Ndryshimet klimatike kërkojnë ndërhyrje radikale

/Andreas Malm/

Intervistë dhënë Dominic Mealy-t

Pavarësisht paraleleve të dukshme me mbylljen nga koronavirusi, shtetet ende tregojnë pak vendosmëri për të zbatuar masat që kemi nevojë për t’u përballur me emergjencën klimatike. Për Andreas Malm-in, ne duhet të ndalojmë së pari ndryshimin e klimës si një problem i së ardhmes – dhe të përdorim fuqinë e shtetit tani për të imponuar rirregullimin e ekonomive tona.

Në ditët e  fundit të vitit 2019 – vit i shënuar nga një rekord i rritjes së temperaturave, zjarreve në natyrë dhe stuhive tropikale – Kina raportoi në Organizatën Botërore të Shëndetësisë se kishte shpërthyer një virus i ri në qytetin e Vuhanit. Fillimisht i hedhur poshtë nga shumë vëzhgues perëndimorë si një ngjarje fatkeqe në një tokë të largët, COVID-19 u shndërrua shpejt në një shpërthim pandemik, duke shkaktuar vdekjen e qindra mijëra njerëzve, intensifikuar me shpejtësi pabarazitë e klasave dhe racave dhe u drejtuar kah recesionit më të madh botëror që nga Depresioni i Madh. 

Në harkun e disa javëve, njohuritë ekonomike të marra rreth ndërhyrjes së shtetit u kthyen kokëposhtë, siç ndodhi edhe me jetët në përditshmëri të miliarda punëtorëve të mbarë botës. Fabrikat dhe shkollat janë mbyllur, kufijtë po ashtu dhe popullsi të tëra janë kufizuar brenda shtëpive nga frika e gjobave të rënda dhe burgosjes. Në anën tjetër, udhëheqësit e rëndomtë teknokratë e kanë rimodeluar veten si komandantë lufte duke hapur beteja me pushtuesin e padukshëm. 

Diskursi mbizotërues mediatik rreth pandemisë është sjellë rreth modelimit të saj si tronditje nga jashtë ndaj rrjedhës së zakonshme të punëve, origjina e të cilës shtrihet ose në procese natyrore të palidhura nga ndikimet njerëzore, ose prej dështimeve të një shteti apo kulture specifike – duke pasur parasysh Kinën në përgjithësi. Janë bërë thirrje për të ndëshkuar kriminelin ende të panjohur, teoritë konspirative po gëlojnë dhe e majta radikale ndërkombëtare – thuajse kudo e mbetur pa fuqi aktuale – është reduktuar duke përgëzuar mbylljet drakonike dhe ëndërruar në mënyrë të paefektshme një botë më të mirë të së ardhmes.

Në të njëjtën kohë, kriza aktuale klimatike është fshirë gjerësisht nga narrativa e përgjithshme. Mediat sociale janë mbytur me imazhe të qiellit të pastër karshi qyteteve që normalisht janë të eklipsuar nga smogu, delfinët që kërcejnë në rrugët ujore dhe kafshë të egra që enden duke kërkuar ushqim në qytete të shkretuara. Shumë vëzhgues me qasje mjedisore kanë shfaqur shpresë për një shërim të gjelbër nga kriza – por gjithashtu kanë heshtur gjerësisht rreth kufizimeve strukturore që pengojnë rrugën e saj.

Për të kuptuar pandeminë, origjinën dhe pasojat e saj mbi lëvizjen për drejtësi klimatike, Domenic Mealy i revistës Jacobin bisedoi me Andreas Malm-in, studiuesin e mirënjohur të ekologjisë humane. Autor i shumë librave dhe eseve rreth ekonomisë politike të ndryshimit të klimës, antifashizmit, betejave në Lindjen e Mesme, punimet e Malm-it përfshijnë The Progress of This Storm dhe librin fitues të Çmimit Deutscher Fossil Capital. Ai është gjithashtu autor i një libri që pritet të dalë rreth COVID-19, i  titulluar Corona, Climate, Chronic Emergency: War Communism in the Twenty-First Century, që do të botohet nga Verso Books.

