Të palarat e zonjave të shtëpisë

/Klodi Leka/

Zënka midis deputetes Kejdi Mehmetaj dhe ish-ministres Nikolla nuk tregon vetëm luftën elektorale, por edhe se reforma në arsim është diçka kaq e pistë, saqë i shtyn bashkëpunëtorët të akuzojnë njëri-tjetrin.
I sapozgjedhuri President i Republikës e ka quajtur publikisht si “të pasuksesshme” reformën në arsim, ndërsa gruaja e tij, numri dy i partisë, Mami Mona, si “një reformë e votuar detyrimisht për hir të koalicionit”. Më larg e ka çuar akuzën deputetja e re Mehmetaj kur thotë se Lindita Nikolla është kukull injorante dhe shërbëtore e një grushti oligarkësh.
Më tej Mehmetaj thotë se ish-ministrja ka sabotuar çdo tentativë institucionale për të shmangur pasojat katastrofike të saj. Nikolla përgjigjet se deputetja është një çupkë e pacipë (?!), ndërsa indirekt se partia e saj është e lidhur me universitetet e kyçura private.
Akuza për klientelizëm dhe sabotim ndërmjet partnerëve qeverisës, tash në krizë martesore, është e rëndë jo vetëm në rrafshin etik, por edhe penal. “Kush janë këta oligarkë dhe ç’janë këto llafka moj Klejdi dhe Lindita?” – do të pyeste me të drejtë qytetari më karagjoz, por dhe prokurori serioz, kur të shastishej prej shamatës midis zonjës dhe zonjushës në fjalë.
Budallaçkat ndoshta nuk e kuptojnë, por po nxjerrin në shesh të palarat e familjes.
Megjithatë situata, sado katastrofike, nuk është serioze. Se kush janë ata oligarkë, është bërë sekret publik. Siç është bërë sekret fakti publik se LSI-ja ndoshta i ngre pa qejf kartonët, ama për të ngrënë tenderin dhe privilegjin i luan fenë. Nora Malaj është zv/ministrie e Arsimit prej tetë vitesh dhe i ka shërbyer çdo tentative qeveritare në kurriz të arsimit publik.
Apo si gjatë një nate korriku, në një mejhane lozej kumar me fatet e brezave, PS-ja bashkë me LSI-në dhe PDIU-në dhe dreqin e të birin kaluan ligjin famëkeq për arsimin e lartë.
Mirëpo në kohën tonë, për fat të keq, e drejta nuk vlen një dyshkë pa fuqinë dhe nuk duhet të habitemi nëse ndodh gjithçka. Prandaj mos u habitni me premtimet e tyre për arsim publik universal, çka para pak muajsh i quanin “kërkesa utopiste ekstremistësh të majtë”. As prej lotëve postelektoralë të maturantëve. Jo e jo prej fytyrës prej babai arrogant e të ashpër që flet për meritokraci të qeveritarit të radhës.
Në tezën e VIII mbi konceptin e historisë, filozofi gjerman Walter Benjamin thotë se nëse habitemi përse gjërat vazhdojnë të ndodhin përsëri e përsëri, kjo habitje nuk është filozofike, “..nuk çon tek asnjë dije, përveçse tek ajo që shpërfaq se këndvështrimi historik prej nga rrjedh habia nuk qëndron më në këmbë”.
Pra, se nuk bën të habitemi, të investojmë ndjenja dhe shpresa te ca njerëz që historikisht na kanë zhvatur dhe tradhtuar. Ky këndvështrim historik – pandehma se këta njerëz do të sjellin demokraci dhe mirëqenie – ka rënë dhe prej këtij rrëzimi ata që thyejnë turinjtë jemi ne të tjerët.
Prandaj çështja nuk është të habitemi me padrejtësitë dhe lajthitjen e sunduesve, por duke i dhënë fuqi të drejtës të mëkëmbim një tjetër këndvështrim: të parit të çështjes jo në pozitat e spektatorit qaraman, por të njeriut të angazhuar për të marrë në kontroll frenat e fatit të tij.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.