Për një parti të re komuniste

/Xhodi Din/[1]

 

Unë s’jam ludite[2]. Nuk mendoj që duke i mbyllur llogaritë në “Facebook” kemi për ta rrëzuar kapitalizmin. Mendoj se është pak absurde. Mendoj që ka më shumë sens nëse mendojmë se si do të mund të përdornim mjetet që kemi për ta rrënuar fronin e zotëruesve. Ne mund ta fuqizojmë së bashku mesazhin tonë. Mund ta dimë më me saktësi se sa jemi. Mund të zhvillojmë mënyra të përbashkëta të të menduarit. Mund të shpërndajmë materialet organizative të partisë revolucionare.

Unë s’mendoj që qasja ekstraktive në median komunikative është e duhura. Mendoj që (qasja – v.p.) duhet të jetë  më taktike. Si t’i përdorim mjetet që kemi dhe si të gjejmë shtigje për t’i kapur mjetet e komunikimit? Kjo do të nënkuptonte kolektivizimin e “Google”-it, “Facebook”-ut e “Amazon”-it dhe përdorimin e këtyre aparateve. Por, mbase kjo do të ndodhë në ditën e dytë pas revolucionit.

Një nga mënyrat se si marksizmi i ka kuptuar historikisht problemet politike me të cilat përballen punëtorët është kurthimi dhe ngulitja jonë totale në sistemin kapitalist. Ajo që e bën një grevë aq kurajoze është fakti që punëtorët, përmes këtij veprimi, i ndjellin vetes kokëçarje. Për një kohë ata nuk marrin pagë, si një mënyrë për t’i bërë presion pronarit kapitalist të fabrikës.

Kështu që, sipas mendimit tim, ruajtja e fjalës “komunizëm” është e dobishme jo vetëm sepse armiqtë tanë ia kanë frikën komunizmit, por edhe sepse ndihmon që socialistët të duken tejet, tejet në modë e të pranueshëm. Dhe kjo është gjë e mirë. S’duam që socializmi të tingëllojë si diçka që mund të ngjajë vetëm në Suedi. Duam që të duket si diçka që Amerika do të duhej ta kishte.

Edhe një gjë në lidhje me historinë e komunizmit: gjithsecila ideologji politike që e ka injektuar një formë shtetërore ka bërë gjëra të tmerrshme. Në përgjithësi, nëse njerëzit e duan ideologjinë, ata ose i lënë këto gjëra të tmerrshme të shkojnë siç vijnë, ose e përdorin ideologjinë për të kritikuar këto gjëra të tmerrshme që shkakton shteti.

E njëjta vlen për komunizmin. Do të na ndihmonte sikur ta pranonim se vendet që ne mendojmë që janë qeverisur nga partitë komuniste, në fakt, kurrënjëherë s’qenë komuniste – madje as ato vetë s’kanë pretenduar ta kenë arritur komunizmin. Ne mund të themi se socializmi shtetëror i bëri ato gabime dhe rrjedhimisht, duke vepruar asisoj, i tradhtoi idealet komuniste.

Pyetje: Kur thoni se partia do të ishte një zgjidhje për lëvizjet si “Occupy”, nuk e keni fjalën për Partinë Demokratike, apo jo?

Përgjigje: Kam shumë pika për këtë pyetje. Përgjigjja ime e parë është jo, në fakt unë e kisha fjalën për partinë komuniste. Miqtë e mi e quajnë këtë me shaka si “Partia Revolucionare e fantazisë së Xhodit” sepse soji i partisë komuniste që unë e marr si model mund të mos jetë real, apo mund të ketë ekzistuar për vetëm një vit e gjysmë në Bruklin gjatë viteve ’30. Dhe as nuk e kisha fjalën për Partinë aktuale Komuniste të ShBA-ve, që akoma ekziston dhe që faktikisht përkrah demokratët.

Ideja ime është që të mendojmë në kuptimin e asaj se si mund ta imagjinojmë sërish partinë komuniste si një forcë; si do të ishte në qoftë se të gjitha grupet tona aktiviste të majta dhe partitë e vogla sektariste do të vendosnin që bashkërisht të ngrinin një parti të re radikale të majtë.

Kështu që, jo, nuk po përfytyroja Partinë Demokratike kur po flisja rreth kësaj. As që e kam në mendje. Unë po flas për një parti të re të majtë radikale, për të cilën zgjedhjet janë të rastësishme. Ato mund të jenë mënyrë organizimi, por qëllimi nuk është vetëm të zgjedhësh. Qëllimi është rrëzimi i kapitalizmit. Qëllimi është të qenit i aftë për të ngritur një shoqëri komuniste teksa kapitalizmi thërrmohet…

Përzgjodhi dhe përktheu: Fitim Salihu

Shënime:

[1] Kjo është pjesë e një interviste më të gjerë që Xhodi Din (Jodi Dean) ka bërë me gazetarin Çak Merc (Chuck Mertz) për radion-programin “This is Hell”, në lidhje me librin më të ri të Dinit, i cili pritet të dalë në muajt e ardhshëm, të titulluar “Masat dhe partia”.

Xhodi Din është një politologe dhe teoriciene e majtë amerikane që merret kryesisht me studime nga marksizmi, psikanaliza, poststrukturalizmi, teoria e medias, teoria feministe etj. – vërejtje e përkthyesit.

[2] Luditët ishin punëtorë anglezë të tekstilit të cilët protestuan mes viteve 1811-1816 duke shkatërruar makineritë e reja industriale, të cilat, sipas tyre, po u zinin vendet e punës. – vërejtje e përkthyesit.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.