***

D.M.: A mund të filloni duke shpjeguar lidhjen midis pandemisë aktuale të COVID-19 dhe ndryshimit global të klimës?

A.M.: Mjaft herët gjatë pandemisë, komentuesit filluan të krahasonin krizën e COVID-19 dhe krizën klimatike. Megjithatë, unë mendoj se këto krahasime të drejtpërdrejta janë me të meta, në kuptimin që pandemia aktuale përbën një ngjarje specifike, ndërsa ngrohja globale një prirje shekullare. Sidoqoftë, ne e humbasim thelbin e shpërthimit të COVID-19 nëse dështojmë ta njohim për çka është, pra konkretisht një manifestim ekstrem – por i pritur prej kohësh – i një prirjeje tjetër shekallore: rritja e shkallës së sëmundjeve infektive që kërcejnë nga bota e egër e kafshëve në atë njerëzore. Kjo prirje ka ardhur duke u rritur në dekadat e fundit dhe parashikohet të përshpejtohet në të ardhmen.

Forca më e rëndësishme shtytëse në prodhimin e pandemive është e qartë në literaturën shkencore: shpyllëzimi – i cili është gjithashtu kontribuesi i dytë më i madh në ndryshimin global të klimës. Vendi në të cilën gjendet larmia më e madhe biologjike në Tokë janë pyjet tropikalë dhe kjo larmi përfshin edhe patogjenët. Këta patogjenë, të cilët qarkullojnë mes kafshëve në habitate të egra, përgjithësisht nuk përbëjnë problem për njerëzimin për sa kohë njerëzit qëndrojnë larg prej tyre. Megjithatë, problemi shfaqet kur ekonomia njerëzore depërton thellë e më thellë në këto habitate. Shpyllëzimet për lëndë drusore, bujqësi, miniera dhe ndërtimin e rrugëve krijojnë zona të reja kontakti midis njerëzve dhe botës së egër. Përmes këtyre zonave të kontaktit, patogjenët e kafshëve mund të pësojnë mutacione dhe të kërcejnë në popullatat njerëzore përmes një procesi që quhet zgjerimi zoonotik (zoonotic spillover). 

Ngrohja globale në vetvete e përshpejton këtë prirje. Me rritjen e temperaturave, disa kafshë janë të detyruara të migrojnë në kërkim të klimave të përputhshme me ato me të cilat kafshë të tilla janë përshtatur. Një kaos i përgjithshëm bën që popullatat e kafshëve – përfshirë këtu në mënyrë domethënëse lakuriqët e natës – të vihen në kontakt gjithnjë e më shumë me popullatat njerëzore, duke rritur në këtë mënyrë shkallën e tejçimit. Ndonëse ka deri në 1200 lloje të ndryshme lakuriqësh nate, të gjithë ndajnë të njëjtin tipar të përbashkët, që i bën të veçantë mes gjitarëve, në atë që është aftësia e tyre për të fluturuar. Kjo karakteristikë e përbashkët jo vetëm që i bën shumë të lëvizshëm dhe në këtë mënyrë të prekshëm nga migracioni i shkaktuar nga ndryshimi i klimës, por gjithashtu kërkon sasi të jashtëzakonshme energjie, duke i shtyrë normat metabolike në një pikë ku temperaturat trupore mbërrijnë  40°C për shumë orë, nivel ky që do të përjetohej si ethe nga shumica e gjitarëve. Ky proces është postuluar si arsyeja parësore se përse lakuriqët janë bartësit kryesorë të patogjenëve, siç janë edhe koronaviruset. Viruset që bujtin në këto kafshë duhet të përshtaten me temperaturat e tyre trupore të nivelit të etheve. Ndonëse këta patogjenë nuk e dëmtojnë sistemin imunitar të lakuriqëve bujtës, ata mund të mposhtin sistemin imunitar të kafshëve të tjera, nëse arrijnë të kalojnë në to. Në të gjithë botën lakuriqët po zhvendosen prej shpyllëzimeve duke u shtyrë në gjerësi gjeografike më të mëdha nga rritja e temperaturave, dhe Kina nuk përbën përjashtim. Popullatat e lakuriqëve janë shtyrë gjithnjë e më shumë drejt veriut dhe qendrës së Kinës dhe në afërsi të ngushtë me njerëzit që jetojnë në popullata të dendura, duke krijuar kështu gjithnjë e më shumë zona të reja kontakti në të cilat mund të ndodhë zgjerimi zoonotik.    

