atë? Të gjithë të lartpërmendurit janë të burgosur politikë. Ajo që e dallon të burgosurin politik nga ai që quajmë ordiner, është se ai e kryen burgun për shkaqe politike. Megjithatë, edhe të burgosur të tjerë, të gjendur aty për krime fare të thjeshta, kanë gjetur forcën për të kryer akte politike brenda katër mureve. Disa kanë kryer vetëvrasje, duke mos duruar vuajtjet dhe kushtet – ky është akt politik. Disa kanë refuzuar të ushqehen vetëm pse shoku i qelisë është rrahur apo i është mohuar trajtimi i dinjitetshëm – ky është akt politik. Disa kanë shpëtuar nga duart e rojeve vetëm për të qëndruar pak më shumë në diell dhe të gjithë të burgosurit i kanë parë nga dritaret e hekurta – dhe ky përkthehet në akt politik. Ky kthehet në komunikim, qoftë edhe i brendshëm, qoftë edhe pa dritare, ashtu sikurse monadat që përshkruan Leibniz-i. Akti politik bëhet i tillë atëherë kur përçohet te tjetri, në shpërthimin e një ankthi, social apo ekzistencial, i cili përthithet në mënyrë solidare nga pjesa tjetër e këtij polisi-burg. Mbi të gjitha, komuniteti burg është politik, dhe potencialisht radikal, për vetë faktin se mbledh individë nga klasa të nëpërkëmbura, duke filluar nga jetimët e rritur rrugëvetek ata që detyrohen të vjedhin, vrasin e të bëhen pjesë e grupeve kriminale për shkak të presionit social dhe mungesës së shpresës.
Jose Mujica deklaron se kaloi shtatë vite izolimi pa pasur kontakt me asnjë libër, çka i la kohë vetëm për të menduar. Në fillim mendimi është proces i dhunshëm. Mendimi më mbizotërues i të burgosurit është ai i lirisë. Për këtë e ka fjalën Jean-Paul Sartre-i kur thotë: “Je i dënuar të jesh i lirë.” Dëshira për të qenë i lirë shpërthen në mënyrë të pandalshme dhe i burgosuri politik e përkthen Lirinë në koncept më të plotë se të rendurit me duar në xhepa nëpër ndonjë qytet ekzotik. Aty ajo e tejkalon dëshirën, duke u kthyer në përgjegjësi dhe qëllim. Liria, në perceptimin politik, është kolektive. Është liri për të artikuluar palirinë. Është liri për të teorizuar dhe materializuar një shoqëri të barabartë dhe solidare. Dhe, siç vazhdon Sartre në një intervistë: “Nuk kemi qenë kurrë më të lirë sesa gjatë pushtimit nazist.” Kështu, kur Antonio Gramsci-n e rrasën në burg, fashistët thanë: “Duhet ta ndalojmë mendjen e tij së punuari për 20 vjet.” Sikur ta dinin sa gabim e kishin. Gramsci zhvilloi punimet e tij më të vyera gjatë dënimit prej 11 vjetësh dhe i dha majtizmit teorik një vrull të jashtëzakonshëm, me mbi 30 fletore dhe 3000 faqe analizë teorike mbi blloqet historike, ideologjinë, kulturën, intelektualët organikë etj.
Nuk dua të përmend gjithë citimet e zakonshme për librin. Dua më shumë të gjej se çfarë nënkupton libri për të burgosurin politik. Një aktivist politik e ka librin pjesë të pandashme të përditshmërisë, të aksionit dhe teorisë. Po përditshmëria jashtë, në liri, është tepër e ngjeshur dhe dinamike, sa zor gjen kohë për të lexuar aq sa do. Është madje dëshpëruese kur e mendon se nuk të del jeta për t’i lexuar të gjitha librat që ke në listë. Burgu është vendi ideal për të lexuar, për t’i shpëtuar ankthit që lyp lirinë dhe për t’u dakordësuar me marrëdhënien kohë-hapësirë. Në libër koha është pa cak dhe hapësira ndryshon përmasa prej faqes në faqe. I burgosuri politik ka kohë për të lexuar, ka kohë për të kuptuar realitetin dhe dinamikat politike të kohës.
Adem Demaçi është një tjetër veprimtar për kauzën kombëtare, që luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë. Për angazhimin e tij politik Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Ai është një ndër të burgosurit politikë që ka vuajtur më gjatë. Një nga citimet e tij më të goditura thotë: “Kush e do trupin, le ta harrojë shpirtin dhe kush e do shpirtin, le ta harrojë trupin.” Për të burgosurin politik, vuajtjet trupore janë të vazhdueshme, ndonjëherë të padurueshme. Përveçse vendi ideal për të lexuar, burgu është vend ngërthyes. Demaçi na vendos përpara një zgjedhjeje. Përpjekja e pushtetit për të të thyer nuk është shaka. Në torturat e shumta, të duhet të zgjedhësh. Nëse zgjedh të shpëtosh trupin nga dhimbja e vazhdueshme, ke humbur shpirtin. Ke humbur përnjëmend arsyen për të rezistuar, shokët dhe përpjekjen. Nëse, në të kundërt, zgjedh shpirtin, si koncept ontologjik dhe imanent të lirisë, atëherë trupi bëhet mjet dhe burgu, kësisoj, vendi ideal për të luftuar dhe teorizuar për realitetin, për lirinë dhe paqen, për bukën dhe shokun, për dashurinë dhe jetën si të tillë.
