Realiteti i një studenti “relativisht” të varfër dhe ekstremisht të shtypur

/Irdi Ismaili/

Prej vitesh tashmë jetoj në Tiranë, qindra kilometra larg familjes, nga njëra anë duke tentuar të përmbush ëndrrat e familjes dhe nga ana tjetër duke dhënë kontributin tim modest për përmbysjen e rendit shtypës me të cilin si student e punëtor përballem çdo ditë. I nisa studimet në moshën 20-vjeçare për shkak të politikave idiote të jashtme që ka ndjekur shteti shqiptar, pasi nuk më njohën gjimnazin e kryer në Greqi.

E braktisa universitetin e parë kur u përballa me prof. Thanasin dhe sojin e tij. Mendova se do të gjeja shpëtim nëse do të kisha një ekonomi të fortë personale dhe nisa të punoj në call center. Aty bëra lekët e parë, por ato nuk mjaftonin për një jetë normale në qytet, pasi pronari nëse nuk të shtyp, të keqpaguan.

Për të mos zhgënjyer prindërit, në moshën 25-vjeçare i hyra përsëri rrugës së arsimimit, kësaj radhe atë të shkencave sociale. Aty zura të shpresoj se gjërat mund të rregullohen kur takova shokët e idealit. Mësova rreth Weber-it dhe m’u duk mizor, aty mësova rreth humanizmit dhe u ndjeva mirë, aty u njoha me Marksin dhe kuptova se shpresa nuk ishte më abstrakte, por u kthye në punë të përditshme për ndryshimin e gjendjes së përgjithshme.

Aty debatova me pedagogë të cilët sot më përshëndesin e më ftojnë në kafe, debatova edhe me pedagogë që më quajtën problematik se mendimi im nuk u pëlqente, por edhe me ata që më premtuan se do të më nxinin jetën. Këta të fundit veç sa më shtuan revoltën dhe dëshirën për të ndryshuar rrënjësisht sistemin arsimor në vend.

Më vonë mësova rreth sindikatave dhe sa lavdëroheshin ato kur kishin marrëdhënie të mira me shtetin. Me shokët e idealit mësova të tjera gjëra, se sindikata nuk bën të jetë e pronarit dhe shtetit, por e punëtorit. Unë jam punëtor, unë jam sindikata, je ti, janë të gjithë ata të shtypur që revoltohen dhe nuk pranojnë kompromis për punën e tyre.

Profesorët zvarranikë, duke dashur të më nënshtrojnë, më mësuan të kultivoj respektin dhe revoltën dhe për këtë i falënderoj pa masë. Por sot, pas tre vitesh, unë diplomohem dhe kur kthej kokën pas, shoh pak profesorë e shumë zvarranikë që nuk ndalojnë së ndrydhuri mendimin kritik dhe shpirtin e revoltës te studentët. Kjo më shkakton një farë dëshpërimi, por nga ana tjetër kam shpresë te shokët që po lë pas.

Tek ata shokë me të cilët jemi zgjuar që në 6 të mëngjesit për të zaptuar oborrin e fakultetit e për t’ia kthyer atë studentëve. Te shokët me të cilët kemi shpërndarë me mijëra fletushka në fakultete dhe që më parë nuk e dija se ekzistonin. Ata me të cilët në protestat e dhjetorit 2018 një byrek 30-lekësh e ndanim në gjashtë pjesë. Shokët që kruanin xhepat dhe 20-lekëshit e fundit i grumbullonin për bateri megafoni. Shokë me të cilët kemi ndenjur kurriz më kurriz duke ruajtur njëri-tjetrin nga sulmet e halabakëve të PD-së, me të cilët kemi kaluar orë të tëra para komisariatit dhe brenda qelive. Ata të cilët nuk linin askënd vetëm kur Samir Mane vuri gjithë fuqinë e vet ekonomike e politike kundër nesh. Shokë me të cilët në temperaturat -10 gradë ishin në grevë me minatorët e Bulqizës, që prisnin gratë e fasonerive jashtë portave e nën zheg për t’iu folur rreth organizimit.

Sot unë jam diplomuar dhe dal nga bankat e universitetit, i trishtuar për degradimin e sistemit tonë arsimor dhe katastrofën sociale jashtë tij, por jam i lumtur ngaqë e di se shokët e mi do ta vazhdojnë luftën në universitet dhe në shoqëri. Se ata janë barrikadë e pakapërcyeshme.

Imazhi: Aleksandra Ekster

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.