Këto janë vetëm disa nga lidhjet shkakësore midis krizës së COVID-19 dhe krizës klimatike. Ndonëse duhen dalluar nga njëra-tjetra, dy prirjet e ngrohjes globale dhe sëmundshmërisë janë të gërshetuara nga një larmi faktorësh shkakësorë të ndryshëm dhe, si të tillë, përbëjnë dy dimensione të një katastrofe ekologjike më të gjerë që po shpaloset.

D.M.: Megjithatë përgjigjja ndaj këtyre dy krizave nuk mund të jetë shumë e ndryshme. Ndonëse ndryshimi i klimës është përballur gjerësisht me mosveprim apo gjysmëmasa joefektive, shpërthimi i COVID-19 ka sjellë një nivel ndërhyrjesh ekonomike të paparë në përmasa të tilla qysh prej Luftës së Dytë Botërore. Si e shpjegoni këtë dallim?

A.M.: Gjatë marsit të këtij viti shumë prej nesh në lëvizjen për drejtësi klimatike u habitëm disi kur pamë se qeveritë në Evropë dhe gjetkë u përgatitën fort për të mbyllur mbarë ekonominë në përpjekje për të kontrolluar pandeminë. Kjo është mbresëlënëse, nisur prej faktit se të njëjtat shtete kurrë nuk i kanë sjellë ndër mend ndërhyrje të tilla në ekonomi për hir të krizës klimatike. Arsyeja parësore e kësaj lidhet me kohështrirjen e ndryshme të viktimshmërisë së shfaqur nga këto dy kriza.

Tashmë, në përgjithësi, pandemia ka nxjerrë në pah ngjashmërinë me ngrohjen globale, në kuptimin e thjeshtë se ata që kanë vuajtur më tepër dhe ata që kanë më tepër gjasë të vdesin janë klasa punëtore – më në veçanti klasa punëtore me ngjyrë dhe ata në pika të nxehta në Jugun Global. Të pasurit, ndërkohë, kanë qenë në gjendje të vetizolohen me lehtësi, duke u arratisur në shtëpitë e dyta në fshat, dhe të marrin kujdes shëndetësor privat.

Megjithatë, ka një ndryshim të madh: anomalia që COVID-19 i goditi të pasurit në një fazë të hershme, kur u sëmurën kapitalistë, njerëz të famshëm dhe udhëheqës politikë, njerëz që përndryshe nuk janë të prekur nga kriza klimatike në këtë fazë. Ndryshe nga ndikimi i ngrohjes globale, transmetimi i koronavirusëve ndjek linjat e fluturimeve dhe, për t’i rënë shkurt, njerëzit e pasur fluturojnë më tepër se të varfrit. Ndonëse pandemia u përhap në rrugë të tjera pas mbërritjes në vende të ndryshme, aviacioni siguroi pikën e parë të hyrjes, çka shpjegon edhe paradoksin se përse të pasurit ishin ndër të parët që patën kontakt me virusin. Në Brazil, për shembull, ishte pjesa e pasur e shoqërisë që solli virusin, ndërsa tani po vdesin masivisht njerëzit e klasës punëtore. Nuk ka ndodhur kështu me fatkeqësitë e ndryshimit të klimës, dhe është një ndër faktorët kyçë që shpjegon reagimin jashtëzakonisht të ndryshëm nga ana e qeverive.

