A e ka gërryer ideologjia dashurinë?
/Shkodran Ramadani/
Duke përshkruar dashurinë e shoqërisë bashkëkohore, Slavoj Žižek-u e Alain Badiou-ja thonë se njerëzit duan të dashurojnë pa rënë në dashuri. Kjo e dyta evitohet me çdo kusht për shkak të vështirësive dhe vuajtjeve me të cilat të përball kjo eksperiencë. Për të shmangur këtë rrezik, njerëzit angazhojnë agjenci këshilluese të cilat mësojnë njerëzit si të JENË në dashuri pa RËNË në dashuri. Të qenit në dashuri është lumturi, por të rënit në dashuri është terror. Sot, njerëzit tentojnë të arrijnë lumturinë pa rrezikun e rënies në humnerën e vuajtjes që shkakton ky terror.
Për fillim do të trajtojmë komoditetin që jep siguria dhe pasigurinë që ofron liria. Në ligjëratën e tij “Dashuria si kategori politike”, Slavoj Žižek-u thotë se në shoqërinë bashkëkohore të hedonizmit pseudobudist, njerëzit këshillohen që t’i ikin këtij rreziku dhe t’i përkushtohen vetëm vetes, të mbyllen brenda mureve që ofrojnë siguri dhe që janë mjaftueshëm të lartë, në mënyrë që tjetri të mos mund t’i kapërcejë këto mure e t’ pushtojë kështjellën e tyre. Ideologjia po na tregon se tjetri s’ka rëndësi. Rëndësi ka vetëm lumturia dhe disponimi yt. Ti për vete bëhu i lumtur, kurse Tjetrit uroi fat (që me gjasë nuk është edhe aq i sinqertë për shkak të logjikës së konkurrencës dhe mosbesimit ndaj Tjetrit) në betejën e tij, por nuk je i obliguar ta ndihmosh sepse, tek e fundit, secili prej nesh është duke u përballur me të njëjtën betejë. Kështu njerëzit kanë ngritur mes tyre mure të cilat janë bërë pengesa – vështirë të tejkalueshme – për të komunikuar mes vete. Për materialin ndërtimor përkujdeset ideologjia. Në burgun e tyre, ata pajisen me nga një kompjuter, laptop apo telefon të mençur. Për t’i dhënë shpirt virtual këtij arsenali teknologjik, ideologjia në këtë pako i bashkëngjit edhe një internet me apo pa tela, valët e të cilit përshkojnë këto mure dhe përmes të cilit njerëzit vendosin komunikim virtual. Kështu, liria reale mbetet e paprekshme, prandaj individi duhet të kënaqet me lirinë virtuale.
Këto mure virtuale kanë izoluar individin e shoqërisë bashkëkohore. Ndoshta pikërisht mbi këtë logjikë është ngritur origjina e “Murit të Facebookut”. Në epokën e internetit, secili individ ka kështjellën e tij (profilin në facebook), e i mbyllur brenda saj, ai ka mundësinë që në murin e tij të postojë mbishkrime të cilat njerëzit tjerë, poashtu të mbyllur në kështjellat e tyre e të armatosur me teknologjinë moderne të komunikimit, mund t’i bombardojnë me pëlqime dhe komente. Ndërkohë që Windows, prej ku mund të vërehen dhe mbikëqyren lëvizjet virtuale të agjentëve virtualë, mund të merren si ekuivalente të frëngjive së kështjellës.
