Bija e Edipit

/Frédéric Gros/

Antigona e vogël dhe e dobët, e brishtë po kokëforte do të duhej të shfaqte përpara ungjit të saj, Kreonit, nënshtrim dhe të ulte kokën plot respekt.

Është e pamundur të mos diskutosh mbi Antigonën, të mos prezantosh këtë ikonë kulturore të revoltës, simbolin e kontestimit të parakohshëm, muzën e rebelimit, një karakter që për ne përfaqëson mosbindjen krenare, publike dhe të paturp. Siç është thënë, shkruar e përsëritur shpesh, historia e Antigonës është një krijim i kulluar teatral. Tekstet mitologjike vetëm sa e përmendin këtë grua të re si bijën e Edipit, pa na dhënë detaje të mëtejshme. Vetëm Eskili (“Të shtatët kundër Tebës”), Euripidi dhe veçanërisht Sofokliu do t’i jepnin jetë asaj. Përmes tyre ajo është bërë për ne heroina e mosbindjes.

Sofokliu e shkroi “Antigonën” në vitin 441 p.e.s., dhjetë vjet përpara “Edipit mbret”. Kjo tregon se tragjedia e babait u shkrua dhjetë vjet pas asaj të së bijës. Në këtë vepër Sofokliu e karakterizon Antigonën si vashë, intransigjente, të dashuruar dhe të lidhur me Emonin, të birin e Kreonit. Mbi të gjitha ai na rrëfen historinë: pasi dy vëllezërit e saj, Eteokli dhe Poliniku, kanë vrarë njëri-tjetrin poshtë mureve të Tebës, Antigona nuk i përfill urdhrat e mbretit të sapoemëruar. Kreoni, i ungji, që sundon qytetin që prej vdekjes së dy vëllezërve, e ndalon varrosjen e Polinikut, të cilin e ka denoncuar si tradhtar, renegat, shkaktar trazirash, për shkak se ka sulmuar qytetin e sunduar nga vëllai i tij. Vetëm Eteoklit i rezervohet një funeral ‘kombëtar’ i kushtueshëm.

Teba ishte një qytet pluhuri dhe gjaku, qytet mbretërish të ndërlikuar, qytet që goditej dhe sakatohej rregullisht nga vdekja, sëmundja dhe murtaja, nga çmenduria e princave ose mbretëreshave të tij, prej kohësh i zënë nga fjalët magjike të Sfinksit, deri kur e shpëtoi Edipi. Një qytet i mallkuar. Në portat e Tebës sapo ishin ndeshur dy vëllezër me ushtritë e tyre, ku të dy kishin vdekur, poshtë mureve të saj dhe nga shpata e njëri-tjetrit. Masa fillestare e Kreonit ishte ndalimi i mbulimit me dhe, si dhe i kryerjes së lutjeve rituale për trupin e vëllait të mallkuar (tradhtarit). Trupi do të duhej të kalbej në diell, të ushqente zogjtë dhe të qëndronte si simbol i lemerishëm në sytë e të gjithëve.

Vepra nis me vendimin e Antigonës: të varrosë vëllain e saj siç e kërkon morali familjar, ta mbulojë me dhe trupin e tij, të kryejë ritualet stërgjyshore, kësisoj shpirti i tij mund të prehet në paqe në tokën e të vdekurve. Me fjalë të tjera, të sfidojë ndalimin e të ungjit. Dy herë në muaj, nën hundën e ushtarëve që ruanin trupin, vajza e pasjellshme gërmonte tokën e thatë me thonjtë e saj të brishtë për të hedhur një mantel pluhuri mbi vëllain. Po shpejt u pikas, u arrestua dhe u paraqit si kriminele përpara tiranit të ri të Tebës, i cili zbuloi i çmeritur se tradhtarja paskësh qenë e mbesa, vajza e Edipit.

Kreoni e pyet Antigonën nëse i del për zot veprimit të saj dhe kjo skenë përballjeje publike (vargjet 444-525) mbetet një burim i pashtershëm për të reflektuar mbi mosbindjen publike.