Si rregull, nga këndvështrimi i Veriut Global, fatkeqësitë ndodhin në Haiti, Somali ose në ndonjë vend tjetër të largët e të varfër, ku njerëzit gjithnjë duket se jetojnë në mjerim të skajshëm. Ata kanë tërmetet e tyre, Ebolën dhe HIV-in e tyre, dhe ky është bërë thjesht sfondi i zhurmshëm i jetës moderne. Pandemia, ndërkohë, i goditi vendet e pasura në mënyrë shumë të papritur dhe në një fazë të hershme, në këtë mënyrë përbëri një kërcënim të integritetit fizik të njerëzve të zakonshëm prej të cilëve pritet të shtyjnë përpara prodhimin dhe konsumin në zemër të kapitalizmit global. Prandaj shteti ndërhyri. Ky veprim ishte natyrisht edhe një çështje e mbijetesës politike për këto qeveri. Kjo shpjegon, për shembull, një kthesë të shpejtë 180° në politikën e qeverisë konservatore në Mbretërinë e Bashkuar. Pasi në fillim përkrahën strategjinë e “imunizimit të tufës”, ata ndërruan pozicion drejt mbështetjes së mbylljes dhe masave ndërhyrëse, prejse e kuptuan se nëse do të linin të vdisnin në mënyrë mizore deri në qindra mijëra njerëz, do të paguanin një çmim politik në kutitë e votimit.

D.M.: Me sa duket e Majta është kapur në befasi nga përmasat e ndërhyrjes së shtetit për t’u përballur me pandeminë. Politika që vetëm pak muaj më parë do të përqesheshin si të pamundura nga shumica e komentatorëve të zakonshëm tani merren për të mirëqena. A është kjo kambana e vdekjes së kapitalizmit neoliberal? A mundet që kjo të jetë vërtet një mundësi për të Majtën për të rritur mbështetjen për lëvizjet dhe idetë e saj?

A.M.: Mendoj se, në përgjithësi, qeveritë po ndjekin këto politika me pritshmërinë se kriza do të përfundojë shpejt dhe do të kthehemi te mënyrat e zakonshme. Deri më tani unë nuk shoh që ndonjë prej nismave në përballje me COVID-19 të shkojë përtej mbajtjes gjallë të sistemit. Megjithatë, kjo është një mundësi në kuptimin se ka sjellë një ndërprerje të përkohshme të shumë prej veprimtarive më të dëmshme mjedisore: aviacioni masiv është pezulluar, shkarkimet e karbonit janë ulur, karburantet fosile kanë mbetur nëntokë e kështu me radhë. Ky është çasti kur ne mund t’u drejtohemi qeverive: “Nëse ishit në gjendje të ndërhynit për të na mbrojtur nga virusi, mund të ndërhyni për të na mbrojtur edhe nga kriza klimatike, pasojat e së cilës janë shumë më të këqija.” Kësisoj, rrethanat aktuale na sigurojnë mundësinë për të kundërshtuar kthimin te mënyrat e zakonshme, për të nxitur transformimin e ekonomisë globale dhe nisjen e diçkaje si Green New Deal-i.

Përtej të gjithave, ne duhet të jemi të sinqertë për situatën në të cilën ndodhemi. COVID-19 ka sjellë shuarjen e papritur të lëvizjes për drejtësi klimatike, në kuptimin e asaj që ishte ngritur deri në fund të vitit të shkuar. Që në fillim të vitit COVID-19 ka paralizuar tërësisht të gjitha zhvillimet premtuese në lëvizjen mjedisore – Fridays for Future, Extinction Rebellion, Ende Gelände e me radhë – kjo është një situatë e fatkeqësisë së rëndë. Përpara kësaj, kishte një moment në rritje drejt ndërprerjes agresive të mënyrave të zakonshme dhe ndonëse ka pasur përpjekje për t’i zhvendosur këto veprime online, në asnjë mënyrë nuk mund të ushtrohet i njëjti presion përmes mjeteve digjitale. Nuk mund të zëvendësohen aksioni në terren dhe organizimet masive duke nënshkruar në Instagram. Në këndvështrimin tim, digjitalizimi i politikës ka qenë i dëmshëm për të majtën radikale dhe në favor të së djathtës ekstreme, prandaj digjitalizmi i mëtejshëm nuk ka për të sjellë asgjë të mirë për ne.