Ekzistencializmi dhe marksizmi
Brenda mureve të tij virtuale individi ndihet i sigurt, por në kompensim të sigurisë, ai e privon veten nga liria. Jashtë mureve të tij ai nuk është i sigurt. Dashuria kërcënon me vuajtje. Jashtë këtyre mureve ai do të duhet të ecë mbi litarin që dërgon tek lumturia, por poshtë këmbëve të tij e pret zjarri i humnerës së vuajtjeve. Ai ka frikë të ecë mbi ketë litar. Nuk i beson vetes. Druan se humbet ekuilibrin dhe bashkë me të edhe mundësinë për tu lumturuar. Ai don siguri, të arrijë tek lumturia pa ecur mbi këtë litar. A nuk është kjo “ikja nga liria” me të cilën Erich Fromm u mor gjatë gjithë jetës?; A nuk mund të themi se këtu kemi të bëjmë me individin i cili në njëfarë mënyre, me vetëdeshirë, prangoset me zinxhirë ngase nuk guxon të ecë mbi litarin që dërgon tek lumturia? Në një interpretim ekzistencialist, mund të themi se këtu kemi të bëjmë me ankthin konstant që e mundon individin. Filozofët ekzistencialistë do të thoshin se njerëzit parapëlqejnë ankthin para marramendjes. Në momentin që dikush shikon se përfundi ka humnerën e errët, ai humbet ekuilibrin e tij dhe bie poshtë. Filozofi danez, Soren Kierkegaard, thotë se ndërgjegjja e së ardhmes përshfaqet si ankth, sepse e ardhmja, në korpusin e saj, përveç të tjerash – sipas tij – implikon edhe pasigurinë. Për dallim nga e kaluara, që është solide dhe e pandryshueshme, e ardhmja duhet të krijohet. Individi e krijon të ardhmen e tij përmes zgjedhjeve dhe vendimeve të tij. Individi fillon të projektojë veten e tij për të ardhmen. Dhe në këtë bisedë ndërhyn Sartre-i dhe thotë: “Unë e pres veten time në të ardhmen, kurse ankthi është frika se ndoshta nuk e gjej veten time atje.” Ankthi është frika që vjen nga përgjegjësia e vetëkrijimit. Është frikë nga liria. Alternativa që vendoset përballë lirisë – vazhdon Sartre-i, është vendimi për të mos qenë i lirë. Dikush mund të thotë se askush nuk zgjedh që të mos jetë i lirë, por Kierkeaard-i ka përgjigje edhe për këtë kur thotë se “të mos zgjedhësh midis alternativave, do të thotë të zgjedhësh.” Individi gjithnjë përballet me alternativa, që në fjalët e Sartre-it do të thoshim se “njeriu është i dënuar që të jetë i lirë.”
Pra këtu, siç po e shohim, kemi një ndërlidhje të filozofisë ekzistencialiste dhe asaj marksiste. Ekzistencializmi flet për ankthin e vazhdueshëm të individit që përballet me alternativat që ia shpalos jeta, e të cilat në masë të madhe përcaktohen nga marrëdhëniet e prodhimit, koncept kryesor në filozofinë marksiste. Shkurt, kemi përplasje të subjektives me rendin objektiv të gjërave.
Nga kjo që pamë deri tash, na del se individi i ngujuar është produkt i presionit të vazhdueshëm ideologjik, që ka për qëllim shkëputjen e njerëzve nga njëri-tjetri sepse të ndarë nga njëri-tjetri, njerëzit nuk do të mund të paraqesin kërcënim për këtë sistem. Ideologjia duket se na jep muret, zinxhirët, e kësaj pakoje i bashkëngjit edhe diskursin që gjatë gjithë kohës trumbeton për rrezikun me të cilin individi do të përballet jashtë mureve të tij të sigurisë. Kështu, nga frika, pjesa më e madhe e njerëzve heqin dorë nga liria dhe ngujohen brenda mureve të tyre të sigurisë.
Gracka e vetëmjaftueshmërisë
Për ta përfshirë përsëri në këtë mes, Erich Fromm-i, njësoj si Badiou-ja e Žižek-u, preokupohet me problemin e dashurisë dhe pengesat që ideologjia paraqet për të. Fromm-i thotë se të gjithë flasin për dashuri, por fatkeqësia qëndron tek fakti që dashuria gjithnjë e më shumë po rrallohet si fenomen shoqëror. Duke folur mbi rolin e ideologjisë, Fromm-i thotë se njerëzit sot kanë shumë pak hapësirë dhe kohë për të praktikuar atë që, sipas tij, është art i dashurisë. Në rrjetën e konstelacioneve kapitaliste të marrëdhënieve të prodhimit, në qendër të përkushtimit të jetës së individit janë gjërat, konsumi, suksesi personal dhe paraja. Apo thënë më mirë, ai është rob i tyre. Kështu ai lë anash dashurinë dhe shndërrohet në “kafshë hedoniste”, që edhe seksin e fut brenda logjikës së konsumit (paguan prostituta për të kënaqur veten e tij).