Përballë vendosmërisë së fortë dhe publike të së mbesës, Kreoni nuk ka alternativë tjetër – përndryshe do të shkërmoqte autoritetin e vet – përveçse ta dënojë me vdekje. Ai vendos një metodë paradoksale ekzekutimi: Antigona do të përpihet dalëngadalë nga dheu. Vajza që nuk kishte dashur që kufoma e ftohtë e të vëllait të mbeste zbuluar dënohet me varrosje të gjallë.

Fundi dihet. Me t’u sekuestruar, Antigona var veten në varrin e saj. Emoni mallkon të atin ndërsa vret veten me thikë në gjoks. Së afërmi Euridiqi, gruaja e Kreonit, e ndjek të birin në varr. Kreoni, ky tiran paradoksal, përfundon i vetmuar, vetëm me ligjet, dekretet qesharake, pushtetin dhe dëshpërimin e tij.

Tragjedia është e pamasë, struktura e pacen, karakteret të ngulitura në identitetet e tyre drithëruese – duke përfshirë motrën e Antigonës, Ismenën, e matur dhe të kujdesshme, si dhe shortarin Tiresia. Një tragjedi që do të frymëzonte menjëherë kopjime dhe rishkrime. Në mes të luftërave fetare franceze, Robert Garnier-i shkroi “Antigone ou la piété (1580), që u pasua gjysmë shekulli më vonë nga vepra e Jean de Routrou-së. Racine-i debutoi me Antigonën në veprën e tij të parë “Thebadaides” (1664). Në shekullin e njëzetë kemi “Antigonat” (siç i quante George Steiner-i) e Jean Cocteau-së (1922) dhe Bertolt Brecht-it (1948), si dhe të Jean Anouilh-it, vënia në skenë e të cilës gjatë pushtimit më 1944 e paraqet Antigonën si, me fjalët e Lacan-it, një ‘fashiste të vogël’.

Rishkrime gjithnjë e më të reja, aktualizime konstante: François Ost-i ka shkruar së fundmi “Antigone  voilé”. Në çdo kohë çështja e Antigonës, fati dhe identiteti i saj, rigjallërohet në formë të re.

Versionet e botuara janë shumë të gjera, të cilave duhet t’u shtosh numrin e jashtëzakonshëm të komentarëve, leximeve, interpretimeve, vendimeve konceptuale dhe montazheve teorike.

Antigona ka vënë në punë mendjet më të mëdha perëndimore, intelektualët më të shkëlqyer: nga Hegel-i te Butler-i, Hölderlin-i te Lacan-i, duke kaluar nga Kierkegaard-i (“Ose, ose”), Heidegger-i, Derrida-ja (“Glas”) etj.

Po këtu na duhet të shqyrtojmë imtësisht skenën e mosbindjes së saj për ta shkoklavitur sadopak. Kreoni ia nis duke e pyetur Antigonën “nëse e dinte”, nëse ishte informuar për ndalimin e tij. Tirani është dredharak dhe i ngre një kurth; urdhri ishte shpallur herët në mëngjes dhe ndoshta vajza nuk e kishte dëgjuar. Do të mjaftonte që ajo të ngrite këtë pretendim dhe gjithçka do të kthehej në rendin e duhur, me shfajësime të mira, solide dhe hipokrite. E imagjinoj Kreonin duke thënë me vete: “Kjo vajzë budallaqe që më sollën rojet po përpiqej të bënte si e zgjuar, po sapo të dëgjojë zërin tim të fortë do të kuptojë seriozitetin e prapësisë së saj dhe do të tërhiqet si fëmijë trazovaç: ‘Jo, i dashur ungj, nuk e dija, më fal, po ta dija, sigurisht që…’”

Jo, përgjigjja e Antigonës është dërrmuese. A ma zuri veshi ndalimin? Sigurisht, thotë ajo. Si mund të ndodhte ndryshe?! U tha publikisht dhe me qartësi të plotë. Paskëtaj Kreoni reagon si një mashkull i lënduar në burrërinë e vet, një Hitler i vockël i shqetësuar për autoritetin e tij. E kthen çështjen në personale, duke e lidhur gjithçka me veten: “Domethënë ti guxove të shkelësh ligjin tim, dekretin tim, ndalimin tim! E dije dhe prapëseprapë guxove të më kundërshtosh, ti mburravece e vogël e pacipë dhe budallaqe…!”