Duhet të jemi gjithashtu realistë për balancën e forcave. Në pjesën më të madhe të botës, prirja e përgjithshme politike ka qenë kah rritjes së të djathtës ekstreme. Në shumë vende, veçanërisht në BE, ato janë mënjanuar përkohësisht,ku votuesit janë rreshtuar me qeveritë në detyrë. Tani po afron momenti interesant, prejse kufizimet e mbylljes po lehtësohen. Shkrirja e politikës do të ndodhë, ku shumë prej forcave që ishin në lëvizje përpara COVID-19 do të marrin jetë ndërsa po ndodh kombinimi i krizës së shëndetit publik me krizën ekonomike. Atëherë pyetja që shtrohet është se cilat forca do të jenë të pozicionuara më mirë për të përfituar nga situata e papunësisë masive dhe çrregullimeve sociale. Ndoshta unë jam tejpesimist, po më duket se do të jetë e djathta ekstreme, thjesht prej faktit se ishte në një pozitë shumë më të fortë përpara shpërthimit të COVID-19 dhe gjithashtu sepse pandemia ka përforcuar disa paradigma politike nativiste, si për shembull mbyllja e kufijve, vendosja e kombit në krye dhe dyshimi ndaj të huajve.

Kjo paraqet një problem serioz për lëvizjen mjedisore sepse forcat e së djathtës ekstreme – veçanërisht në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe Brazil – kanë dalë hapur si mbështetëset më të fuqishme dhe të zëshme të kapitalit fosil. Ato e mohojnë shkencën e klimës dhe nxitin përshpejtimin e shpyllëzimeve masive dhe nxjerrjes së hidrokarbureve fosile. Prandaj është e qartë, për shembull, se nëse kërkon të mbyllësh një minierë qymyri në Gjermani, do të duhet të përballesh në një disfatë politike të madhe përpara të djathtës ekstreme “Alternativa për Gjermaninë”; nëse kërkon të parandalosh zvogëlimin e pyjeve të shiut të Amazonës, atëherë duhet të përballesh me lëvizjen politike rreth Bolsonaro-s. Pra nuk mund të ketë zbutje të problemeve klimatike pa një disfatë masive të së djathtës ekstreme në vendet e përparuara kapitaliste, si dhe në shumë vende në zhvillim.

Një strategji e suksesshme për të adresuar krizën e klimës duhet të gjejë mënyrën e ndërthurjes së drejtësisë mjedisore, betejave të klasës punëtore dhe kundërshtimit të së djathtës ekstreme. Rrugëdalja prej krizës ekonomike dhe shëndetësore që po shpaloset do të jetë ndërtimi i një lëvizje të aftë për të arritur një kërcim larg karburanteve fosile: jo një lloj kejnesianizmi i gjelbër, jo pak investime të reja të rinovueshme të varura nga ekonomia e karburanteve fosile, por shkatërrimi i vetë kapitalit fosil, përfshi edhe mbylljen e menjëhershme të minierave të qymyrit dhe ndërprerjen e aviacionit masiv. Kjo mund të realizohet vetëm përmes investimeve të mëdha publike dhe rritjes së kontrollit të shtetit mbi shtresa të gjera të ekonomisë. Çdo krizë është një mundësi për të majtën, por ne e kemi treguar se ia kemi dalë të shpërdorojmë mundësi të tilla në të shkuarën.

D.M.: A mund t’u jepni lexuesve tanë një ide rreth përmasave të ndërhyrjes që kërkohet për të arritur kalimin në zhvillimin e gjelbër të qëndrueshëm?

A.M.:Niveli i ndërhyrjeve që kërkohet është si i butë edhe i fortë në krahasim me atë që është zbatuar për të luftuar pandeminë. Askush nuk kërkon mbyllje për të adresuar ndryshimin e klimës, askush nuk bën thirrje për arrest shtëpiak të mbarë popullsisë apo për ndaljen e ekonomisë. Në anën tjetër, ajo që kërkohet është një transformim themelor i sistemit energjetik dhe të prodhimit në mënyrë të qëndrueshme në afatgjatë, jo thjesht një boshllëk i përkohshëm i status quo-së. Që të stabilizohet ngritja e temperaturave globale në 1.5°C, shkarkimet duhet të ulen me 8% derisa të arrihet një zero neto. Ky lloj ndryshimi është tërësisht i pamundur për t’u realizuar thjesht duke riparuar mekanizmat e tregut apo vendosjen e disa taksave të karbonit; përkundrazi, do të kërkojë një zgjerim masiv të zotërimit shtetëror dhe një planifikim tërësor të ekonomisë.

