A ka shpresë?

/Jani Marka/

Dita simbolike më e rëndësishme e betejave shekullore që ndodhin në shoqëri – beteja mes atyre që punojnë dhe atyre që sundojnë – Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, është vetëm disa ditë larg.  

Në kushtet e koronavirusit dhe kufizimeve të theksuara të lirive që na ka vendosur qeveria, as unë, si aktivist i Organizatës Politike e cila në themel të aktivitetit të saj ka kauzën punëtore, nuk e di se si do të jetë ky 1 Maj. Mund të shprehesha se si do të dëshiroja të ishte ky, por nuk dua të hyj në spekulime. Prandaj më poshtë do të radhis kronologjikisht ato ngjarje të rëndësishme (që kam dijeni) që kanë ndodhur në botën e punës në harkun e një viti – nga 2 maj 2019 e deri më sot që po shkruaj këto radhë.

Në 25 maj pedagogë të Universitetit të Tiranës, të frymëzuar nga protestat studentore, u mblodhën dhe themeluan Sindikatën e Personelit Akademik Universitar. Sfida që ka përpara kjo Sindikatë – për të mbrojtur arsimin publik nga privatizimi dhe degradimi – është tepër e madhe, por koha do ta tregojë nëse, krahas studentëve, edhe pedagogët do të krijojnë një front të fuqishëm në këtë drejtim.

Në ditët e para të muajit korrik, rreth 500 operatorë të një kompanie call centre (Albacall) në Tiranë u organizuan fillimisht duke firmosur një peticion, por më pas me ballafaqim dhe pezullim të punës, për shkak të uljes së pagave.

Më 15 korrik, operatorë të call centre-ave, themelues të sindikatës Solidariteti, protestuan përpara dyerve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për të kërkuar të drejtën e njohjes së sindikatës, e mohuar dhe zvarritur nga Gjykata deri në atë moment. Sindikata u njoh ligjërisht nga Gjykata disa javë më vonë.

Po ashtu në muajin korrik disa dhjetëra minatorë, prej vitesh të pakënaqur me kushtet e punës dhe sindikatën e vjetër, u mblodhën në qytetin e Bulqizës për të themeluar Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e cila, pas njohjes ligjore nga Gjykata në muajin tetor, e shpalli ekzistencën e saj në sheshin kryesor të Bulqizës më 17 nëntor. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndësishme, kompania minerare (AlbChrome), më e madhja në vend, në pronësi të njeriut më të pasur në Shqipëri, oligarkut Samir Mane, filloi shtypjen e egër të organizimit sindikal. Më 22 nëntor Samir Mane pushoi nga puna kryetarin e Sindikatës, Elton Debreshin, në shkelje të të drejtave themelore të organizimit sindikal, të sanksionuara këto edhe në Kodin e Punës. Në shenjë solidariteti, qindra minatorë të AlbChrome bojkotuan punën në mëngjesin e 25 nëntorit për të kërkuar kthimin në punë të Eltonit. Kjo kërkesë nuk u plotësua. Ditët në vijim në Bulqizë është zhvilluar një nga betejat më të ashpra dhe të gjata të lëvizjes sindikaliste në Shqipëri në dekadën e fundit. Minatorët hynë në grevë, e cila bllokoi tërësisht procesin e punës, deri në datën 5 dhjetor. Ndërkohë Samir Mane pushoi nga puna edhe 3 minatorë të tjerë (Beqir Duriçin, Behar Gjimin dhe Ali Gjetën), të gjithë anëtarë të Këshillit Sindikal dhe veçanërisht aktivë gjatë ditëve të grevës. Në njërën anë ngjarja tragjike e tërmetit e mori gjithë vëmendjen e opinionit publik të tronditur, në anën tjetër të gjitha mediat e mëdha, në ndikimin e drejtpërdrejtë të Samir Manes apo tërthorazi prej interesave reklamuese, për javë me radhë nuk transmetuan as edhe 1 sekondë kronikë në edicionet informative. Më tej, edhe Policia e Shtetit dhe Inspektorati i Punës u rreshtuan me lugatin e Bulqizës – e para duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi grevistët, e dyta duke u bërë palë me pronarin. Në këto kushte greva u mbyll, por beteja vazhdoi në mënyra të tjera, duke kulmuar me një tubim masiv në Tiranë më 26 janar. Sot Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës është e vetmja shpresë për mirëqenie dhe drejtësi shoqërore jo vetëm për minatorët, por për mbarë qytetin e Bulqizës. Ajo është frymëzim i gjallë për punëtorët, aktivistët dhe qytetarët që kërkojnë ndryshime emancipuese në Shqipëri.