Më pas dëgjojmë nga goja e Antigonës përgjigjen që teoricienët e mosbindjes civile kanë përsëritur në kor. Përgjigjja ka dy pjesë. Pikësëpari, thotë Antigona, urdhrat e tu fatkëqij, dekretet e tua pak njerëzore dhe oportuniste nuk kanë asnjë bazë, asnjë autoritet; ato nuk mbështeten në asnjë legjitimitet bazik. Së dyti, ato bien ndesh me ligje më të larta, ligje të pashkruara dhe të përjetshme, të cilat përcaktojnë detyrimin e varrosjes së të vdekurve, bërjen e varrit për vëllain, që shpirti i tij të mund të marrë dhe gjejë prehje në botën e të vdekurve.

Kreoni

A e dinje çpalljen që ndalon të bësh

atë që ke bërë

Antigona

S’mund të mos e dinja; ishte çpallur sheshit.

Kreoni

E pastaj guxove urdhrin tim të shkelësh?

Antigona

Këto urdhëresa nuk i dha Zeusi;

Edhe Drejtësia që banon te Hadi

nuk ka vënë ligje si këto të tuat;

as ndër mënd s’e shkonja se m’ato që çpalle,

ti, njeri i vdekshëm, do guxonje sheshit

të shkelësh të drejtat, të drejtat e hyjve.

Të shkruara s’janë – është e vërtetë, –

po në gjithë botën s’ka asnjë fuqi

që të mund t’i tundë, t’i rrëzojë, t’i prishë

këto s’janë gjëra që u çfaqnë dje,

as do jenë vetëm për sot e për nesër;

forca e atyre do ngelë për jetë

dhe nga kanë ardhur, nuk e di askush.

Këto pra të drejta s’ka njeri në botë

që të më shtrëngojë t’i marr nëpër këmbë

dhe pastaj nga hyjtë të dënohem keq.

Dinja që më parë, pa e çpallur ti,

se më priste vdekja…[1]

Ligjshmëri kundër legjitimitetit. Urdhri i Kreonit mund të kishte vetëm formën e jashtme të ligjit, por përmbajtja e tij humbi çdo prestigj. Antigona është e burgosur: ose i bindet Kreonit (i cili do ta detyronte të tradhtonte detyrat ndaj familjes, të njolloste shpirtin dhe të fyente kujtimin e paraardhësve të saj, duke i vënë përpara hakmarrjes së zotave), ose u bindet rregullave të shenjta, çka do të thotë shkelje e urdhrave të mbretit të ri, të shpërfillë rendin publik duke rrezikuar të vuajë dhe të vdesë. Kujt duhet t’i frikësohemi? Ndëshkimit të njerëzve apo hakmarrjes së zotave? Antigona zgjedh të mos bindet, por kjo mosbindje është ana tjetër e një bindjeje më të epërme. Siç e përsërit disa herë: Unë bindem, jam vërtet kokulur, e nënshtruar, e detyruar, por u bindem ligjeve të përjetshme të familjes, urdhëresat e të cilave vijnë prej kur s’mbahet mend.

Ja struktura fillestare: Antigona nuk zgjedh të mos bindet për kapriço ose paturpësisht, as prej çmendurisë, interesit vetjak apo llogarive – në fakt, Kreoni ia parashtron të gjitha këto shkaqe revolte për të siguruar veten, dhe përpara korit të qytetarëve të mbledhur e shtron përnjëmend pyetjen: Më thoni, a është e çmendur apo po orvatet fshehtas të destabilizojë pushtetin tim? Jo, Antigona bindet, por ajo u bindet ligjeve legjitimiteti i përjetshëm i të cilave u hedh hije ligjeve të brishta dhe kalimtare të njerëzve.

Kreoni është i zënë në grackë nga përgjigjet e së mbesës. Po, në fakt, cila ishte alternativa? E kapur në flagrancë, e nxjerrë përpara gjyqit nga rojet të cilët fillimisht ishin dyshuar për krimin dhe që u shfajësuan publikisht duke gjetur fajtoren, Antigona e pohon kryelartë shkeljen e saj. Kreoni mundet ose të dorëzohet, ose ta dënojë me vdekje. Antigona, nga ana e saj, nuk lëshon pe: ajo është njeriu që kurrë nuk dorëzohet.