D.M.: Si do t’i përgjigjeshit kundërshtisë së zakonshme ndaj këtyre argumenteve, meqenëse shumë kompani shërbimesh zotërohen tashmë nga shteti, e megjithatë ato vijojnë të jenë burimi kryesor i shkarkimeve?

A.M.: Zotërimi publik nuk është në vetvete një ilaç për të gjitha sëmundjet, por e bën detyrën e shkarbonizimit më të lehtë. Përparësia e pasjes së shërbimeve nën zotërimin e shtetit është se i lejon qeveritë për t’i riorganizuar ato shumë shpejt. Kësisoj nuk të duhet që më parë t’i shpronësosh apo t’i shtrëngosh kompanitë private të rishikojnë praktikat e tyre aktuale dhe të lënë të paprekur në tokë karburantet fosile.

D.M.: Ju jeni ndër kritikët e nocionit të Antropocenit dhe në vend të tij keni shpikur termin “Kapitalocen” për të përshkruar epokën aktuale gjeologjike. Shpërthimi i COVID-19 duket se ka ringjallur nocionin e ndarjes kolektive të përgjegjësisë për krizën, ndoshta e shprehur më mirë në parullën “Korona është kura, njerëzit janë sëmundja.” Si do t’i përgjigjeshit këtij zhvillimi?

A.M.: Ky argument, që vetë njerëzimi është problemi, është si një fantazmë që ndjek diskursin mjedisor. E gjen në dokumentarin e fundit të Michael Moore-it Planeti i Njerëzve, e gjen në retorikën e ekstremit të djathtë, e gjen në diskursin mjedisor liberal – është i dëmshëm, thellësisht i gabuar dhe politikisht i rrezikshëm. Pandemia e COVID-19 e bën edhe më të besueshëm nga sa ishte më parë. Nuk është njerëzimi në përgjithësi që mban përgjegjësinë për shpyllëzimet, ngrohjen globale, tregtinë e kafshëve të egra, të cilat përbëjnë nxitësit parësorë të zgjerimit zoonotik; përkundrazi është kapitali.

Politikat e përdorura për t’u përballur me pandeminë kanë kërkuar vetëm të adresojnë simptomat, pra vetë virusin, ndërsa rrënjët shkakësore janë lënë tërësisht jashtë vëmendjes dhe të paadresuara. Përgjegjësia e frenimit të përhapjes së sëmundjes ngjitëse është vendosur mbi njerëzit e zakonshëm, të cilët janë ata që në mënyrë rutinë ndëshkohen nëse nuk janë në gjendje të vetizolohen. Nuk mund të përballesh me faktorët shtytës të kësaj pandemie duke u bërë thirrje qytetarëve individualë të ndryshojnë mënyrat e tyre të jetesës, njësoj siç nuk mund të adresohet ndryshimi i klimës duke ndërruar modelin e konsumit të dikujt.

Merrni, për shembull, vajin e palmës, kultivimi i të cilit përbën një prej shkaqeve kryesore të shpyllëzimeve në tropik, jo më pak në Azinë Juglindore, ku një numër i madh lakuriqësh nate dhe kafshësh të egra po vuajnë nga zgjerimi i plantacioneve. Nëse, këtu në Suedi, unë dua të ha një copë kek, është pothuajse e pamundur të gjej një që nuk përmban vaj palme dhe si konsumator nuk kam ç’bëj – barra bie mbi prodhuesin. Për më tepër, pjesa më e madhe e vajit të palmës nuk shkon për produkte që konsumatorët e zakonshëm blejnë, por përdoret në procese industriale që në mënyrë hipotetike askush nuk mund t’i ndryshojë prej zëvendësimit të konsumit.

