/Arlind Qori/
Paradite. Rrugës për fakultet. Qyteti ka ca që është zgjuar. Pres autobusin buzë Lanës. Nuk vonon shumë. Madje vijnë dy njëri pas tjetrit. Prej muajsh trafiku është pakësuar ndjeshëm. Sipërmarrja publike e bashkisë po eksperimenton shërbimin e transportit publik falas. Duke rritur taksën e qarkullimit të automjeteve, sidomos të atyre që nuk shërbejnë për punë, ka mbuluar kostot e transportit publik falas i cili, me linja të shpejta e me cilësi të pranueshme, të mundëson të lëvizësh shumë më shpejt nëpër qytet.
Mbërrij në fakultet. Hedh sytë nga sekretaria dhe kujtoj motin kur duhej të merrja regjistrin. Për fat studentëve nuk u bëhet më apel si ushtarë. S’është e nevojshme. Universitarimi është e drejtë themelore, është dobi, është edhe kënaqësi. S’ka më nevojë për kërcënim me germën “m”.
Prej vitesh ia kemi arritur të jetësojmë të drejtën themelore qytetare të arsimit publik falas. Jo vetëm kaq, por studentët në nevojë kanë mundësi të ushqehen e të jetojnë në mensa dhe konvikte falas. Pamundësitë financiare nuk na kanë bërë ende të pranojmë këdo që dëshiron në universitete, por të përdorim një konkurs kombëtar të miraplikuar. Mirëpo vit pas viti numri i të pranuarve rritet.
Biblioteka është e pasur me libra, të mundësuar edhe online. Copyright-i konsiderohet sulm ndaj të drejtës themelore të dijes. Copyleft-i mbështetet në karakterin komunitar ndërbrezor të dijes. Ajo çka i shtojmë pasurisë së pamat kulturore njerëzore është shumë pak për të justifikuar rentën e përdorimit e gishtit që kemi ngritur mbi kryet e gjigandëve.
Hyj në klasë. Tryezat dhe karriget janë harmonikisht të çrregullta. Zë vend në një cep dhe, pa kaluar pak minuta, studentët hyjnë një e nga një. Bëhemi pesëmbëdhjetë vetë. Është kurs me zgjedhje, si shumica e lëndëve pas reformës së mezifituar universitare. Është e treta nga dhjetë temat e kursit të dialektikës si teori dhe praktikë shoqërore. Sot do të flasim për Hegelin e ri sipas Georg Lukács-it.
Detyra ime është të flas dhjetë minutat e para. Sa të përmbledh e të shtroj pikat kryesore të diskutimit. Pastaj është grupi që përcakton kthesat dhe intensitetin e diskutimit. Diskutimi nuk ka orar. Bashkëvendoset se deri në ç’pikë do të vazhdojë dhe kur do të rimblidhemi. Mirëpo zakonisht vazhdon me orë të tëra. Shkoklavitja teorike kërkon mund, është sfiduese dhe sfilitëse, po aq sa ngazëllyese.
Përveç ndërmjetësimit të kurseve, pedagogët kanë për detyrë që një herë në javë të përgatisin nga një leksion që synon njëfarë risie në trajtimin e problemeve me karakter teorik. Ligjërata të tilla filmohen dhe publikohen në faqen e fakultetit në Youtube. Farkëtimi i dijes ndodh në universitet, por i përcillet shoqërisë.
Në klasat e tjera studentët e pedagogë, universitarë siç quhen gjithnjë e më shpesh, eksperimentojnë lëndë, qasje e metoda të reja, gërshetojnë disiplina deri më dje të mbyllura në profesionalizmin e tyre shterp. Një koleg organizon një kurs ku gërshetohet psikanaliza e Lacan-it me filozofinë e Hegelit. Një i dytë marrëdhëniet ndërkombëtare me historinë e formacioneve shoqërore. Një i tretë sociologjinë e qytetit me estetikën moderniste.
Në fakultetin tonë nuk ka më nota. As provime. Ama ka shumë punë hulumtuese e reflektuese. Bashkëkultivohemi mendërisht. Herë pas here njëri prej studentëve merr përsipër të udhëheqë diskutimin në klasë duke bërë hyrjen dhjetëminutëshe.
Punët e ngushta profesionalisht fitohen nëpërmjet një konkursi kombëtar të diferencuar. Të arsimuarit në shkenca shoqërore kanë më shumë mundësi mirëpunësimi prej ndërhyrjes së një shteti demokratik në ekonomi dhe transformimit të hartës mendore kolektive se punë të dobishme janë edhe ato që kultivojnë mendjen dhe edukojnë demokratikisht.
Në fakultetin tonë nuk ka më dekan, as shef. Komuniteti universitar i pedagogëve dhe studentëve zgjedh në poste koordinuese këdo që e vlerëson të duhurin. Mandatet janë të revokueshme prej nismës së 20% të zgjedhësve dhe votës së mbi gjysmës së tyre. Kompetencat e të zgjedhurve janë të kufizuara. Ato kanë përparësi vetëm në fusha mirëfilli teknike. Për gjithçka tjetër vendos asambleja e universitarëve.
Banjat e fakultetit nuk i lajnë më pastrueset. E konsiderojmë poshtërues profesionin e larjes së fekaleve të tjetrit. Megjithëse kemi kërkuar zgjidhje teknike për ta shmangur ndërhyrjen njerëzore në to, deri më tash s’ia kemi dalë. Atëherë kemi vendosur që banjat të lahen me radhë nga skuadra pastrimi të vetë përdoruesve të tyre. Nëse barra e punëve të padinjitetshme duhet mbajtur, atëherë u takon shpatullave të të gjithëve.
Pa e vënë re më ka zënë pasditja në fakultet. Rrugës kaloj nga bankomati. Rroga nuk ka ndryshuar prej vitesh. Ama ndihem shumë më i pasur. Bashkë me të tjerët kam në dorë fatin e jetës dhe punës sime.
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).