Që prej shfaqjes së parë vepra e Sofokliut pati një popullaritet të jashtëzakonshëm. Vitin pasardhës athinasit e zgjodhën njërin prej dhjetë zyrtarëve ekzekutivë të qytetit. “Antigona” e tij është një kryevepër e mosbindjes tragjike. Po ç’kuptim duhet t’i japim këtij epiteti? Cila është kubeja rikumbuese në të cilën jehojnë telat e revoltës së Antigonës?

Gabimi i parë do të ishte ta ngatërronim ‘tragjiken’ me një dramë emocionale që përshkuan mposhtjen, të parathënë prej fillimit, e pastërtisë morale përballë cinizmit politik. Diçka e tillë do të ishte pothuajse e mërzitshme. Ndodh shpesh që “Antigona” të lexohet në mënyrë naive si një dramë e sakrifikimit të idealeve morale përpara politikës, si një shpirt bujar i thyer në shkëmbin e pushtetit të ftohtë, ku Kreoni paraqitet si tiran zemërgur dhe Antigona si një vajzë e frymëzuar nga dashuria vëllazërore. Kësisoj përmbajtja tragjike do të shpalosej në shtypjen e të mirës morale nga e keqja politike.

Leximet filozofike madhore të “Antigonës” e kanë hedhur poshtë këtë reduktim të tragjedisë në patos. Ato hedhin së paku tri rreze drite, tri atmosfera, që i japin gjestit të Antigonës një rezonancë ngaherë të përveçme.

Sipas “Fenomenologjisë…” së Hegelit, përmbajtja e vërtetë tragjike që dëfton Antigona është konflikti midis dy mëtimeve të barabarta, përplasja ballore midis dy sistemeve të vlerave, ku secila është legjitime dhe e drejtë, madje janë edhe plotësuese të njëra-tjetrës. Kjo përballje sjell një drejtpeshim të tmerrshëm: është a pamundur të zgjedhësh dhe të thuash se cila palë ka të drejtë. Tragjedia është domosdoshmëria e dyfishtë e pamundësisë për të zgjedhur. Tek “Antigona”, kundërshtia nuk ngjet midis përllogaritjeve politike të pista dhe të errëta, në njërën anë, dhe tejdukshmërisë së shenjtë të urdhëresave hyjnore, nga ana tjetër. Ajo është midis familjes dhe qytetit. Kësisoj në njërën anë kemi dritën e ligjit publik, rendin e dukshëm të qytetit dhe kërkesat e tij; në tjetrën imperativët rigorozë të familjes, gjakut dhe dheut. Shtëpia është vendi i mbrojtjes dhe përkujdesjes, vendi ky kryhen ritet, ku thuren dhe rithuren vazhdimësitë. Familja i dërgon bijtë të jetojnë nën dritën publike, ku ata luftojnë dhe vdesin. I merr mbrapsht dhe, duke i varrosur, i qep sërish në pëlhurën e saj të mugët. Qyteti, nga ana e vet, i mëson nënshtetasit e tij me ambicien, rivalitetin, identitetet statusore përmes të cilave individi bëhet figurë publike.

Ditë dhe natë; burrë dhe grua; e jashtme dhe e brendshme; publike dhe private… Në njërën anë kemi ditën e ndritshme të vendimit, përllogaritjes dhe dallimit. Në tjetrën, natën e errët dhe të ngrohtë të vdekjes dhe detyrës. Momenti tragjik vjen kur nata dhe dita drejtpeshohen në kundërshtinë dhe antitezën e tyre, në vend se ta pasojnë njëra-tjetrën. Kjo ndodh kur fragmente të natës çajnë dhe plagosin ditën, kur thikat e ditës presin mishin e natës. Pra kufoma e Polinikut, trupi i tij i vdekur i mbyllur në natën e tij, por i shtrirë përpara diellit grek apo – ana tjetër e medaljes – virgjëresha dhe trupi i gjallë i Antigonës së varrosur.