D.M.: A duhet që fuqia e shtetit të përdoret për të kufizuar disa forma të konsumit të dëmshëm mjedisor apo duhet të përdoret vetëm për të ndryshuar prodhimin?  

A.M.: Padyshim fuqia e shtetit duhet të përdoret për të parandaluar shkarkimet e luksit që vijnë nga të pasurit – avionët privatë duhet të ndalohen menjëherë, si edhe makinat sportive (SUV) dhe mjetet e tjera që konsumojnë sasi të mëdha e të paarsyeshme karburantesh. Ky është një synim fare i vogël i lëvizjes për drejtësi klimatike, prejse këto burime shkarkimesh janë ndër më pak të domosdoshmet shoqërisht. Situata është tërësisht e ndryshme kur marrim në konsideratë, për shembull, metanin e fushave të orizit në Indi, ku problemet e shkaktuara nga shkarkimet duhet të peshohen karshi nevojës për të prodhuar ushqim për të ushqyer popullsinë. Një kalim i suksesshëm përtej karburanteve fosile nuk duhet të kuptojë aspak planifikimin tërësor të ekonomisë në kuptimin e pasjes së planeve shtetërore dhe racionalizimin e konsumit individual. Por disa forma konsumi duhen kufizuar ose shfuqizuar tërësisht – kjo nuk mund të bëhet përmes tregut ose thirrjeve për konsum etik, por vetëm përmes rregullimit të shtetit.

Një rritje e tillë e fuqisë së shtetit vjen me rrezikun e burokratizimit dhe autoritarizmit. Në të vërtetë, tashmë ka një prirje në këtë drejtim, me Hungarinë, për shembull, që po përdor pandeminë për të minuar demokracinë dhe rritur shtrëngimin e shtetit. Megjithatë, nëse kemi një ndryshim energjetik të sjellë nga forcat popullore nga poshtë, me lëvizje sociale që kanë fuqi karshi organeve shtetërore për ta sjellë këtë ndryshim, atëherë ky rrezik mund të mbahet në kontroll. Ndonëse mund të duket utopike në këtë fazë, është e rëndësishme të bëhen propozime për mbylljen e institucioneve të ngritura për të mbikëqyrur dhe kontrolluar popullsinë dhe ndryshimin e qëllimit të tyre të sulmuar kapitalin, mbylljen e burimeve të ngrohjes globale dhe tejçimit zoonotik. Në libër, për shembull, unë propozoj për shfuqizimin e agjencive kufitare dhe kthimin e tyre në institucione për parandalimin e tregtisë së kafshëve të egra.

D.M.: Kur flasim për utopitë, duket se ju menjëherë hidhni poshtë argumentet e të majtëve të qasjes së përshpejtimit dhe mbështetësit e Komunizmit të Bollëkut Plotësisht të Automatizuar dhe në vend të saj sillni idenë e “komunizmit të luftës ekologjike.” A mund t’i shpjegoni argumentet tuaja rreth kësaj?

A.M.: Idenë pas këtyre perspektivave tekno-utopike e konsideroj tërësisht të papjekur dhe jashtë realitetit të kushteve materiale. Nocioni që jemi në prag të një mbretërie me bollëk material të paprecedent është një nocion që nuk mund të qëndrojë racionalisht, nisur prej kufizimeve të rënda materiale që kemi thuajse në çdo aspekt, përfshirë varfërimin e tokës, zvogëlimin e cikleve të ujërave të ëmbla dhe rritjen e nivelit të detit. Edhe nëse do t’i ndalonim të gjitha shkarkimet tani, me pasojat klimatike do të përballeshim për një kohë të gjatë në të ardhmen. 

Unë e zhvilloj idenë e komunizmit të luftës ekologjike në libër si të anasjellën e idesë që ekziston për një kohë të gjatë se Lufta e Dytë Botërore na jep një model për t’u ndjekur nga vendet në përballje me krizën e klimës, një nocion që së fundi është rishfaqur në diskursin rreth pandemisë COVID-19. Argumenti im është se ndonëse mobilizimi i Luftës së Dytë Botërore na jep një analogji të dobishme, ajo ka disa kufizime, pa lënë mënjanë faktin se përpjekja e luftës u mbështet në konsumin e jashtëzakonshëm të karburanteve fosile dhe e la gjerësisht të pa prekur pozicionin e klasës kapitaliste.  

