Bëhuni realistë, kërkoni arsim publik falas!
/Viki Çipi/
Një shtet që kërkon të organizohet dhe të zhvillohet në mënyrë dinjitoze duhet t’u garantojë qytetarëve dy gjëra thelbësore: shëndetin dhe arsimimin.
Me anë të shëndetësisë, shteti kujdeset për mirëqenien trupore të qytetarëve të tij, sidomos të atyre që nuk kanë kushte apo mundësi ekonomike për t’u mjekuar. Dhe ata në Shqipëri, për fat të keq, po shtohen dita-ditës. Por shëndeti i trupit është vetëm njëra anë e jetës së njeriut. Pjesa tjetër është arsyeja e cila kultivohet prej dijes e dija prej arsimit. Të gjithë e dimë që s’ka arsye pa jetë e jetë pa trup. Por po aq fort e rëndësishme është – paçka se thuhet më pak – se trupi s’mund të bëjë pa arsyen, pa kapacitetin e saj për ta shëndoshur e fuqizuar trupin. Dhe jo vetëm trupin fizik të një njeriu të vetëm, por edhe trupin kolektiv të shoqërisë. Shteti, ndërsa flasim, as që pyet për shëndetin e trupave të qytetarëve. Zoti të dhashtë – thuhej në kohë të Migjenit. Zoti të shëroftë – thuhet sot.
Po aq keq është edhe arsimi, sidomos ai universitar. Studentët shqiptarë janë të detyruar të paguajnë, çdo vit e më shtrenjtë për kultivimin e arsyes, që në fakt më shpesh është shkultivim. E sa për trupin shoqëror, atë e kanë sakatuar aq sa mezi njihet.
Sot ne, studentë të universiteteve publike, jemi mbledhur këtu për t’i kërkuar shtetit që të respektojë detyrat që ia përcakton kushtetuta dhe të kujdeset për arsimin tonë sepse vetëm kësisoj mund të lindin qytetarë të virtytshëm, të përgjegjshëm dhe kujdestarë të së mirës publike. Një qytetar i arsimuar është njeri që nxit rreth vetes e bashkëprodhon një shoqëri të drejtë, solidare dhe të barabartë. Dhe kjo arrihet vetëm duke kapërcyer pengesat ekonomike që sot përjashtojnë thuajse gjysmën e popullsisë.
Po çfarë bën qeveria? Për inat të popullit, e sidomos të të varfërve, rrit tarifat. Dhe jo pak!
Sot ne kërkojmë arsim publik falas e cilësor. Tingëllon utopike? Në fakt është 100-fish më realiste se rritjet e tarifave që qeveria pretendon se mund të përballohen nga studentët. Për qeverinë arsimi publik falas mund të duket utopi, çmenduri, sepse kështu u intereson pushtetit dhe atyre që duan të përfitojnë dhe të bëhen të pasur në kurriz të studentëve. S’po marr shembull Gjermaninë se kush nuk e ka bërë leckë këtë rast. Po le të marrim Slloveninë, një vend jo shumë i zhvilluar i cili ka arsimin publik falas, dhe që po zhvillohet vit pas viti duke nxjerrë studentë të shkëlqyer të cilët kontribuojnë më pas në progresin social-ekonomik të vendit.
Të gjithë e dimë se qeveria jonë merr borxhe për të paguar biznesin, burokratët që s’bëjnë punën e tyre, apo për arredimin e zyrave të pushtetarëve. Zhytemi në borxhe për të blerë energji elektrike të cilën e prodhojmë me tepri në vend, për të blerë naftë të cilën mund ta nxjerrim fare mirë në vend. Kjo është pra qeveria që nuk do t’ia dijë për arsimin e qytetarëve të saj. Si për të mos mjaftuar kjo, buxheti i qeverisë për arsimin është rreth 2.7 % e buxhetit, dhe kjo shumë mbulon vetëm 60% të kostos së studimit. Pjesa tjetër mbulohet nga tarifat e studentëve. Kështu, sikur arsimi të behët falas, shteti ynë do shpenzonte rreth 4 % të buxhetit vjetor. Një shifër qesharake, ndoshta dhe utopike për nga madhësia e saj, por aspak për nga rëndësia që ka. Qeveria, në vend që të japë 4 % për arsimin falas, i shpenzon paratë publike për të rritur numrin e policeve që vënë gjoba e fusin në burg njerëzit që s’kanë lekë për të paguar energjinë elektrike. Nesër ndoshta do na i sjellin policët në shkollë nëse nuk paguajmë në kohë tarifat. Për të mos folur pastaj se harxhon para për të çuar ushtarë në Afganistan, athua se bota mezi po pret ta çlirojmë ne.
Me ç’duket qeveria e ka më të lehte dhe të nevojshme të prodhojë policë , ushtarë dhe armatime sesa dije dhe qytetarë që mendojnë dhe kujdesen për të mirën publike. Sepse fatkeqësisht – si për të, ashtu edhe për paraardhësen – e mira publike është armikja e qeverive private.
Por ne nuk e lëmë me kaq. Do jemi këtu gjersa mali t’bëhet hi, e hiri mal përsëri.
Fjalim i mbajtur në Asamblenë përmbledhëse vjetore të Lëvizjes Për Universitetin
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.