Tragjizmi i situatës shfaqet në faktin se kjo kundërshti nuk përkon me një antinomi vlerash (e drejtë dhe e padrejtë, e mirë dhe e keqe). Antigona dhe Kreoni përfaqësojnë dy mëtime të barasvlershme. Në anën e Kreonit kemi parimin mashkullor dhe dritën. Kreoni është burrë i pjekur dhe i përgjegjshëm që ka për detyrë të mbajë rendin dhe të mbrojë qytetin. Një realist i paepur. Drita e publikes, qartësia e ditës, tejdushmëria e agorasë. Kreoni është përfaqësuesi i qytetit dhe ligjeve të tij, i segmentimit dhe frustrimit të tij të domosdoshëm. Të flasësh, japësh urdhra dhe bësh dallime. Dita ndahet, thyen vazhdimësitë, ndan individët dhe dallon format. Për shembull, miqtë dhe armiqtë, zotërinjtë dhe skllevërit, burri dhe gruaja. Kreoni i ka gjithmonë këto çifte të kundërtash në majë të gjuhës: ti je grua dhe shërbëtore, unë jam burrë dhe sundimtar; ti je grua e çmendur, kurse unë burrë i arsyeshëm; njëri nga vëllezërit e tu, Eteokli, ishte një aleat i drejtë dhe legjitim; tjetri, Poliniku, ishte i pafe, tradhtar dhe armik. Ai shtron gjithnjë të njëjtën pyetje – përpara rojeve, motrës së Antigonës, Ismenës, madje edhe djalit të tij: Me kë jeni? Ai është njeriu i pauzës, ndarjes dhe antinomive. Dialogu i tij me Antigonën shënohet nga gjykime dhe kundërshti të përsëritura. Armiku është i kundërti i mikut. Kreoni ka maninë e përkufizimeve. Për të, gjuha nuk përdoret për të klithur, qarë apo kënduar, por për të vendosur rregull, klasifikuar dhe ndarë. Të sundosh është të flasësh dhe të flasësh është të ndash.

Kësaj Antigona i përgjigjet: A vlejnë këto etiketa për të vdekurit?!

Antigona është grua dhe e virgjër. Ajo përfaqëson vazhdimësinë e familjes. Vetëm një fije i mban të lidhura qeniet e pakundërshtueshme në një natë të vetme: nata e vdekjes, gjakut dhe dashurisë. Antigona është pasioni i barasvlerave: vëllai është vëlla. Si rojtare e përçimit, ajo kryen ritualet, varros ashtu si të tjerat lindin. Pasion shkrirjesh. Ajo thërret, me të njëjtin pasion me të cilin është gatuar për të dashur dhe vdekur. Çdo fjalë e saj është njëkohësisht zhurmë. Ajo mban brenda vetes dhe mbron ligjet e përjetshme dhe përfundimtare, të pavjetërueshme dhe të stërlashta.  Jo rendin publik, as jurisprudencën dhe dallimet e saj të holla, por fenë e familjes të strukturuar në ndalime të stërlashta, tabu të patjetërsueshme dhe detyra të shenjta.

Në këtë nivel fillestar, duhet ta përsëritim: Antigona bindet. Ajo i kundërvë Kreonit jo etjen për të provokuar, as emocionin e transgresionit të paturp, por nënshtrimin dhe respektin për vazhdimësinë dhe ligjet e natës. Tekembramja, ah sikur veprimi i saj të ishte thjesht proçka e një të reje të paturp, që vë në lojë autoritetin e të ungjit… Është tjetërçka: ajo shpalos detyrën, devocionin dhe shenjtërinë e saj.