Në vazhdën e izolimit të individit, lind edhe nevoja për “Sex-shop”-e që tanimë janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë në shoqërinë bashkëkohore. Tani, në vend të njeriut, janë produktet ato që na kënaqin seksualisht. Vibratorë e artikuj tjerë të ngjashëm, si dhe kulti i masturbimit si manifestim i “dashurisë ndaj vetes” gjithnjë e më tepër po e bëjnë njeriun të vetëmjaftueshëm brenda botës së tij imagjinare. Kurse pornografia përdoret si simulator që e mban njeriun rob të epshit. Në këtë mënyrë, seksi përmes telefonatave është bërë diçka e zakonshme. Sot, njeriu, në një riinterpretim të Alain Badiou-së, nuk kryen marrëdhënie seksuale me tjetrin, por me veten e tij përmes teknologjisë.
Terrori hyjnor
Rreziku, vuajtja dhe humbja e ekuilibrit me të cilin përballet personi që bie në dashuri, duket që ofron edhe bazat e origjinës së frazës: “rashë në dashuri”. Kjo frazë përdoret në frëngjishte, anglishte, shqip etj., dhe përdoret për të përshkruar gjendjen e pashpresë në humnerën e rrezikut. Në fjalët e Žižek-ut dhe Badiou-së, dashuria është përvoja më elementare metafizike. Para rënies në dashuri, ke një jetë krejt “normale”, del me shoqëri, shkon nëpër ahengje, lexon pa pengesa në koncentrim e ndoshta, me pak fat, herë pas here përfundon me partnerë “one night stand”. Dhe kur e prêt më së paku, vjen moment dhe bie vrullshëm në dashuri. Krejt befas, ti e humb në tërësi ekuilibrin e orientimit tënd në jetë. Gjithçka shembet. Mbi gërmadha mbetet vetëm imazhi i personit që ti dashuron. “Të humb rruga në oborr” – thotë populli. Nga ky moment e tutje, gjithë çka kishte rëndësi për ty i nënshtrohet figurës së personit me të cilin ke rënë në dashuri. Žižek-u thotë se “vetëm në luftë njeriu mund të përjetojë terror më të madh sesa në kohën kur ai bie në dashuri.” Nga kjo gjendje mund të të nxjerrë vetëm personi që ti dashuron, sepse gjithë çka ka mbetur në botën tënde që u shkatërrua nga dashuria apokaliptike është ky person.
Përfundim
Duke u afruar drejt fundit, duhet t’ju përkujtojmë se edhe dashuria, ashtu si shumë fenomene e kategori të tjera, i është nënshtruar mekanizmave ideologjik që kanë për qëllim privimin e këtyre fenomeneve dhe kategorive nga esenca e tyre. Ashtu siç duam ta shijojmë birrën pa u dehur nga alkooli, duhanin pa na u nxirë mushkëritë nga nikotina, kafen pa krijuar varësi ndaj kafeinës, groshën që nuk na detyron të lëshojmë gazra, qumështin pa yndyrë, religjionin dhe kulturën pa fondamentet e tyre, ushqim pa kalori, dhe ashtu siç duam luftëra pa viktima, duam të jemi në dashuri pa rënë në dashuri. Ata që duan esencën e këtyre kategorive konsiderohen si të pamodernizuar. Nëse dikur në Perandorinë Romake rënia në dashuri shihej si diçka hyjnore – pasi hyji i dashurisë, Amori, godiste zemrat me shigjeta (goditja e zemrës me shigjetë nënkupton vuajtjen që i dashuruari përjeton në momentin që bie në dashuri) – sot rënia në dashuri dhe vuajtja për personin që dashuron kualifikohet si primitivizëm dhe dobësi, e nën këtë diskurs mund të themi se, ekuivalent i kundërt i Amorit – i cili rënien në dashuri e shihte si bekim – është terroristi që del në skenë me aeroplanë e bomba, e që godet zemrën e personit që bie në dashuri. Tanimë rënia në dashuri shihet si mallkim.
Tani, më tepër se kurrë, kemi nevojë për një reinterpretim të konceptit të dashurisë. E në fund, këtë përmbledhje do të doja ta konkretizoja duke parafrazuar Alain Badiou-në që thotë se “dashuria nuk është diçka që mund të përdoret vetëm për vetëmbrojtje dhe që shërben për ruajtjen e status-quo-së, por duhet të jetë diçka që krijon vazhdimisht. Risku dhe aventura duhet të rizbulohen e të zënë vendin e komoditetit dhe sigurisë.”
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.