Naftëtarët e Ballshit janë një kolektiv tjetër i madh që në dekadën e fundit kanë protestuar në shumë raste për të drejtat e mohuara: mosdhënia e pagave dhe shlyerja e sigurimeve shoqërore, ndërprerja e shpeshtë e punës, pasiguria në marrëdhëniet e punës, statusi i naftëtarit etj. Këtë vit rreth 900 naftëtarë të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh – të mbetur pa punë qysh prej shtatorit anë dhe mes premtimeve boshe të kompanisë – filluan ta intensifikonin organizimin e tyre kolektiv përgjatë janarit. Ky organizim i përditshëm i naftëtarëve mbërriti pikën kulmore në javën e tretë të shkurtit me hyrjen në grevë urie dhe protestën e madhe në 23 shkurt. Greva e urisë u mbyll disa ditë më vonë dhe naftëtarët morën tri paga minimale, si dhe premtimet e zakonshme për zgjidhjen e punësimit. Në këtë betejë të gjatë punëtorët janë bindur se vetëm organizimi demokratik i tyre është forca e vërtetë dhe tashmë janë rrugës së ndërtimit të një sindikate të re, sindikatën e tyre, të punëtorëve.

Në muajin shkurt sindikata Solidariteti organizoi për ditë me radhë mbledhjen e guximshme të firmave në hyrje të kompanisë Teleperformance në Durrës. Peticioni me kërkesa iu dorëzua më 3 mars kompanisë Teleperformance, kompania më e madhe në sektorin call centre. Me shfaqjen e koronavirusit dhe shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore sektori call centre ka shfaqur shumë problematika në marrëdhëniet e operatorëve me pronarët. Presione, pezullime, ulje të pagave e deri në pushime nga puna. Për shembull, mes dhjetëra të pushuarve nga puna, në shkelje të rëndë të Kodit të Punës, kompania Teleperformance pushoi nga puna edhe kryetarin e sindikatës, Tonin Preçin. Pavarësisht presioneve, sindikata Solidariteti ka qenë mjaft aktive në këtë periudhë për t’u ardhur në ndihmë të gjithë operatorëve në nevojë, si dhe po siguron gjithashtu edhe mbështetje ndërkombëtare.

Bota e punës ka pasur edhe humbjet e saj tragjike. Vetëm në periudhën janar-shtator të vitit të shkuar në 100 incidente kanë humbur jetën 25 punëtorë, kryesisht në sektorin e ndërtimit. Këto vdekje mund të shmangeshin nëse do të respektoheshin rregullat e sigurimit teknik në punë.

Këto janë disa nga ngjarjet, ato më të zëshmet, por kushedi se sa e sa ngjarje të tjera kanë ndodhur larg vëmendjes publike. Sa konfrontime? Sa pushime të padrejta nga puna? Sa helmime në fasoneri? Sa peticione? Sa humbje e sa fitore?

***

Referuar disa viteve më parë kur Edi Rama, kryeministri “socialist”, mburrej se “në Shqipëri nuk ka sindikata”, faktet tregojnë se gjërat kanë lëvizur për mirë. Vendin e “sindikatave” të vjetra, sa të paafta aq edhe të diskredituara, tashmë po e zënë sindikata të reja, të ngritura demokratikisht nga themelet nga vetë punëtorët, dhe të tjera me siguri që do të krijohen në të ardhmen e afërt si në sektorin e zinxhirëve ushqimorë (ndërmarrje të përpunimit ushqimor, supermarkete), fason, transport, shërbime (bar-restorante, hoteleri-turizëm), ndërtim etj.

Me krizën social-ekonomike që do të përballemi pas përfundimit epidemisë, e ardhmja duket e zymtë për punëtorët. Shumë studiues parashikojnë se kriza do të jetë e përmasave të Depresionit të Madh të viteve 1929-33 në SHBA, në mos edhe më keq. Por nëse u referohemi studimeve dhe statistikave, lëvizja punëtore e arriti kulimin e saj historik në SHBA pikërisht në vitet 1930, fill pas përfundimit të krizës. Edhe pse uroj që të mos përballemi me këto pasoja të rënda social-ekonomike, nuk shikoj perspektivë tjetër optimiste përveç asaj të organizimit sindikal.

Më tej, në një të ardhme afatmesme, bashkëpunimi i këtyre sindikatave duhet të kapërcejë interesat e punëtorëve në ndërmarrjet konkrete, apo sektorët konkretë, dhe të shtrihet më gjerë në shoqëri: për të ushtruar presion ndaj qeverive për të miratuar minimumin jetik, rritur pagën minimale apo, më mirë se kaq, miratimim e pagës së dinjitetshme, përmirësimin e legjislacionit të punës, përfitimeve sociale etj.

Po e mbyll duke perifrazuar Oruellin: nëse ka shpresë, ajo gjendet te punëtorët.

Imazhi: Jacob Lawrence

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.