Një nga mënyrat më të mira për të thyer kundërshtarin, në këtë rast pushtetin, është të flasësh me fjalët e tij, të luftosh me armët e tij dhe ta kthesh çdo qeli të errët në logosin tënd, aty ku terri është i vetmi aleat drejt dritës dhe uria mjeti ideal drejt bukës, bukës së shpirtit.
Është pak e vështirë të teorizosh mbi burgun,për aq kohë sa nuk e ke provuar. Megjithatë burgu është koncept më i gjerë se një qeli me katër mure dhe hekura. Përveçse kam provuar për vetëm pak orë ankthin e birucës, më vjen gjithashtu në mendje Nietszche kur thotë: “Jeta duhet të çlirohet prej burgut njeri.” Modernizmi e ka kthyer vetë njeriun në burg. Fjala është jo vetëm për cakun mishtor, por edhe për kufizimin e mendimit. Është paliria për të artikuluar shtrëngesat e përditshme, vitrinat e shkëlqyeshme dhe pamundësia për të blerë qoftë edhe produktet jetësore, paraja dhe shpërndarja e pabarabartë e pasurisë dhe kompetenca për të teorizuar mbi jetën, e dhuruar tek akademikët e kullës së fildishtë dhe kollaret intelektuale.
Po burgu nuk është koncept romantik. Duhet pasur kujdes kur flitet me entuziazëm për mundësinë që të jep për të lexuar ca më shumë, pasi kjo thuhet më shumë në rrafshin personal. Duke hedhur tej heroizimin e të burgosurit politik, aktualiteti dhe shoqëria e sotme, e dominuar nga logjika liberale e tregut të lirë, borgjezia e re në ngritje, oligarkët ekonomikë dhe klasa politike që po shkon djathtas, lypin që militanti i majtë t’i thërrasë mendjes. Epërsia intelektuale deri tani ka rezultuar edhe vetëshkatërruese. Teksa e majta ndërton kritikën mbi shoqërinë – gjë që e bën më së miri – e djathta ka dalë në rrugë me gjuhën tonë, ka bindur njerëzit me retorikën e saj boshe dhe ka pasuruar një grusht oligarkësh ekonomikë. Shikoni pak Evropën e vjetër! Të majtët kanë zënë pozita të favorshme shoqërore dhe nuk u intereson më mirëqenia e shoqërisë, por thjesht larja e ndërgjegjes duke qenë politikisht korrekt dhe duke rrëshqitur drejt politikave identitare, për t’u marrë me izma dhe për të shkuar në shtëpi tapë me ndonjë dorëshkrim romantik në duar. Dakord, burgu mund të jetë kalitës, po shikoni ç’po ndodh aty jashtë. Shoqëria ka nevojë që ne të harrojmë rolin e heroit dhe martirit, intelektualit dhe kritikut teorik. Shoqëria ka nevojë që ne të fillojmë gjykimin e ftohtë dhe të harrojmë komoditetin e të qenit në epërsi teorike me kundërshtarin.
Shembujt e mësipërm nuk ishin për efekt stilistik apo për të mbushur rreshtat. Ne duhet të sjellim në mend të gjithë ata që kanë vuajtur me mish e shpirt për një shoqëri barazimtare. Shoqëria ka nevojë që ne të jemi pjesëz integrale e saj, duke mos e harruar se nga vijmë. Ne, bijtë e prindërve tanë punëtorë, shokë të shokëve tanë studentë, të vazhdojmë të jemi të tillë e t’i thërrasim organizimit në masë të grupeve të nënrenditura të shoqërisë. E nëse i bini në të mirë, do të kuptoni se formacioni shoqëror në të cilin jetojmë është përnjëmend burg. Dhe duke i mbajtur në mend gjithë shembujt që përmendëm, le të jenë ata shkëndijë për t’i thërritur arsyes dhe për të ndërtuar frontin tonë të përbashkët. Të jenë ata që na kujtojnë se nuk duhet reshtur së luftuari që bota të jetë e të gjithëve.
Në fund, është i udhës një mesazh solidariteti për Julian Assange-in, i cili mbahet në izolim prej prillit të këtij viti, vetëm e vetëm pse u përpoq që fjala të jetë e lirë dhe kushdo të ketë akses në informacione me rëndësi publike. Një përshëndetje për të dhe të gjithë të burgosurit politikë përreth globit, që luftojnë për një kauzë në thelb të njëjtë: një botë përnjëmend të lirë, të çliruar edhe nga iluzioni që na ofrohet rëndom sot, ku çdo gjë është e kontrolluar prej atyre që i sundojnë të tjerët si t’i kishin lodra.
Deri në fitore!
Imazhi: David Foldvari, FT.
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).