Hölderlin-i e sheh veprën e Sofokliut nën një dritë të re. Për të, ‘tragjikja’ nuk formohet nga ndeshja e legjitimiteteve, por nga çka ai e quan ‘kthimi i shpinës nga zotat’. Kjo është tragjedia e ‘ateizmit’, sipas domethënies së veçantë që i jep Hölderlin-i kësaj fjale: ateist nuk është ai që mohon zotin apo që nuk beson më. Ateist është ai tek i cili zoti nuk beson më, që gjendet i privuar nga prania dhe mbështetja e tij. A-theos: e gjejnë veten pa zot. Kjo është gjendja tragjike e Antigonës: duke rrezikuar jetën dhe frymën, ajo sigurohet që i vëllai të marrë ritualet e duhura, urdhëresat e shenjta. Po kush e di nëse zotat janë mirënjohës për këtë, kush e di nëse ata nuk i kanë kthyer shpinën kësaj familjeje të mallkuar, duke i bërë apelet e saj hiç më shumë se të qara sterile dhe ritualet e saj gjeste te padobishme? Antigona dridhet bashkë me siguritë e saj. Ajo futet me dyshime në zgavrën e gurtë ku do të vdesë. Tragjedi është fakti se për t’iu kundërvënë një qielli të zbrazët ajo mbart vetëm bindjen e saj të brishtë (Ç’më duhet ta hedh shikimin drejt zotave?!) – jo zbrazëtinë e mungesës dhe joqenies, por zbrazëtinë e lënë nga ata që janë larguar. Prandaj mosbindja e saj është shprehje dëshpërimi, një provokim që nuk gjen përgjigje.

Në fund, në seminarin “Etika e psikanalizës”, Lacan-i i jep një tjetër kuptim tragjedisë, çka e vendos Antigonën në tjetër dritë. Këtu ajo është heroina e një dëshire thellësisht njerëzore, njëkohësisht dëshirë për të vdekur dhe dëshirë për një objekt të pamundur, një objekt që bymehet, që i shkakton subjektit të dëshirës një dalldi dërrmuese kënaqësie. Mund të dashurosh  vërtet vetëm duke vdekur nga dashuria.

Ja pra që kemi një spektër domethëniesh të tragjedisë, pa përmendur dykuptimësinë e asaj se çfarë përmbajtjeje u duhet dhënë ‘ligjeve të pashkruara’. Kujt i referohet saktësisht Antigona kur vë në pikëpyetje ndalimin e të ungjit? Ligjeve të gjakut, hyjnive të ‘nëntokës’. Arsyes së shtetit ajo i kundërvë epërsinë përfundimtare të ndalimeve familjare dhe urdhëresave fetare. Te “Voyage de Sparte”, Maurice Barrès-i i jep asaj rolin e heroinës: “Nuk mund ta ndaj veten nga Antigona kur ajo zhduket, natën, në rrafshinën e të vdekurve.” Për Charles Maurras-in[2], Antigona është ‘nëna e virgjër e rendit’, kurse Kreoni anarkist, politikani i papërgjegjshëm që mendon se mund të përmbysë ligjet e shenjta të gjakut dhe të përthyejë traditat stërgjyshore në emër të paarsyeshmërisë së pushtetit të tij tiranik. Sërish Barrès-i: “Të vdekurit tanë bartin fushëbetejat e historisë.” – “Antigone au théâtre de Dionysos”. Tekefundit Antigona po mbron detyrat e shenjta përpara atdheut kundër ligjeve politike të shtetit; mbron vazhdimësitë e shenjta, lidhjet e thurura nga vdekja dhe gjaku, bindjet kundër lojërave pushtetore imanente, cinike dhe rrethanore. Bashkësia kundër shtetit.

Tradita tjetër është ajo e Antigonës së ideve revolucionare. Këtu koncepti i ‘ligjeve të pashkruara’ nënkupton të drejtat themelore të njerëzimit, parimet e drejtësisë universale. Për ta provuar këtë, i referohemi thirrjes së Antigonës në përballjen me Kreonin: “Nuk është në natyrën time t’i bashkohem urrejtjes, por dashurisë”, pikërisht në çastin kur Kreoni heq vijën ndarëse midis dy vëllezërve, duke nënkuptuar se ka një armik dhe një aleat, diçka të pastër dhe të papastër dhe se duhet vendosur për të urryer njërin dhe nderuar tjetrin. Antigona i përgjigjet se vëllai është vëlla: ligji i mikpritjes universale dhe dashurisë së pakusht.

Kreoni

Mirpo njëri erdhi që të prish’ atdheun,

kurse ay tjetri re duke e mbrojtur.

Antigona

Porse ligj’i Hadit është një për të gjithë.

Kreoni

Njerëzit e mirë s’duhet t’jenë një

E ata të liqtë.

