E majta ka vdekur, rroftë e majta!

Intervistë me Ardit Kikën, pjesëtar i “Platypus” Pishtinë. Botuar më parë në gazetën “Universitari”.

Ç’është “Platypus”?

“Platypus” (shqip: Sqepori) është projekt për vetëkritikë, vetëdukim dhe për rindërtimin praktik të së majtës marksiste. Emri “Platypus” është marrë nga sqepori, i cili në momentin e zbulimit të tij zoologjik kishte vuajtur nga pamundësia për t’u klasifikuar sipas shkencës mbizotëruese të kohës. Ne mendojmë se një e majtë autentike emancipuese sot do të vuante nga një problem i ngjashëm  i (keq)njohjes,  pjesërisht sepse detyrat dhe projektet e emancipimit shoqëror janë shpërbërë dhe kështu ekzistojnë për ne vetëm  në fragmente dhe copëza. Platypus filloi në dhjetor 2004, si projekt për një revistë ndërkombëtare të shkrimeve kritike dhe politikave emancipuese, si vizion i një grupi bazë studentësh të profesorit Moishe Postone të Universitetit të Çikagos, i cili ka studiuar dhe ka shkruar mbi teorinë kritike të Marksit nga “Grundrisse” dhe “Kapitali” që nga vitet ‘60 për një përfytyrim të një shoqërie postkapitaliste.
Në pranverë të 2006-s ,“Platypus” u zhvillua dhe u shndërrua në një grup leximi të studentëve të interesuar që të mësojnë për teorinë kritike marksiste. Pra viti 2006 shënon  pikën prej ku “Shoqëria e Bashkuar Platypus” u shndërrua në një organizatë që ka për qëllim të hetojë mundësitë për rindërtimin e së majtës marksiste pas kolapsit historik te saj. Në këtë drejtim, “Shoqëria e Bashkuar Platypus”, organizon grupe leximi, diskutime politike, punë kërkimore dhe gazetareske që përqendrohen në problemet dhe detyrat e trashëguara nga e majta “e vjetër” (1920-30), “e re” (1960-70) dhe ajo postpolitike (1980-90) drejt mundësisë për politika emancipuese sot. Me 19 degë në Evropë, Amerikë Veriore dhe Azi, një nga degët e kësaj shoqërie është aktive në Prishtinë që nga viti 2013.
Me gjithë veprimtarinë e gjerë të grupit me forume publike dhe punë hulumtuese në degët tjera, “Platypus Prishtina”  mban grupin e leximit, takimet e kafes dhe me panelin e parë të organizuar më 14 prill në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit të Prishtinës. Tema e këtij forumi publik ishte “Ideologjitë radikale sot: marksizmi dhe anarkizmi”. Ishte interesante t’i kishim për herë të parë në një diskutim të këtij lloji aq më tepër me një folës anarko-sindikalist, një të Lëvizjes VETEVENDOSJE! dhe një të Organizatës Politike. Një diskutim i tillë ka munguar për një kohë të gjatë dhe ishte goxha provokues në rrethinën liberale të Fakultetit Filozofik.

Çfarë synimesh ka kjo shoqëri?

Qëllim madhor i “Platypus” është rindërtimi i së majtës marksiste. Kritika dhe edukimi që e përmendëm  ka cak të vështirë, por jo të paarritshëm, ndërtimin e një të majte emancipuese sot. Slogan i shumëpërmendur te anëtarët e “Platypus” është: “e majta ka vdekur, rroftë e majta!” Këtë e themi duke supozuar se është çështje tragjike, mirëpo edhe duke  thirrur në mundësinë për emancipim. Me fjalë të tjera, ne duam të ndihmojmë në rifshaqjen e diskutimit të majtë me qëllimin e shtytjes së praktikës politike emancipuese, të cilën shohim se mungon sot. Për këtë arsye e shohim të domosdoshëm që e majta ta tejkalojë veten – të transformohet. Rindërtimi i së majtës është nevojë urgjente mbi të cilën besojmë se varet edhe e ardhmja e njerëzimit. Ne tentojmë të ngjallim një diskutim mbi të majtën e cila sot vuan nga heshtja dhe humbja e kujtesës për historinë e saj.

 

Çfarë autorësh shqyrtoni zakonisht dhe përse?

Ne mendojmë që mendimi i Marksit është pika qendrore dhe pikë kyçe për kritikë fundamentale të botës moderne në të cilën ende jetojmë, që lindi me revolucionin industrial të shekullit XIX. Ne e vendosim mendimin e Marksit në raport me historinë paraprake të historisë së mendimit kritik shoqëror, duke përfshirë filozofinë e Kantit dhe Hegelit, ashtu edhe në raport me ata që u frymëzuan më vonë që të ndjekin Marksin në kritikën e modernitetit shoqëror, si Georg Lukács, Walter Benjamin dhe Theodor Adorno, si ndër më kryesorët. Andaj, “Platypus” është përkushtuar të rishqyrtojë tërë traditën kritike teorike që përfshin shekullin XIX dhe XX. Siç shprehej Leszek Kolakowski (në esenë e tij të vitit 1968 “Koncepti i së majtës”), e majta duhet definuar në mënyrë ideologjike e jo sociologjike; mendimi, jo shoqëria, është e ndarë në të djathtë dhe të majtë: e majta përkufizohet nga utopizmi i saj, e djathta nga oportunizmi. Ose, siç thotë Robert Pippin-i, problemi me teorinë kritike sot është se ajo nuk është kritike.
Platypus ngre pyetjet: Sa është i rëndësishëm mendimi i teoricienëve kritikë të shoqërisë moderne si Marksi, Lukacs-i, Benjamin-i dhe Adorno-ja për luftën drejt emancipimit shoqëror sot? Si mund t’i japim kuptim historisë së gjatë të politikave të pafrytshme tek e majta që na sollën këtu sot – pas Internacionales së  Leninit, Luksemburgut dhe Trockit, deri te shterpësia e sotme – pa u shtangur ose pa u dekurajuar nga kjo histori? Si munden të na ndihmojnë përgjigjet e këtyre pyetjeve në detyrën urgjente për rikonstituimin e së majtës në nivelet e saj më themelore të teorisë dhe praktikës? Si mund të ndihmojmë në daljen nga ngërçi me të cilin karakterizohet e majta?
Ne shpresojmë të ringjallim diskutimin në të majtën, e cila që një kohë të gjatë është prekur nga humbja e kujtesës dhe heshtja, me qëllim që të ndihmojmë në  gjetjen e një praktike emancipuese politike që na mungon sot. Çfarë ka qenë e majta dhe çfarë mund të bëhet ende? – “Platypus” ekziston sepse përgjigjja për një pyetje të tillë, edhe në formulimin e saj më themelor, ka pushuar së qeni e qartë që një kohë të gjatë.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.