Adresimi i krizës klimatike dhe parandalimi i zgjerimit zoonotik, ndërkohë, kërkojnë veprime urgjente që shkojnë kundër interesave që rrethojnë grupet shumë të fuqishme të klasave sunduese, si dhe një transformim të shpejtë të ekonomive. Komunizmi i luftës siguron një model analog që mund të përdoret – jo në kuptimin e kopjimit të gjithçkaje që bënë bolshevikët gjatë Luftës Civile në Rusi, apo edhe shembulli i Luftës së Dytë Botërore që për të adresuar ngrohjen globale të na çojë në lëshimin e një tjetre bombe atomike në Hiroshimë. Përkundrazi, komunizmi i luftës na siguron një shembull të transformimit të shpejtë, të drejtuar nga shteti, të prodhimit dhe organizimit të ekonomisë përballë kundërshtisë masive të klasave sunduese. Një ndryshim i gjelbër do të kërkojë gjithashtu një shkallë autoriteti shtrëngues mbi kompanitë e karburanteve fosilë, të cilat deri më tani kanë bërë gjithçka që kanë mundur për të shtyrë dhe penguar zbutjen e ndryshimit të klimës.

D.M.: Ju e trajtoni këtë duke e quajtur “leninizëm ekologjik” në librin tuaj. Mund të na shpjegoni se çfarë kuptoni me këtë?

A.M.: Duke e marrë të mirëqenë se për t’u arritur një ndryshim kuptimplotë duhet të sfidohet seriozisht kapitalizmi, trashëgimia socialiste ofron një sërë burimesh që na shërbejnë për këtë qëllim. Problemi me demokracinë sociale është se nuk e ka një koncept të katastrofës – përkundrazi, ajo mbështetet në premisën e kundërt, pra nocioni që ne kemi kohë në dispozicionin dhe e kemi historinë në anën tonë, duke kuptuar kështu që ne mund të lëvizim me hapa të ngadaltë drejt një shoqërie socialiste. Cilado qoftë vërtetësia e saj historike, kjo padyshim që nuk qëndron në rastin aktual. Ne ndodhemi në një situatë emergjencash kronike, me kriza që godasin me ritme të përshpejtuara dhe në këtë mënyrë duke na vendosur afate tërësisht të ndryshme nga ato që përballej, për shembull, socialdemokracia gjatë viteve 1950 dhe 1960. Prandaj është e domosdoshme të hedhim vështrimin në ato pjesë të trashëgimisë socialiste që e kanë një ide për katastrofën. Anarkizmi është i pamjaftueshëm në këtë pikë, prejse është, për përkufizim, armiqësor karshi shtetit. Është tmerrësisht e vështirë për të parë se çfarë tjetër, e ndryshme nga fuqia shtetërore, mund të realizojë ndryshimin e kërkuar për shkak të domosdoshmërisë së ushtrimit të një autoriteti shtrëngues kundër atyre që duan të ruajnë status quo-në.

Zgjedhja e qartë, kur kërkohet një traditë e cila e ka një koncept të ushtrimit të pushtetit shtetëror në situatën e emergjencave kronike, është tradita leniniste antistaliniliste. Pjesë e kësaj tradite është edhe një vështrim i kujdesshëm rreth rreziqeve dhe kontradiktave të pushtetit shtetëror që vjen nga mësimet e Revolucionit Bolshevik. I gjithë drejtimi strategjik i Leninit pas 1914-s ishte kthimi i Luftës së Parë Botërore në një goditje fatale kundër kapitalizmit. Ky është pikërisht i njëjti orientim strategjik që duhet të përqafojmë sot – dhe kjo është çka kuptoj me leninizëm ekologjik. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për ta kthyer krizën mjedisore në një krizë për vetë kapitalin fosil.  

E përktheu Jani Marka

Marrë nga revista Jacobin

Imazhi: Danielle Nelisse

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.