Antigona

Po kush mund të dijë, në këto mendime

Aprovohen edhe nga ata të Hadit?

Kreoni

Kurrë një anmik edhe si të vdesë

Nuk mund ta bëj mik.

Antigona

S’linda për urrejtje,

po për dashuri.

Kreoni

Në duhet të duash, kur të zbreç te Hadi,

Duaj të atyshmit; gjersa unë rroj,

grua s’do sundojë.[3]

Mbase kjo ‘familje’, pandashmërinë e të cilës mbron Antigona e re, nuk është ajo e pasardhësve të Labdakut në veçantinë e tyre të mallkuar. Vëllai është vëlla – domethënë njerëzimi si i tërë. Refuzimi për të bërë dallime që çojnë ngaherë në të njëjtin përfundim: të tregosh me gisht armikun, përbindëshin dhe të jashtmin për t’u dënuar publikisht; të nxisësh urrejtjen si bazë për pushtet. Antigona u kundërvihet këtyre përllogaritjeve politike përmes ligjit të paarsyeshëm dhe të drejtë të dashurisë. Njerëzimi është një familje e paanë dhe nuk mund të bëhen ndarje midis të huajve të mirë dhe të këqij, migrantëve të mirë dhe të këqij, të varfërve të mirë dhe të këqij, dështakëve të mirë dhe të këqij: ne kemi detyrime përpara këtyre të gjithëve.

Po ka diçka që mbetet përtej alternativës midis Antigonës konservatore, madje fanatike, dhe asaj të pushtuar nga dashuria për familjen njerëzore. Këtu vetëm sa kam ndarë dy regjistrat e besnikërisë: bindjet fetare ose idetë revolucionare. Do të ishte përfundim tejet i nxituar sikur të besonim se çështja e vërtetë qëndron në atë se çfarë urdhri madhor i bindet Antigona kur nuk i bindet Kreonit. Muzë e revolucionit apo tradicionaliste fanatike?

Ajo është bija e Edipit dhe, si e tillë, saktësisht dhe çmendurisht motra e të atit, vajza e të vëllait. Vepra na paraqet gjithfarëlloj temash subversive: thurjen e jetës dhe vdekjes, ditës dhe natës, gruas dhe burrit. Antigona – e dënuar për t’u varrosur për së gjalli pse deshi të mbulonte me dhe trupin e vdekur që ishte lënë në dritën e diellit; Antigona – virgjëresha e re që i drejtohet të ungjit me çiltërsinë dhe kurajën e një burri etj. Antigonë subversivja: revoltat dhe refuzimet e saj lëkundin edhe vetë idenë e rendit. Trazimi i gjinisë që përfaqëson ajo riluhet në një mosbindje që vë mbramësisht në pikëpyetje hierarkitë dhe vlerat.

Në mosbindjen e saj, Antigona nuk pohon një rend kundër një tjetri: ajo sfidon vetë mundësinë e rendit. Përkundruall burrave, Antigona mbart vlerat e natës dhe mbron fatin e grave, duke u treguar më burrërore se ata. Kjo virgjëreshë e brishtë i qëndron mashkullit të qytetit; kjo krijesë shtëpiake nuk druhet të ngrejë zërin publikisht. Antigona na bën ta ndjejmë këtë rrezik të mosbindjes; diç egërshane dhe e pakontrollueshme po shpaloset këtu.

Të mos bindesh nuk do të thotë thjesht t’i drejtohesh një legjitimiteti më të lartë, çka nënkupton se u duhet bindur ligjeve të tjera, por të sfidosh vetë parimin e legjitimitetit. Mosbindja mund të përmbajë një copë transgresioni të kulluar – ja madhështia e Antigonës.

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga libri i autorit “Disobey! The Philosophy of Resistance”, Verso 2020.

Imazhi: Your Observer


[1] Marrë nga përkthimi i S. Papahristos, Rilindja, Prishtinë (1964), f. 32-33.

[2] Barrès-i dhe Maurras-i kanë qenë figura të rëndësishme të ekstremit të djathtë në Francë. – Shën. përkth.

[3] Marrë nga përkthimi i S. Papahristos, Rilindja, Prishtinë (1964), f. 36-37.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.