/Slavoj Žižek/
…Sidoqoftë, kjo mungesë e Tjetrit të madh nuk do të thotë se jemi të kapur në mënyrë të pashmangshme në çarkun e mjerimit të fundësisë sonë apo të zhveshur nga momentet shëlbuese. Në romanin e Semprún-it, Gérard-i rrëfen mbërritjen në Bukenvald të një kamioni plot e përplot me çifutë polakë; ata ishin futur në një tren mallrash nga 200 vetë për vagon. Kishin udhëtuar ashtu me ditë të tëra pa ushqim e ujë në dimrin më të ftohtë të luftës. Kur treni mbërriti, të gjithë kishin vdekur të ngrirë përveç pesëmbëdhjetë fëmijëve, të cilët ishin mbajtur ngrohtë në mes të dengut të trupave. Pasi i nxorën fëmijët nga vagoni, nazistët u lëshuan qentë. Për pak kohë vetëm dy fëmijë kishin mbetur gjallë:
“Më i vogli prej të dyve mbeti prapa. SS-ët po u ulërinin nga pas e më pas edhe qentë ja nisën ulërimës. Era e gjakut po i çmendte. Më i madhi prej të dyve e ngadalësoi hapin për të kapur për dore më të voglin… Së bashku përshkuan edhe pak jardë… derisa shkopinjtë ranë mbi ta dhe së bashku u rrëzuan përtokë, me fytyrë përdhe, me duart të kapura në përjetësi.” (Semprún, The Long Voyage, f. 172)
Ajo që nuk duhet të na shpëtojë nga vëmendja është fakti se ngrirja e përjetësisë trupëzohet (sërish) tek dora si objekt pjesor: ndërsa trupat e dy djemve zhduken, duart e kapura vijojnë në përjetësi si buzëqeshja e maces Çeshirë (te Liza në botën e Çudirave)… Mënyra se si mund të shfaqej kjo skenë në ekran mund të imagjinohet pa vështirësi: ndërsa muzika e filmit dëfton ç’po ngjet në realitet (dy fëmijët e rrahur për vdekje), imazhi i duarve të tyre të kapura ngrin, fiksohet në përjetësi – ndërkohë që tingulli paraqet realitetin e përkohshëm, imazhi jep Realen e përjetshme.
E përktheu Arlind Qori
Marrë nga libri i Slavoj Žižek-ut “Less than Nothing: Hegel and the Shadow of Dialectical Materialism”
Imazhi: Daily Beast